Spanja mbështet liberalizimin e vizave për shqiptarët

Kresha

A pretty face can never trick me
Ministri i Brendshëm i Spanjës, Alfredo Perez Rubalcaba në një takim me homologun shqiptar Luzim Basha i ka dhënë garanci këtij të funti për angazhim maksimal.


Spanja, vendi që do të kryesojë presidencën e Bashkimit Evropian në 6 mujorin e parë të vitit 2010, do të japë mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Garancia është dhënë nga Ministri i Brendshëm i Spanjës Z. Alfredo Perez Rubalcaba, i cili priti në një takim të veçantë Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë Z. Lulzim Basha.

Zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme informoi sot se z. Basha zhvilloi një vizitë në Spanjë, ku veç takimit me z.Rubalcaba, u prit dhe nga Zv.kryeministri dhe Ministri i Politikave të Territorit të Spanjës Z. Manuel Chavez, i cili shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh për çështje të decentralizimit të pushtetit vendor dhe shkëmbimit të përvojave në këtë drejtim.

Ministri i Brendshëm i Spanjës, Rubalcaba, në funksionin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, ka siguruar homologun e tij, z. Basha se "do të angazhohet maksimalisht për shqyrtimin pa vonesë të propozimit formal të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo të kenë përfunduar misionet e monitorimit".

Ministri Basha informoi në takim mbi progresin e bërë nga Shqipëria në fushën e sigurisë së dokumenteve të identitetit dhe të sigurisë së kufijve. Ai nënvizoi se brenda një kohe të shkurtër janë pajisur me pasaporta biometrike mbi 350 mijë qytetarë shqiptarë, e ndërkohë Shqipëria zotëron sot një sistem tërësor të kontrollit dhe menaxhimit të integruar të kufirit sipas standardeve të vendeve Schengen.

Rezultatet e larta të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit ishte një tjetër pikë në të cilën u ndal ministri Basha në takimin me homologun e tij spanjoll. "Goditja e mbi 200 grupeve të krimit të organizuar gjatë katër viteve të shkuara, tashmë pasohet me një fazë të re të goditjes së kriminalitetit që synon bllokimin e burimeve financiare të krimit të organizuar, nëpërmjet paketës ligjore "Antimafia" dhe ligjit për konfiskimin e aseteve", theksoi ministri i Brendshëm.

Ai vuri në dukje dhe vendimin më të fundit të qeverisë shqiptare për zgjatjen e moratoriumit për mjetet e shpejta të lundrimit në det, gjë që "dëshmon vullnetin e hekurt të qeverisë për të mos lejuar përdorimin e territorit shqiptar për trafiqet e paligjshme".

Dy ministrat vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes strukturave ligjzbatuesve të të dy vendeve, e posaçërisht realizimin me sukses të disa operacioneve të përbashkëta policore. Basha dhe Rubalcaba ranë dakord për nënshkrimin e një marrëveshjeje mes policisë shqiptare dhe asaj spanjolle në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Në këtë kontekst, ata ranë dakord edhe për kryerjen e shpejtë të procedurave për vendosjen e oficerëve të kontaktit në Spanjë dhe Shqipëri për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin mes strukturave policore shqiptare dhe spanjolle.

Në kuadër të vizitës në Spanjë, Ministri Basha u ndal dhe në kompaninë INDRA, një nga liderët europianë në fushën e teknologjisë së informacionit, komunikimit, mbrojtjes dhe sigurisë./trt/
 
Back
Top