Tubimi i Kur’anit

Kresha

A pretty face can never trick me
Muzemil Osmani

Falënderimet i takojnë All-llahut xh.sh, Krijuesit të botrave, ndërsa salavetet më të mira për të dërguarin tonë Muhammedin a.s, kurse të mirat e Zotit qofshin edhe për familjen e të Dërguarit, sahabët dhe të gjithë ata që e pasojnë rrugën e Muhammedit a.s deri në Ditën e Gjykimit.

Kur’ani, padyshim është fjala e All-llahut xh.sh., i cili në formë të shpalljes iu dërgua Muhamedit a.s. Ai i zbriti Muhamedit a.s për ta orientuar drejt në besimin në një Zot dhe për t’i nxjerrë njerezit nga errësira dhe injoranca, për ti nxjerrë në dritë, në rrugën e njerëzisë e të emancipimit e të progresit individual dhe shoqëror.

Kur’ani, që është fjalë e All-llahut xh.sh. zbriti në intervale të caktuara kohore, me sukses brenda periudhës 23 vjeçare, duke filluar në Mekke (610-622 ) dhe në Medine ( 622-632 ), qytete këto të cilat falë punës së madhe dhe reformave të Muhammedit a.s. u bënë të njohura jo vetëm në Arabi por edhe në mbarë rruzullin tokësor.

Kur’ani si libër i fundit që zbriti në rruzullin tokesor, u shkrua në momentin e shpalljes, gjë e cila nuk ka ndodhur me librat tjerë të mëparshëm, Kur’ani ishte i tubuar edhe në kohën e Muhamedit a.s. por nuk ishte i tubuar siç e kemi ne sot, në këtë formë të cilën e kemi ne sot është tubuar për herë të parë në kohën e Ebu Bekrit r.a dhe duke vazhduar më vonë me disa kopje tjera në kohë e Othmani r.a.

Për ruajtje e Kur’anit ka garantuar vet All-llahu xh.sh. i cili thotë:

“Vërtet, ne e zbritëm Kur’anin dhe ne do ta ruajme atë” ( Hixhër 9 )

E lus All-llahun xh.sh. që ky punim të jetë në dobi të të gjithë atyre çka do ta lexojnë.

1.Tubimi i Kur’anit në kohën e Muhamedit a.s.

Kur’ani si libër i fundit i është zbritur Muhamedit a.s në mënyre graduale, kohë pas kohe, zbriste ajeti për të cilën Muhamedi a.s kishte nevojë, i zbriti Kur’ani në një periudhe prej 23 vjetësh, pjesë pjesë dhe jo i tërë përnjëhere, mirepo tubimi i Kur’anit u bë sa ishte gjallë Muhamedi a.s.

Tubimi dhe ruajtja e Kur’anit gjatë jetës së Muhamedit a.s bëhej në dy mënyra:

1.1. Nxënia e Kur’anit dhe rruajtja e tij përmendësh

Siç e dime Kur’ani i zbriti Muhamedit a.s që ishte analfabet dhe në gjuhën e një populli që ishte i pashkolluar, prandaj kujdesi më i madh i Muhamedit a.s ishte që muslimanët ta mësojnë Kur’anin përmendësh, njëkohësisht ai ua mësonte dhe i nxiste sahabët që ta nxinin Kur’anin përmendesh.

Këtë më së miri na e tregon vet Kur’ani famëlart:

“ Ai, ( All-llahu) është Ai që e ka dërguar tek analfabetët Pejgamberin nga mesi i tyre, i cili u citon ajetet e tij, i pastron ata dhe ua mëson librin ( Kur’anin ) dhe urtësitë, edhe pse më parë, ata qartazi ishin në humbje.”[1]

Nga ky ajet shihet qartë se Muhamedi a.s dhe sahabët e tij ekskluzivisht i kushtoheshin nxënies së Kur’anit përmendesh, ngase kjo ishte e vetmja mënyre për të ruajtur Kur’anin, sepse shumica e njerezve ishin analfabetë.

Karakteristë e hershme e arabeve ishte nxënia përmendësh, edhe para Islamit ata njiheshin për aftësite e tyre që të mësonin përmendesh, dihet se para Islamit arabët mësonin përmendësh mijëra vargje të poezisë dhe poezite më të mira i varnin në muret e Qabes.

Këtë aftësi mendore arabët do ta shfrytëzojnë për nxënien e Kur’anit përmendësh, për shkak se Kur’ani është libër hyjnor, i përkryer si nga përmbajtja, ashtu edhe nga ana e ndërtimit artistik, stilistik dhe i paarritshëm në çdo aspekt, arabët do ta shfrytezojnë tërë potencialin e tyre për ta nxënë përmendësh Kur’anin.

Sujutiu në El- Itkan[2] përmend se në fillim zbritën suret e shkurta, dhe fëmijët musliman i kishin mësuar të gjitha suret e shkurta të Kur’anit.

Angazhimi i sahabve në nxënien e Kur’anit përmendsh ishte bërë pjesë e jetës së tyre, kudo që të ishin, transmetohet se Muhamedi a.s i dallonte shtëpitë e sahabeve natën, në bazë të zërave që dëgjonte kur lexonin Kur’an në familjet e tyre edhe pse më parë nuk i kishte ditur shtëpite e tyre.[3]

Në xhaminë e Muhamedit a.s. dëgjohej zhurmë e madhe nga leximi i Kur’anit, sa që Pejgamberi a.s. kërkonte nga as-habët që të ulin zërin e tyre që të mos pengohen njëri tjetri deri sa e mësonin Kur’anin.

Kështu vilej dhe ruhej Kur’ani në shpirtin e pastërt të sahabeve në mënyre shumë të sigurtë, edhe sot e kësaj ditë kjo tradite e nxënies së Kur’anit vazhdon, ku në botë kemi me miliona hafiza[4] të Kur’anit dhe nuk shënon historia të jetë mësuar ndonjë libër tjetër përmendësh sikur është mësuar Kur’ani. Një ruajtje të tillë të Kur’anit ua mundësoi besimtareve All-llahu xh.sh, i cili thotë:

“Ne vetë e kemi bërë të lehtë Kur’anin për nxënie ( dhe kuptim ) prandaj, a ka kush që do ta mësojë”.[5]

1.2. Kur’ani vilej dhe ruhej edhe duke e shkruar

Edhe pse Kur’ani i zbriti Pejgamberit analfabet dhe te një popull i cili me shumicë ishin analfabet, por Muhamedi a.s. nuk e la pa e shkruar Kur’anin, i obligoi shokët e vet të cilët dinin shkrimin, ku numri i atryre ishte shumë i vogël, caktoi disa njerëz të cilët do të merreshin vetëm me shkrimin e Kur’anit dhe këta do të quhen “Shkruesit e Kur’anit”.

Ndër shkruesit më të njohur të Kur’anit janë: Katër Hulefai- Rashidinët, Ebu Sufjani, Talha bin Abdil-lahi, Abdullah bin Revaha, Ubejd bin Ka’bi, Aisha r.a., Zejd bin Thabit dhe Alij bin Ebi Talibi, këta janë disa prej as-habve më të dalluar[6].

Kur’ani gjatë kohës së Muhamedit a.s. u shkrua nëpër mjete të ndryshme siç janë: lëkure, eshtra, pllaka druri, flete të papirusit etj. Gjatë kohës së Muhamedit a.s. thuajse i tërë Kur’ani ishte i shkruar por nuk ishte i tubuar në një vend MUS’HAF.

Ndokush ka të drejtë të pyesë se pse nuk është tubuar Kur’ani në kohën eMuhamedit a.s. sikurse e tuboi Ebu Bekri apo Othmani, All-llahu qoftë i kënaqur me ta. Dijetarët kanë përmendur shumë shkaqe, por ne do ti përmendim vetëm disa prej tyre:

• Nuk u paraqit nevoja e tubimit të Kur’anit aq shumë siç u paraqit në kohën e Ebu Bekrit e të Othmanit, All-llahu qoftë i kënaqur me ta.

• Në kohën e Muhamedi a.s. Kur’ani ishte në zbritje e sipër e ishte mundësia që disa ajete që zbritnin t’i anulonin disa të tjera.

• Kur’ani nuk kishte zbritur përnjëherë në tërësi, por ishte në zbritje pjesë-pjesë kohë pas kohe, që po të ishte përmbledhur në tërësi në një vend, atëherë do të ishin të detyruar që t’i ndryshojnë të gjitha shkrimet e Kur’anit sa herë që zbritnin ajete apo sure[7].

Kështu është ruajtur dhe është mësuar Kur’ani gjatë kohës së Muhamedit a.s duke u zbatuar fjala e All-llahu xh.sh që thotë:

“ Vërtet, ne e kemi zbritur përkujtuesin (Kur’anin) dhe ne do ta ruajmë atë.”[8]

2. Tubimi i Kur’anit në kohën e Ebu Bekrit r.a.

Pasi që Muhamedi a.s. kaloi në botën tjetër, udhëheqësia e halifatit iu besua njërit ndër shokët më të afërt të Muhamedit a.s. Ebu Bekrit r.a., i cili qëndroi në halifat prej vitit 11-13 h/ 632-634 m.

Menjëhere në fillim të udhëheqësise së tij filluan të paraqiten problemet e para, qysh në vitin e parë të halifatit më saktësisht në vitin 12 h Muselem el Kedhabi paraqitet si Pejgamber, dhe kjo e detyroi Ebu Bekrin që t’i shpall luft atij dhe ithtareve të tij.

Në betejën e Jemames ku u zhvillua një luftë e rreptë në mes muslimaneve dhe renegateve, ranë shehid shumë luftëtarë, në mesin e të cilëve ishin edhe 70 hafëz të Kur’anit[9].

Edhe pse lufta mbaroi me fitoren e muslimaneve, humbja e hafizave të Kur’anit i ka brengosur shumë muslimanët, e sidomos Omer bin Hatabin, i cili nga friga se mos zvoglohet numri i atyre që din Kur’anin përmendësh i propozoi halifit Ebu Bekër r.a. që të tubohet Kur’ani me një vend.

Omeri r.a. e bindi halifin se kjo punë që e propozon është në dobi të të gjithë muslimaneve, pas pajtimit të Ebu Bekrit shtrohet pyetja se kujt duhej ti besohej kjo punë kaq e rëndësishme, punë kjo mjaftë e vështirë e cila kërkon një angazhim shumë të madh, ngase Kur’ani duhej të tubohet nga shumë dorëshkrime të ndryshme të cilat nuk ishin të shkruar në letër por në matriale shumë më të thjeshta si ( lëkura, eshtrat, etj ).

Ebu Bekri këtë punë kaq madhështore do t’ia besoj shkruesit më të njohur të Kur’anit gjatë jetës se Muhamedit a.s , më të njohurit në këtë fushë, më të afirmuarit dhe më të angazhuarit ndër sahabët në shkrimin e Kur’anit, ai ishte Zejd bin Thabit, edhe ky në fillim njejtë si Ebu Bekri nuk e pranonte një gjë të tillë duke deklaruar si mundë të bëjmë një punë të cilën nuk e ka bërë Muhamedi a.s. Zejd bin Thabit ka thënë: “……… Si të bëjë diç që nuk e ka bërë Pejgamberi a.s.? Omeri tha: Pasha Zotin, është më mirë që të bëhet kjo , Omeri nuk pushoi duke kërkuar nga une këtë, derisa All-llahu ma zgjeroi krahërorin për këtë dhe derisa për këtë e mora qëndrimin e Omerit. Zejdi thotë:

Ebu Bekri më tha: “Ti je i ri dhe njeri i mençur dhe nuk dyshojmë në ty. Ia ke shkruar shpalljen Muhamedit a.s. pra radhite Kur’anin dhe tuboje .” Pasha Zotin thotë Zejdi sikur të më kishtë obliguar që ta mbajë ndonjërën prej kodrave, nuk do ta kisha më vështir se sa tubimin e Kur’anit që më ngarkoi…… Me rend e kamë radhitur dhe e kam tubuar Kur’anin nga degët e palmave ,nga pllakat e gurit dhe nga njerzit që e dinin përmendësh derisa fundin e sures Tevbe e gjeta te Huzejme Ensariu.[10]

Për të tubuar Kur’anin në këtë periudhë nuk mjaftonte që vetëm për argument të meret ajo çka është mësuar përmendësh, apo ajo në të cilën ishte shkruar Kur’ani, por duhet patjetër që për një ajet të dëshmojnë dy persona të dëshmojnë se ajo pjesë e ajetit është lexuar para Muhamedit a.s., sipas Ibni Haxher el Askalanit qëllimi me dy dëshmitarë është: “të mësuarit përmendësh dhe të shkruarit.”[11]

I tërë Kur’ani u tubua në këtë mënyre me nga dy dëshmitarë, vetëm ajeti:

“ Vërtet, ju ka ardhur Pejgamber nga mesi juaj”[12]- i cili është gjetur vetëm te Huzejme Ensariu, por këtë ajet e dinin të gjithë hafizat e Kur’anit, por mungonte edhe një dëshmitar që të dëshmoj për këtë ajet, Muhamedi a.s. në lidhje me dëshmin e Huzejmës ka thënë: “ Se dëshmia e Huzejmes vlen sa dy dëshmi”.

2.1. Veçorit e këtij tubimi:


1) Se i tërë Kur’ani u tubua në mënyrë më të besueshme, dhe me metodën më të mirë të cilët e vërtetojnë hulumtimet shkencore sot.
2) U shkruan vetëm ajetet të cilat nuk jan të deroguara, dhe nuk është shkruar asnje ajet i cili është deroguar.
3) Të gjithë dijetarët pranojnë se i gjithë Kur’ani që u shkrua është Tevatur dhe
4) I përfshine që të shtatë shkronjat në të cilat ka zbritur Kur’ani.

Ebu Bekri ishte njeriu i parë prej atyre që All-llahu e zgjodhi për këtë punë të shenjtë, që ia bëri Islamit dhe muslimaneve.

3. Tubimi i Kur’anit në kohën e Othmanit r.a.

Në periudhen e halifit të dytë Omerit r.a. Islami si nga lindja ashtu edhe nga perendimi, depërtoi thellë në truallin e persianve dhe të romakëve. Në këtë periudhe do të kuptohet se do të këtë besimtare të Islamit edhe nga jo arabët, për të cilët ishtë vështirë të lexonin Kur’anin drejtë përshkak se nuk e dinin gjuhën arabe dhe mungonin mus’hafet e shkruara.

Ka ardhur në disa raste deri te situata kur njerzit pyetinin se si duhet të lexohet diçka dhe se a mundët Kur’ani t’i përshtatet çdo dialekti arab.

Gjatë kohës se Othmanit r.a. është pushtuar Armenia dhe Azerbejxhani ( në vitin 25h), në këtë betejë kishtë marë pjesë edhe Hudhejfe bin Jeman ( shok i Muhamedit a.s ) i cili ka vërejtur se shumë njerëz konfrontoheshin në mënyren e leximit të Kur’anit, gjë e cila shpiente deri në konflikt dhe parregullsi. Ky fenomen i keq e preku shumë Hudhejfen, dhe kur erdhi në Medine i tha Othmanit: “ Ndihmoje këtë popull para se të vijë ndarja në mes tyre për librin e tyre fetar siç ka ndodhur në mes ebrenjve dhe krishterëve.[13]”

Othmani i tuboi sahabët më të njohur, njerëzit më eminenet dhe u konsultua për pengimin dhe shërimin e kësaj plage, e cila kishtë dhënë shenjat e para të një sëmundje të rëndë. Othamani urdhëroi të shkruhen disa kopje të Kur’anit dhe ato të shpërndahen nëpër qendra të ndryshme, urdhëroi të digjet çdo shkrim tjetër (jashtë atij zyrtar) dhe njerëzit të orientohen vetëm prej atyre kopjeve që do të shkruhen dhe shpërndahen.

Othmani ia filloj punës dhe këtë detyrë kaq të rëndësishme do tua besojë katër sahabeve më eminent:


1) Zejd bin Thabit ( medinas )
2) Abdullah bin Zubejrit
3) Abdurahman bin Hishamit
4) Seid bin Assit ( tre të fundit ishin mekas, kurejshit )

Në tubimin e Kur’anit kane marrë pjesë edhe shumë njohës tjerë të mirë të Kur’anit. Othamani kërkoi prej Hafsës r.a. Kur’anin e tubuar në kohën e Ebu Bekrit që prej tij të shkruhen disa kopje dhe pasiqë të mbarojnë punën përsëri do t’ia kthejnë Hafses.

Gjatë tubimit të Kur’anit Othmani u dha urdhër komisionit: “nëse ju përçaheni ( ju kurejshët ) me Zejd bin Thabitin rreth ndonjë ç’ështje në Kur’an, shkruani sipas gjuhës së kurejshtëve.”

Këto fjalë të Othmanit disa orientalist i kuptojnë se Othmani ka dashur të tregojë aristokracinr e tij, ka dashur që edhe në tubimin e Kur’anit të kenë fjalën kryesore, por realitet qëndron largë kësaj që mendojnë orientalistët, se Othmani ka dashur që me besnikëri të shkruhet Kur’ani në formën më orgjinale.

Se sa ekzemplarë janë bërë gjatë kohës së Othmanit nuk dihet saktësisht, transmetimet e ndryshme flasin reth kësaj çështje . Ebu Amir ed- Dani ( në veprën e tij El- Mukni ) pohon se shumica e dijetareve flasin mbi katër kopje të Kur’anit, të cilat u dërguan në qendrat më kryesore të shtetit Islam: në Kufe, Basra, Siri dhe një kopje mbetet të halifi në Medine.

Transmetimet tjera flasin se numri i kopjeve gjatë kohës së Othmanit ishtë shtatë, të cilat janë dërguar në: Mekke, Kufe, Basra, Siri, Jemen, Bahrejn dhe nje kopje mbetët në Medine.

Pasi u dërguan kopjet në qendrat më kryesore të shtetit Islam, Othmani r.a. kërkoi nga të gjithë ata ashabë që kanë të shkruar Kur’anat e tyre privat që ti djegin, Othmani e ka ditur se këto ekzemplare të as-habeve mundë të shpiejnë në ndarje të muslimaneve.

Disa as’hab në fillim nguruan që ti djegin ekzemplarët e tyre, një ndër to ishte edhe Abdullah bin Mes’udi, një kohë nguroi që t’i zhduk ekzemplarët e vet, por më vonë vepruan sipas urdhërit të halifit. Ata nuk donin që ti djegin menjëher ekzemplarët e tyre ngase ato i kishin dëgjuar drejtëpërdrejt nga goja e Muhamedit a.s. dhe ishin të shkruar në prezencën e Muhamedit a.s., e jo siç mendojnë disa orientaliste se kemi të bëjmë me më shumë verzionë të Kur’anit.

Në kohën e Othmanit, tubimi kishte të bëjë me shumimin e Kur’anit të tubuar në kohën e Ebu Bekrit dhe me shpërndarjen e disa kopjeve të shkruara nëpër disa teritore, shkak ishte frika e kundërshtimit në shqiptimin e tij të drejtë.

Përfundim

Në këtë punim seminarik u mundova të paraqes në pika të shkurta rreth tubimit të librit të fundit, libër i cili i zbriti Muhamedit a.s. në një periudh prej 23 vjetësh, rreth “Tubimit të Kur’anit”.

Në pjesën e parë paraqita tubimin e Kur’anit në kohën e Muhamedit a.s. i cili ishtë bërë në dy mënyra, nëpërmjet nxënies përmendësh dhe shkrimit të Kur’anit. Mënyra e para ishtë një ndër mënyrat më kryesore për ruajtjen e Kur’anit, dhe arabët ekishin shumë të zhvilluar të mbajturit mendë, çdo ajet që zbriste menjëhere e mësonin përmendësh. Mënyra e dyte ka të bëjë më shkrimin e Kur’anit gjatë kohës së Muhamedit a.s. Kur’ani gjatë kësaj periudhe u shkruajt në lëkura, eshtra, gjethe dhe në mjete të tjera. Por gjate kësaj periudhe sa ishtë gjallë Muhamedi a.s. nuk u tubua i gjithë Kur’ani më një vend.

Në pjesën e dyte shkrova rreth tubimit të Kur’anit në kohën e Ebu Bekrit r.a., duke cekur shkaqet pse erdhi deri te tubimi i Kur’anit në një vend, dhe ceka mënyren se si është tubuar Kur’ani në këtë përiudhe dhe në fund të kësaj pjese tregova edhe disa prej veçorive të këtij tubimi. Ky është tubimi i Kur’anit në mënyrë zytare.

Pjesa e fundit ka të bëjë me shumëzimin e Kur’anit në kohën e Othmanit r.a., është kjo periudha kur u paraqit nevoja për Kur’anin përshkak se Islamin e kishin pranuar shumë prej njerëzve të cilët nuk ishin arabe, dhe e lexonin Kur’anin sipas dialekteve të tyre. Paraqita se si ka ardhur deri te shumëzimi i Kur’anit, sa kopje u bënë dhe vendet ku ishin të dërguara këto kopje.

LITERATURA E SHFYTثZUAR

1) Dr. Qazim QAZIMI “ Njohuri mbi Kur’anin” ( Prishtinë, 2006 m / 1427 h )
2) Dr. Enes KARIQ “ Hyrje në shkencën e Tefsirit ”
3) Doc.Dr. Abdulxhemil NESIMI “ Hyrje në shkencë e Kur’anit ”
4) Sherif AHMETI “ Kur’ani, përkthim me komentim në gjuhën shqipe ” ( Arabi Saudite, 1413 h )
Faqe interneti: 1. Klubi Kulturor 2. Tubimi i Kuranit në kohën e Ebu Bekër Es-Sidikut, Allahu qoftë i kënaqur me të



_______________________________________



[1] Sureja el- Xhum’a ajeti 2

[2] Xhelaludin Abdurahman bin Ebu Bekër es- Sujutiu, vepra El- Itkan konsiderohet një ndër librat bazë të Ulumul Kur’anit e shkruat në shekullin e IX

[3] Shih: Njohuri mbi Kur’ani, Qazim Qazimi, fq. 94

[4] Hafidh- njeri i cili e mëson Kur’anin përmendsh

[5] Sureja el- Kamer, ajeti 17

[6] Shih, Njohuri mbi Kur’anin, fq: 96-97

[7] Marrë nga kjo faqe interneti: Klubi Kulturor

[8] Sureja el- Hixhër, ajeti 9.

[9]Shih: Hyrje në shkencën e Tefsirit, Dr. Enes Kariq, fq:128

[10] Transmeton Buhariu

[11] Shih: Hyrje në shkecën e Kur’anit, Doc. Dr. Abdulxhemil Nesimi, fq: 38

[12] Sureja et- Tevbe, ajeti 128

[13] Shih: Hyrje në shkencën e Tefsirit, fq: 130
 
Back
Top