Selfie është narcisizëm ?

Lauri

Anunnak
Narcisi, një mit, një lule dhe një kompleks

Ajo që kanë të përbashkët një lule dhe kjo pikturë e John William Waterhouse, (6 prill 1849- 10 shkurt 1917) është emri Narcis.
IMG_20230303_072438.jpgMitologjia rreket të na dëshmojë etimologjinë e emrit, filozofia domethënien dhe bashkëkohja viktimizimin.
Narcizi, na mëson mitologjia, është biri i nimfës Liriopë dhe lumit Cefis. E ëma në interesimin për jetëgjatësinë e të birit, kërkoi ndihmën e një orakulli, i cili i tha se ai do të ketë një jetë "Po kaq të gjatë sa nuk do ta njohë vetveten".
Narcisi, djaloshi me bukuri të rrallë, rrëmbeu adhurimin e shumë djemve dhe vajzave, por ai gjithnjë kishte një arsye t'i largonte me një përbuzje të paepur, duke përfshirë këtu edhe nimfën e bukur Eko, e cila ishte e dashuruar marrëzisht pas tij. Ndoshta ajo nuk i dukej aspak e këndshme dhe e veçantë, ndërsa i qasej Narcisit duke e mikluar me çka të tjerët i thonin atij.
Njëra nga viktimat e Nracisit, sqaron mitologjia, u kërkoi perëndive të bëjnë gjithçka që edhe ai të jetë i lënduar, të provojë dhimbjen e përbuzjes dhe nënçmimit, çka i bën të vuajnë adhurueset e tij dhe të gjithë ata që e kanë të pamundur të zotërojnë objektin e dëshirimit.
Afrodita, perëndesha fshikulluese e të gjithë atyre që flakin tej dashurinë e ndëshkoi rëndë Narcisin.
Narcisi duke kaluar një ditë pranë një burimi të kulluar, u përkul të shuante etjen por kaloi në ekstazë duke parë fytyrën e vet të mahnitshme. Por askush nuk mund të hidhet në krahët e dashurisë për vetveten. Kështu që, sapo Narcisi i afrohej pasqyrimit të tij, ai zhdukej duke e shuar ëndjen për t'u ndjerë i marrosur pas bukurisë së vet.
Narcisi tashmë i dëshpëruar që nuk mund të kishte një tjetër në krahët e tij, i sëmbuar nga vetmia dhe braktisja, ai qëndroi pareshtur buzë ujit dhe përpiqej papushim të shihej me pasqyrimin e tij. Fati i tij tragjik është tashmë i parathënë. Ai mohon çdo gjë që e rrethon dhe shuhet duke lënguar.
Me gjithë të keqen që ka bërë, motrat e tij, nimfat e burimeve dhe të drurëve, najadat dhe driadat, e qajnë me lot. Edhe perënditë nuk dëshirojnë që ai të zhduket mes harresës, të përpihet prej mungimit. Kështu ata e përjetësojnë emrin e tij tek një prej luleve të para të pranverës.
IMG_20230303_072503.jpg
A është vetëfotografimi një cytje bashkëkohore e Narcisit, një kompleks, një nevojë për t'u vetëkuruar në të tashmen e ngulmit prej argamedini të njerëzve, që dukjen e jo përmbajtjen e kanë renditur ndër prioritetet?
Është pamja, është dukja, janë hiret, bukuria, ato që duke u kthyer në një zot i pamëshirshëm i fatit tonë, po kërcënojnë papushim jo vetëm thelbin por edhe kohën. Kurrë njerëzimi nuk i ka dhënë kaq rëndësi asaj që reflekton në pasqyrë, në honin më të thellë ku groposim kohën tonë të vyer, në varrin e hapur prej nga ndjellakeqja na ndjek si një fantazëm.
IMG_20230303_074639.jpg
Facebook dhe jo vetëm, krejt ajo qasje e përbindshme e superstrukturës së komunikimit ka evidentuar një nga komplekset më sundues, është fjala për vetëfotografimin, i quajtur "sellfy". Nevoja e ngutshme për të manifestuar hiret gjallon me të njëjtën egërsi dhe ego të molepsur, siç është dhe ajo e marrëdhënies me paranë. UNI fotografik i propozuar është nga publikimet që rrëmben interesimin më të madh.
Kudo dhe pareshtur, pa dallim moshe, gjinie, përkatësie politike e posti shtetëror, vetëfotografimi, më shumë se një nevojë për të pasqyruar vetveten në sytë e botës mbetet një cytje për të mbushur boshin që e gërryen Narcisi dhe fati i tij tragjik.
(A- Vataj)
 
Diçka më tepër mbi Narcis
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top