Sfidat Politike të Sigurisë

WxP

Staf në FV.AL
Sfidat Politike të Sigurisë

Leonard Demi*

Tranzicioni demokratik dhe integrimi euroatlantik, lëvizja e lirë e njerëzve, e të mirave materiale, shërbimeve, parave dhe informacionit, e kanë futur Shqipërinë në një proces të ri, i cili nuk është vetëm një dukuri apo një prirje kalimtare. Ky është sistemi ndërkombëtar, që zëvendësoi sistemin e Luftës së Ftohtë, pjesë e të cilit ishim edhe ne. Kërcënimet kryesore me të cilat përballemi sot në rrafshin e brendshëm, janë: krimi i organizuar, korrupsioni, trafiqet e paligjshme (drogë, armë, njerëz), terrorizmi, fatkeqësitë natyrore, etj. Në rrafshin e jashtëm ato janë: krimi i organizuar, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, terrorizmi, konfliktet rajonalë, etj. Sigurinë dhe përparimin e Shqipërisë ne i shohim të lidhur me institucionet euroatlantike, prandaj, më parë se të gjitha vendet e Evropës Lindore, kërkuam anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE dhe sot, po intensifikojmë përpjekjet për një integrim të shpejtë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Këto përpjekje synojnë një përparim paralel në fushat politike dhe ekonomike, ushtarake, të burimeve, në fushën legjislative dhe të sigurisë së informacionit. Mjeti dhe mënyra për realizimin e tyre janë Plani Kombëtar i Veprimit për Anëtarësim, Programi Individual i Partneritetit, Procesi i Planifikimit dhe Rishikimit të Forcës, plotësimi i Objektivave të Partneritetit, pjesëmarrja aktive në stërvitjet e përbashkëta dhe në misione në mbështetje të paqes, si operacioni ALTHEA, ISAF dhe Liria e Irakut.

Reformat në Forcat tona të Armatosura

Reformat në Forcat tona të Armatosura (FA), që pasqyrohen në planin e veprimit për anëtarësim dhe në planin afatgjatë, kanë për qëllim të krijojnë një forcë ushtarake të vogël në numër, shumë operacionale, profesioniste dhe të ndërveprueshme me forcat e aleancës. Këto reforma po përparojnë sipas një programi të hollësishëm, ku të gjithë përbërësit, si doktrinat dhe procedurat standarde, njësitë, kapacitetet dhe pajisjet, strukturat, misionet etj., konceptohen dhe realizohen si elementë të përbashkët të të njëjtit sistem.
Sipas kësaj strategjie që po zbatohet nga të gjitha strukturat shtetërore, Forcat Tokësore përmirësojnë infrastrukturën dhe rritin aftësitë operacionale, sidomos, të njësive prioritare (Brigadës së reagimit të shpejtë, regjimentit komando dhe brigadës së xhenios). Ato do të vazhdojnë të kontribuojnë në operacione humanitare në raste emergjencash civile apo në projekte të infrastrukturës kombëtare, si dhe në misione ndërkombëtare në mbështetje të paqes.
Forcat detare synojmë t’i pajisim me anije patrulluese shumërolëshe e me sistem të vëzhgimit të hapësirës detare. Këto forca do të zgjerojnë bashkëpunimin në kuadër të nismave rajonale (si Adrion) dhe në operacione të përbashkëta (si Aktiv ثndevër) etj.
Forcat ajrore kanë stacionuar avionët me krahë fiks dhe do të rritin numrin e helikopterëve dhe kapacitetin e Qendrës Operacionale të Sovranitetit.
Vëmendje po i kushtohet raportit organikë-kapacitete, mision-strukturë rezervë me pikësynim mënjanimin e dublimeve strukturore në gjithë sistemin e FA dhe çlirimin e tyre nga infrastrukturat dhe objektet e tepërta. Ne po eliminojmë forcat rezerviste dhe strukturat aktuale do të zëvendësohen nga komanda të vogla me personel aktiv.
Pajisjet e reja ushtarake do të vlerësohen sipas cilësisë, jetëgjatësisë dhe interoperabilitetit të tyre. Në këtë kontekst, kujdes i posaçëm po i kushtohet sigurimit të kapaciteteve të nevojshme për të përballuar fatkeqësitë natyrore.
Prioritete të planit të modernizimit janë:
Sistemi i Integruar i Vëzhgimit Kombëtar, duke filluar nga ndërtimit i Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, i cili do t’u shërbejë edhe dikastereve të tjera që u nevojitet informacion për emergjencat;
Sistemi C4I (komandim, drejtim, komunikim, kompjuterizim, zbulim dhe lëvizshmëri e trupave); helikopterët për operacionet e kërkim-shpëtimit (SAR), helikopterët e transportit, si dhe rritja dhe mirëmbajtja e kapaciteteve riparuese.
Komanda e Mbështetjes Logjistike ka filluar punën për hartimin e një strategjie afatgjatë për të përmirësuar kapacitetin e mbështetjes logjistike dhe infrastrukturën e njësive dhe bazave tona. Përparësi e kësaj komande është pajisja dhe trajnimi i grupit AME për ta bërë atë të aftë të marrë pjesë në operacionet e drejtuara nga NATO-ja, në përputhje me kërkesat e konceptit të kapaciteteve operacionale (OCC).
Kujdes i veçantë po i kushtohet rritjes së kapaciteteve të nënreparteve të PpP me qëllim që disa syresh të rritin aftësitë operacionale dhe të certifikohen nga NATO-ja. Sipas parimit të OCC-së, sot kemi deklaruar dy njësi, të cilat presin certifikimin e NATO-s. Gjatë këtij viti do të deklarojmë edhe dy njësi të tjera. Vëmendje e veçantë po i kushtohet përmirësimit të shërbimit shëndetësor dhe armëkontrollit.
Komanda e doktrinës dhe stërvitjes po rrit nivelin e veprimtarisë kërkimore-shkencor dhe pedagogjike në të gjitha qendrat dhe shkollat e veta. Dokumentet strategjike, tekstet mësimore për përgatitjen dhe kualifikimin e oficerëve po hartohen sipas standardeve të NATO-s. Këto botime do të pasqyrojnë edhe përvojën tonë të fituar nga pjesëmarrja në operacionet në mbёshtetje tё paqes, në stërvitjet e përbashkëta, në operacionet humanitare etj. Kështu, Akademia e Mbrojtjes po bën përpjekje serioze për të rritur cilësinë e kurrikulës në shkollën pasuniversitare të nivelit master me dy degë: Siguri kombëtare dhe mbrojtje, si dhe në kursin e komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm. Akademia e nënoficerëve këtë vit do të përgatisë nënoficerë karriere për katër nivele: grup, skuadër, togë dhe kompani. Përpjekje serioze për rritjen e cilësisë edukative po bën, gjithashtu, universiteti ushtarak “Skënderbej” dhe qendra e gjuhëve të huaja. Për sa i përket Qendrës Stërvitore, ajo do të mbështetet më tej për të funksionuar me më shumë cikle.
Personeli i nevojshëm i FA-së po trajtohet sipas paketës ligjore dhe rregulloreve, të cilat saktësojnë rekrutimin, arsimimin dhe stёrvitjen, gradimin dhe karrierën. Kjo paketë përcakton edhe mënyrën e kalimit në rezervë të personelit ushtarak. Ushtarakët po trajnohen vazhdimisht për të arritur standardet dhe po vlerësohet në bazë të aftësive profesionale. Ata, që kanë arritur standarde të kënaqshme, gëzokan mundësinë për të vënë në jetë përvojën e fituar. Kujdes po tregohet, gjithashtu, për përmirësimin e kushteve të jetesës të efektivave ushtarake.
Duke filluar nga ky vit, qeveria vendosi të rritë buxhetin e mbrojtjes me 0,1% të PPB-së, me pikësynim arritjen e 2% të PPB-së, ashtu siç është parashikuar në dokumentin e strategjisë ushtarake. Parlamenti, gjithashtu, është i angazhuar të mbikëqyrë shpenzimin e fondeve dhe realizimin e objektivave të zhvillimit dhe modernizimit të FA-së, sipas planit të veprimit për anëtarësim dhe planit afatgjatë.
Legjislacioni ynë po qaset sipas legjislacionit të aleancës dhe për të arritur nivelin e pranueshëm të sigurisë së informacionit, do të sigurojmë kushtet teknike dhe personelin e nevojshëm. Kujdes i veçantë po bëhet për trajnimin e mëtejshëm të Autoritetit të Sigurimit Kombëtar.
Krahas përpjekjeve për t’u forcuar dhe modernizuar, FA-ja po rrit bashkëpunimin me Forcat e Ruajtjes së Rendit dhe Shërbimin Informativ Shtetëror kundër krimit të organizuar, trafikimeve të paligjshme, duke përfshirë trafikimin e armëve, kundër terrorizmit apo ndonjë kërcënimi tjetër që mund t’i bëhet Kushtetutës.

Sfidat që duhet të kapërcejmë
Unë e shikoj të realizueshme këtë strategji në dy drejtime: në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Në planin e brendshëm ajo realizohet nëpërmjet qeverisjes së mirë dhe forcimit të institucioneve, aftësisë dhe qëndrueshmërisë së tyre për të garantuar drejtimin demokratik të vendit, shtetin ligjor, zhvillimin ekonomik, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme (drogë, armë, njerëz), kundër pastrimit të parave, terrorizmit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e minoriteteve. Kësisoj “acquis communautaire”, ligjet ekzistuese, rregullat dhe marrëveshjet e Bashkimit Evropian, do të zbatohen edhe në vendin tonë.
Potenciali ynë i sotëm është në lartësinë e kësaj strategjie sepse ne zotërojmë kapacitetet e nevojshme për forcimin e shtetit ligjor dhe institucioneve. Sot ne po japim kontributin tonë, i cili do të vijë gjithnjë e në rritje, në sigurinë dhe zhvillimin rajonal e më gjerë nëpërmjet aktivitetit politik, ekomomik, pjesëmarrjes aktive në operacionet për të mbështetur paqen etj.
Një Shqipëri më e përparuar është në mundësitë tona sepse politika, përpjekjet dhe potenciali i ynë japin mundësi që institucionet dhe strukturat të thjeshtohen të bëhen të afta, efektive, të koordinojnë veprimtaritë, duke mënjanuar dublimet.
Ne do të jemi të suksesshëm, sepse e mbështesim realizimin e kësaj politike në zbatimin e shtetit ligjor, forcimin e institucioneve dhe në një qeverisje efektive. Ne do të jemi të suksesshëm se po bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n, SHBA-në, BE-në, vendet e rajonit, si dhe me të gjitha vendet demokratike dhe organizmat ndërkombëtarë.

*Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 12.5%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 1 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 12.5%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 37.5%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 1 12.5%
Back
Top