I ri, ambicioz, i shkolluar në universitetet më të mira të botës, Taulant Muka sot po jeton ëndrrën e të gjithë mjekëve të rinj shqiptarë.
Aktualisht i punësuar pranë gjigandit farmaceutik danez, Novo Nordisk, ku merret me kërkimin shkencor dhe zhvillimin e kurave të reja për diabetin, ka prekur edhe auditoret e Harvard e Kembrixh, ndërsa ka lënë pas një eksperiencë si akademik në universitetin prestigjoz të Erasmus në Hollandë.
Pavarësisht këtyre mundësive që i ka gjetur jashtë Shqipërisë, e mban gjithmonë një sy nga vendi i lindjes. Në qershor të 2017-ës iu përgjigj thirrjes së kryeministrit Rama për të ardhur dhe kontribuar në Shqipëri. Por ndryshe nga entuziazmi i Taulantit, nga Tirana i erdhi vetëm heshtje.
“As edhe një: Faleminderit që aplikuat”, kujton Taulanti. Në një intervistë të gjatë për Citizens Channel, Taulanti na shpjegon se “në universitetet shqiptare përfshirë atë të Mjekësisë studentët në shumë raste keqinformohen, duke u servirur informacione të vjetëruara; e ashtuquajtura elita e mjekësisë, pjesa më e madhe e profesorëve, janë injorantë në kërkimin shkencor dhe se kanë shumë pak studime shkencore të botura në revista të huaja prestigjoze”.
Fajtorë, për gjithë këtë amulli, Taulanti, shikon mungesën e vizionit nga politika por edhe “mbytjen” e qëllimtë që i bëhet nga të vjetrit, plejadës së re të mjekëve.
E megjithatë asgjë nuk e ka e ka demoralizuar. Për Taulantin, aktivistin e njohur të fakultetit të Mjekësisë, nuk ka sfida të pamundura. “Sigurisht ka shumë punë dhe mund”, na thotë ai, që karakterizohet nga një vullnet i jashtëzakonshëm. E ka nisur betejën që kur ishte student në Tiranë, ku denoncoi dhe luftoi haptazi sistemin e prapambetur të edukimit mjekësor apo favorizimet e specializimeve të fëmijëve të profesorëve të QSUT-së, dhe po aq fort iu desh të luftonte edhe me mentalitetin e kolegëve të Erasmus për të rinjtë shqiptarë. Dhe ia ka dalë mbanë të fitojë.
newsbomb.al