Shqipëria në përshkrimet e Evlija Celebisë (shkëputje të shkurtra)

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
  • Berati
Kronikani turk, Evlija Çelebi qytetin e Beratit e quan: “Qyteti i një mijë syve”.
Pas një ore, mbërritëm në qytetin e bukur të vendosur përgjatë një lugine, në Belgradin shqiptar (Berati). Fortesa e Beratit është ndërtuar në formën e një shandani në majën e një kodre të pjerrët dhe të zhveshur që shtrihet në drejtimin veri-jug. Ajo duket e fuqishme dhe madhështore. Në Berat tregjet dhe pazaret janë të mbuluar. Janë tregje të mrekullueshëm me dyqane të vendosur në radhë dhe shumë komodë, duke përfshirë atë të opingarëve, të këpucarëve e të prodhuesve të artikujve prej lëkure. Është vendi ku njerëzit takohen me njëri–tjetrin. Këtu, nëpër tezga të vendosura nën hijen e pemëve të ndryshme, gjen nga të gjitha llojet e prodhimeve artizanale. Në mes të këtij pazari ndodhet një shesh i madh me një kullë sahati të lartë. Ajo bie 12 herë në ditë. Të gjitha shtëpitë e mëdha të qytetit i kanë dritaret e tyre me pamje nga lumi.”
Për urën që kalon përmes lumit ai thotë: “…ura e Beratit ka 9 harqe! Zoti e ruajt atë!”

1m.jpg

  • Elbasani
Sipas R. Elsie, përshkrimi i Elbasanit nga Evlija Çelebiu ka qenë pa dyshim pika më kulminante e udhëpërshkrimit të tij për Shqipërinë duke e quajtur atë: Elbasani-Nusja e Rumelisë. Celebi e përshkruan në një mënyrë përrallore qytetin e Elbasanit:
Sarajet e begata e plot dritë jashtë mureve të kalasë janë të hijeshuara me pjergulla të bukura, me kopshte si ato të parajsës, me lulishte, me çardakë e kënde kuvendimi. Janë me dy a tri kate, prej guri e me çati me tjegulla. Secila syresh ka çesëm me ujë të kulluar të rrjedhshëm dhe hauz e shatërvan që spërkat ujin nga sylynjarët. Janë banesa të rehatshme, si ato të kopshteve të parajsës. Në qytetin jashtë mureve të kalasë vetëm majat e minareve të xhamive janë të mbuluara prej plumbi; të gjitha ndërtesat e tjera kanë çati me tjegulla të kuqe.”
Për bujarinë e Elbasanit thotë: “Kam dyzet vjet që udhëtoj, por kurrë nuk kam hasur një dashamirësi si kjo, me përjashtim të Hizir Agait, komandantit të jeniçerëve në Tripolin sirian, dhe të qytetit të Elbasanit.”
2m.jpg


  • Shkodra
Celebi e gjeti Shkodrën si një qytet të begatë, Ai shprehet se: “Dora e Krijuesit te PLotfuqishëm ka krijuar një nga peizashet më të bukura në botë.”
Qyteti ishtë qytet-kala. I rrethuar nga muret e kalasë e cila ndodhet në majë të një shkëmbi të lartë dhe të pjerrët. Brenda kalasë kishte një numër të vogël shtëpish dhe një Xhami që rrëzëllon. Xhamia e Sultan Mehmetit e ndërtuar në stilt në vjetër. Qyteti jashtë mureve të kalasë përbëhet nga 1.800 shtëpi prej guri një dhe dy katëshe të rrethuara nga vreshta dhe kopshte. Banorët janë të gjithë myslimanë. Ka 15 lagje, nga të cilat më të njohurat janë: lagja Bayazid Khan, lagja Ali Bey, lagja Hüsein Bej, lagja Iskele-basi , lagja e Myftiut, lagja Kara Hasan dhe lagja në fund të pazarit. Jashtë mureve të kalasë ai numëron 11 xhami dhe 70 musalate ku falet namazi, 6 medrese, 6 teqe. Përmend se ka shkolla filloreje, bujtina por nuk jep një numër të saktë të tyre.​

3m.jpg











  • Gjirokastra
Pas një qendrimi të shkurtër në Delvinë, Zhulat dhe Kardhiq, Evlija Celebi erdhi në qytetin e Gjirokastrës, turqisht Ergiri. Në lidhje me qytetin e vjetër ai shkruan:
Qyteti jashtë kalasë është i ngritur mbi tetë kodrina e lugina përqark kalasë, me shtëpi shumëkatshe prej guri, të gjitha me çati me rrasa dhe me vreshta e kopshtije. Secila nga këto shtëpi të ndërtuara për bukuri ka kullë. Avllitë e oborreve të këtyre shtëpive janë me një lloj gur graniti të bardhë, të latuar prej mjeshtrish gurgdhendës, si të ishin tulla Ankaraje nga një brum i vetëm. Avllia të tilla kanë si shtëpitë e të pasurve, ashtu edhe ato të të varfërve. Gurë të tillë të prerë me kënde të drejtë nuk gjen gjetiu mbi dhé, përveçse në qytetet Tire e Manisa të Anadollit.
Janë 8 mëhalla… me 2.000 shtëpi me çati me rrasa, mes të cilave më e madhja është saraji i ri e madhështor i Memo Pashës, e pastaj vijnë saraji i të birit Osman Bej, ai i allajbeut, si dhe ai i Zaim Bekos. Ka edhe shumë të tjera si këto.”
4m.jpg


 
Ura-e-Vezirit-Fotoja-kryesore-770x433-1.jpegUra-e-Vezirit-dhe-ndertesa.jpeg

12.-Pulle-poste-ura-vezirit-25-Q-nga-Bajram-Peci.jpeg
Ura e Vezirit para se të shkatarrohej me mina nga ushtria serbe në 1914

............................................

Artikulli përmban shënime nga Edith Durham

Nga Qerim Vrioni –

Duke u marrë me foto të vjetra të Shqipërisë, më kanë rënë në sy veçanërisht disa sosh që paraqesin Urën e Vezirit, që ngrihej mbi lumin Drin, pranë Kukësit të vjetër. Në to paraqitet ura e fotografuar nga disa kënde të ndryshme, e prej dy anëve të lumit, kështu që shikuesit e sotëm mund të krijojnë përfytyrim të afërt të saj. Ura ishte me harqe nga sipër (kurrize) me gjashtë këmbë, pesë hapësira drite dhe disa kamare. Lartësia më e madhe në mesin e saj mbi sipërfaqen e ujit ishte në kohën e verës rreth 15 metra. Gjerësia e saj ishte rreth 1.50 m, dhe lejonte kalimin e njerëzve, kafshëve dhe qerreve të ngushta mbi të. Në shtyp shkruhet se ishte e gjatë rreth 200 metra (për krahasim, Ura e Goricës në Berat është rreth 130 metra) dhe se është ndërtuar për shtatë vjet (Ali Hasani).

Janë tërheqëse këto foto të urës, së pari për formën shumë të veçantë arkitekturore, por edhe se të shtyjnë për të menduar rolin e saj të madh në lidhjen e viseve të ndryshme shqiptare, mandej për vjetërsinë, historikun e ndërtimit dhe fatkeqësisht edhe fundin e saj të trishtë. Gjithsesi, për shumë dhjetëvjeçarë mbi urë kanë kaluar me mijëra njerëz, nga të dyja drejtimet e saj. Imazhi i saj nxit imagjinatën për të parë me sytë e mendjes duke kaluar mbi të, fshatarë më këmbë ose me kafshë të ngarkuara, nuse mbi kalë të shoqëruar nga familjarët e saj, grupe burrash për ndonjë gosti, por ndoshta edhe funerale me të vdekur të mbajtur nga të afërmit. Kështu, supet e saj të gurta kanë pritur e përcjellë thuajse të gjithë jetën e krahinës në kohëndarje nga më të ndryshmet. Natyrisht, edhe gurët e sipërfaqes së urës do të jenë lëmuar nga hapat e mijëra kalimtarëve dhe duhej pasur shumë kujdes, sidomos në stinën e dimrit të ftohtë e me ngrica të krahinës. Në një foto të Kel Marubit (1904-1905) në pjesën e poshtme dallohet një njeri me uniformë. Me shumë gjasë, ai është roja i urës, i cili siguronte kalimin e banorëve mbi të pa shqetësime nga një breg i lumit në tjetrin.

Kjo urë, shënohet se është ndërtuar nga feudalët Bushatllinj të Shkodrës nga mesi i shekullit XVII. Mikja e shqiptarëve, anglezja Edith Durham më 1909, shkroi, ndër të tjera për urën se: “nuk mund të përfytyrohet gjë më e harmonishme me panoramën për rreth”. Në disa foto, pranë urës në të djathtë të rrjedhës së lumit, dallohet një ndërtesë e bardhë dykatëshe, e ngritur për muratorët, që më pas u kthye në “Hanin e Urës së Vezirit” për shtegtarët. Duke hamendësuar mosprishjen, kjo ndërtesë ndoshta do ishte kthyer në Bar-Kafe-Restorant dhe do ia shtonte sadopak vlerën objektit. Në kohët e mëvonshme, me shumë gjasë, i gjithë mjedisi do rrethohej me bare dhe restorante për vizitorët, mbase do merrte edhe formën e një qyteze të vogël turistike. Madje urës do t’i vendoseshin edhe parmakë për të mbrojtur kalimtarët dhe do të pajisej me ndriçim shikimi dhe zbukurimi… Sigurisht, imazhi i urës më vonë mund të shtypej në kartolina postare, postera publicistikë dhe katalogë turistikë, do prodhoheshin suvenire me mikromaketin e saj. Madje mund të zhvillohej edhe ndonjë garë sportive me hedhje nga ura në lumin Drin. Kështu, edhe Ura e Vezirit do të kthehej në një pikë tërheqëse të turizmit shqiptar… gjithmonë nëse nuk do të minohej, së pari nga trupat serbe.

Gjithsesi, Ura e Vezirit, nga ana arkitekturore dhe historike është vlerësuar dhe nderuar në një mënyrë të veçantë edhe rreth një shekull më parë. Kështu, nga “Posta Shqyptare” në Tiranë, u emetua në vitin 1922, një seri pulle poste me imazhe nga objekte historike dhe qytete si Shkodra (Rozafa), Gjirokastra (Kalaja), Vlora (Kanina), Durrësi, Korça, Berati (Kalaja) dhe… Ura e Vezirit pranë Kukësit (Bajram Peçi). Tek e fundit, edhe objektet e veçanta ndërtimore me funksione administrative, fetare, kulturore, historike dhe gjeografike simbolizojnë në imazhe pamore një vend të caktuar, që me kalimin e kohës krijojnë atë që quhet “kujtesë historike”. Ndër vendet ose objektet, imazhet e të cilave u përdorën për pulla, Urës së Vezirit, nuk i takonte emri “urë” sepse tanimë nuk ekzistonte. Sidoqoftë, imazhi për pullën e urës, është huazuar nga shkrepja e njohur fotografike e Kel Marubit.

Duket mbresëlënëse ideja e paraqitjes në një pulle poste të imazhit të Urës së Vezirit në një kohë, kur siç u cek më sipër, prej saj kishin mbetur vetëm këmbët pa trup dhe shumë njerëz në vend nuk ishin fare në dijeni të historisë së saj. Po ashtu përfshirja e saj në një seri bashkë me objekte të tjera historike, por që ishin ende në këmbë, duket disi e befasishme. Ndonjë mendjendritur (anëtar a kryetar i komisionit shtetëror të pullave), emri i të cilit ende mbulohet nga mjegulla e historisë, mendohet se do të ketë qenë ideuesi i përfshirjes së pamjes së urës në këtë seri të pullave.

Me shumë gjasë, vendimi i komisionit të Postës Shqyptare nuk është miratuar lehtësisht nga të gjithë anëtarët; kundërshtuesit kishin në krah faktin e mungesës (e mosqenies si objekt të përdorshëm), ndërsa të tjerët mbështeteshin te historia dhe identiteti kombëtar që vlerësonte kujtesën kolektive. Pra, mund të ketë pasur një përplasje mendimesh midis njerëzve praktikë (kundër pullës), po pa shumë kulturë, dhe atyre më “të lexuar” dhe me vizion (për pullën). Më ndryshe, krijimi i një pulle poste me një ndërtim të vjetër, por të prishur, ndoshta kumtonte qortim për mosmbrojtje të saj (e shkuara), por dhe këshillim për t’i ruajtur këto lloj objektesh (e ardhmja), si pjesë e prekshme e historisë kombëtare dhe kujtesës kolektive. Gjithashtu, edhe për të mos zvogëluar identitetin e Shqipërisë (krahas tij edhe krenarinë kombëtare) se mjaft ishte pakësuar dhe tjetërsuar ajo fizike.

Shumë shtete i kanë si vende të shenjta objekte të tilla të vjetra si kështjella, kisha, xhami, ura, ndërtesa, mauzoleume dhe i mbrojnë me ligje të shkruara dhe të zbatuara, qofshin këto në përdorim ose jo. Kjo ka sjellë ruajtjen e tyre edhe me mosha të mëdha qindra-mijëra vjeçare. Shpesh këto lloj objektesh janë edhe shembull për krenari të një populli a një tjetri. Në këtë fushë nuk është se shqiptarët janë shumë të pasur, prandaj ato pak që ishin atëherë, ishte detyrë për t’i ruajtur, të paktën imazhin e tyre. Mbase ka ardhur koha që historianë, urbanistë, arkitektë të përcaktojnë disa ndërtesa që janë nga më të moshuarat në vend, pavarësisht funksionit, përdorimit, përmasave, dhe të shoqërohen me vendime a ligje të veçanta dhe pllaka bronzi përkujtimore. Falë fotografisë, mësohet se në Shqipëri, vite e vite më herët ka pasur mjaft objekte, të cilat edhe pse sot mund të ishin jo-funksionale, do të përbënin arsye për pak krenari kombëtare.

Madje, të huaj që nuk e duan Botën Shqiptare shprehen se “në Shqipëri ndërtesat më të vjetra janë pak më shumë se njëshekullore, sepse shqiptarët kanë jetuar në male duke bërë jetë tribale”. Kisha e Vaut të Dejës, që sot do të ishte me moshë madhore 700-800 vjeçare (Aleksandër Meksi) do ta rrëzonte këtë deklaratë dashakeqëse, por… ajo u shkatërrua në vitin ateist 1967. Objekti i dytë që mund t’u tregohej do ishte Ura e Vezirit, e ndërtuar mbi 300-400 vjet përpara. Fatkeqësisht, të dyja kanë mbetur vetëm nëpër foto. Ndoshta mund të ketë ende edhe ndonjë tjetër, por jo me vlerat historike dhe arkitektonike të këtyre të dyjave. Këtu nuk është fjala për objekte ushtarake për mbrojtje, si kështjella, kala e fortesa.

Ura e Vezirit pati fat të mirë se lindja e fotografisë në botë (1839) dhe në Shqipëri (në gjysmën e dytë të shek.XIX) e gjeti në përdorim, kësisoj pamja e saj mundi të përngrihej dhe të përjetësohej në letrën fotografike. Kështu, imazhi i saj mund të shikohet me endje dhe të shijohet edhe pas kaq vitesh (mbi një qindvjeçar) të rrënimit të saj, çka do ta bëjnë në përjetësi edhe brezat e ardhshëm. Por, gjithashtu ajo iu nënshtrua edhe fatit të keq, se ishte ngritur në një vend strategjik të lakmuar me etje të egër nga fqinjët veriorë të shqiptarëve, serbët. Nga të dhëna shtypi e botimesh mësohet se ajo është rrëzuar gjatë L1B, me dinamit prej trupave serbe në tërheqje nga trojet shqiptare, rreth vitit 1915. Ajo është fotografuar mjaft herë, përveç Kel Marubit që u citua më sipër, edhe nga Kolë Maca, hungarezi Baroni Nopça etj. Disa foto të tjera të saj janë, për autorin e këtyre rreshtave, ende pa emrin e fotografit dhe datën e fotografimit.

Një nga fotot e fundit të urës (në të vërtetë këmbëve të ish-urës) është ajo e Ismail Vlorës (i riu), rreth vitit 1944. Nuk është vështirë të kuptohet se shtysa e nipit të Plakut të Pavarësisë për të fotografuar çka kishte mbetur nga ura e famshme, ishte vetëm atdhedashuria, shtuar me pezmin e humbjes së një vepre të tillë.

Sot mbeturina të këmbëve ndodhen poshtë ujërave të liqenit të Fierzës që lëvizin turbinat e hidrocentralit me të njëjtin emër, e dikush mund të shprehet se gjithsesi, ura do shembej që të ndërtohej kjo vepër. Po edhe jo, sepse ndërkohë Ura e Vezirit, me shumë gjasa, do të kishte fituar një status krejt të veçantë si monument kulture, por ndoshta do prishej nga shqiptarët ashtu si Kisha e Vaut të Dejës me histori të vyer, sërish për hidrocentral, gjithashtu me status. Madje, kjo prishje e kësaj kishe, përbën një nga dëmet më të mëdha që ka pësuar historia dhe kultura shqiptare. Nga kalimi nëpër duar të shumë fotove të vjetra të Urës së Vezirit, mendojmë se ajo me kohë do të kishte fituar edhe statusin “Monument Kulture – mbrohet nga shteti”, madje më vonë ndoshta edhe si objekt nën kujdesin e UNESCO-s. / observkult.com
 
Ne jemi shteti me demtimet me te medha sa i perket historise. Dhe nuk na i prishi as okupatori e as sunduesi. I prishem vete. Trishtim qe te prek ne palce!
 
Ne jemi shteti me demtimet me te medha sa i perket historise. Dhe nuk na i prishi as okupatori e as sunduesi. I prishem vete. Trishtim qe te prek ne palce!
Fatkeqesisht ke thene nje te vertete te dhimbshme, dhe me e keqja eshte qe vazhdojme ende sot te shkaterrojme gjithcka te bukur dhe me vlere qe na ka lene e kaluara.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top