Turqia e gatshme të kreditojë FMN-në !

Turqia e gatshme të kreditojë FMN-në !
Kryeministri Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia në disa vite të fundit ka realizuar përparim të madh ekonomik dhe kësisoj ka ardhur në pozitë që t’i japë kredi Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nga i cili dikur ka marrë hua të mëdha.

E diel 30 Dhjetor 2012 23:39
“Dikur Turqia i ka pasur borxh FMN-së rreth 23.5 miliardë dollarë, kurse tash ai borxh është rreth 860 milionë dollarë. Në muajin maj 2013 do të paguajmë edhe këtë borxh dhe do të jemi vend pa borxhe. Për më tepër tash e tutje FMN-ja do të huazojë para nga ne. Në etapën e parë do t’i huazojmë pesë miliardë dollarë”, deklaroi Erdogani.

Si transmeton agjencia turke e lajmeve Anadollya, ai ka thënë se Turqia ka rritur dukshëm kapitalin në bankën e saj qendrore. “Kur e kemi marrë pushtetin në bankën qendrore të Turqisë ishin rreth 27.5 miliardë dollarë, kurse tashti janë rreth 121 miliardë. Kështu ndodh kur e zvogëloni korrupsionin”, theksoi kryeministri turk.

Sipas fjalëve të tij, në Turqi nuk ekziston diskriminimi dhe urrejtja ndaj popujve të tjerë, siç pohon dikush-dikush. “Ne jemi edhe me kurdët, arabët, turqit një bashkësi. Kurrë nuk do të lejojmë të na fusin në konflikt dhe të na ndajnë”.

Ndërkaq, sa i përket Sirisë fqinje, Erdogani tha se Turqia është gjithnjë solidare me popujt më të rrezikuar. “Deri tash për refugjatët sirianë kemi shpenzuar mbi 250 milionë dollarë, derisa e tërë pjesa tjetër e botës ka dhuruar rreth 30 milionë”, dhe shtoi se në Turqi nëpër kampe refugjatësh janë afër 150 mijë sirianë, ndërsa edhe rreth 80 mijë të tjerë janë të vendosur privatisht. Në fund Erdogan fajësoi dhe e quajti gjakpirës presidentin ende në pushtet në Siri, Bashar al Asadin, duke shtuar se drejtësia në fund do të fitojë edhe në Siri. /koha/
 
Back
Top