Skandal në tekstin e universitetit shtetëror

Femrat mendjelehta janë viktima të përdhunimit
14ch62o.jpg
Skandal me tekstet shkollore në universitetin shtetëror të Prishtinës, femra që përdhunohen konsiderohet se janë ato të pakujdesshme, mendjelehta dhe të përdala.

Këto përshkrime jepen në librin “Kriminalistika” i cili përdoret në Fakultetin Juridik.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), thotë se i bënë Universitetit të Prishtinës vitin e kaluar, që libri “Kriminalistika” të hiqej nga përdorimi. Sidoqoftë, kjo nuk zgjati shumë pasi këtë javë, studentë të Fakultetit Juridik denoncojnë se ky libër është ribotuar dhe është kthyer në përdorim me paragrafin e njëjtë denigrues mbi viktimat e dhunës seksuale.

Si rrjedhojë, teksti në fjalë ende u referohet viktimave të dhunës seksuale me fjalorin më ofendues dhe jo-akademik të mundshëm, duke deklaruar që:

“Viktima të marrëdhënieve seksuale me dhunë zakonisht janë femrat që gënjehen lehtë, të pakujdesshme, mendjelehta, dhe të përdala, rrethana të të cilat sjellin me vete edhe një situate viktimogjene (sulmin ndaj tyre)”.

Si rezultat i ribotimit të këtij libri, gjenerata të reja të prokurorëve, avokatëve, dhe gjykatësve, shumë prej të cilëve do të punojnë me raste të dhunës në familje, dhunës në baza gjinore, dhe dhunës seksuale, vazhdojnë të edukohen nga një libër që fajin për akte dhunimi e sheh mbi viktimën. Kjo jo vetëm që është absurde, por është e patolerueshme nga aspekti i të drejtave të njeriut.

RrGGK, thotë se është shumë e shqetësuar për ribotimin e këtij libri me autor prof. dr. Vesel Latifi. Ndaj ajo tha se i bëri thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetit të Prishtinës, dhe veçanërisht këshillit botues, që ky tekst të hiqet nga përdorimi sa më shpejt.

Organizata Botërore e Shëndetit e përkufizon dhunën seksuale si:

“...një gamë veprimesh, nga dhuna verbale deri te penetrimi seksual i detyruar, dhe lloje të ndryshme të detyrimit, që nga presioni shoqëror dhe intimidimi deri te dhuna fizike.

Dhuna seksuale përfshin, por nuk është e kufizuar në:

përdhunim në martesë apo në lidhje romantike

përdhunim nga të panjohur dhe të njohur

ngacmim apo afrim seksual i padëshiruar (në shkollë, në punë, etj.)

përdhunim sistematik, skllavëri seksuale dhe forma tjera të dhunës, të cilat zakonisht përdoren në konflikte të armatosura (p.sh. shtatzania e detyruar)

abuzimi seksual i njerëzve me aftësi të kufizuara mendore apo fizike,

përdhunimi dhe abuzimi seksual i fëmijëve, dhe

format “zakonore” të dhunës seksuale, sikur martesa e detyruar, bashkëjetesa dhe trashëgimia e gruas.”


Madje sipas tyre, përkundër që teksti nuk i merr parasysh këto forma të dhunës seksuale, ai nuk përfshin as përkufizimet e Kodit Penal të Kosovës.

Përkufizimi i viktimës “tipike” sipas profesorit Vesel Latifi është tejet problematik. Hulumtime serioze të dhunës seksuale në Kosovë dëshmojnë se gratë e të gjitha moshave, etniciteteve, statuseve martesore dhe rajoneve të ndryshme përjetojnë dhunë në Kosovë, dhe shumica e tyre përjetojnë dhunën në baza gjinore (përfshirë dhunën seksuale) nga partnerët e tyre intim - se sa nga një i panjohur. Kjo dhunë ka tendenca të jetë pjesë e dhunës së vazhdueshme, - evidenton RrGGK.

Kurse theksohet: “Viktima, thjesht, nuk mund të përkufizohet sipas mendjelehtësisë, pakujdesshmërisë, përdalshmërisë, dhe situatat “viktimogjene” që sjell me vete. Dhuna seksuale është simptom i një shoqërie patriarkale, në të cilën gratë konsiderohen inferiore dhe trupat e tyre pronë. Vlen të shtohet se në shoqërinë kosovare është e pamundur të paramendohet se viktima mund të jetë edhe burrë, edhe djalë, edhe çfarëdo individi tjetër që nuk përputhet me përkufizimin e ngushtë të “viktimës” në tekstin e Veselit. Viktimë mund të jetë kushdo, e jo vetëm “gratë e zhvilluara në moshën normale.”, shkruajnë në letër. Dhuna seksuale nuk ka të bëjë vetëm me tërheqjen seksuale apo epshin, por ka te bëjë me pabarazinë e rrënjosur institucionale dhe shoqërore. Kjo e fundit merr forma sikur dhuna seksuale, por edhe si mungesë e trashëgimisë, mungesë e mbrojtjes ligjore, mungesë e përfaqësimit, dhe përqendrim i fuqisë te burrat. Pa burime dhe referenca kredibile, autori përgjithëson që një numër i madh i kallëzimeve janë të rrejshme, e jo vetëm të rrejshme, por të bëra nga “të sëmurë psikopat, histerik, me sëmundje patologjike, etj”, si dhe gra që thjesht gënjejnë për shkak të tradhtisë apo të ndonjë përfitimi material. Lënë anash që histeria është term i diskredituar, ndërsa sëmundjet s’mund të jenë gjë tjetër pos patologjike, një qëndrim i tillë ndaj viktimave të dhunës seksuale i dekurajon ato apo ata nga raportimi i dhunës tek institucionet përkatëse. Në fakt, supozohet se shumica e rasteve të përdhunimit në Kosovë, nuk raportohen tek organet e drejtësisë, mu për shkak të mosbesimit që tregojnë institucionet dhe dënimeve të lehta që iu shpallen abuzuesve. Ndërsa, përkundër mosraportimit, më shumë se gjysma e grave të intervistuara thanë se “partnerët e tyre i detyronin të bënin veprime seksuale të cilat ato nuk i dëshironin”. I njëjti hulumtim dokumenton se vetëm 13 nga 96 gjinekologët e intervistuar nuk kishin parë asnjë rast të dhunës seksuale tek pacientët e tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, ka shumë arsye pse gratë nuk e raportojnë dhunën seksuale, sikur: mungesa e mbështetjes nga shoqëria dhe institucionet, turpi, frika nga hakmarrja, frika nga fajësimi, frika nga mosbesimi, frika nga keqtrajtimi dhe përfolja shoqërore. Në një shoqëri si ajo e Kosovës, ku gratë nuk kanë mbështetje as në qendrat e ndihmës sociale që kanë për obligim t’i ndihmojnë, ku strehimoret për gratë e abuzuara nuk kanë mjaft resurse materiale dhe njerëzore për t’i mbrojtur, ku policët u sugjerojnë grave të kthehen tek abuzuesi i tyre, ku vet familjet i heshtin rastet e dhunës, mosbesimi dhe kategorizimi i grave që marrin guximin të raportojnë abuzuesin e tyre sikur gënjeshtare dhe të sëmura psikologjike, nuk është asgjë pos mizor. Institucionet e dijes janë të përfshira drejtpërsëdrejti në krijimin e raporteve sociale të cilat rezultojnë në akte të tilla dhune dhe stigmatizimin e viktimave të kësaj dhune. Shembull i riprodhimit të këtij qëndrimi mizor ndaj viktimave si fajtore për dhunën që përjetojnë është profesor Haki Demolli, i cili së fundi ka dalë në mbrojtje të tekstit origjinal, duke thënë se është qëndrim legjitim shkencor. /a.b/noa/.al/
 
Titulli: Skandal në tekstin e universitetit shtetëror

Pupupu sa e turpshme! Po imagjinoj tani qe kte librin ta kete shkruajtur ndonje avokat dhe nje viktime perdhunimi te gjendet ne nje te ardhme ne nje situate ku duhet te mbrohet nga ky avokat.
 
Titulli: Skandal në tekstin e universitetit shtetëror

mir ne qe nuk i hapim librat
 
Titulli: Skandal në tekstin e universitetit shtetëror

Sipas zoteri Veselit edhe ato mijera femra qe u detyruan te kryejne marredhenie seksuale nga paramilitaret serb gjate luftes ne Kosove paskan qene mendjelehta, te pakujdesshme, te perdalura etj.

Shpresoj ta kene perjashtuar deri tani kete gomar.
 
Titulli: Skandal në tekstin e universitetit shtetëror

Viktima të marrëdhënieve seksuale me dhunë zakonisht janë femrat që gënjehen lehtë, të pakujdesshme, mendjelehta, dhe të përdala, rrethana të të cilat sjellin me vete edhe një situate viktimogjene (sulmin ndaj tyre)

] mir e ke then se femrat vertet e kani te mete te madhe... se nuk mban arme me vete(ne raste tilla) pastaj do flisnit me ndryshe.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top