Vetëvlerësimi

braziljania

Anëtar i Nderuar
T'u edukosh fëmijëve parimin e vetëvlerësimit mund të duket si një përgjegjësi e madhe. Kjo ndjenjë shoqëron të ardhmen e fëmijës, sidomos kur ata provojnë të bëjnë gjëra të reja dhe t'i bëjnë pa ndihmën e askujt.

Psikologët thonë se vetëvlerësimi vjen nga një ndjenjë bindjeje dhe besimi në aftësitë tona, duke ditur që kontributet tona vlerësohen dhe janë të vlefshme. Vetëvlerësimi është një përvojë kalimtare. Ndonjëherë ne ndihemi mirë me veten tonë, ndonjëherë ndihemi keq. Ajo që duhet të mundohemi t'i mësojmë fëmijëve janë aftësitë e jetës, si ajo e të qenit njeri elastik.

Prindi duhet të kujdeset që t'i japë fëmijës siguri, duke pasur krenari dhe respekt për rrënjët e familjes së tij, kjo gjithmonë e shoqëruar në besimin te Zoti. Dhurojini dashuri pa kushte fëmijës suaj. Vetëvlerësimi i fëmijëve tuaj lulëzon kur ju i doni pa i vënë rëndësi faktit se kush është fëmija juaj dhe çfarë bën ai. Fëmijët tuaj përfitojnë më shumë kur ju i pranoni për ata që janë, pavarësisht aftësive të tyre, vështirësive apo temperamentit të tyre. Mos e kurseni dashurinë për ta, tregojeni atë me puthje dhe me ledhatime.

Duhet t'i tregoni fëmijëve që ata janë të rëndësishëm dhe me vlera. Kjo nuk është e thënë që t'ju harxhojë shumë kohë. Kur fëmijët ju thonë diçka, shihini ata në sy, duke qenë e qartë vëmendja juaj. Kur nuk keni kohë, duhet t'ia thoni e ata kanë për t'ju kuptuar.

Jeta e fëmijëve duhet të jetë gjithmonë në lëvizje e aktivitet, duke u munduar që të jetë sa më krijuese, po kjo nuk do të thotë që ata duhet të jetojnë pa pasur një regjim dite, apo rregulla për punë të ndryshme. Vendosni disa rregulla. Nëse ju i thoni fëmijës që duhet të hajë në tavolinë, mos toleroni që të nesërmen të hajë në divan apo para televizorit. Kur këto rregulla gdhenden mirë në ndërgjegjen e fëmijës, atëherë ata do të ndihem mirë dhe të sigurt. Duhet të jeni të qartë me fëmijët tuaj dhe të tregoni që keni besim te ata dhe se prisni që ata të veprojnë ashtu si duhet.

Lërini liri fëmijëve të zgjedhin, po gjithmonë duke i dhënë disa mundësi. Pyeteni vajzën tuaj se çfarë fustani do të veshë, duke i dhënë dy lloje; apo pyeteni nëse ajo do të vizatojë apo të shohë televizor. Në këtë rast ajo do të fitojë afërsi e do të zgjedhë njërën nga alternativat. Duke i lënë të zgjedhin, ata kanë besim në zgjedhjen e tyre, si dhe rritet sensi i vetëvlerësimit të fëmijës suaj.

Mbështesni marrjen e iniciativave të reja. Jepini kurajë fëmijëve për të eksploruar diçka të re, si për të ngrënë diçka ndryshe, ose për të zënë një shok të ri. Edhe pse është gjithmonë e mundshme që të dështosh, pa rrezikuar, ka shumë pak mundësi për sukses. Kështu që i lini fëmijët tuaj që të eksperimentojnë në mënyrë të sigurt dhe mundohuni të mos ndërhyni direkt. Për shembull; mos ndërhyni, nëse ata prishin një lodër. Nuk është veprim i mirë, kur i thoni që të mos shqetësohen, sepse ju do ia rregulloni lodrën, pasi kështu ata do të humbin lidhjen që kanë krijuar.

Duhet të ndërtoni vetëvlerësimin te fëmijët tuaj, duke balancuar dëshirën tuaj për t'i mbrojtur ata me dëshirën e tyre, për të provuar përvoja të reja. Eksperimentimi i gjërave mund t'i çojë fëmijët të bëjnë edhe gabime. Këto gabime janë të mira për fëmijët tuaj, pasi i mësojnë se si të sillen në situata të ngjashme, për shembull: do të dilni shëtitje e vajza juaj dëshiron të veshë një kostum të trashë, kur jashtë koha është shumë e ngrohtë. Ndërkohë, ju kur të dilni, merrni një veshje të lehtë, të përshtatshme për kohën. Në momentin që vajza do të fillojë të ankohet, se ka vapë, ju nuk duhet t'i thoni me nerva që e paralajmëruat.

Në këtë moment ju duhet t'i jepni veshjen e lehtë, duke i thënë që do të ishte më mirë të vishte këto, pasi është ngrohtë. Në këtë mënyrë, vajza nuk do ta humbasë vetëvlerësimin, por do të kuptojë që edhe ajo mund të gabojë. Kur ju gaboni, pranojeni gabimin, pasi duke i pranuar ato dhe duke u munduar që t'i rregulloni, ju përçoni te fëmijët një mesazh të fuqishëm. Kjo e bën më të lehtë që fëmijët tuaj t'i kuptojnë gabimet.

Blijini fëmijëve tuaj rroba që janë të thjeshta për t'u veshur e për t'u zhveshur. I gjeni një vend për librat e për lodrat e tij, që të jetë i lehtë për t'u marrë nga fëmijët. Duke i dhënë këto mundësi fëmijëve tuaj dy vjeçar, i bën ata që të kujdesen për nevojat e tyre dhe kjo gjë do të nxisë ndjenjën e pavarësisë dhe krenarisë.


Eanda Agastra/ Revista Familja
 
Back
Top