E bardhë për të zinjtë dhe e zezë për të bardhët. Vetëm zëri i saj i jashtëzakonshëm pajtoi të gjithë.
Eleonora Holiday lindi në prill të 1915-ës në Baltimorë, nga Sadie Fagab, kamariere afroamerikane, ngelur shtatzanë në moshën trembëdhjet vjeçare, dhe nga Clarence Holiday, një student gjashtëmbëdhjet vjeçar i cili braktisi familjen për të ndjekur një orkestër në të cilën kishte filluar ti binte kitarës. Pra të varfër dhe të zinj.
Billie rritet shpejt. E përdhunuar në moshën dhjetë vjeçare nga një komshi, u dënua me dy vjet internim në një institut katolik sepse joshëse sipas gjykatësit.
Ishte pesëmbdhjetë vjeçe kur filloi të bridhte nëpër lokale duke u hequr si balerinë. Te Pod’s & Jerry’s pasi pianisti e pyeti nëse dinte të këndonte iu përgjigj thjesht :” sigurisht që di, por për çfarë më duhet?”
Filloi kështu karriera e saj.
E thërrisnin me ironi Lady, sepse ndryshe nga këngëtaret e tjera të kohës nuk pranonte të merrte bakshish mes kofshave.
Në 1933 regjistroi diskun e saj të parë me ndihmën e prodhuesit J. Hammond i cili e kishte dëgjuar rastësisht në një nga lokalet e Harlemit.
Billie Holiday ka qënë këngëtarja e parë e zezë e cila këndonte me muzikantë të bardhë, duke sfiduar kështu moralin racist të kohës. Edhe pse rastet e hidhura nuk munguan . Përshembull, kur në hotel nuk e lejonin të merrte ashensorin, ose kur në teatër duhej të hynte nga dera e pasme, ajo e të zinjve. Por edhe kur në një tounée me orkestrën e Count Basie, në teatrin Fox të Detroit e detyruan të lyente fytyrën me dyll të zi sepse lëkura e saj ishte tepër e bardhë.
Në këto vite vjen dhe”Strange fruit“, kënga – denoncim kundër linçimit të të zinjve në jug të Shteteve të Bashkuara dhe një nga shprehjet e para të lëvizjes për të drejtat civile.
Interpretimi mahnitës dhe aq i trishtë i këngëtares shtyu shumë radio amerikane të mos e transmetonin më sepse besonin se ishte shkaku i një seri vetvrasjesh.
“Strange fruit” çoi Billie Holiday drejt famës botërore. Imazhi i këngëtares u lidh me këngën dhe kjo e fundit jo vetëm mahniste publikun: e shkundte.
Billie, nga një prostitutë ishte transformuar në një perëndeshë. Mahniste publikun me zërin e saj, fustanin e gjatë, gardenien ndër flokë dhe dorezat e bardha për të fshehur shenjat e shiringave.
Filloi me opium, e mësuar nga bashkëshorti J. Monroe, për të kaluar shpejt tek heroina. Vdiq kështu në moshën 44 vjeçare në një dhomë të Metropolitan Hospital, në New York. (Tirana Calling)