eGo0sTyle
System Engineer
Rukie Rama ne redaksine e Gazetes Panorama
Pas një kohe të gjatë, protagonistja e një prej historive më të bujshme në kohën e diktaturës viziton qelinë e saj në Burgun e Bajram Currit, duke u kthyer pas në kohë, në kujtime e saj të dhimbshme. Rukie Rama, vajza që sfidoi operativin e Sigurimit të Shtetit, duke i hedhur poshtë gënjeshtrat me një vërtetim virgjërie, sot i ka kaluar të 60-at. Me një kujtesë për t’u pasur zili, ajo na tregon për kohën e burgut, bashëvuajtëset dhe provokatoret
Kur ajo të thotë emrin, e pamundur ta mposhtësh mërmërimën: “vajza me gërshet…”! Flokët e dendur i mban ende të mbledhur, por jo më të thurur… Në fytyrë ruan ende tiparet e rregullta, që koha u ka shtuar rrudhat dhe fisnikërinë. Rukie Rama është nga ato që ne rëndom i quajmë “zonjë grua”. E gjithë qenia e saj të ngjall respekt; mënyra se si të drejtohet me aq delikatesë, përpjekja për të mos i rënduar askujt me fjalë apo qoftë edhe veshja e përkorë bardh e zi, ku spikasin dy radhë perlash që i qarkojnë qafën. Për dikë që ka dëgjuar historinë e saj, takimi i parë është pak i sikletshëm. Si të sillesh e të pyesësh një grua që ka kaluar në qeli moshën më të bukur, pa e lënduar? Ndonëse “burrnesh” Tropoje, e pamundur t’i shpëtojë përlotjes. Dhimbja i shtrëngon gjoksin e t’i ndjen se lotët e saj janë ngjitës. Të ngrihen në fyt e nuk mundesh t’i përcjellësh. “Nuk doja t’ju ngarkoja”, thotë ajo, si të ishte fajtore për historinë e saj. Rukie Rama jeton prej gati 20 vitesh në Belgjikë. Në vitin 1993 u largua nga Shqipëria, ndonëse për asnjë moment nuk u nda prej vendit të saj. Atje iu dha mundësia të jepte sërish mësim, madje në gjuhën shqipe, për emigrantët shqiptarë atje. Ishte ajo nismëtarja për hapjen e këtyre klasave të veçanta. E gjitha kjo i falte gëzim dhe i jepte forcë për ta parë jetën pozitivisht. Me gjithë angazhimin e saj në Bruksel, ajo kthehet herë pas here në vendin e
saj, në Bajram Curri.
Rukie Rama, duke vizituar qelinë ku ka vuajtur dënimin, në Burgun e Bajram Currit, pas 36 vitesh
Atje ka varret e prindërve, atje ka kaluar vitet më të bukura e të trishta… U kthye edhe këtë verë. Përveç ritit të vizitës në varret e prindërve, ajo kishte edhe një qëllim tjetër. Madje dy… Të vizitonte qelinë e saj në Burgun e Bajram Currit dhe të gjente ditarët e sekuestruar nga Sigurimi i Shtetit. Të paktën njërin prej këtyre misioneve e kreu. Vizitoi qelinë nr.7. Aty ishte qelia e ftohte, e ngushtë.. E iu bë se dëgjoi zhurmën e zinxhirëve, goditjet, ulërimat… Iu bë se pa lotët e nënës teksa përshkonte korridoret e errët… Në vitin 1975, Rukie Rama ishte vetëm 25 vjeçe. Fshatrat e Tropojës nuk kishin parë vajzë më të bukur e më të zgjuar se ajo. Ishte drejtoreshë shkolle në një nga fshatrat më kufitarë të Shqipërisë. Ishte aso kohe kur një operativ i Sigurimit ia vuri syrin, por vajza nuk e përfilli. Kaq u desh që mbi mësuesen tropojane të binin breshëri akuzash.
E akuzuan si agjente dhe madje operativi dëshmoi se vetë Rukia i ishte rrëfyer atij, teksa kalonin ca çaste intime bashkë. Ai pretendoi ta kishte të dashur Rukien. Për vajzën ky turp nuk mund të mbahej. Kërkoi t’i bënin ekspertizën mjekësore. Sot, kur e kujton atë kohë, i vjen të qeshë me veten. “Kisha lexuar shumë, por për këtë punë nuk dija kurrgja”. Ekspertiza i dha të drejtë Rukies. Ajo ishte e virgjër. Nga 25 vjet burg që e dënuan, ajo bëri vetëm 7, të cilët i kaloi në Bajram Curr, Kuçovë e Kosovë të Elbasanit. Në një bisedë, Rukie Rama na tregon për vitet e burgut, bashkëvuajtëse në Burgun Politik të Kuçovës, ku vuanin dënimin edhe 13 gra ruse. Ajo tregon për provokatoret që i fusnin në dhomë dhe episode që nuk i shqit dot nga mendja.
Zonja Rukie, ju jetoni prej vitesh në Bruksel, megjithatë ktheheni herë pas here këtu, ç’ju mban ende të lidhur me një vend që ju ka bërë aq shumë të vuani?
Rukie Rama në moshë të re
Unë vij gjithnjë në Shqipëri, jo sepse më mungon ndonjë gjë atje, por më mungon ndjenja, më mungon atdheu, dashuria që marr edhe nga gurët e varreve të prindërve të mi. Vi këtu të çlodhem, të marr forcë për t’u kthyer sërish atje ku jam. Njeriu jeton jetën reale, por ruan edhe kujtimet, atë që ka kaluar, qoftë për mirë e qoftë për keq. Jeta ime ka qenë e veçantë. Kam kaluar shumë vështirësi, por me sytë e mendjes e paramendoj atë vuajtje që kanë kaluar njerëzit e mi në burgosjen time. Kur u arrestova, më kishte vdekur babai, po nëna, vëllezërit dhe motra më kanë ndenjur pranë dhe, kur vete te guri i varrit të nënës sime, shkoj e kërkoj falje.
Megjithatë, kësaj here e keni një shtysë më shumë…
Kam dëshirë të lë diçka të shkruar nga dora ime, por njeriu duhet të jetë shumë i sinqertë në kësi rastesh, sepse ndonëse ai nuk do të jetë më, shkrimi do të mbetet dhe njerëzit kur ta lexojnë të gjykojnë mbi bazën e së vërtetës. Gjithë jetës kam mbajtur ditar. Nisa qysh se shkova në shkollën e mesme Pedagogjike të Shkodrës, pastaj fillova jetën time me shumë dashuri, me një pasion të çuditshëm, mënjanova jetën time individuale për t’u bërë pjesë e jetës së malësisë. Fatkeqësisht, ditarët e mi përfunduan në dosjet e asaj kohe. U sekuestruan bashkë me librat e mi. Rastësia e dha që të lexoj në gazetën tuaj për librin e Liri Gjolikut, ku ishte një pjesë edhe për jetën time. Ajo e cekte pak edhe punën e ditarëve, që i kishin marrë përpara se të burgosesha dhe bëra ç’është e mundur për ta takuar atë person, që të nxjerr diçka nga ato fletore, që për mua ishin një thesar. Krahas mallit për vendin, kjo ishte një tjetër arsye që më shtyu për të ardhur.
Ndër të tjera, vizituat edhe qelinë tuaj në Bajram Curr, pse ky kthim në ato kujtime të dhimbshme?
Prej vitesh isha në dilemën për të pasur një fotografi të asaj qelie ku u burgos rinia, jeta, ku u varros gjithçka. Prej vitesh pyesja veten nëse duhet t’i thosha ndokujt të më ndihmonte për këtë, a duhej ta rëndoja sërish shpirtin tim me atë pjesë të së kaluarës sime, ku kisha dhimbjet e mia, gjakun tim, lotët që nuk ka det t’i mbaj. Ishin lotët e një vajze të re të mbyllur në qeli. Gjithmonë më vinte ndërmend që prej asaj pseudo dritareje shihja një pemë, dardhë apo plep, nuk e di ç’ishte. Syri më zinte një gjeth. Unë datat i numëroja me dritën dhe ngrysjen. Ai gjeth ra në datën 27 dhjetor dhe m’u duk sikur u shkëputa nga jeta pikërisht atë ditë. Dhe doja të shkoja sërish. Shkova në Bajram Curr ku gjeta një personel të kulturuar, që e di se çdo të thotë vuajtje e njeriut, bashkëkohor. I kërkova drejtorit të Burgut që të kisha të paktën një fotografi të asaj qelie. Ai organizoi një takim të veçantë me njerëz të nderuar të Bajram Currit, psikologë të Burgut dhe dy shkrimtarë.
ا’ndjesi ju shkaktoi të përballeshit sërish me atë vend?
Ishte një ndjesi e papërshkrueshme kur ngjita sërish shkallët e burgut. Ato shkallë që ngjiste nëna ime për të më sjellë ndërresat e nuk më shihte dhe, që në momentin që hyra në oborr e deri lart, vetëm lot kisha, por pashë lot edhe në sytë e atyre që më rrethonin. E përshkova korridorin e atij burgu jo me një ndjenjë frike, sepse e dija se nuk do t’më bënin asgjë, por edhe nëse, mosha ka kaluar e jeta ka ikur, por më vinin nëpër mend dhimbjet, ulërimat, jo vetëm të miat, por edhe të të tjerëve kur i lidhnin. Por, e pata kurajën të hyja në qeli…
Kishte ndryshuar?
Sinqerisht, nuk kishte ndryshuar shumë. I kishin dhënë vetëm një gëlqere, por qelia numër 7 kishte mbet ajo që kishte qenë. Kishin ndryshuar sportelin, që ishte një dërrasë e ku kisha një kujtim të veçantë. Shumë gjëra janë të padokumentuara dhe shumë njerëz mund të mendojnë se thua të pavërteta, por ato janë pjesë e jetës sime. Me këmbëngulje i kam kërkuar personelit të më gjenin një burrë me emrin Ndoc (vetëm emrin i dija, ndoshta e kisha dëgjuar te thirreshin mes vedit), që në orën 2 të natës, kur më sollën të dërrmuar nga Hetuesia, shkoi në fund të korridorit, ku ishte një çezmë dhe mbushi një grusht ujë dhe më hodhi një pikë tek ajo dërrasë, që laga pak buzët e gjakosura. Por, fatkeqësisht, tek qelia ngjitur paskësh qenë një provokator dhe ai e raportoi këtë veprim, se si duket paskësh qenë zgjuar, ishte në shërbim… Por unë kurrë nuk e pranova se më dha dikush një pikë ujë, sepse bëhej fjalë për bukën e fëmijëve të atij tjetrit. Vijuan torturat me ditë të tëra, e lidhur tetësh me zinxhirë. Torturat ishin kënaqësia e tyre.
E më pas ju çuan në Burgun e grave në Kuçovë…
Historia ime kishte shkuar në Burgun e Kuçovës, para se unë të shkoja atje. Një e burgosur, me emrin Shqiponja Ngjela më thoshte se të gjitha mendonim se unë do të isha ndonjë grua 5 metra e gjatë, sepse u veshën të gjitha telat e burgut, kur dola nga autoburgu. Atje kishte gra të dënuara për të gjitha llojet e neneve. Gjithë bota i dënon ato që vrasin, vjedhin, por për politikë ishte gjë e rrallë në Shqipëri. Menjëherë më çuan në dhomën e “Krimit kundër shtetit”, që ishte e veçantë nga ajo e neneve të tjera.
Me kë e ndanit qelinë?
Në qeli kam qenë vetëm, por herë pas here sillnin edhe ndonjë provokatore, por e kishin të vështirë të nxirrnin ndonjë gjë prej meje. Kisha lexuar shumë dhe e dija pak a shumë si funksiononte. Kur vjen nga jashtë ke një çehre tjetër në fytyrë. Ne ishim të zverdhura. Ato rrinin shumë pak në qeli. Do të kujtoja me shumë respekt Viviana Beltojën, të cilën e sollën në qelinë time kur unë kërkoja të mbroja nderin tim duke kërkuar vizitë mjekësore. Të them të drejtën, isha krejt injorante në këtë fushë. Kisha lexuar gjithçka, por nuk dija asgjë në këtë aspekt. Kur atë e prunë aty, dukej një grua e mirë. Bëri sikur nuk më njihte, ndonëse ajo dinte gjithçka përpara se të hynte. Kur erdhi aty i them: A ban me ta ba një pytje. (T’ju them të drejtën ishte një budallallëk i madh. Unë e kisha lexuar “Donin e qetë” të Shollohovit, por jo atë pjesë që duhej). Po, më thotë. A je nanë, apo nuk je? Duket se ajo u prek nga mënyra e komunikimit tim dhe më pyet se përse doja ta dija. I thashë se më akuzonin për diçka që nuk e kuptoja pse. Mirë për akuzat e tjera që ishin gjithë ata dëshmitarë, po këtë si mund ta vërtetoj.(Flet për vërtetimin e virgjërisë.) Aty kam parë një grua që u dorëzua menjëherë e që filloi të qante. “Pse, nuk e di”,- më tha? “Jo”,- i thashë. Unë vërtetë kisha bërë kërkesën, por sinqerisht nuk ia kisha idenë. “Oj budallaqe, më thotë, qenke fare e paditur”. I ra derës dhe kërkoi ta nxirrnin. Ata menduan se ajo më kishte zbërthyer. E dëgjova që e qëllonin, ndërsa ajo protestonte. Atë e falënderoj për gjithë jetën. Nuk e di se ku është tani, nuk e di në jeton, sepse ishte më e madhe se unë.
Pas kaq vitesh, kë do të kujtonit nga bashkëvuajtëset tuaja?
Gjeta shumë bashkëvuajtëse atje, por një prej tyre më ka mbetur enigmë edhe sot e kësaj dite. Quhej Anxhela (Angja) Berberi apo Kovaçi në atë kohë. Unë kisha lexuar për jetën e saj, sepse e kishim me detyrim të lexonim librin “Gjurmët të çojnë në qelë”. Vëllain ia kishin vrarë, kurse atë e kishin burgosur. Një vajzë shumë e bukur, e shkolluar te Françeskanët në Shkodër, me një kulturë të madhe. Atë e arrestuan dhe e detyronin të pohonte se kishte pasur marrëdhënie me të vëllain e vet, Engjëllin. Më ishte fiksuar se gjoja i vëllai kishte pranuar, kurse Angja jo. Unë atë e gjeta në burg. Nuk i kishte ardhur njeri ta vizitonte për 20 e ca vjet, por ajo ishte modeli i një femre shumë të organizuar, ishte me shumë kulturë. Kur u futa në burg, ajo u afrua me mua. Ndoshta i kujtoja veten e saj, sepse isha në të njëjtën moshë, si ajo kur e kishin arrestuar. Ndërsa bisedonim, e pyes: A është në këtë burg Angja Kovaçi? Dhe ajo që më pyet: Pse, çfarë kurioziteti ke? I thashë që kisha lexuar librin. Si e imagjinon?,- më pyeti. Një skenë tërësisht e paimagjinueshme, të të akuzojnë për vëllain..,- i thashë. Ajo ishte shumë e zgjuar. Pasi më lexoi mendjen, më tha: Unë jam Angja. Filloi të qante. E pyeta se si e kishte përjetuar dhe më tha se vetëm dy fjalë i kishte thënë të vëllait: Vëlla, ne Krishtin e kemi me vete. Beso te Zoti dhe mos poho atë që nuk është njerëzore! Vëllain ia kishin ekzekutuar menjëherë.
Burimi : Panorama