Restaurohet vazoja e Ali Pashë Tepelenës, ia dhuroi Bonaparti

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P


Kjo trashëgimi e familjes Libohova ka kaluar tashmë periudhën "e pritjes", gjatë së cilës vërtetohet arritja e restaurimit

Kanë shkëmbyer letra mes njëri-tjetrit, por edhe dhurata. Ai, Napoleon Bonaparti, njeriu i Revolucionit Francez në vitin 1806, i dhuroi një karabinë. Tjetri, Ali Pashë Tepelena, një nga figurat më të njohura të historisë së Shqipërisë, ndër të tjera i dërgon një jatagan të çmuar kushtuar atij... Napoleon Bonaparti dhe Ali Pashë Tepelena kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, dhe kjo tashmë është vërtetuar. Shkëmbimet e dhuratave mes tyre janë të njohura. Përveç të dhënave gojore, ato vërtetohen me orenditë shtëpiake apo të tjera objekte që akoma edhe sot mbeten të trashëguara prej trashëgimtarëve të familjes Libohova. Jo rastësisht ato kanë ardhur në këtë familje. Motra e Ali Pashë Tepelenës, Shanishaja, ka qenë e martuar në këtë familje. Ishte ajo që i mori me vete në pajë, e një pjesë e tyre janë trashëguar deri në ditët tona. E tillë është edhe një vazo e çmuar porcelani, të cilën Perandori francez ia dhuroi Ali Pashës. E prodhuar nga atelieja e Sevres në Francë, një punishte porcelani së cilës Bonaparti i dha mbështetje për t‘u mëkëmbur, vazoja rreth 30 centimetra është restauruar nga Frederik Stamati, specialist restaurues. Me vlera të larta artistike, me porcelan të një cilësie të lartë, e larë në ar, me piktura interesante, me ngjyrë blu të thellë, kjo dhuratë e Bonapartit i përket stilit barok. Nga njëra anë është pikturuar një çift të rinjsh, një djalë e një vajzë, e në anën tjetër një peizazh. "Sapo më ra në dorë, menjëherë e kuptova se bëhej fjalë për një prodhim të punishtes së porcelanit të Sevres, e cila është mjaft e njohur. Në muze të ndryshëm në Europë kisha hasur dhe isha njohur me të tilla punime. U entuziazmova, pasi kjo vazo është një vepër e vërtetë arti, aq më tepër që mbart me vete edhe një histori interesante", thotë Frederik Stamati. Ai shpjegon se, pas një incidenti në familjen Libohova, vazoja e Sevres ishte thyer thuajse në 20 copa. Një rastësi e këndshme bëri të mundur që objekti të binte në duart e restauruesit, pasi familja, e bindur se e kishte humbur përgjithnjë vazon me vlera, ndoshta mund ta kishte flakur në plehra. "Përpara disa viteve ndodhi një rast i keq. Fatkeqësisht, një bojaxhi e goditi me shkallë dhe e theu", thotë Stamati, duke vijuar rrëfimin për historinë e vazos, e cila i përket shekullit XVIII. "Restaurimin e këtij objekti të rrallë unë e kam përfunduar rreth dy vjet e gjysmë përpara. Vendosa ta bëj publik vetëm tani, pasi restaurimi ka një kohë testi, një periudhë kohore të caktuar, e cila vlen për të vërtetuar nëse ndërhyrjet janë bërë të rregullta; një kohë pritje për të parë nëse do të shfaqen defekte gjatë ruajtjes së tij. Tashmë kjo periudhë e pritjes ka kaluar dhe unë mund të deklaroj se gjithçka shkon në rregull", shprehet ai. Stamati, i cili i vlerëson prodhimet e Sevres si njërën më të bukur nga tjetra, thekson se ato kryesisht kanë një linjë të përbashkët të prodhimit, ndërsa pikturat dhe autorët e tyre janë të ndryshëm. Objektet e kësaj punishteje përdoreshin kryesisht për zbukurime, por edhe për dhurata kushtuar figurave të rëndësishme të kohës. Punishtja kombëtare e Sevres është një nga më të famshmet e porcelanit të Europës me qendër në qytetin e Sevres në Francë. Në vitin 1740 me vullnet të Luigjit XV dhe Madamë De Pompadour u themelua në Vincennes një punishte porcelani, e cila më pas, në vitin 1756, u transferua në Sevres. Punishtja iu bashkua të mirave të kurorës në vitin 1759. Fillimisht, në këtë punishte prodhohej porcelani i butë. Në vitin 1770 filloi të prodhohej edhe porcelani i fortë. Me ndryshimin e regjimeve politike, ajo është quajtur punishtja mbretërore, perandorake e kombëtare. Me kohën ajo ka evoluar dhe prodhimi i saj kryesisht është i destinuar për shtetin, edhe pse cilësia e saj e shkëlqyer ngaherë ka tërhequr vëmendjen e koleksionistëve nga e gjithë bota. Në ditët tona, punishtja e Sevres është nën varësinë e Ministrisë së Kulturës dhe të komunikimit francez. Misioni i saj është të prodhojë objekte arti në qeramikë. Aty riprodhohen kopje të vjetra e jo rrallë përcillen edhe krijime moderne, në varësi të teknikave artizanale. Falë kësaj punishteje sigurohen sot përhapja e prodhimeve në këtë fushë jo vetëm për nevojat e shtetit francez, por edhe ato të tregtisë që merret me promovimin e studimit artistik dhe teknologjik në fushën e qeramikës. Duke u bazuar në gjithë këto vlera, Stamati vë në dukje se vazoja, e cila i përkiste Ali Pashë Tepelenës, mbart më së shumti vlera historike, pasi ajo dëshmon edhe praninë e objekteve të veçanta në Shqipëri. Aktualisht, për arsye sigurie, vendndodhja e vazos nuk bëhet e ditur.

Pavarësisht kësaj, ajo që specialisti Frederik Stamati shpreson, është që të paktën në të ardhmen të jetë e ekspozueshme në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë të admirojnë nga afër një objekt jo vetëm me vlera artistike dhe historike, por edhe një dëshmi të marrëdhënieve të mira mes këtyre dy figurave të shquara, Napoleon Bonapartit dhe Ali Pashë Tepelenës. Dy figura, për të cilat shkrimtari i madh francez, Hygoi, thotë se "nuk gjej figurë tjetër të denjë në shekullin tonë për t‘u krahasuar me Napoleonin veç pashait të Janinës". Një krahasim që sigurisht ka të bëjë me forcën e personalitetit të të dyve, rrugët e të cilëve diku u takuan.
SHQIP

ali_pasha_tepelena_web
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top