Didi
C'est la vie.
Qëllimi i temës: Të analizojmë dhe të kuptojmë rolin e gjyshërve në jetët e nipërve/mbesave dhe në familje.
Objektivat e temës:
1- Roli i gjyshit
2- Sa ndikon distanca në rolin e gjyshërve
3- Efektet negative të gjyshërve
4- Roli i gjyshërve tek adoleshentët
5- Adoleshentët mësojnë nga gjyshërit.
Hyrje:
Në këtë detyrë kursi do të flasim për rolin e gjyshërve, për mënyrën se si ndikojnë ata në jetën e fëmijëve dhe të adoleshentëve. Gjithashtu do të flasim për distancën; se sa ndikon ajo në rolin e gjyshërve dhe sa e fortë bëhet lidhja midis gjyshërve dhe nipërve në këto distanca të krijuara. Gjithashtu do të flasim për rolin e gjyshërve tek adoleshentët dhe për adoleshentët që mësojnë nga gjyshërit. Në këtë temë do të mësojmë më shumë rreth gjyshërve, nipërve\mbesave dhe rreth lidhjes që ata kanë midis tyre. Të qënët gjysh\gjyshe është shumë e vështirë sepse duhet të jesh midis prindërve dhe nipërve\mbesave prandaj duhet patur shumë kujdes ngaqë shpeshherë bëhen objekt i mosmarrëveshjeve që ndodhin midis prindërve dhe fëmijëve. Por siç thonë të vjetrit: “gjyshi\gjyshja janë rrënjët që e mbajnë familjen të bashkuar dhe të mbrojtur nga disa rreziqe”. Në këtë detyrë kursi do të flasim për të gjitha këto dhe për shumë gjëra të tjera që ju mund t’i lexoni. Lexim të këndshëm.
1.1. Roli i gjyshit
Pavarësisht se familjet po bëhen moderne, përgjithësisht si rregull në secilën strukturë të jetës familjare është i pranishëm njeriu i moshuar, që koha e bën gjysh. Gjyshërit përballen me disa breza që jetojnë në familje dhe për shkak të jetesës së përbashkët me vlerë reciproke bëhen të “detyruara” marrëdhëniet e tyre me nipërit dhe mbesat, me të cilët janë në pozicionin shoqëror të gjyshit dhe për këtë arsye duhet të luajnë këtë “rol”. Por, sa e vështirë është kjo “punë” sot? Sa të ndërlikuara janë bërë në kushtet e shoqërisë moderne marrëdhëniet e nipërve dhe mbesave me gjyshërit e tyre dhe sa të vështirë e kanë këta të fundit të luajnë “rolin e gjyshit” në mënyrë të suksesshme dhe në përputhje me kohën? Roli i gjyshit, aq mund të duket si mundim, po aq edhe si një kusht që njeriu i moshuar të ndjehet i plotësuar në rolet e veta moshore, që në strukturën e jetës familjare të mos e ndjejë veten të tepërt, që mos të mbesë jashtë kontekstit familjar, pa “rol social”, i braktisur, i papërfillur për shkak të diferencës së moshës, aftësive kulturore dhe mundësive perceptive të kohës, nga më të rinjtë e familjes (nipërve e mbesave të tyre).
“Profesioni i gjyshit” është profesioni “i fundit”, nga më të dashurit dhe më të përshtatshmit për çdo njeri kur i vjen koha të bëhet gjysh, dhe që normalisht krahas vazhdimit të jetës së vet, “merr detyrën” që të kujdeset për fëmijët e fëmijëve të tij. Natyrisht nuk është vetëm detyrimi që sjell mosha që të bëhesh gjysh për nipërit edhe mbesat, por ky rol duke qenë organik kthehet në “mision” me vlera sociale shumë të rëndësishme për njeriun. Të moshuarit për shkak të traditës kulturore dhe tipologjisë së familjes shqiptare janë në vendin e tyre, në stukturën e jetës familjare shqiptare. Pesha sociale (megjithëse në rënie kohët e fundit) mbart shumë vlera dhe kontribute për brezin e ri të familjes. اdo njeri ka nevojë në jetë që të zotërojë “profesionin e gjyshit”, sepse koha në mënyrë të pashmangshme detyron çdo njeri që të luajë këtë rol “në etapën e fundit” të jetës së tij. Profesioni i gjyshit “luhet” në kohën kur njeriu është vërtetë i moshuar, por megjithatë mosha në këtë rast është privilegj sepse pikërisht për shkak të saj dhe të përvojës jetësore njeriu është i kulturuar nga çdo pikëpamje, i mësuar dhe i “rrahur” nga jeta, i pajisur me përvojë jetësore personale, me kapacitet të përvojës që janë me vlerë sociale dhe në dispozicion për transmetimin dhe edukimin e të rinjve të familjes.
Gjyshërit kanë mbetur figura të nderuara, të respektuara dhe me autoritet në familjen shqiptare. Nderimi për ta ka qenë “tabu” dhe të rinjtë kanë qenë të detyruar ta “nderojnë” pa kushte. Mosha për të moshuarit në kulturën tradicionale shqiptare ka qenë “tabu” që sillte privilegjin për të moshuarit. Por tani kohët kanë ndryshuar dhe në periudhën moderne ndryshimi i tipologjisë së familjes, nga familje tradicionale në familje moderne (një bërthamore), ka sjellë cënimin e autoritetit, të figurës dhe funksioneve të gjyshit/gjyshes. Në këtë kontekst, kanë ndryshuar rolet, funksionet, pozita dhe modalitetet e ndërtimit të marrëdhënieve midis tyre dhe familjes, rolit që ata kanë në raport me nipërit dhe mbesat. Koha ka sjellë ndryshime të mëdha në tipologjinë e këtyre marrëdhënieve. Tashmë duket se roli i gjyshit/gjyshes nuk është më ai që ka qenë në të kaluarën, ngaqë kanë ndryshuar kushtet e jetës, niveli i lidhjes sociale të tyre me të rinjtë, kultura e komunikimit dhe diferencimi i thellë i dukshëm i nivelit kulturor, që kanë “prishur rregullat” dhe kanë thelluar distancën midis tyre. Në këtë kontekst, kanë filluar të shfaqen vështirësi të reja, detyra akoma më të vështira dhe plotësimi i rolit të gjyshit/gjyshes në kohën tonë është bërë punë dhe profesion i vështirë.
“Profesioni i gjyshit” në kohën e sotme është bërë “profesion i ri” që jo vetëm duhet pranuar nga të moshuarit, por që edhe duhet kryer duke zotëruar teknikat dhe teknologjitë e reja të përshtatjes në mënyrë që të plotësohen parametrat e këtij “profesioni”. Ka qenë dhe mesa duket ka mbetur një nga vlerat e traditës sonë që fëmijët për gjyshërit kanë respekt dhe dashuri të veçantë. Nuk ka qenë gjë e keqe fakti që tradicionalisht gjyshërit janë vlerësuar, madje në shumë raste dhe janë “shenjtëruar”, jo nga ndonjë motiv trashendent, por për shkak të bindjes dhe respektit që kemi për garantimin ekzistencialist të së shkuarës së tyre, të faktit që jeta e gjyshërve për nipërit dhe mbesat është në “stacionin e pakthyeshmërisë” së saj, për shkak të përvojës së jetës së zgjatur. Roli i gjyshit në familjen shqiptare është organik dhe i dëshiruar, është pjesa biologjike e pandryshueshme e njeriut. Pas përfundimit të pjesës së punës aktive dhe detyrimeve të tjera sociale normative “roli i gjyshit” është pjesë jetike e kohës së pakthyeshme individuale të çdo njeriu. Prandaj mesa duket nipërit dhe mbesat janë një kusht tjetër me rëndësi që nuk e lënë njeriun të plaket. Madje e bëjnë që të mbesë i ri për të qenë në ritmin fizik dhe mendor të nipit dhe mbesës.
Tashmë takon shumë gjyshër që janë të aftë, që kanë njohuritë e duhura të sjelljes dhe komunikimit pa konflikt me fëmijët dhe veçanërisht me adoleshentët e vështirë. Këta të fundit mundohen që të kenë konflikte me prindërit dhe shpesh e refuzojnë autoritetin dhe autoritarizmin, por asnjëherë ose tepër rrallë kujdesin, këshillën dhe vërejtjet e ndryshme të kujdesshme dhe të ëmbla të gjyshit apo gjyshes së tyre.
1.2. Sa ndikon distanca në rolin e gjyshërve.
Sot shumë familje janë të ndara nga distancat dhe është shumë e vështirë që të ruhet lidhja gjysh-nip/mbesë. Pavarësisht se sa larg jetojnë fëmijët dhe gjyshërit nga njëri-tjetri ka dy faktorë që punojnë në favor të tyre:
1. Fëmijët e vegjël kanë aftësinë për të harxhuar kohën.
2. Teknologjia është e mrekullueshme dhe ndihmon gjithmonë në bashkimin apo lidhjen e tyre.
Disa principe themelore dhe ide praktike me avantazh, që gjyshërit të mbajnë lidhje sa më të forta me nipërit\mbesat edhe në distancë janë:
1. Parësore është që të kenë një komunikim të vazhdueshëm dhe sa më të fortë.
2. Të bëhen mbledhje familjare ku të përfshihen dhe nipërit e mbesat.
3. Të diskutojnë dhe të japin këshilla për problemet dhe gjërat që i ndajnë gjeografikisht.
4. Të minimizojnë problemet dhe të mbajnë kontakt sa më shumë që të kenë mundësi.
5. Të ndajnë hap pas hapi planet për të qenë së bashku sa më shumë të munden. Fëmijët do ta adhurojnë atë.
6. Duhet lejuar sa më shumë fëmija që të qëndrojë i vetëm me gjyshin\gjyshen dhe të organizohen vizitat e fëmijëve në shtëpinë e gjyshërve ndërkohë që prindërit janë me pushime.
Distanca ndikon shumë në lidhjen gjysh-nip/mbesë. Për ta kuptuar më mirë kemi dy faktorë kryesorë: faktorët emocionalë dhe shpirtërorë të lidhjes jetësore ndërmjet gjyshërve dhe nipërve.
Koha që gjyshërit dhe nipërit kalojnë së bashku është shumë e shkurtër dhe për pasojë marrëdhënia gjysh-nip bëhet e vështirë, pra e paqëndrueshme. Për këtë arsye është i domosdoshëm kontakti i përditshëm. Gjyshërit dhe nipërit e ndjejnë të domosdoshme praninë e njëri-tjetrit në jetët e tyre. Në distancë, “roli i gjyshit” është më i vështirë për t’u realizuar, për rrjedhojë dashuria, këshillat, mirëkuptimi dhe gjithçka e bukur që marrim nga gjyshërit tanë merret në doza më të vogla. Nuk ka rëndësi sa larg jetojnë gjyshërit dhe nipërit nga njëri-tjetri, thjesht duhet të kenë një kontakt sa më të forcuar midis tyre që të mos humbasin afeksionin e ndërsjelltë. Teknologjia është një bekim dhe ndihmon jashtëzakonisht shumë në të tilla raste. Për të patur një afrimitet sa më të mirë, kontakti fizik dhe ai vizual është më efektiv se ai virtual. Roli i gjyshit për fëmijët është vërtetë shumë i rëndësishëm dhe lidhja e parë fillon që në fëmijëri. Gjyshërit përkujdesen dhe kanë një dashuri të madhe pavarësisht distancave.
1.3. Efektet negative të gjyshërve.
Jo rrallë roli i gjyshit ka anë negative që ndikojnë për keq tek fëmijët. Zakonisht gjyshërit kanë shumë dëshirë të jenë pjesë e jetës së nipërve të tyre. Ata fillojnë të tregojnë për eksperiencat e jetës së tyre dhe ndalojnë që nipërit të kenë simpati për individët e tjerë të ****it të kundërt. Gjithsesi gjyshërit duhet të respektojnë edhe pozicionin e prindërve dhe mos të tejkalojnë ose mos të ngatërrojnë rolin e tyre në jetën e nipërve. Dashuria “e tepërt” që gjyshërit i japin fëmijëve i bën ata shumë të llastuar, jo vetëm me gjyshërit por edhe në jetën e përditshme.
“Kur mami thotë JO, pyes gjyshen…” Kjo është një shprehje tipike e fëmijëve kur nuk u plotësohet një dëshirë. Por kjo e ul automatikisht rolin e prindërve dhe gjatë rritjes autoriteti i tyre injorohet plotësisht.
Gjyshërit vijnë nga një kohë kur fëmijët trajtoheshin dhe disiplinoheshin në një mënyrë strikte. Kjo mund të ndikojë negativisht tek nipërit/mbesat. Kur gjyshërit kritikojnë prindërit në sy të fëmijës dëmtojnë aftësinë e tyre për ta rritur atë fëmijë. Fëmija do të rritet në një ambient me negativitet dhe tension. Kjo mund t’i shkaktojë atij një sjellje sa më të papranueshme dhe negative.
1.4. Roli i gjyshërve tek adoleshentët.
Të jesh gjysh i një adoleshenti është shumë më e vështirë se sa të jesh gjysh i një fëmije të vogël. Adoleshentët kanë një periudhë kohe që mësojnë nga të tjerët kështu që gjyshërit janë shumë të nevojshëm të jenë pranë tyre në këtë periudhë të jetës. Ata mund të ndihmojnë adoleshentët duke u përballur me ta direkt ose indirekt duke përkrahur prindërit dhe ndonjëherë lehtësojnë konfliktet familjare .
Fëmija i vogël që dikur të ndiqte kudo që shkoje, sot është shndërruar në një adoleshent, i cili vihet re nga ndryshimi i fizikut, sjelljes dhe ka ndjenja të fuqishme. Tek adoleshentët, prindërit nuk kanë më aq shumë autoritet. Por lajmi i mirë është se gjyshi/gjyshja nuk janë në “zonën e luftës” në mendjen e një adoleshenti. Ata krijojnë një lloj tjetër autoriteti. Kur adoleshentët përpiqen të zbulojnë identitetin e tyre, “ndahen” emocionalisht nga prindërit. Por natyra e gjyshërve i tërheq adoleshentët. Gjyshërit mund të jenë mbështetës gjatë konflikteve të tyre të shpeshta me prindërit gjatë kësaj periudhe jete.
1.5. Adoleshentët mësojnë nga gjyshërit.
Adoleshentët “kërkojnë” dijet që gjyshërit japin. Ata janë të interesuar në historinë e familjes, eksperiencën personale të gjyshërve por edhe në mendimet e tyre për dashurinë, martesën, politikën, jetën, vdekjen, jetën e një personi të moshuar etj.
Që një gjysh të jetë sa më i afërt më një adoleshent ai duhet të futet në botën e tyre. Jeta e një adoleshenti në ditët e sotme, ndryshon nga jeta e nje adoleshenti të dikurshëm.
Për gjyshërit është mirë të shkojnë në shkollën e nipërve të tyre, të flasin me mësuesit e tyre, të dëgjojnë muzikën e tyre, të shikojnë programet e tyre të preferuara. Me pak fjalë të jenë pjesë e jetës së tyre, por pa “i futur hundët” më tepër seç duhet. Nipi/mbesa adoleshent/e i sjell shumë ndryshime pozitive një gjyshi. Gjyshërit do të mësohen me idenë e tolerancës, durimit dhe kuptimit të tyre. ثshtë mirë të futesh në jetën e tyre, por t’i lësh të vendosin vetë.
Adoleshentët gjejnë sigurinë tek gjyshërit. ثshtë vendi ideal ku mund të shkosh pas një konflikti me prindërit.
Kur gjatë një fundjave prindërit largohen për pushime dhe fëmijët qëndrojnë tek gjyshërit, kjo gjë ndikon mirë në mbarëvajtjen e një familjeje. Fëmijët përveçse kalojnë kohë me gjyshërit, kënaqen edhe kur shikojnë prindërit të lumtur me njëri – tjetrin.
E si do të ishte jeta jonë pa gjyshërit?
Do të ishte si një pemë pa rrënjët e saj…
Përfundimi: Gjyshërit luajnë një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen dhe në rritjen e nipërve\mbesave, gjithashtu ata janë të rëndësishëm dhe për adoleshentët duke i këshilluar ata, duke i mbajtur ata sa më larg telasheve. Por jo gjithmonë roli i gjyshërve ndihmon, shpeshherë gjyshërit janë ata persona që i llastojnë më së shumti nipërit/mbesat e tyre dhe kjo ndikon negativisht në rritjen e fëmijëve sepse ata bëhen shumë të pasjellshëm me prindërit e tyre dhe shumë arrogantë. Por gjyshërit janë rrënjët që e bëjnë familjen në pozicionin e tyre të vertetë. Si përmbledhje e të gjithë asaj çka u tha më lart, unë si studente dal në përfundimin se raportet moshore janë shumë të rëndësishme dhe lënë gjurmë në jetën e individëve. Ai raporti i brishtë që krijohet ndërmjet brezave duhet trajtuar me një vëmendje të vecantë, pasi mund të cilësohet si një “thikë me dy presa”. Këtë e them për faktin se një gjysh mund të ndikojë tek nipi i tij në formën e një miku që shërben si shembull për t’u ndjekur, por nga ana tjetër mund edhe të shërbejë si mburoja që i mban britmat e prindërve larg. Kjo krijon një farë ndërlidhjeje dhe varësie, por, kur varësia ka qenë e mirë? Megjithatë, pavarësisht të gjithave, s’mund të mohohet se lidhja gjysh-nip është mrekullisht e bukur dhe e nevojshme.
Bibliografia:
Mario Gecchele, Giovanni Danza, “Gjyshërit dhe nipërit: një raport edukativ”, Bergamo: Ist. Rezzara 1993;
Rasul Gamzatov, Ali J. Gumaj (përkth.), “Gjyshi im”, Tiranë: Flesh, 2003
Lewis H. Morgan, “Shoqëria antike” London, Backward (1877);
Liljana Reçka, “Psikologjia e zhvillimit”, Tiranë: SHBLU, 2005;
Mithat Hoxha, Lediana Xhakollari, “Psikologjia e zhvillimit gjatë gjithë jetës”, Tiranë : Vllamasi, 2010;
Theodhori Karaj (përg.), “Psikologjia e zhvillimit të fëmijës”, Tiranë: Progres, 2004;
Fatmira Myteberi (red.), “Adoleshentët: të konfliktuar apo…?!”, Pogradec: DIJA Poradeci, 1998
Claude Lévi-Strauss, “Strukturat elementare të parentelës” (1949), Feltrinelli, Torino, 2003;
Fiqri Sheri, Jordan Haxhinikolla, Ilia Telo, Reshat Koçi, Hasan Banja (red.), “Mosha e tretë në Shqipëri :në këndvështrimin demografik, socio-ekonomik e shëndetësor”, Tiranë, 2001
Nga: Yllka Shushku
Burimi: gazetaplanetar