Edhe pse mund të rrinë me orë të gjata në punë, të punojnë fundjavave, të përpiqen shumë për të arritur objektivat që iu janë vënë, sërish punonjësit shqiptarë nuk arrijnë që sigurojnë nga puna e tyre të ardhurat e pritshme nga punëdhënësit.
Dhe në një rreth vicioz këta të fundit nuk u japin punonjësve shpërblimin që ata presin dhe as priren të kryejnë investime për të rritur produktivitetin e punonjësve.
Ambienti jo i favorshëm për të bërë biznes nuk e ndihmon këtë situatë.
Në treguesin e produktivitetit të dukshëm të punës, të matur përmes Vlerës Bruto të Shtuar (VBSH) për punonjës (prodhimit për punonjës), Shqipëria renditet e fundit në rajon.
Për vendin tonë ky tregues është pak më shumë se 10 mijë dollarë në vitin 2015 (e matur me dollar konstantë 2010), nga gati 15 mijë dollarë që është mesatarja e gjithë Ballkanit Perëndimor, sipas një grafiku të publikuar nga Banka Botërore në raportin e fundit “Ballkani Perëndimor: Rigjallërimi i motorit të rritjes dhe prosperitetit” .
Produktivitetin më të lartë e ka Kosova, me gati 18 mijë dollarë, e ndjekur nga Mali i Zi, Bosnja, Serbia, Maqedonia dhe vetëm në fund vjen Shqipëria. Një sfidë për rajonin, thotë raporti, është që produktiviteti mesatar i punës është më pak se gjysma e niveleve të 7 vendeve të tjera të vogla në tranzicion, që janë tashmë në BE (Bullgaria, Kroacia, Estonia, Letonia, Lituania, Republika Sllovake dhe Sllovenia). Për këto vende, sipas grafikut, VBSH është mbi 30 mijë dollarë.
Të dhëna të tjera të Eurostat, të konstatuara nga “Monitor”, tregojnë se në vendet e Bashkimit Europian, shifrat e prodhimit për punonjës janë shumë më të larta, duke arritur në mbi 100 mijë dollarë për sektorë të veçantë (si energjia, gazi, teknologjia e informacionit) dhe me një mesatare të Bashkimit Europian prej rreth 70 mijë dollarë.
Banka Botërore në raporton e saj jep sugjerime se si mund të rritet produktiviteti i punës në vendet e Ballkanit. Teknologjia e partnerëve të huaj dhe ekspertiza mund ndihmojnë në rritjen e këtyre shifrave. Përveç niveleve më të larta të aftësive në forcën e punës, produktiviteti mund të rritet edhe nga reformat që e bëjnë më të lehtë për punëtorët të lëvizin midis firmave, sektorëve, rajoneve gjeografike ku veprimtaria ekonomike është më efikase dhe e dobishme. Reformimi i tregjeve të punës, të cilat kanë probleme të tilla si informaliteti i përhapur dhe lëvizja e kufizuar e punës, do të ndihmojnë në përmirësimin e produktivitetit.
Monitor