Rrjedhja e autoritetit

Violetta

>> KS- AL. etnike <<
Rrjedhja e autoritetit​



S’do mend se njerëzit dëshirojnë të përngjajnë me dikë,i cili sipas tyre i plotëson disa kriteriume të rëndësishme pa të cilat jeta do të kishte qenë e pamundshme, e vështirë apo së paku e mërzitshme. Andaj me seriozitet të madh lëvizin në mesin e njerëzve, kërkojnë, lodhen, që më në fund ta gjejnë, sipas tyre, shpirtin e ngjashëm me të vetin. Lodhje e pakuptimtë apo jo? Assesi, sepse njerëzit i simpatizojnë personat që kanë cilësi të ngjashme me të vetat, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikik e shpirtëror; veçmas kur njeriu këto cilësi i cilëson lartë dhe u jep vend të rëndësishëm në personalitetin e vet.

Të mos harrojmë se njeriu i formon cilësitë e tija të brendshme në moshën e fëmijërisë dhe rinisë; kurse në atë moshë më së shumti jeton dhe mëson nga prindërit si dhe nga fëmijët tjerë me të cilët luan. Andaj kur të hyjë në shoqërinë më të gjërë, tashmë është i përgatitur, me ose pa cilësi që na pëlqejnë neve; pra ne takohemi me personalitet të formuar.

Nga kjo nxjerrim përfundim se njeriu do të mundohet ta gjejë atë grup njerëzish që ka individë me cilësi të njëjta si të tijat. Pse? Sepse këto i ka në vete, i shërbejnë, ndjehet i sigurtë; në të cilat nuk dyshon, ia sigurojnë jetën; shkurtimisht këto cilësi ia largojnë frikën(për të cilën kemi shkruar më herët). Dhe ky është shkaku që mundohet këto cilësi t′i gjejë te të tjerët, dhe kur i gjen, sikur me e pasë gjetur vetveten. Dhe poashtu tashmë dihet se njeriu e do vetveten; prandaj edhe do t′idojë ata që i kanë të njëjtat cilësi; prandaj do të mundohet të gjejë njerëz të tillë; prandaj do të lodhet duke marrur pjesë në llojlloj grupesh, duke shikuar filma, duke lexuar libra, duke debatuar me njerëz, duke kryer veprime të nduarnduarta, krejt duke tentuar ta gjejë veten. Dhe kur ta gjejë grupin e tillë gjithësesi do të mundohet të adaptohet e stabilizohet me anëtarët e tij.

Lloji tjetër është i kundërt me këtë, pra i ka të formuara cilësitë bazike , por nuk kënaqet të qëndrojë apo jetojë me njerëz që i kanë cilësitë e njëjta si të tijat; nuk e do atë grup që është si ai, por dëshiron të rrijë me njerëz me cilësi të kundërta nga të tijat. Shkaqet mund të jenë të ndryshme por ajo që na intereson këtu është se vallë kjo lidhje(apo shoqërim) është e motivuar nga ndonjë interes i brendshëm; nga ndonjë interes me të cilin i kënaq disa gjendje të tija të brendshme siçështë parazitizmi; apo për shkak të ndonjë interesi material, përfitimeve të kësaj bote, për shkak të ndjenjës së inferioritetit, për shkak të mospasjes së aftësive vetanake etj, etj.

Kjo lloj lidhjeje mund të shkojë deri në poltronizëm. Dmth ky nuk ndjehet i sigurtë për të qëndruar vetë në këmbët e veta por duhet të mbështet në dikë. Ndoshta cilësitë e formuara gjatë fëmijërisë dhe rinisë i ka të dobëta, të paformuara plotësisht, të papjekura etj, prandaj kërkon dikë në të cilin/cilën mund të mbështetet ose nga i cili/cila mund të përfitojë autoritet. Njerëzit e tillë, nëse u jepet ndonjë post, zakonisht bëhen diktatorë.

Dhe këtu erdhëm atje ku duhet: te autoriteti. Dikushi e ka me shumicë e dikushi e ka me pakicë; dikushi e forcon dhe e rrit me llojlloj mjetesh e dikushi mbetet në të njëjtin nivel; njëri e ka arritur me dituri e mjete hallall kurse tjetri me mashtrime e dhunë. Sidoqoftë njerëzit tentojnë me mish e me shpirt të arrijnë deri te ai lloj autoriteti i cili, për momentin, çmohet në shoqëri, sepse pastaj ai bart me vete llojlloj privilegjesh; kurse privilegjet dmth një jetë më të mirë dhe më të lehtë. Po a nuk është nefsi i njeriut lakmues ndaj lehtësimeve dhe refuzues ndaj vështirësive?

Njeriu i tillë, i cili vetë nuk posedon autoritet të mjaftueshëm për të arritur ndonjë post shoqëror, ose që ende nuk e ka arritur nivelin e duhur të autoritetit për të qenë i privilegjuar, fillon të shoqërohet me ata që e kanë atë lloj autoriteti. Bëhet dorë e djathtë e tyre në të gjitha situatat, si të mirat ashtu edhe të këqiat – lexo: në krimet e tyre.

Edhepse ky nuk ka vetë autoritet, megjithatë e shfrytëzon mekanizmin i rrjedhjes së autoritetit nga lart poshtë, dmth një pjesë e autoritetit kalon nga ai i larti tek ai i poshtmi në atë mënyrë që është e pahetueshme te njerëzit e zakonshëm. Kjo ngase njerëzit e çmojnë njeriun me autoritet të lartë, pastaj autoriteti i tij ia mbulon të metat dhe gabimet. Dhe kështu njerëzit mendojnë se ai me autoritet të lartë nuk zgjedh për vete njerëz të dështuar, njerëz pa kapacitet, njerëz të papjekur, sepse kështu mund ta humb autoritetin; poashtu mendojnë se nëse zgjedh për bashkëpunëtor një njeri të tillë, me siguri e di se çka bën; ose këtë njeri e ka zgjedhur për ndonjë punë të veçantë etj.

Kështu fillojnë arsyetimet për udhëheqësit me autoritet; dhe kështu fillojnë të mendojnë mirë për ata që s′e kanë autoritetin e vet por e marrin nga ata më lartë. Dhe kështu edhe ky i mëposhtmi fiton një lloj autoriteti. Por aq sa fiton ky i poshtmi aq humb nga autoriteti i vet ai i lartmi. Kështuqë pas një kohe nuk mund të bëjnë njëri pa tjetrin; kështuqë njëri do ta hjekë kah vetja tjetrin. Nëse ky i lartmi ka principe për ta mbajtur nën kontroll atë të poshtmin, fitojnë të dy; nëse ndodh e kundërta, humbin të dy. Zakonisht rrjedhja e autoritetit bëhet me paraqitjet e përbashkëta në publik, me lëvdatat ndaj njëri-tjetrit, me propagandë, me dhënie të ndonjë privilegji material etj.

Por zakonisht ndodh që ky i poshtmi të mos u përmbahet rregullave të vëna; sepse nuk ka as kapacitet intelektual as edukativ e as psikik për diçtë tillë; ashtuqë për t′ipërmbushur obligimet, e në të njëjtën kohë, për ta mbajtur gjallë autoritetin e fituar, fillon të përdorë metoda të palejueshme, ofenduese, agresive etj.

Kështu fillon të rrënohet autoriteti i atij të lartmit, i cili tashmë nuk di si ta zgjidhë situatën, sepse ky i mëposhtmi tashmë i di shumë sekrete të cilat e diskreditojnë atë të lartmin; kështu prej këtij momenti autoriteti i të dyve bashkohet dhe njerëzit fillojnë t′ishikojnë si një njeri të vetëm, si bashkëveprues, si bashkëmendimtarë, edhepse këta janë dy. Kjo mund të bëhet me plan apo pa plan. Zakonisht atyre që hypin në pushtet iu bëhet një plan i këtillë dhe iu bashkëngjesin njerëz pa autoritet apo të cilët bëjnë skandale apo që i kryejnë punët kokë më vete etj; poashtu u bashkëngjesin femra apo biznesmenë krejt me të njëjtin qëllim të njollosjes së autoritetit; ngase kjo është lufta që fitohet më së lehti. Luftë në të cilën ai person e lufton vetveten, kurse autoritetin e humb dalngadalë; dhe në fund duhet të bëhet vegël e dikujt tjetër nëse dëshiron ta ruajë edhe atë pak autoritet që i ka mbetur.

E njëjta vlen për çdo lloj udhëheqësi, me pak dallime, qoftë ai politikan, hoxhë, sportist, aktor, intelektual apo diçtjetër. Andaj vëlla musliman zgjidhi mirë ata me të cilët do të punosh, sepse mund të ta thithin autoritetin edhe pa e hetuar ti fare, dhe kështu të përfundosh i shtrydhur dhe i hudhur si limoni.Pastaj ky autoritet nuk kthehet gati se kurrë.

Mos u mbështet në diturinë e madhe që e ke, as në pasurinë e madhe, as në miqtë e fortë e të shumtë, as në madhësinë e autoritetit që e ke tani, as në xhematin e shumtë(nëse je hoxhë); sepse ruajtja e autoritetit bëhet së pari nëse i mbështetesh Allahut, pastaj nëse je i sinqertë me njerëzit që i udhëheq(edhe nëse ke humbje, të meta e gabime kohë pas kohe) dhe nëse konsultohesh me ata që janë nën ty. Autoriteti është si uji, nëse je lartë ai rrjedh për teposhtë, por dije se kur të derdhet pastaj nuk ka mundësi të kthehet lartë tek ti.



nga ABDULLAH
 
Back
Top