Tregu I Kombit 7 Milionësh

WxP

Staf në FV.AL
TREGU I KOMBIT 7 MILIONثSH

Gjergj Buxhuku

Tashmë që në takimin e Vjenës u shënua zyrtarisht edhe fillimi i procesit të pavarësimit të Kosovës, kemi rastin të shohim se çfarë kemi bërë për të përfituar si komb nga ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët pas 1912-ës. Kur flasim për përfitime, duhet të pranojmë se sot dhe gjithmonë në llogari të fundit, ato bëhen duke pasur parasysh përfitimet ekonomike. Nuk ka kuptim sot të flitet për ndryshim kufijsh politikë, ndonëse edhe një gjë e tillë nuk është tabu. Por fitorja do të ishte e plotë nëse ne do të mund të krijonim të gjithë bashkë si komb tregun 7 milionësh, që është rruga e vetme e zhvillimit dhe pasurimit të shqiptarëve edhe në kushtet e pseudoglobalizmit dhe integrimit. Nëse nuk kuptojmë rëndësinë e jashtëzakonshme të krijimit të tregut mbarëkombëtar, shumë shpejt do të përballemi vetëm me iluzionin e fitores së Kosovës dhe zhgënjimin e shpresave të brezave. Deri më sot nuk është bërë asgjë për qëllimin e mësipërm. Të mos harrojmë se lufta moderne bëhet për vetëm për tregje. Nëse një treg pushtohet, nuk ka asnjë problem që vendi formalisht të jetë i pavarur, për zotëruesin e tregut. Fakt është që Kosova ka kohë që është vënë në fokusin e “zaptimit” ekonomik të të huajve. Qëllimi i tyre është që shqiptarët të jenë të përçarë ekonomikisht, duke e pasur shumë të lehtë kështu zotërimin e secilës pjesë të ndarë. Goditja ka kohë që jepet në Shqipëri sipas këtij skenari dhe ka filluar edhe në Kosovë. Nëse do të gjykohet se kush e ka fajin për mungesën e një strategjie të ribashkimit të tregut kombëtar, pa dyshim që gishti nuk mund t’i drejtohet Kosovës. Të paktën deri më tash ajo nuk ka pasur shtet të vetin. Shteti shqiptar e kishte dhe e ka këtë detyrë strategjike. Fatkeqësisht, për arsye objektive dhe subjektive, nuk kemi mundur të bëjmë asgjë.
Koha e kaluar prej çlirimit “de facto“ të Kosovës në vitin 1999 prej bashkësisë ndërkombëtare nuk është shfrytëzuar aspak nga politika shqiptare. Faji kryesor natyrisht bie mbi vendimmarrjen politike të Shqipërisë. Vetëm fjalët janë të pamjaftueshme për të realizuar shpresën e vetme për të qenë minimalisht dinjitozë në mes të kombeve të Evropës, përfaqësimin si një komb 7 milionësh! Themi shpresën se edhe sikur ne shqiptaret të kishim bërë gjithçka, që të kishim në dorë, zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës nuk varet plotësisht në dorën tonë. Interesat dhe konjukturat strategjike ndërkombëtare kanë peshën e tyre të rëndësishme në përgjigjen përfundimtare. Por ne duhet të kishim bërë dhe duhet të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë, për të përfituar nga mundësitë e shkëlqyera të fundshekullit të 20-të.
Duhet pranuar se faktori ndërkombëtar gjatë periudhës të administrimit të tij i ka dhënë shanse të shkëlqyera shtetit shqiptar të jetë aktiv në integrimin ekonomik dhe shoqëror të bashkëkombësve të tij pa marrë parasysh kufirin imagjinar të ndarjes. Por shumë pak është bërë. Kanë kaluar 6-7 vjet që do të ishin plotësisht të mjaftueshëm për të lidhur fizikisht me akse rrugore pjesët e trungut shqiptar në të dy anët e kufirit. Mbetesh keq kur shikon se asnjë aks rrugor, qoftë edhe ekzistuese, nuk plotëson ende nga fillimi deri në fund emërtimin, qoftë edhe minimalisht rrugë normale. Nga e gjithë kalaja e rërës së patriotizmit të fjalëve të deritanishme të politikës shqiptarë, kanë mbetur vetëm iniciativa e ndërtimit të rrugës Durrës- Prishtinë, e konkretizuar në disa dhjetëra-milionë dollarë te grumbulluar dhe të harxhuar në mënyrë të paturpshme më pas të kushedi se në çfarë xhepash korrupsionistë qeveritarësh. Kështu mund të vazhdohet gjatë me shembuj, që të bëjnë të ndjehesh keq.
Mungesa e politikave të zhvillimit mbarëkombëtar të shtetit shqiptar shpjegohet me shumatoren e paaftësisë dhe mosdashjes. Duhet ta pranojmë me dhimbje se elementi i dytë ka qenë në mënyrë të përhershme i pranishëm në të gjithë historikun e zhvillimeve të fundit politike dhe ekonomike. Grupe të fuqishme politike shqiptare, të lidhura me interesa të fuqishme ekonomike me vende aleate historike të Serbisë, kanë paralizuar të paktën deri më tash në vazhdimësi çdo iniciativë për ndërtimin e politikave mbarëkombëtare. Do të urojmë që më në fund të veprohet ndryshe dhe tradhtia të mos jetë më vendimmarrëse për shqiptarët. Të kuptohet se vlera e Kosovës për shqiptarët është më e madhe se çdo çmim, që kemi paguar dhe do të duhet të paguajmë për lirinë e saj të pritshme.
Kjo është arsyeja se përse politika shqiptare në Shqipëri, para së gjithash, duhet të mbajë me çdo kusht stabilitetin e shtetit dhe të përgatitet që bashkë me politikën e Kosovës së pavarur nesër të krijojë kushtet që të gjitha kostot e paguara për çlirim të kalojnë në zhvillimin e kombit. Komb, që pavarësisht kufijve të vendosur, do të duhet të zhvillohet si një i tërë. Përfitimet duhet të jenë të përbashkëta, ashtu sikurse edhe kostot i kemi përballuar të gjithë bashkë. Pavarësia e Kosovës është kusht për demokracinë dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve. Ashtu sikurse edhe e kundërta është plotësisht e vërtetë. Të mos harrojmë se nuk mund të shpresojmë të ndërtojmë standarde demokratike, qoftë edhe në vlera minimale nëse nuk do të mund të arrijmë një shkallë të caktuar të pasurimit ekonomik të kombit. Nuk mund të ketë shtet demokratik në kushtet e varfërisë. Varfëri që sot, fatkeqësisht, na ka mbërthyer prej fyti kudo që jemi. Shkurt, duhet të fillojmë të përgatitemi, që të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë e jashtëzakonshme që na janë dhënë dhe do të krijohen edhe më shumë në të ardhmen e afërme me ligjërimin e pavarësisë së Kosovës. Mundësitë e pothuaj të dyfishuara njerëzore dhe gjeografike, në fakt, janë shumë herë më të mëdha në sinergjinë e zhvillimit ekonomik të kombit.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top