Violetta
>> KS- AL. etnike <<
Truri
Truri ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e psikologëve, sepse aktiviteti i tij fizik drejton shumicën e sjelljeve. I përbërë nga miliona neurone, truri njerëzor është shumë më i ndërlikuar se çdo komjuter. Truri është qendra për funksione mendore të tilla si kujtesa, imagjinata, të menduarit, etj. Ai përpunon mesazhet që vijnë në të prej Sistemit Nervor Periferik dhe palca kurrizore, vendos se cilat reagime janë të domosdoshme dhe dërgon urdhra tek muskujt për të kryer sjelljen e duhur. Truri mund të kuptohet më mirë duke ekzaminuar tre seksionet e tij më të rëndësishme: truri i prapëm, i mesëm dhe i përparmë. Megjithatë sjellja kontrollohet nga një bashkëveprim kompleks i shumë strukturave trunore.
Truri i prapëm lidh palcën kurrizore me pjesën tjetër të trurit. Ai kontrollon funksionet bazë jetike të trupit siç janë: frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës. Truri i prapëm përbëhet nga palca e zgjatur, ura, truri i vogël dhe formacioni retikular.
Truri i mesëm është një masë relativisht e vogël që lidh trurin e prapëm me trurin e përparmë. Megjithëse shërben kryesisht si stacion transmetimi për mesazhet që vijnë në tru, ai përmban mesazhe që luajn rol gjithashtu në të parit, të dëgjuarit dhe në lëvizje.
Truri i përparmë është pjesa më e madhe dhe më komplekse e trurit. Ai, jo vetëm ndikon në një pjesë të madhe të funksioneve bazë jetike të njeriut, por gjithashtu është përgjegjës edhe për sjellje unikale njerëzore të nivelit më të lartë siç janë të menduarit dhe të folurit.Strukturat më të rëndësishme të trurit të perparmë janë talamusi, hipotalamusi dhe truri i madh.
Truri i Madh (Cerebrum) është pjesa më e madhe e trurit të përparmë dhe përbëhet nga dy struktura të veçanta të quajtura hemisfera, të cilat lidhen me njëra tjetrën nëpërmjet korpus kallosum, një tufë nrvash, që informon çdo hemisferë se çfarë është duke ndodhur në hemisferën tjetër.
Hemisfera e majtë e trurit të madh kontrollon anën e djathtë të trupit dhe hemisfera e djathtë kontrollon anën e majtë të trupit të njeriut. Hemisfera e majtë është më logjike, më analitike dhe gjysëm verbale dhe ushtron kontroll më të madh mbi shprehitë manuale, të të lexuarit, të gjuhës dhe të folurit. Hemisfera e djathtë përpunon informacionin joverbal dhe është më e lidhur me emocionet, imagjinatën dhe informacionin artistik.Shtresa më e jashtme e trurit të madh, korteksi cerebral, është pjesa e trupit që i bën njerëzit me të vërtetë qënie unikale. Korteksi ka seksione të veçuara, lobet, që kontrollojnë aktivitete të ndryshme. Kur kujtojmë ndodhi të së kaluarës, apo i përgjigjemi pyetjeve jemi duke përdorur lobet frontale të korteksit. Lobet oksipitale na lejojnë të interpretojmë çfarë shohim përreth. Kur dëgjojmë dikë duke folur kemi në funksion lobet temporale, ndërkohë që lobet parietale janë përgjegjës për interpretimin e ndijimeve të tilla si të prekurit, dhimbja dhe temperatura.
studimet-info