Pas videomesazheve të publikuara nga Erjoni për Almën, do mendonim se çifti do të përjetonte një periudhë lumturie pas ribashkimit, por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Vetë Alma ka denoncuar në Polici 35-vjeçarin, duke e akuzuar se e ka dhunuar vazhdimisht gjatë 4 muajve që ata kanë bashkëjetuar.
Ndonëse Erjoni shprehej i dashuruar me Almën në videot që ai publikonte, madje qante duke iu lutur që të kthehet, në realitet ka ndodhur ndryshe.
“Historia e dashurisë që pushtoi rrjetet sociale”, tashmë ka kaluar edhe në duart e policisë. Pas denoncimit të Almës për dhunë, uniformat blu të Fierit kanë arrestuar 35-vjeçarin.
Në dëshminë e tij në polici, Erjoni ka treguar se çfarë e ka mërzitur, duke bërë që të humbasë durimin, dhe të rrahë Almën e tij.
“Alma më braktisi prapë dhe u largua nga banesa ku jetonim së bashku. U inatosa me largimin e saj dhe duke mos e pranuar braktisjen e radhës, e gjeta se ku ishte dhe në inat e sipër e rraha”, rrëfeu Erjoni.
35-vjeçari u arrestua pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A.N, 39 vjeçe, e cila tha se prej 4 muajsh bashkëjeton me këtë shtetas, dhe ai vazhdimisht ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.
Sakaq, materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Dhunë në familje”.
NJOFTIMI I POLICISث
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan shtetasin: Erjon Sulohoxhaj, 35 vjeç, lindur në Berat dhe banues në lagjen “Kryengritja e Fierit”, ( i dënuar më parë për vjedhje). Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi shtetasja A.N, 39 vjeçe, kallëzon se prej katër muajsh bashkëjeton me këtë shtetas dhe ai vazhdimisht ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Dhunë në familje” parashikuar nga Neni 130/a/4 i Kodit Penal.
(el.sp/BalkanWeb)