Love
βeℓℓe â๓e
- Bisedimet BE-Turqi për anëtarësim janë bllokuar. Problemet janë të shumëfishta dhe një pjesë e udhëheqësve besojnë se Ankaraja nuk do të anëtarësohet kurrë. Por, pavarësisht kësaj, Turqia do të mbetet një partner i rëndësishëm
Adrian Croft, Reuters
Turqia është përpjekur prej vitesh të anëtarësohet në Bashkimin Europian duke e paraqitur veten si një fuqi ekonomike dhe politike në rritje dhe një urë mes Azisë dhe Europës. Por vendi i radhës që do t’iu bashkohet 28 vendeve anëtare aktuale ka më shumë gjasa të jetë një nga gjashtë vendet e vogla të Ballkanit, pesë nga të cilat qenë ende pjesë e Jugosllavisë kur Turqia bëri kandidimin e parë për anëtarësim.
Shumë shtete të fuqishme europiane nuk kanë dëshirë të hapin dyert për një vend të madh, përgjithësisht mysliman, edhe pse ai është një vend anëtar i NATO-s, nga frika e telasheve që mund të krijojë një proces i tillë, ndërkohë që vendet më të vogla kanë rezultuar më të lehta për t’u anëtarësuar.
Ndërsa BE përqendron vëmendjen e vet gjetkë, qeveria e Turqisë dhe publiku atje po bëhen gjithnjë e më të dëshpëruar dhe kanë filluar të vrasin mendjen nëse vendi ka me të vërtetë nevojë për Europën apo jo.
“Ma ha mendja se askush nuk dëshiron ta thotë se ne nuk do të vijojmë me procesin e anëtarësimit, as BE-ja dhe as Turqia”, tha ambasadori i Turqisë në BE, Selim Yenel, ndërsa fliste në Bruksel në shtator.
“Por do të vijë një ditë kur ne do të duhet të vendosim se çfarë të bëjmë, sepse kjo punë nuk po na shpie asgjëkundi”.
Anëtarësimi në BE mund të sjellë përfitimet e aksesit të lehtë në bllokun tregtar më të madh të botës, lëvizje të lirë të punëtorëve, financime për rajonet më të varfra e infrastrukturë si dhe shansin për të qenë pjesë e një bashkimi politik relativisht të qëndrueshëm.
Gjatë dekadës së ardhshme, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria, Bosnja dhe Kosova mund të bëhen të afta për të përfituar nga këto mundësi, duke ndjekur Slloveninë dhe Kroacinë.
Ndërkohë, përpjekja e Turqisë për anëtarësim në praktikë ka qenë e ngrirë për tri vite, e ndaluar nga pengesat politike dhe rezistenca në disa vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Austrinë.
Mbështetja për anëtarësimin në BE mes publikut të Turqisë ka rënë në 44 për qind aktualisht, nga 73 për qind më 2004-n.
Kryenegociatori i Ankarasë, Egemen Bagis, tha muajin e kaluar se vendi i tij ka gjasa që nuk do të anëtarësohet kurrë për shkak të qëndrimeve të vendeve anëtare.
Gjeografia
Një zyrtar i lartë me njohuri nga diskutimet për zgjerim tha se udhëheqësit e BE-së nuk janë të përqendruar te Turqia, i cili mund të bëhet anëtari me popullatë më të madhe, duke i dhënë edhe pjesën më të madhe të karrigeve në Parlamentin Europian dhe ndikim në të gjitha institucionet e BE-së.
“Ka gatishmëri të vërtetë për zgjerimin në Ballkan dhe më tutje në Lindje”, tha zyrtari duke treguar se “gjashtë apo shtatë” vende në rajon do të bëhen në fund anëtare duke e rritur numrin në 34 apo 35.
“Ballkani Perëndimor është shumë pranë Europës. Por Turqia nga pikëpamja cilësore është e ndryshme për shumë arsye. ثshtë një problem i gjeografisë, fakti që është një vend mysliman, fakti që opinioni publik i vendeve anëtare është shumë kundër anëtarësimit të Ankarasë”.
Turqia është ende duke u përpjekur të fitojë simpatinë e Brukselit. Një paketë reformash e shpallur të hënën përfshin lejimin e arsimit të gjuhëve të tjera, përpos turqishtes në shkollat joshtetërore dhe një ulje të mundshme të pragut për partitë politike që hyjnë në Parlament. Këto masa u përshëndetën nga Komisioni Europian.
Këto hapa janë dizenjuar për të shpëtuar procesin e paqes me kryengritësit kurdë dhe mund të ndihmojnë Turqinë të marrë një vlerësim më të lartë në raportin vjetor të progresit që pritet të publikohet më 16 tetor, duke ndihmuar perspektivën e vendit për të hapur bisedimet mbi një kapitull të ri të procesit të anëtarësimit.
Por hapja e bisedimeve për një kapitull të ri – 1 nga 35 kapitujt – nuk do të ndryshojë panoramën e përgjithshme të një procesi negocimi gagaç.
Konservatorët e kancelares gjermane, Angela Merkel, kundërshtojnë anëtarësimin e Turqisë në BE me parimin se përmasat e vendit do të “mbingarkojnë” bllokun. Megjithëse ajo mund të detyrohet të hyjë në koalicion me socialdemokratët apo me të gjelbërit që dëshirojnë vijimin e bisedimeve të anëtarësimit me Turqinë, kjo nuk do të jetë prioritet i lartë.
Disa vende anëtare, përfshirë Britaninë, mbështesin fort anëtarësimin e Turqisë, duke e parë atë si një ekonomi dinamike dhe një lojtar të fuqishëm në politikën e Lindjes së Mesme. Kjo do të sjellë përfitime për BE-në.
Marietje Schaake, një anëtare liberale holandeze e Parlamentit Europian, beson se BE-ja duhet të vijojë të punojë për anëtarësimin e Turqisë, duke kërkuar më shumë reforma.
“Marrëdhënia jonë po ecën përmes kohëve të vështira… por si partner tregtar dhe aleat i NATO-s, si një fqinj në të komplikuarën Lindje të Mesme, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e marrëdhënieve mes BE-së dhe Turqisë”, tha ajo. “Kjo nuk nënkupton se ne nuk duhet të kritikojmë”.
Grupimi i të drejtave të njeriut “Amnesty International” akuzoi autoritetet e Turqisë të mërkurën për shkeljen e të drejtave të protestuesve në shkallë masive gjatë përpjekjes së tyre për të shtypur protestat popullore më herët këtë vit, një raport që ka gjasa do të përdoret si municion nga ata që janë skeptikë për anëtarësimin e Turqisë.
Turqia u bë shok me Bashkimin Europian në vitet 1960, por bisedimet për anëtarësim filluan vetëm në vitin 2005 dhe u zvarritën për mosmarrëveshjen në lidhje me Qipron, një vend anëtar i BE-së. Diplomatët thonë se të bërit progres në ribashkimin e Qipros mund të jetë një çelës për të vijuar më tej me bisedimet me Turqinë.
Alternativa
Turqia po fillon të mendojë se si do të duket marrëdhënia e saj me BE-në në rast se bisedimet për anëtarësim nuk duken të arritshme. Lidhjet mes Turqisë dhe BE-së janë sakaq të fuqishme. Një aleat amerikan që u bashkua në NATO më 1952, Turqia është një anëtar i fuqishëm i Aleancës Perëndimore me forcën ushtarake të dytë më të madhe. Turqia është edhe një partner i çmuar i politikës së jashtme.
Tregtia dhe partneriteti ekonomik janë gjithashtu të fuqishme. Yenel, ambasadori i Turqisë, kishte besim se këto marrëdhënie do të vijojnë pavarësisht nëse Turqia bashkohet apo jo. “Lidhjet e shumëfishta dhe komplekse me BE-në do të vijojnë pavarësisht se çfarë ndodh”, tha ai.
Por nëse bisedimet për bashkimin e Qipros dështojnë, Ankaraja duhet të pranojë se përpjekja e saj për anëtarësim është bllokuar dhe t’i thotë Brukselit se çfarë dëshiron në vend të anëtarësimit, për shembull, një marrëveshje të tregtisë së lirë për të zëvendësuar bashkimin doganor ekzistues, tha Yenel.
Kryenegociatori Bagis ishte gjithashtu i bindur se BE-ja dhe Turqia do të vijojnë të punojnë ngushtë.
“Në terma afatgjatë mendoj se Turqia do të përfundojë si Norvegjia. Ne do të jemi brenda standardeve europiane, shumë pranë saj, por jo një vend anëtar”, tha ai.