Rasputin, një ëngjëll apo një djall

Lauri

Anunnak
Rasputin, një ëngjëll apo një djall në oborrin e Carit të Rusisë?

Mendjehollë apo i çmendur, njeri me devijime, ai u quajt nga shumëkush shëruesi i Carit të vogël. Vdekja e tij shënoi fundin e një epoke

Shiko fotografinë 1788431

“Do të vdes mes vuajtjesh të tmerrshme”. Ndoshta e ka thënë vërtetë këtë frazë, duke imagjinuar torturat dhe atë hedhje mes acarit në dëborë. Po ta besosh, mundet të ketë parë në të ardhmen trupin e tij tek hidhej në lumë, të ketë imagjinuar helmin që i përshpejtonte rrahjet e zemrës dhe i bënte t’i shpërthente truri, dhimbjen e tmerrshme ndërkohë që e godisnin një, dy, tre herë, dhuna që u desh për t’i dhënë fund, për të eliminuar ndikimin e tij.
Por nëse edhe ky vizion i vdekjes së tij nuk ka qenë një profeci, nëse është pjesë e asaj vjeturine pseudohistorike që ushqen faqe interneti dhe libra ezoterikë dhe që u pëlqen aq shumë të apasionuarve pas okultes, pak rëndësi ka. Në Rusinë pararevolucionare nuk ishte e vështirë të imagjinoje fundin e Grigorij Efimoviç Rasputinit (1869-1916). Kishte bërë shumë armiq ky murg me shpirt të zi dhe fuqi të çuditshme dhe kushdo mund të parashikonte vdekjen e dhunshme të tij. Dhe sot, kur njerëzit kanë rifilluar të flasin për të në libra dhe në filma ngjall të njëjtin interes si atëherë. Sepse ky mistik (apo mistifikues), ky shërues (apo sharlatan) mbetet një prej personazheve më të diskutueshëm dhe misteriozë të shekullit XX.

Si në një film

E nxorrën nga poshtë një shtrese akulli në Neva, në Pjetërgrad (kështu ishte ripagëzuar Shën Petërsburgu në vitin 1914) ku e kishin hedhur me duart e lidhura dhe fytyrën të dëmtuar. Sytë hipnotizues, me të cilët trembte dhe zbuste sipas dëshirës njerëzit, nuk i kishin shërbyer atë mbrëmje të 16 dhjetorit 1916 për të shmangur takimin me fatin. Dhe fati i kishte rezervuar një fund të tmerrshëm. E megjithatë, jeta e këtij fshatari të varfër siberian kish qenë e gjitha në ngjitje, deri kur mbërriti në oborrin e carit, i pritur si një papë nga Nikola II, që e quante “miku ynë“. Grisha Rasputin kishte lindur në fshatin Pokrovskoe në 1869 (ose në realitet tre vite më vonë: ai vetë kish prirjen të shfaqej më i moshuar për të rritur autoritetin).
Bir i një karrocieri, kish ndjekur për pak kohë gjurmët e të atit, më pas kish bërë thjeshtë fshatarin, ashtu si të gjithë të tjerët në atë qoshe të Siberisë. Por natyra e tij e trazuar, karakteri i tij grindavec e çonin natën nëpër taverna. Madje edhe ishte martuar, por pa i dhënë fund jetës së tij të shthurur, e mbushur me pije alkoolike dhe femra. Pastaj, një ditë, ndoshta për shkak të një shfaqjeje përtejtokësore gjë për të cilën i kish rrëfyer edhe një miku, kish marrë rrugën e fesë dhe vetmisë: pas kontakteve të parë me manastire dhe lëvizje heretike, kish nisur të mbante veshur një thes, mbante në dorë një bastun dhe kish marre rruget. Në një prej pelegrinazheve të tij mistikë kish shkuar madje deri në Greqi, në Malin Athos.

Për dëmin e tij kishte filluar të predikonte si një starec, një njeri i shenjtë, si dhe kish krijuar një farë fame për eksperiencat e tij në ekstazë, edhe pa braktisur krejtësisht ato të mishit: “Thuhej se pelegrini i çuditshëm kryente rite të veçantë në thellësi të pyjeve me gra të reja dhe vajza të bukura, duke ngritur kryqe me degët e pemëve, para të cilëve më pas lutej bashkë me dishepullat e tij“, ka shkruajtur gazetari ekspert i çështjeve ruse, Rene Fulop-Miller në biografinë e tij për Rasputinin, “Djalli i shenjtë”. “Pasi kryente ritet, përqafonte dhe përkëdhelte gratë, më pas kërcente dhe këndonte me to, duke deklaruar se edhe puthjet, përkëdheljet, këngët dhe vallëzimet ishin pjesë e shërbimit hyjnor dhe që këto mbushnin me gëzim Perëndinë. Gjëja më e çuditshme është se i shoqëronte këta vallëzime të egër me po të njëjtët himne të shenjtë që gratë këndonin në kishë“.

Pikërisht në këtë kohë nisën të përhapen zërat më absurdë në rajonet e largët rusë, me shpejtësinë e një zjarri në pyll. Sipas rrëfimeve, Rasputini mori pamjen e murgut plot epsh, apo të „pushtuarit“ që këndon i mbërthyer nga konvulsionet e ekstazës mistike; fitoi famën e „mallkuesit të madh“, por edhe atë të magjistarit që ishte në gjendje të pushonte shiun. E besonin që çke me të, edhe sepse për fshatarët rreziku i thatësirës ishte edhe më i fortë se sa rrëfimet plot fantazi për starec-un që zhvendosej nga fshati në fshat me grupin e tij të të rejave, të lumtura që e ndiqnin pas për të shpëtuar shpirtin dhe të gatshme të zhvisheshin në praninë e tij. Rasputini kishte fituar tashmë një turmë dishepujsh dhe, kur njerëzit e shenjtë të kishës ortodokse shkuan që ta ekzaminojnë nga afër, atij i duhej shumë pak për t’i bindur që një njeri me karizmën e tij ishte më mirë ta kishe aleat, se sa armik.

Romanovët

Në atë fillim shekulli, familja e carit kishte braktisur bukuritë e Shën Petërsburgut për të bërë një jetë të tërhequr në kështjellën e Carskoe Selo. Këtu, Nikolla II Romanov (1868-1918) bënte një jetë baritore me bashkëshorten e tij të dashur, Aleksandra dhe me bijat, në një idil të vazhdueshëm i cili kritikohej shumë nga politikanët dhe oborrtarët. Nuk i pëlqente kjo tërheqje kokëfortë në një vend të largët, në një kohë kur të gjithë i kërkonin të vendosej për të mbrojtur privilegjet e fisnikëve, që viheshin përditë në diskutim prej ardhjes së revolucionarëve dhe nga rreziku i luftërave civile. Në një përditshmëri ku priste dhe takonte shumë pak njerëz, cari nuk i besonte askujt dhe ky izolim e ekspozonte ndaj ndikimit të njerëzve të tij më me peshë. Disa prej tyre mblidheshin në „sallonin e zi Ignatev“, një vend takimesh politikë dhe komplotesh, ku konti Ignatev (ministër i perandorisë) dhe pas vdekjes se tij, vejusha e tij prisnin bankierë e fisnikë, priftërinj dhe gjeneralë, një rreth fanatikësh jo tolerantë që mbanin frerët e pushtetit. Prej këtyre mureve u përhap okultizmi i salloneve, një pasion patologjik për fenomene yjorë, mesazherë të botës së përtejme, njerëz depërtues dhe të „iluminuar“ që konsideroheshin të mbërthyer nga shenjtët. Prej këtu, kjo lloj tendence preku si një virus mendjet e dobëta të familjeve më fisnike. Mes tyre, edhe grand dukët Nikolaj dhe Pjetër Nikolaeviç dhe shoqëruesit, princeshat Milica dhe Anastasja, të apasionuara pas takimeve okultë dhe tryezave fluturuese. Kuarteti ishte pjesë e atyre pak frekuentimeve që ende bënin caresha dhe perandori. Shkurt, virusi mbërriti deri në familjen e Carit.

Heretiku mrekullibërës

I paraprirë nga fama e njeriut të shenjtë dhe shërues i të pashërueshmeve, në nëntor 1905 Rasputini hyri në atë oborr fshati falë hemofilisë, sëmundja e mbretërve, që kish zënë careviçin Aleks që në lindje. Vogëlushi ishte trashëgimtari i shumëpritur pas katër princesash. E megjithatë, në gjakun e tij ishte sëmundja gjenetike që e pengonte të jetonte si një fëmijë normal: edhe prerja më e vogël, qoftë edhe një e çarë në gju mund të ishte fatale. Gjatë një prej krizave më të rënda të hemorragjisë përmendet emri i murgut dhe Aleksandra, e cila pavarësisht aspiratave të saj për statizëm ishte e mbërthyer nga misticizmi dhe kishte organizuar tashmë një seri të gjatë meshash të padobishme për të nxitur shërimin e të birit, u kthye nga mrekullibërësi i famshëm si shpresë e fundit.

Rasputin e bëri menjëherë për vete me sytë e tij magnetikë: Romanovëve iu shfaq si „zëri i popullit“, i atyre tek të cilët sovranet ishin përpjekur gjithmonë të afroheshin vitet e fundit, por pa sukses. Edhe pse i ri në moshë, murgu ishte mishërimi i një këshilltari të moshuar spiritual, një magjistar francez qe ishte përpjekur tashmë të shëronte vogëlushin. I zgjati dorën, i foli, i rrëfeu përrallat e vjetra ruse me shtrigën Baba Jaga dhe të kalit të çalë dhe Aleksi u ndie menjëherë mirë. Ndoshta arriti të qetësojë ankthin e tij e si rrjedhim të ulë presionin e gjakut të fëmijës, i cili në fakt pushoi së rrjedhuri; apo ndoshta, siç u hodh një tjetër hipotezë, arriti thjeshtë në kohë që të kufizojë ilaçet me të cilat kurohej fëmija dhe, mes tyre aspirinën, e cila sigurisht që i lehtësonte dhimbjet, por nga ana tjetër ia nxiste edhe më shumë hemorragjinë. Fakti është që vogëlushi u përmirësua dhe prindërit zemërthyer nisën të besojnë tek mrekullia. Që Rasputini e përsëriti edhe kur ishte larg, në vitin 1812, ndërkohë që ndodhej në Siberi: pas krizës së radhës së të voglit, apelit të dëshpëruar të carit dhe bashkëshortes së tij ai iu përgjigj me një telegram. Me këshillën e tij, doktorët u larguan dhe dhimbjet e stomakut të Aleksit të vogël kaluan.

Pranë carëve

Trashëgimtari i fronit nisi ta konsiderojë shëruesin e tij, që e quante „i riu“, si një mik apo si një dado. Priste vizitat e tij dhe i kërkonte t’i tregonte përralla. “Kur Rasputini vinte në pallat përmes shkallës së errëta të shërbimit“, rrëfen Miller, “në fillim puthte carin dhe careshën; më pas familja mblidhej për të dëgjuar rrëfimet e Grigorij mbi jetën e fshatarëve siberianë dhe mbi pelegrinazhet e tij. Ato mbrëmje, edhe vogëlushi mund të qëndronte zgjuar më gjatë, duke u ulur, i mbuluar me një kuvertë të trashë, në gjunjët e Rasputinit“. Një tjetër dinjitar i oborrit rrëfente se murgu “diti të fitojë besimin dhe dashurinë e sovranëve. Dinte t’i nxiste, t’i inkurajonte, t’i qetësonte, t’i ngushëllonte. Shpesh herë i bënte të qanin, sepse fliste në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe i trondiste shumë. Por më pas dinte të tregonte barcaleta dhe gjëra komike, e kështu shumë shpejt ata ndiheshin se nuk mund të bënin pa shoqërinë e tij“. Pa llogaritur faktin që mjaftonte zëri i tij në telefon për të qetësuar acarimin e carit të vogël dhe dhimbjet e tij të kokës. Ditari i Car Nikollës ishte i mbushur me shënime të tipit “takuam Grigorijin”.
Iu desh shumë pak shërbimit të spiunazhit për të identifikuar këtë starec, që ishte “ndërfutur në familjen e sovranëve“ dhe akoma më pak damave të oborrit për të hedhur në qarkullim një seri thashethemesh të helmët, në lidhje me kontakte shumë pak spiritualë të njeriut të shenjtë me shërbyeset. Pavarësisht kësaj, edhe denoncimi për një akt dhune ndaj një fëmije nuk e ndali siberianin: u arkivua shumë shpejt nga caresha, e cila nuk i besoi.

Tashmë Rasputin ishte „babai i vogël“ i familjes mbretërore, njeri nga i cili duhej të kishe frikë dhe ta shmangie. Mesazhi bëri një xhiro të shpejtë në Shën Petërsburg, ku Rasputini u bë shumë shpejt një prej protagonistëve të sallonit Ignatev. Të pasurit përpiqeshin ta shfrytëzonin për të siguruar ndonjë përfitim. Grigorij merrte komisione, përkëdhelte damat dhe shijonte verërat e bashkëshortëve të tyre, duke i mbushur të gjithë me ndjesinë që, po, ishte pikërisht ai kontakti i vërtetë mistik mes njerëzores dhe hyjnores. Apo më mirë, mes carit dhe kandidatëve. Sa mund të zgjaste?
Komploti
Nëse shpifja është një fllad i lehtë, në Rusi po frynin erëra të stuhishme për të vënë përfund starec-un. Shtëpia e tij survejohej natë e ditë, vizitorët e tij merreshin në pyetje, fqinjat e tij, disa prej tyre edhe të dashura, u shndërruan në informatore me pagesë të spiunëve. Gjithçka false? Në të vërtetë, Rasputini nuk ishte hiç një shenjt dhe kishte orekse të mëdha: nuk ishte e vështirë të spiunoje ato vajtje-ardhje të damave të mëdha, aktoreve, masazhatoreve, ndonjëherë të paguara e më shpesh kurioze, apo edhe në ankth, për të hyrë në shtratin e tij. Vetë Rasputini nuk bënte asgjë për t’u fshehur, përkundrazi ndonjëherë i ftonte agjentët për ndonjë bisedë me ta. Për më tepër, i hynte tregtive të çfarëdolloji: pasanikë dhe fisnikë e shfrytëzonin si paradhomë për të siguruar favoret e tij kundrejt një kompensimi. Më pas, ndoshta nuk merrnin hiçgjë, madje mund të trajtoheshin me arrogancë e kështu nisnin të planifikonin hakmarrjen. Edhe të varfërit zinin radhë përpara derës së tij, por ata iknin me diçka në xhep. Rasputini e bënte me qejf zhvatjen prej miqve të tij dhe kursente vetëm për pajën e të bijës, Matrëna. Cuditë e mëdha të tij u bënë një radhë e gjatë e u shndërruan në një raport të gjatë e të konsoliduar të policisë, por edhe kjo gjë nuk e shqetësoi carin, i cili tashmë kishte dorëzuar gjithçka në magjinë e siberianit. Megjithatë, lista e armiqve të tij u shumëfishua menjëherë kur, në vitin 1914, në prag të Luftës së Parë Botërore, Rasputini doli kundër atyre që kërkonin të rrëmbeheshin armët kundër Austrisë dhe Gjermanisë: “Rusia ka hyrë në luftë kundër vullnetit të Zotit… Gjeneralëve nuk u intereson nëse sakrifikojnë disa mijëra muzhikë më shumë apo më pak… Por gjaku i viktimave nuk do të kthehet mbrapsht vetëm mbi ta: ai do të ngjitet deri tek cari“.
Perandori i tij, që ndihej një apostull i paqes në një botë në luftë, ishte gjendur në mesin e një konflikti botëror me përmasa që nuk ishin parë ndonjëherë. Rasputini nuk arriti ta pengojë, por në sytë e shpifësve pacifizmi i tij ishte i dëmshëm dhe ky njeri, sipas tyre, ishte ende në gjendje që të mbante nën kontroll perandorinë. Ndikimi i tij mbi carin, por mbi të gjitha mbi careshën Aleksandra, shihej me sy të keq nga pjesa e fisnikërisë të cilët nuk arrinin të manovronin më. Kështu, ndërkohë që përgatiteshin topat për Luftën e Madhe, në oborr ishte pikasur tashmë një armik i ri: Aleksandra, perandoreshë me origjinë gjermane, e cila pas nisjes për në front të të shoqit Nikolla kishte marrë në duart e saj frerët e perandorisë, duke vepruar sipas mendjes së saj (dhe ndoshta edhe sipas këshillave të Rasputinit), duke marrë kështu vendime politike e duke rritur shpesh herë pikët e ndonjë ministri apo duke fundosur një herë e mirë ndonjë tjetër. Tashmë ishte shumë pranë zhvillimi epokal: në nëntor të vitit 1917 (në 26 tetor, sipas kalendarit të Julianit që përdorej në perandorinë ruse) Lenini do të sulmonte pallatin mbretëror duke shënuar kështu fillimin e revolucionit bolshevik. Në atë klimë, nuk mund të lejohej që një fshatar misterioz nga Siberia të udhëhiqte Rusinë Mëmë.
Komploti i zi
Feliks Jusupov ishte një njeri me gjak blu: i velur me jetën e tij të artë – ishte trashëgimtar i një pasurie të madhe – nuk argëtohej më, as duke u shfaqur në xhiro me veshje femërore, siç rezulton nga dëshmitë e kohës. Ishte një njeri në kërkim të emocioneve dhe të një veprimi „mashkullor“ për të dalë nga rutina: përse të mos ndëshkonte atë të pagdhendurin që, pa kurrfarë frike shfaqte para aristokratëve të gjithë përçmimin e tij?
Këtij iu bashkua një politikan antisemit me emrin Vladimir Purishkeviç, i cili kultivonte ambicie për ministër dhe që shihte tek Rasputini valvulën e shfryrjes, që duhej të fajësohej për dështimet në front. Në nëntor të vitit 1916 mbajti përpara Dumës një fjalim që në fakt do të ishte përcaktues për fatet e murgut: “Shkoni dhe uluni në gjunjë përpara perandorit dhe lutjuni ta çlirojë Rusinë nga ky turp që është prania e Rasputinit“. Politikanët e ulur në karrike u ngritën të gjithë në delir, grand dukët nisën të duartrokasin. Apeli u mor që në ajër nga Jusupov dhe nga një miku i tij, grand duka Dimitrij Pavloviç Romanov, një i afërm i carit, dhe këtyre iu shtua edhe mjeku polak Lazovert, i cili duhej të siguronte helmin.
Natën e 16 dhjetorit i riu Feliks e thirri Rasputinin, me të cilin ndërkohë ishin bërë shokë, në pallatin e tij mbi Mojka, një tjetër lum mbi të cilin ngriheshin ndërtesat e mrekullueshme të qytetit. Përgatiti çaj, verë të Madeiras dhe ëmbëlsira të mbushura me helm nga doktor Lazoverti. Nuk mjaftuan. Rasputini, një njeri me një forcë të jashtëzakonshme, vazhdonte të fliste dhe të qeshte. Atëherë e qëlluan në gjoks, duke besuar se e vranë. Legjenda rrëfen se Rasputini i shqeu sytë dhe u ngrit, më pas nisi të zbresë shkallët. E qëlluan edhe katër herë të tjera: dy të shtëna shkuan dëm, një plumb e zuri në shpatull, i fundit në kokë. Feliksi u mbërthye më pas nga një krizë nervash dhe ia theu kafkën me një levë hekuri. Dy agjentë që u ndodhën jashtë pallatit dëgjuan të shtënat dhe hynë menjëherë në oborr: morën në pyetje deputetin Purishkeviç i cili rrëfeu duke i bërë apel patriotizmit të policëve. Mëngjesin tjetër, ky bashkëbisedim iu transmetua ministrit të Brendshëm, ndërkohë që trupi i Rasputinit u gjet në lumë. Caresha urdhëroi që të varrosej në parkun e Carskoe Selo, me ceremoni solemne dhe në praninë e saj.
Askush nuk u ndëshkua. Feliks Jusupov u largua nga Rusia për një mërgim të artë në Paris. Rrëfeu të vërtetën në kujtimet e tij, të cilët i botoi vite më vonë, por pavarësisht një denoncimi të vajzës së Rasputinit, nuk u dënua asnjëherë.
Familja Romanov u pushkatua nga bolshevikët në Ekaterinburg në 17 korrik 1918. Muzhikët, fshatarët, që tek vrasja e Rasputinit kishin parë një shenjë, gjetën tek ky epilog një konfirmim të profecisë së starec-ut: “Kur unë të vdes, nuk do të kalojë shumë kohë përpara se cari të humbasë kurorën e tij”.
/Albert Vataj
 
Back
Top