Vatikan, bekohet Papa Gjon Pali II

eGo0sTyle

System Engineer
Gjon-Pali-300x200.jpg

Në 10:37 të mëngjesit të së dielës, Papa Ratzinger artikuloi në latinisht formulën e lumturimit të Karol Vojtilës, Papa Gjon Palit II.Procesi i lumturimit apo shpallja e Papës Gjon Pali II ‘i bekuar’ e afron atë me shenjtërimin. Mbi një milion njerëz në sheshin “San Pietro” kërkonin shenjtërimin e menjëhershëm të tij. Lumturimi i Papa Gjon Palit II ndodhi gjashtë vjet e një muaj pas vdekjes së tij. Kërkesa për lumturimin e Papa Gjon Palit II ishte bërë nga vikari i Romës, Agostino Vallini. Pasi janë shqyrtuar të gjitha rregullat e Vatikanit dhe pasi janë marrë miratime nga shumë shkallë vendimmarrjeje, Ratzinger e shpalli Papën polak një mes të lumturuarve, duke shënuar rastin më të shpejtë të lumturimit në historinë e kishës. Një ampulë me gjakun e Gjon Palit II iu çua Papa Benediktit XVI, menjëherë pas proklamimit të lumturimit nga motra Tobiana, shumë e afërt me Vojtilën dhe motër Marie Simon Pierre, e cila u shërua nga Gjon Pali II nga sëmundja e parkinsonit, mrekullia falë së cilës Vatikani ka justifikuar lumturimin. Festa e lumturimit të Papa Gjon Palit II do të kryhet më 22 tetor, përvjetori i zgjedhjeve në Selinë e Shenjtë. Në nderim të kësaj ceremonie në Vatikan, ishin ftuar 62 delegacione nga e gjithë bota. Shqipëria u përfaqësua me ftesë të Selisë së Shenjtë nga Presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Në ceremoni ishte ftuar zyrtarisht edhe një delegacion nga Kosova, i kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Kjo ishte vizita e parë shtetërore nga institucionet e Kosovës bërë Vatikanit, që pas shpalljes së Pavarësisë. Ndër delegacionet e tjera ishin familja mbretërore e Spanjës me princin Felip dhe bashkëshorten Leticia, Presidenti i Polonisë, Bronislav Komorovski; kryeministri francez, Fransua Fillon, Presidenti i Estonisë, Toomas Hendrik Ilves, Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso etj.
1.5 milione
njerëz ishin të pranishëm në rrugët e Vatikanit dhe në sheshin “San Pietro”, për të parë lumturimin e Papa Gjon Palit II. Orët e gjata të qëndrimit në këmbë kanë shkaktuar 2329 raste të ndërhyrjes së shpejtë.
Presidenti dhe zonja e parë u pritën nga Papa
Presidenti Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, u pritën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI. Gjatë takimit, Presidenti Topi falënderoi Papa Benediktin XVI për këtë nderim të veçantë. Topi kujtoi miqësinë që pati demonstruar Papa Gjon Pali II për shqiptarët, e veçanërisht për Nënë Terezën, të cilën e pati cilësuar si ‘përfaqësuesen më të mirë të popullit shqiptar dhe të Kishës Katolike në dimensione botërore’, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përkrahjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme konsolidimit të demokracisë, por dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Papa Benedikti XVI theksoi se Selia e Shenjtë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë në aspiratën e saj integruese për në Bashkimin Europian.
 
Back
Top