sweetzzinna
Dum spiro, spero くる
E lindur në Siberi nga një çift rus, pa pjesën e këmbëve nga gjuri e poshtë, Long u braktis në një jetimore që foshnje, për t’u birësuar më pas në SHBA, nga një familje në Merilend.
Natalia, nëna biologjike e Long, një e apasionuar pas Lojrave Olimpike, pa vajzën e saj teksa arriti sukseset e jashtëzakonshme në pishinë, pa e ditur se cila ishte në të vërtetë, pasi kishte ndërprerë çdo kontakt me fëmijën e braktisur prej saj në Bratsk, qytetin e ndodhur rreth 3 mijë kilometra në lindje të Moskës.
Megjithatë, historia e pabesueshme e notares së suksesshme bëri që gazetarët të kërkonin rrënjët e origjinës së saj dhe mbërritën deri tek çifti Oleg dhe Natalia.
”Më vjen shumë keq që e braktisa, por atëherë isha vetëm 18 vjeç dhe më zuri paniku. Nuk dija si të rrisja një fëmijë, jo më një me probleme të mëdha shëndetësore. Megjithatë, nga njëra anë jam e lumtur për Jessican dhe fatin që ajo ka pasur në jetë. Pa dyshim, ishte një moment shumë i dhimbshëm, por në atë çast, të tilla ishin rrethanat. Mendoja se pas disa kohësh në jetimore, do të rikthehesha që ta merrja në familje”, rrëfeu Natalia, e intervistuar nga një televizion amerikan.
”Isha e vetme në Siberi, pa mama dhe baba. Ku mund ta merrja në ato kushte? Ishin mjekët që më thanë ta dërgoja për birësim. Unë e quajta atë Tatiana, si motra ime e madhe, por tashmë emri i saj është Jessica”.
Pas pothuajse një viti në jetimore, vajza u njoh me prindërit e saj të ardhshëm, që ranë menjëherë në dashuri me fëmijën, duke e marrë me vete në Baltimorë, SHBA, ku i ofruan një strehë, dashurinë familjare dhe një identitet të ri.
Megjithatë, ndonëse e pa vetëm disa minuta në maternitet, babai Oleg, 17-vjeçar në momentin e lindjes së Jessicas, ndihet krenar për “të bijën”. “Jam shumë i lumtur dhe krenar për të. Do të doja shumë ta shihja dhe ta përqafoja sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Ndienjat e kampiones paraolimpike ndaj familjes së saj biologjike nuk janë të njohura, por sipas programit, ajo ka vendosur që të udhëtojë së shpejti në Rusi për t’u njohur me prindërit e saj.
”Nuk jam e inatosur me të dhe dua ta njoh nënën time biologjike. Mendoj se kemi shumë gjëra të përbashkëta. Një ditë, edhe unë do të kem një familje dhe fëmijë dhe do të doja që ta quaja vajzën time Natalia, ashtu si nëna ruse që më ka lindur”, u shpreh Jessica, sipas një gazetari që e intervistoi nëpërmjet telefonit.
Ndërkohë, kampionia paraolimpike shkroi në profilin e saj në rrjetin shoqëror “Twitter”: “Faleminderit për të gjithë dashurinë dhe mbështetjen që më ke dhënë Rusi”. /tch