Të miturit e vetëpunësuar në Shkodër rrezikojnë jetën mes plehrave

AnGeLiC

VIP
V.I.P
PicMonkey-Collage8-620x620.jpg
Nga Anila Dushi

I shikon teksa bëjnë punë nga më të ndryshmet, punë që, ndonëse duken të thjeshta, jo në të gjithë rastet janë të tilla. Punësimi i fëmijëve është i ndaluar me ligj, por kjo nuk i pengon ata të mitur që i përkasin familjeve me vështirësi ekonomike të punojnë për të kontribuar sado pak në përpjekjet për të mbijetuar të familjeve të tyre. I shikon teksa hyjnë e dalin nëpër lokale me paketa cigaresh që shpresojnë që dikush t’ua blejë, teksa gërmojnë nëpër kazanët e mbeturinave për të gjetur kanoçe dhe me to mbushin thasët, apo në plazhe, teksa bëjnë kilometra të tërë vajtje-ardhje, me shpresën se dikush do u blejë produktet që ato tregtojnë.

اdo ditë ata dalin nga shtëpia me mendimin që duhet të gjejnë sa më shumë kanoçe, pasi vetëm duke i shitur ato do të mund të vishen apo ushqehen, pasi për të tjera nevoja e kanë vështirë të mendojnë. Shumë prej tyre kanë ardhur nga zonat rurale kur ishin të vegjël dhe qyteti për to ishte një ëndërr e bukur, por që deri tani i ka zhgënjyer. Të tjerë kanë lindur e rritur këtu. Në vend të parqeve të lodrave, lulishteve ku do luanin, rrugëve të asfaltuara e plot dritë, shkollave të bukura, ata janë përballur me të tjerë probleme. Dhe pse, tashmë, qytetarë të një prej qyteteve më të mëdhenj e kryesorë të vendit, Shkodrës, prindërit e tyre janë të detyruar edhe të mos i çojnë në shkollë, ose të bëjnë mungesa, pasi u duhet që çdo ditë të shkojnë për të mbledhur kanoçe.

Sabjani dhe kushërinjtë “Babi im nuk mund të gërmojë në plehra për të gjetur kanoçe, ai del çdo ditë tek sheshi “Isa Boletini” dhe pret nëse dikush e merr të punojë. Kanoçe mbledh unë”. Këto janë fjalët e Sabjanit, 13-vjeçar të lindur në Shosh të Dukagjinit, e që para 7 vitesh është vendosur në Shkodër në lagjen ë cilës emrin nuk ia di, por thotë se e ka shtëpinë pas shinave të trenit. Në familjen e tij janë 5 fëmijë , tre djem dhe dy motra. Ai tregon se erdhën në qytet pasi atje në fshatin e tyre malor nuk kishin tokë për ta punuar, por vetëm një derr e dy dhi. Xhaxhai i tij kishte ardhur më parë familjarisht këtu, dhe më pas erdhën dhe ata, duke ndërtuar një banesë me blloqe betoni. Vëllai më i madh i tij, Klodiani është 16 vjeç, por është i sëmurë dhe nuk punon dot. Sabjani ka dhe një vëlla më të vogël, Mikelin 8 vjeç dhe dy motra, Florindën e Kristinën, përkatësisht 11 dhe 9 vjeçe.

“Nëna rri në shtëpi dhe nuk punon, babai punon pak, ndërsa unë dal çdo ditë këtu ku hidhen plehrat dhe gërmoj për kanoçe. Ato i shes tek pika e grumbullimit, jo larg vendit ku del çdo ditë babai për të kërkuar punë, dhe paratë i merr babai” thotë Sabjani. Me paratë e tyre, që shkojnë deri 600 lekë në ditë, jeton familja e tij, ndërsa 13-vjeçari nuk shkon në shkollë dhe pse shprehet se do ta dëshironte këtë. “Pasdite nuk ka kanoçe pasi ato mblidhen nga të tjerët, kështu që nuk mund të shkoj në shkollë.

Dhe shtëpia është pak larg nga vendi ku gjinden kanoçet”, thotë 13-vjeçari. Bashkë me të ka dhe fëmijë të tjerë që dalin çdo ditë aty dhe mbushin thasët me kanoçe. Një prej tyre është dhe Emiljani 12-vjeçar nga Shllaku, i cili është kushëri i parë me Sabjanin, pasi janë djem tezesh. Ai e ka shtëpinë jo larg vendit ku hidhen mbeturinat, në lagjen “Mark Lula” dhe familja e tij ka 5 vjet që ka ardhur në Shkodër. Emiljani tregon se i ati babai i ka shkuar në Greqi për të punuar, por e kthyen. Iku përsëri dhe tani ndodhet atje , por në burg.

Emiljani është fëmija më i madh dhe në shtëpi ka nënën, gjyshen dhe një motër e një vëlla, Elën dhe Agostinin. Shtëpia e tyre është pranë asaj të xhaxhasë, pasi të dy familjet kanë ardhur nga Shllaku pasi atje nuk kishin me çfarë të jetonin. “Dal çdo ditë bashkë me djalin e axhës, Pjerinin, dhe atë të tezes, Sabjanin, dhe mbledhim kanoçe. Nuk shkojmë nëpër kazanë plehrash të lagjeve, pasi rruga është e rrezikshme nga lëvizjet e shumta. Këtu jemi më të sigurt. Ka patur raste, që kanoçet janë marrë me forcë nga fëmijë të tjerë më të rritur e më të fortë, por ne nuk na ka ndodhur ndonjëherë.

Prandaj kërkojmë e grumbullojmë këtu jo larg shtëpisë” thotë Emiljani. Ai shton se nëna i ka punuar për disa kohë si pastruese në një shkollë, por më pas e hoqën, ndërsa është vetëm ai që siguron paratë me kanoçe. Jeta ime, kanoçet Danieli është një tjetër fëmijë ditën e së cilit e mbush gërmimi mes mbeturinave për të gjetur kanoçe. Ai ka një karrocë dore ku vendos thasët e mbushur me atë që i siguron jetesën. Danieli tregon se është 12 vjeç dhe janë 6 fëmijë. Dy motra i ka të martuara, dy vëllezër e dy motra të tjera janë në shtëpi. Motrat e tij, përkatësisht 16 dhe 14 vjeçe nuk punojnë dot, pasi siç thotë vetë, kanë frikë se ju ndodh ndonjë gjë jo e mire. Vëllai i tij 10-vjeçar shkon në shkollë, por ndonjë ditë vjen dhe e ndihmon për të gjetur kanoçe. Babai u ka vdekur para një viti, pasi ishte i sëmurë.

Pas kësaj familja e tij erdhi në Shkodër në një dhomë që ua liroi daja. Danieli tregon se ai ka ardhur në qytet para tre vjetësh, përpara se të vinte e gjithë familja. Ai ka jetuar në shtëpinë e dajës, dhe që atëherë ka nisur të mbledhë kanaçe. Danieli kujton se dikur ka mbledhur më shumë, pasi ishin më pak fëmijë që vinin këtu. Dilte bashkë me djalin e dajës dhe dy fqinjë të tyre dhe arrinin të grumbullonin kanoçe nga shitja e të cilave merrnin deri 800 lekë në ditë. Paratë ia jepte dajës, që ai dërgonte prindërve të Danielit në fshat. Tani mblidhen shumë më pak kanoçe, pasi janë shumë që e bëjnë këtë. Përveç kësaj, këtu ku shkarkohen kamionët me plehra, në shumë raste nuk ka kanoçe, pasi ato janë kontrolluar e marrë më pare nëpër kazanë të lagjeve të qytetit, nga të tjerë që bëjnë të njëjtën punë.

Shoku im vdiq poshtë kamionit me plehra

Ermir Ujka banor i lagjes ,”Mark Lula” në Shkodër ,ishte vetëm 13 vjeç dhe jetonte pas varrezave të dëshmorëve, në periferi të qytetit të Shkodrës. Më 4.6.2010, pasdite, si çdo ditë tjetër ai ka qenë duke kërkuar për kanoçe pranë vendit të grumbullimit të mbeturinave urbane të qytetit, dhe teksa me fëmijët e tjerë shpërndaheshin e rendnin para e pas mjeteve që shkarkojnë mbeturina nuk është parë nga drejtuesi i një mjeti të ndërmarrjes së pastrimit, i cili ka shkuar atje për të shkarkuar plehrat e grumbulluara në qytet. Sipas fëmijëve të tjerë, Ermir Ujka ka qenë pas mjetit të pastrimit dhe në atë moment mjeti ka hedhur shkarkesën e cila ka rënë mbi trupin e tij. Një grua dhe disa fëmijë që kanë qenë aty duke bërë të njëjtën punë kanë dhënë alarmin dhe është lajmëruar polica. Fëmija është mundur të nxirret i gjallë nga pirgu i mbeturinave që kanë rënë nga mjeti mbi trupin e tij dhe është dërguar me shpejtësi në spitalin e Shkodrës, ku pas rreth 30 minutash, pavarësisht nga ndihma e mjekëve nuk ka mundur të jetojë.

Florian Dardha, shok me viktimën që ka qenë i pranishëm në momentet e aksidentit tregon se kanë qenë si çdo ditë duke kërkuar për kanoçe e skrap tek vendi ku shkarkohen mbeturinat. “Ermiri ka qenë pas makinës dhe shoferi nuk e ka pa se po ecte prapa për me shkarkuar plehrat . Makina ka shkarkuar plehrat mbi trupin e tij”, rrëfen Floriani.

Një tjetër fëmijë, Aldairi, 14 vjeç, ka një biçikletë dhe me të “shëtit” nëpër rrugët e qytetit ku kontrollon kazanët për kanoçe duke përdorur një tel të fortë në formë çengeli që e ndihmon për të gërmuar në thellësinë e kazanëve. Kanoçet i shtyp me këmbë për të zënë më pak vend dhe thasët me to i vendos në biçikletë. Këta fëmijë, kalojnë me orë të tëra mes mbeturinave, duke gërmuar e thithur ajrin e rëndë që lëshojnë ato dhe tymin që del nga djegia e tyre. I sheh tek rendin pas mjetit që i mbledh mbeturinat duke i ngjeshur, pasi ai mund ta gërmojë më shumë grumbullin e tyre, e kanoçet të dalin në sipërfaqe. Askush nuk mendon për pasojat që u sjell kjo në shëndetin e tyre...

Fëmijët e braktisur nga ligjet e “punësimit”

Të miturit, sidomos në verë, i takon dhe anës rrugëve automobilistike ku ka shumë lëvizje teksa tregtojnë fruta dhe duke rrezikuar dhe të përplasen nga makinat që udhëtojnë, zgjasin plastmasë me fruta me shpresën se drejtuesit e mjeteve do ndalen e t`i blejnë. Dhe kjo një mënyrë për të ndihmuar ekonominë familjare. Po t`i pyesësh për filma për fëmijë, kompjuter etj, ato mund të thonë se vetëm kanë dëgjuar për to pasi për t`i prekur e parë as që bëhet fjalë. Kjo i bën aq të ndryshëm nga bashkëmoshatarët e tyre që kanë mundësi të tilla. Kryesore është të mbijetojnë, të ushqehen, pa menduar për të nesërmen. Për familjet e tyre të varfra ka vetëm të sotme. Lidhur me fëmijët që punojnë, shpesh është folur nga autoritetet e institucionet përkatëse, janë marrë projekte për eliminimin e punës tek to, është thënë se o ndëshkohen prindërit që i lejojnë të punojnë është folur dhe për ndëshkime ligjore pasi ligjet përkatëse ekzistojnë.

Por varfëria mbisundon dhe mbi ligjet përderisa papunësia e mosmundësia e integrimit të familjeve të varfra është e pranishme jo vetëm në Shkodër. Sezoni turistik shihet si një mundësi edhe për fëmijët. Plazhi i Velipojës këtë vit ka njohur më shumë “shitës” të tillë lëvizës, të cilët pushuesve në rërë u afrojnë prodhime të ndryshme. Fruta, pije freskuese, byrekë, petulla, krofle, lojëra plazhi për fëmijët, por dhe letra, shah e domino, janë produktet që u afrohen pushuesve në rërë. Janë të shumtë fëmijët nën 14 vjeç që i shikon teksa përshkruajnë kilometra të tërë nëpër rërën e plazhit, duke thirrur me zë të lartë përpiqen të bindin pushuesit që të blejnë atë që shesin.

Mateo, një shitës pijesh freskuese tregon se është 13 vjeç, jeton në fshatin Hajmel të Shkodrës dhe në Velipojë ka ardhur këtë verë për të punuar. “Jam këtu, nga fillimi i korrikut kur dhe numri i pushuesve në Velipojë është madh. Pijet freskuese i marr tek një lokal dhe me termosin ftohës shëtis gjithë plazhin duke ia afruar pushuesve në rërë. Bëj disa herë në ditë rrugën nga Viluni e deri tek plazhi privat, jo larg grykëderdhjes së Bunës. Janë rreth 90 km në ditë që i bëj vajtje e ardhje nëpër rërë dhe vapë.

Por jam i kënaqur se fitoj mirë pasi pijet shiten dhe pse jemi disa që e bëjnë këtë punë dhe lokalet janë të shumta. Bashkë me të tjerë kemi marrë një çadër me qira 5000 lekë në muaj ku kalojmë natën’. Në disa raste, të rriturit ambulantë që shërbejnë në rërë shoqërohen nga fëmijët e tyre që afrojnë të tjera produkte ose i ndihmojnë ato në mbajtjen e sendeve që duan të shesin. Duke folur me ta, tregojnë se vështirësitë e jetës i kanë sjellë këtu, ndërsa shprehen se nuk e kanë aspak të lehtë. Kristiani, jeton në lagjen ‘Mark Lula’ në Shkodër, ka kryer klasën e tetë dhe hyn në të nëntën.

Ai tregon se përveç vapës dhe rrugës së gjatë nëpër rërë e vapë, shpesh përballën dhe me qëndrimin jo dashamirës të atyre që kanë lokale në rërë dhe nuk i lejojnë ambulantët të futen nëpër plazhet para tyre për të shitur. Vitin e kaluar kjo ka qenë më e pranishme dhe në rërë nuk kishte asnjë që tregtonte pije freskuese, por kërkesat e pushuesve kanë bërë që këtë vit, këta të lejohen të shesin dhe në rërën e plazhit. Të tjerë të mitur i sheh gjatë gjithë ditës teksa shesin dhe misra të pjekur në plazh, një tjetër “biznes” ky i mbarë në sezonin veror, që në plazhin e Velipojës numëron mbi 15 të tillë. Disa prej tyre janë të punësuar.

Personat që kanë aktivitetin e tyre në plazh në sezonin veror. Elvisi dhe Eridoni janë nga fshati Grudë e Re në Shkodër, Përkatësisht 13 dhe 11 vjeç. Ato tregojnë se janë të punësuar te një aktivitet privat që prodhon kofle, një ëmbëlsirë e lehtë me brumë. Të shoqëruar ose jo nga të afërm e prindër, këta fëmijë përballen me domosdoshmërinë e mbijetesës dhe ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre që vijnë në Velipojë për pushime, ato punojnë e nuk pushojnë. Por një realitet i ngjashëm është dhe me fëmijët e qytetit, ato që as u shkon ndër mend se ka diku plazh pasi u duhet të gjejnë sa më shumë kanoçe për t`i shitur, veçanërisht tani në verë ku konsumi i pijeve të ambalazhuara në të rritet.
shekulli
 

Attachments

  • PicMonkey-Collage8-620x620.jpg
    PicMonkey-Collage8-620x620.jpg
    113.6 KB · Shikime: 0

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top