Arfenilla
Themelues i Forumit
Fëmijëria e saj në Shqipëri ka qenë shumë e lumtur. I kujtohet shpeshherë kur luante me motrën e saj binjake, Argitën, apo me shoqet e pallatit, duke pretenduar se ishin mjeke dhe vizitonin kukullat e tyre.
Mban mend edhe se dikur ëndërronte të jetonte dhe punonte në Amerikë. Kjo është kërkuesja më e re shkencore në Harvard, Detina Zalli me origjinë nga Fieri, e cila punon edhe si pedagoge e Biologjisë Molukelare.
Ajo tregon për “Shekullin” se si i ka ngjitur shkallët në një ambient të huaj, ku shpeshherë duhet të përballesh edhe më pengesa nga më të ndryshmet. Në moshën 11-vjeçare së bashku me familjen, prindërit dhe motrën binjake shkojnë në Angli. Aty gjërat ndryshuan...
“Vetëm unë dhe motra e dinim gjuhën angleze, prandaj u poqëm para kohe. Në moshën 13-vjeçare lamë lodrat tona dhe morëm përgjegjësi të reja, si për shembull, takoheshim nëpër zyrat e avokatëve për probleme letrash, apo shkonim në shërbime sociale”.
Detina tregon se shpeshherë shkonin nëpër spitale për të ndihmuar me përkthimin ata shqiptarë që ishin të sëmurë. “Ka pasur raste kur kemi shkuar edhe natën. Këtë gjë e bënim nga dëshira për t’i ndihmuar.
Në të njëjtën kohë duhet të përballeshim edhe me racizmin në shkollë, gjë që nuk ishte e lehtë. Me një fjalë jeta jonë, ndryshoi”. Tashmë ajo jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vëmendja e saj është e fokusuar në karrierë.
Po bën postdoktoraturën në Harvard, dhe në të njëjtën kohë jep edhe mësim. “Konkurrenca në Harvard është tepër e madhe, por unë nuk dua të jem thjesht një shkencëtare e Harvardit, por shkencëtare dhe mësimdhënëse në Harvard”.
Për sa i përket Harvard-it, ajo tregon se konkurrenca është shumë e madhe, dhe duke pasur parasysh moshën e saj, shumë mësues të tjerë (më të shumtët janë të moshës 45 vjeç e sipër) dhe nuk pëlqejnë që një vajzë kaq e re, të konkurrojë me ta.
Ajo thotë se suksesi nuk ka të bëjë me karrierën. “Suksesi matet nga mirësia që ndodhet në shpirtrat e njerëzve dhe nga sasia që shpërndahet.
/Shekulli
Last edited by a moderator: