Teknologjia po sfidon vlerat njerëzore

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
“Gjërat më të bukura në jetë janë ato që merren pa paguar”. Kjo shprehje e -Albert Einstein daton rreth 60 vjet përpara dhe duket në fakt, sepse në shekullin e XXI mund të kesh gjithçka kuptohet në shkëmbim të parasë. Portale pa fund online të ofrojnë gjithçka, miq, shokë, shoqërues për ballo. Para disa kohësh lexova se në një qytet të اekisë gjithmonë e më shumë gra të moshuara, kryesisht të shtresës së lartë shoqërore, kërkonin shoqërues për festa të ndryshme. Kryesisht meshkujt që pranonin rolin e shoqëruesit ishin studentë ose persona gjithsesi me të ardhura të pakta; e rëndësishme ishte, të ishin të paraqitshëm. Kuptohet për një student kjo ishte një ofertë ndjellëse, ai mund të hynte në ambiente që vete s’do t‘i arrinte dot kurrë dhe nga ana tjetër kemi një femër mbase me klasin e damave të salloneve të Balzac që kërkon shoqëri, që në një mbrëmje do të argëtohet, por ka një problem ajo, për një arsye apo një tjetër, është e vetmuar. Po kështu ndodhka dhe në ShBA ku dikush mund të gjejë në portale të ndryshme online një person të panjohur që mund të shtirej për disa orë si miku i tij në një festë. Se mos harroj dhe kinezët që paguanin ndonjë djalë rreth 4 Euro për t’u bërë i dashuri i tyre gjatë natës së ndërrimit të viteve. Mund të flisja pa fund për personat që regjistrohen në faqe online- zakonisht me pagesë- të specializuara në atë që rëndom quhet mblesëri për të gjetur një partner ndoshta dhe njeriun e jetës, por nuk do e bëj pasi jeta shpeshherë shumë e shpejtë e metropolove bën që njerëzit të mos kenë kohë për një jetë sociale ku përfshihet dhe gjetja e partnerit në mënyra pak më tradicionale (offline). Ka mes nesh dhe persona të turpshëm që ndoshta e kanë gatigati të domosdoshme të vënë një barrierë në fazat e para të njohjes. Mund të duket shumë subjektive kjo ndarje që iu bëj këtyre rasteve, ndoshta sepse të paguash një njeri për të qenë miku yt për një natë është shumë më e pakonceptueshme se sa te mos kesh kohë të dalësh dhe të flirtosh çdo fundjavë. I gjithë ky fenomen mendoj se vjen nga një krizë e thellë shpirtërore dhe psikologjike që mesa duket ka pushtuar gjithë botën. Mbase fakti që jetojmë në epokën konsumiste postmoderne bën që të mos kemi kohë të merremi me marrëdhëniet njerëzore. Kemi mesatarisht nga dy apo dhe tre celularë kushedi se sa adresa të postës elektronike, mënyra pa fund për të komunikuar me të tjerët. Po a komunikojmë vallë apo vetëm flasim? Kam dëgjuar njerëzit më të vjetër se unë që asgjë nuk është më si më parë. Po si mund të jetë kur të gjithë ne vrapojmë përditë nga një takim te tjetri, nga një detyrim te tjetri? Kjo është epoka e ushqimit të shpejtë, e shërbimit të mesazheve të shkurtra, e produkteve një përdorimshe, e kërkimeve jo më në biblioteka por në Google. Vras mendjen ku shkoi kënaqësia e një letre prej letre dhe jo virtuale, ku shkoi kënaqësia e një drekë në familje, po ajo kur aroma e librit ishte më ndjellëse se përmbajtja e tij? –“Nuk i përkas gjeneratës që i gëzohet një mesazhi në celular‘‘-janë fjalë të Umberto Eco-s këto të fundit,prandaj po i drejtohem brezit pak më të vjetër. Kur është hera e fundit që keni marrë një letër që nuk është një faturë për t’u paguar? Për mendimin tim sado e rehatshme të jetë posta elektronike, ajo kurrë nuk do ta zëvendësojë magjinë e një letre apo autenticitetin e saj. Nuk mund ta mohoj që zhvillimi i teknologjisë ka sjellë shumë lehtësi në jetën tonë. Të dish nëpërmjet një klikimi se çfarë ndodh anembanë botës, dhe për më tepër ta kesh këtë informacion në xhepin e xhaketës është ndoshta hapi më galopant i teknologjisë së informacionit të viteve të fundit. Por a përdoret kjo teknologji si duhet, apo kjo formë informimi është bërë thjesht një mjet për të vrarë kohën? A e thithim ne vërtet informacionin që marrim apo thjesht hyjmë në një botë shumëngjyrëshe që nuk arrijmë ta rrokim? Mos ndoshta jemi bërë si fëmijët e vegjël që duan një lodër për çerek ore apo shfletojnë një revistë sa për të parë figurat, pa u interesuar shumë për përmbajtjen? Kam frikë se konsumimi robotik i gjithçkaje do të na çojë drejt çshpirtëzimit. “Një mikrofon nuk është një vesh, një kamera nuk është një sy dhe një kompjuter nuk është një tru. Nuk duhet ta lëmë veten të verbohemi kaq shumë nga teknologjia sa të mos dimë të vëmë në vendin që i takon vlerën e njeriut. Ne duhet të vendosim a duam të luftojmë për të drejtën tonë, të të qenurit ndërtuesit e së ardhmes sonë”(Mick Cooley).

Irena Kalimani / Studente Juridik
 
Titulli: Teknologjia po sfidon vlerat njerëzore

uhaaa te kendofte zemra! :)

faleminderit qe rrin me mua dhe me jep voten per temen dhe mynyrat tradicionale qe perdor per te spekulluar qumsht sa per te fshir gjurmet
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top