-
- Anëtarësuar më
- Apr 1, 2011
-
- Mesazhe
- 117,159
-
- Reagimet e mara
- 86,042
Tronditi botën duke hakuar GTA 6, dënohet me 7 vite burg 21-vjeçari shqiptar! Gjykata britanike e liron.

Arion Kurtaj, 21-vjeçari me origjinë shqiptare që u bë i njohur në mbarë botën pas sulmit kibernetik ndaj kompanisë Rockstar Games dhe publikimit të pamjeve sekrete të lojës Grand Theft Auto VI (GTA 6), është dënuar me shtatë vite burg nga drejtësia britanike.
Megjithatë, pavarësisht vendimit të gjykatës, i riu është lënë i lirë, pasi autoritetet kanë marrë parasysh periudhën që ai kishte kaluar më parë në paraburgim.
Pamjet u publikuan në internet shumë kohë përpara daljes zyrtare të lojës, duke shkaktuar reagime të shumta mes fansave dhe kompanisë.
Sipas hetimeve, shqiptari kishte kërcënuar gjithashtu se do të publikonte kodin burimor të lojës nëse përfaqësuesit e Rockstar Games nuk do të kontaktonin me të.
Gjatë periudhës gusht 2021 – shtator 2022, kur ishte ende adoleshent, ai ishte përfshirë në sulme kibernetike ndaj disa prej kompanive më të mëdha, përfshirë BT, EE, Revolut dhe Uber.
Në rastin e kompanive britanike të telekomunikacionit BT dhe EE, sulmet lidheshin me shkëmbime të paligjshme të kartave SIM, një metodë që mundëson marrjen e kontrollit të numrave telefonikë të viktimave.
Përmes kësaj teknike, persona të paautorizuar mund të siguronin akses në telefonata, mesazhe, llogari bankare dhe profile në rrjetet sociale.
Ndërkohë, sulmi ndaj platformës financiare Revolut çoi në komprometimin e të dhënave të mijëra klientëve.
Edhe kompania Uber u bë objektiv i sulmeve të tij. Sipas të dhënave të paraqitura në procesin gjyqësor, ndërhyrja përfshiu aksesimin e informacioneve të ndjeshme dhe fshirjen e të dhënave nga sistemet e brendshme.
Dëmi financiar i shkaktuar Uber-it është vlerësuar në mbi 2.8 milionë dollarë.
Hakoi edhe kur ishte nën mbikëqyrje, përdori televizorin e hotelit
Një nga detajet më të pazakonta të historisë së 21-vjeçarit lidhet me faktin se ai arriti të kryente sulme kibernetike edhe pasi ishte arrestuar dhe ishte vendosur nën mbikëqyrje në një hotel.Megjithëse kishte kufizime në përdorimin e pajisjeve elektronike, Kurtaj shfrytëzoi një telefon celular, lidhjen Wi-Fi të televizorit dhe një pajisje Amazon Fire Stick për të vazhduar aktivitetin e tij.
Ky episod u bë një nga elementet më të përfolura të çështjes, duke treguar mënyrën se si i riu arrinte të përdorte pajisje të zakonshme për të siguruar akses të paautorizuar në sisteme kompjuterike.
Nga spitali psikiatrik te vendimi për shtatë vite burg
Arion Kurtaj u arrestua fillimisht në shtator të vitit 2022, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij u shoqërua me disa zhvillime të pazakonta.Në dhjetor 2023, gjykata vendosi që ai të mbahej për një periudhë të pacaktuar në një spital psikiatrik, në bazë të legjislacionit britanik për shëndetin mendor.
Kurtaj është autik dhe në atë kohë ekspertët kishin vlerësuar se nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në mënyrë të përshtatshme në procesin gjyqësor.
Megjithatë, një vlerësim i ri mjekësor në vitin 2025 arriti në përfundimin se ai ishte në gjendje të pranonte akuzat dhe të përballej me procedurat ligjore.
Javën e kaluar, 21-vjeçari pranoi fajësinë për disa vepra penale, mes tyre ndërhyrje të paautorizuara në sisteme kompjuterike, mashtrim dhe sigurim të paligjshëm të aksesit në materiale elektronike.
Ai pranoi gjithashtu akuzën për mbajtjen e një telefoni celular gjatë qëndrimit në burg, si dhe dy akuza për sulm ndaj një punonjësi të shërbimeve të urgjencës.
Gjykatësi i drejtohet shqiptarit: Mos e shpërdoro talentin tënd
Gjatë shpalljes së vendimit në Gjykatën e Kurorës në Woolwich, gjykatësi Turner vlerësoi aftësitë e jashtëzakonshme të të riut në fushën e teknologjisë, por e paralajmëroi për pasojat e përdorimit të tyre në aktivitete kriminale.“Ju jeni padyshim një i ri shumë i talentuar. Mos i shpërdoro ato talente duke kaluar pjesën tjetër të jetës sate brenda e jashtë burgut”, iu drejtua gjykatësi Kurtajt.
Në përfundim, gjykata vendosi dënimin e tij me shtatë vite burg.
Megjithatë, duke marrë parasysh kohën e kaluar më parë në paraburgim dhe nën masat përkatëse të sigurisë, 21-vjeçari është liruar.
Rasti i Arion Kurtajt mbetet një nga historitë më të njohura të kriminalitetit kibernetik të viteve të fundit, veçanërisht për shkak të sulmit ndaj Rockstar Games dhe publikimit të materialeve të GTA 6, që tërhoqën vëmendjen e miliona përdoruesve në mbarë botën.
G.shqip