Sa shpesh ndryshojmë mendim?
Sa herë keni ndryshuar mendim vitin e fundit? Natyrisht, bëhet fjalë për problemet e rëndësishme, jo për çështje banale, si për shembull zgjedhja e një ëmbëlsire në restorant. Për t‘u kuptuar më mirë: mendimin që keni për një mik, apo koleg; qëndrimin kundrejt një teme etike si aborti; informimin mbi një zhanër muzike të caktuar.
Mos u çudisni nëse zbuloni se diçka e tillë u ka ndodhur pak herë. Në fakt, për shkencëtarët njeriu është në thellësi një konservator.
Ekuilibër dhe koherencë
Zakonisht nuk na pëlqen të ndryshojmë mendim, sidomos kur bëhet fjalë për të përmbysur tërësisht pozicionin tonë. Ndaj kjo gjë ndodh rrallëherë, pavarësisht të dhënave dhe informacioneve që kemi kundër bindjeve tona.
Sigurisht, mund të ndodhë. Por para se kjo gjë të ndodhë, hyjnë në funksion shumë kundërshtime psikologjike. Për të kuptuar arsyen duhet parë mënyra me cilën mendja e njeriut ndërton opinionet e veta. "Imagjinoni një rrjetë, të formuar nga shumë nyje të lidhura. Në fakt, çdo opinion përbëhet nga të dhëna të ndryshme, emocione, eksperienca, bindje (nyjat) që në mënyrë koherente lidhen me njëra-tjetrën, duke krijuar një lloj "rrjete të ekuilibruar". Për ne, ky ekuilibër konjuktiv është shumë i rëndësishëm, ndaj informacionet që e shqetësojnë merren rrallëherë në konsideratë", shpjegon një psikologe sociale.
Për shembull, nëse do të dëshironim të pasqyronim bindjen tonë, që për shembull në drekë është mirë të mblidhet e gjithë familja, do të zbulojmë se kjo bindje përbëhet nga shumë nyje pozitive ("kështu ndihemi më të bashkuar", "është një traditë e bukur", "në shtëpi ushqimi është më i freskët") dhe negative ("të gatuash dy herë në ditë është e bezdisshme", "të respektosh gjithmonë oraret je i detyruar të vraposh") etj.
Po çfarë do të ndodhte nëse një mësues do na thoshte se fëmijët që kthehen për të ngrënë në shtëpi janë më të izoluar në krahasim me ata që e ndajnë mensën me shokët e tjerë? Do të ndodhte që të nesërmen fëmija ynë do të ushqehej në shkollë?
Strategjia e përjashtimit
"Me shumë mundësi, jo. Do të vëmë menjëherë në funksion një nga strategjitë tona mbrojtëse, që lidhet me riinterpretimin e informacioneve. Do të themi se bëhet fjalë për një përjashtim. Me sa duket, fëmijët për të cilët po fliste mësuesi ishin të pasigurt për arsye të ndryshme, nga fakti për t‘u kthyer në shtëpi për drekë. Pas pak kohësh do ta harrojmë se kur ka ndodhur, duke përdorur kështu një strategji të dytë mbrojtëse: ‘kujtesën përzgjedhëse‘". Praktikisht, kujtojmë nga e shkuara kryesisht eksperiencat, së bashku me opinionet tona të vazhdueshme.
Strategjia e tretë quhet "shprehje përzgjedhëse". Një shembull perfekt i kësaj sjelljeje është edhe zgjedhja e gazetës. Njerëzit që janë përkrahës të së majtës, blejnë gjithmonë gazetën e tyre dhe anasjelltas. Pra, të gjithëve na pëlqen që të tjerët të na japin të drejtë, edhe atëherë kur nuk është e nevojshme. Por ç‘të keqe ka nëse ndryshojmë mendim?
Jemi ata që mendojmë?
"Të ndryshosh mendim ka një çmim, i cili mund të jetë shumë i lartë dhe kjo gjë na merr shumë energji, vëmendje, kohë. Për të ndryshuar mendim duhen vënë në funksion të gjitha nyjat e rrjetës sonë, duke i rishikuar e duke i ribashkuar edhe një herë për t‘i vënë në një ekuilibër koherent", thotë psikologia.
Ndër të tjera, çdo ndryshim opinioni ka një kosto. Kjo është arsyeja që gjithmonë na duket e vështirë të ndërrojmë punë edhe pse nuk jemi të kënaqur me atë që kemi. "Gjithashtu, kostoja e të ndryshuarit mendim është edhe emotive dhe veçanërisht e dhimbshme. Në fakt, disa opinione nuk janë asnjanëse, por thonë se janë me grupin në të cilin bëjnë pjesë: në rast se bëhet fjalë për bindjet politike dhe fetare. Të qenit praktikant katolik, ose tifozë të çmendur të Interit, do të thotë shumë për një grup. Të ndryshojmë këtë mendim, do të thotë të heqim dorë nga identiteti ynë", shpjegon më tej ajo.
Sikur të mos mjaftonte kjo, këto "ide të forta", të cilësuara nga shkencëtarët "identitet", sjellin me vete një korolar opinionesh që, ashtu si në fillim, nuk mund të vihen në dyshim pa shkaktuar shqetësim ndaj individit. Për shembull, nëse deklarohem ekologjik, do ta pranoj me vështirësi që më ka pëlqyer të bëj një xhiro me makinë në mal, apo edhe pse diçka e tillë nuk ka të bëjë fare, e di që njerëzit që më rrethojnë do të presin nga unë që të lexoj libra "seriozë", që të preferoj më shumë xhinset se rrobat e shtrenjta. "Koherenca është konsideruar një virtyt jashtëzakonisht pozitiv në kulturën e një individi, ndaj të ndryshosh mendim është edhe më e vështirë, nëse më parë në publik kemi shprehur një opinion tjetër".
"Themata": mendimet e pathyeshme
Ide të tjera të papërshkueshme ndaj ndryshimit janë ato që fizikani dhe historiani i shkencës Gerald Holton i quan "themata". Bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, të cilat nuk thyhen nga një dëgjim ose gjykim logjik, por që ndikojnë në mënyrën tonë se si e shohim realitetin. Pra, a ka një shpjegim konkret apo jo? Bota do të vazhdojë të ekzistojë apo jo? Këto lloj mendimesh varen jo vetëm nga teoritë shkencore, por edhe nga shumë opinione të tjera, duke vënë kështu në funksion sjellje të ndryshme, të cilat lidhen si me punën, ashtu edhe me jetën personale.
Edhe mendimet që kemi kundrejt njerëzve (miqve, kolegëve, partnerit) janë shumë rezistente ndaj ndryshimit. "Zakonisht kur takojmë një njeri që nuk e njohim, duhet të krijojmë me shpejtësi një mendim dhe ta pozicionojmë në kategorinë e duhur. Ja shembulli më banal: burrë/grua; i bardhë/i zi; i ri/plak; më pas: simpatik/i shëmtuar; i qeshur/serioz etj. Në fakt, të gjithë njerëzit janë të pritur ta gjykojnë personin që kanë përballë nga pamja e parë, gjë e cila nuk i ndihmon kurrë".
Kështu, nëse njohim dikë, kemi nevojë të regjistrojmë shumë informacione për të ndryshuar gjykimin tonë të parë, ose ky njeri duhet medoemos të na bëjë të jetojmë një eksperiencë të magjishme për të ndryshuar rrënjësisht përshtypjen e parë. Ja një shembull. Imagjinoni sikur në takimin e parë keni dalë me vajzën/djalin që ju pëlqen dhe ju duket shumë e/i ëmbël. Pas pak sekondash ju pëshpërit në vesh duke ju thënë ka një pasion të zjarrtë për të bërë seks oral, apo se ka qenë i/e arrestuar për çështje banale...
Fazat e ndryshimit
Të bombardohemi për një kohë të gjatë nga informacione që vënë në krizë bindjet tona, apo të jetojmë një eksperiencë të frikshme, kjo do të na tjetërsonte. Për një psikolog të famshëm amerikan, faktorët që luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshim e opinionit janë racizmi, mendjemadhësia, injoranca, frika e shumë të tjera.
Cdodite