Vendet e gjirit izolojnë Katarin: Mbështet terroristët

LeVoyageur

Once upon a time...
Arabia Saudite, Egjipti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar për destabilizim të rajonit.
Pretendimet e tyre janë mjaft të ashpra. Katari, sipas 4 vendeve në fjalë, mbështet grupet terroriste, përfshirë Shtetin Islamik. Agjencia shtetërore saudite e lajmeve “SPA” thotë se, Rijadi ka mbyllur kufijtë dhe kontaktet tokësore, detare e ajrore me Katarin, duke e izoluar gjerësisht.

Zyrtarët vendas citohen prej saj të pohojnë se, një masë e tillë merret për mbrojtjen e sigurisë kombëtare nga rreziqet e terrorizmit dhe të ekstremizmit. Vizitorëve dhe rezidentëve nga Katari u janë dhënë dy javë kohë për t’u larguar nga këto vende, e Doha është përjashtuar edhe nga koalicioni i drejtuar prej sauditëve që lufton në Jemen.

Lëvizja e paprecedentë ka sjellë përçarjen më të fortë mes shteteve të fuqishme të gjirit. Aleatët e ngushtë të Uashingtonit e kanë përdorur me kohë fuqinë e tyre financiare dhe politike për të ndikuar ngjarjet në Libi, Egjipt, Siri, Irak e Jemen.

Mosmarrëveshjet vijnë dy javë pasi të njëjtat vende bllokuan “site”-t e lajmeve të Katarit, ku ishin shfaqur “online” kritikat e rrepta të emirit Al Thani kundër Arabisë Saudite. Qeveria e atjeshme pretendon se, faqet zyrtare të saj janë vjedhur nga “hacker”-a, por disa raporte tregojnë se komentet që godisnin edhe presidentin amerikan Trump mund të kenë qenë të vërteta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, dhe ai i Mbrojtjes, James Mattis deklaruan se nuk presin që ky vendim të ndikojë mbi luftën kundër terrorizmit, por sërish i nxisin vendet në fjalë që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre.

Top Kanali
 
Back
Top