Violetta
>> KS- AL. etnike <<
Pushteti social
Pushteti është një marrdhënie sociale tipike e komunitetit njerëzor, pavarësisht dimensioneve të saj (familje, komb, shtet), në plan kombëtar ose ndërkombëtar.
Në fushat sociale ky koncept përkufizohet si fuqia për të influencuar mbi sjelljet e një grupi individësh apo një individi të vetëm. Kjo aftësi që ka individi kundrejt një grupi apo një individi të vetëm është tepër e ndërlikuar sepse jo gjithmonë përdoret për motive të mira dhe të dobishme.
Pushteti është një dimension i marredhenieve ndërveprore sociale, gjë që e bën atë si një koncept relacional; d.m.th nuk mund të pohohet se një person “ka pushtet”, pa specifikuar se në marrdhenie me kë e ka këtë pushtet dhe cfarë atributi të pushtetit mban.
Në nivel social, pushteti është një marrdhënie varësie reciproke midis shoqërise dhe pushtetit: d.m.th, pushteti perfaqëson lidhjen e domosdoshme midis të gjitha strukturave dhe fenomeneve sociale dhe rrjedh nga burimet dhe hierarkitë e tyre. Shoqëria hierarkizohet duke krijuar nivele pushteti, dhe nivelet të pushtetit organizohen për të drejtuar shoqërinë.
Përvec karakterit relacional, pushteti social është edhe asimetrik, d.m.th në marrdhënien sociale ku karakteristikë është udhëheqie – nënshtrim.
Nga psikologjia e zhvillimit të fëmijës njohim se temperamenti i fëmijëve është i lindur dhe që në hapat e para të fëmijërisë dallohen ata që kanë aftësinë e të qënurit të parët ose liderat e grupit të tyre shoqëror. Kështu vazhdon cikli i jetës dhe më pas këta fëmijë kanë probabilitet të jënë “liderat” e së ardhmes, qofshin të mirë apo jo të mirë.
Në psikologji, sipas Thibaut dhe Kelley, pushteti është kapaciteti I kushtëzimit të veprimeve të individit, që manifestohet në format:
-Pushteti i shpërblimit
-Pushteti i forcës
-Pushteti ligjor
-Pushteti referent
-Pushteti i zotësise (i ekspertit)
-Pushteti informativ.
Pushteti i shpërblimit
Nëse do ti referohemi pushtetit të shpërblimit, do të kuptojmë nga vetë fjala, që kemi të bëjmë me shpërblimet e ndryshme që drejtuesit apo punëdhënësit i japin vartësve në rast se kryhet puna me cilësi dhe në kohën e duhur. Kjo do të thotë që, pushteti i shpërblimit “buron nga kompetenca e njerëzve për të dhënë shpërblime”. Shpërblimet kanë forma të ndryshme: rritja e pagës ose paga shtesë, ngritja në përgjegjësi, pjesëmarrja në projekte, stimul moral, pushime suplementare, etj.
Pushteti shpërblimit është mjaft i fuqishëm edhe brenda familjes, (prindi kundrejt fëmijëve për një sjellje të caktuar). Ky pushtet është i lidhur drejtëpërdrejtë me teorinë e motivacionit. Kjo teori tregon sa i rëndësishëm është shpërblimi për individin në një situate apo dhe në procesin e mësimdhënies. Pikërisht pushteti i shpërblimit ka një forcë dhe ndikim të madh në të dyja rastet edhe në mardhënie punëdhënës punëtor, por edhe në familje. Por, sic do pushtet që ka benefite, ka dhe kosto dhe ky lloj pushteti duhet të përdoret në masën e duhur për arësye se ndodh që pala që shpërblehet të mund të arrijë rezultate vetëm me anë të shpërblimit se në të kundërt nuk mund dhe nuk ndihet i motivuar.
Shpërblimi duhet ofruar në një masë të baraslarguar. Një shpërblim i eksagjeruar humb efektin e vet. Nëse një person shpërblehet në mënyrë të ekzagjeruar, ai humb motivimin për punë. Ndaj pushteti i shpërblimit është mirë që të përdoret në mënyra të ndryshme dhe jo vetëm me anë monetare por dhe me anë të: lavdërimeve për punën apo për detyrën e kyer, aprovimin me mirënjohje dhe gjithashtu duke treguar xheste dashurie; për shembull fëmijëve në kryerjen me sukses të detyrave të caktuara. Pikërisht atëherë pushteti i shpërblimit merr dhe ngjyra pozitive.
Shumë institucione ofrojnë edhe shpërblime të tipit të specializimit ose ngritjes në detyrë. Në opinionin tonë, ky lloj shpërblimi është më efikas sepse duke qenë më i pregatitur dhe më i aftë për të ushtruar një profesion, domosdoshmërisht synohet një e ardhme më e sigurt dhe më e shpërblyer.
Pushteti i forcës
Sipas Oscar Wilde *“Cdo pushtet është degradues për ata që e ushtrojnë dhe për ata mbi të cilët ushtrohet”.
Ky pushtet “e ka zanafillën tek pushteti shpërblyes dhe bazohet në frikën e vartësit përpara eprorit”.
Pushteti i forcës është aftësia që ka një individid për të nënshtruar një tjetër individ më të dobët apo poshtë pozicionit të tij.
Ky lloj pushteti është pushteti i punëdhënësit për të dënuar punëmarrësit dhe buron nga ligji.
Po ashtu ky pushtet është një pushtet burokratik dhe institucional. Atëherë kur pushteti i forcës kalon limitet ligjore kalohet në abuzim të pushtetit dhe dënohet.
Pushteti i forcës në këndvështrimin antropologjik është PUSHTETI SI AUTORITET. Ky këndvështrim është parë që te Makiaveli ku flitej për ‘luanë” dhe ‘dhelpra” ku të parët përdornin vetëm forcën për të fituar edhe pse në fund humbnin, ndërsa të dytët përdornin konsensusin dhe ishin më jetëgjatë .
Në rastin e marrdhënies së parë punëdhënës- punonjës forca është një lloj “kërcënimi” që i bën punëdhësi punonjësit. ”Kërcënimi” konsiston në uljen e pagës, në heqjen e ditës së punës apo dhe më rëndë në largimin nga puna. Ky pushtet ndikon shumë në anën psikologjike të punonjësit, I cili gjithmonë ka një presion psikologjik qe e bënë atë të ketë rezultate positive ose negative.
Në familje ky lloj pushteti ka po ashtu ndikimet e veta si pozitive ashtu dhe negative që do të thotë që nëse një prind “kërcënon” fëmijën e vet se po nuk doli mirë me rezultatet e shkollës atëherë ai nuk do të shkojë me pushime aty ku ka dëshirë apo nuk do ti blejë bicikletën që ai ka dëshiruar. Kjo e motivon fëmijën shumë për tu impenjuar më seriozisht ne procesin mësimor. Ky pushtet duhet mbajtur në kontrroll të rreptë, sepse sic shihet ndikimi kryesor ndaj ushtrimit të këtij pushteti është ana psikologjike, e cila lë gjurmë të mëdha për gjithë jetën në të dyja rastet e marrdhënies si në rastin punëdhënës-punonjës, po ashtu dhe në marrdhënien prind- fëmijë.
Pushteti ligjor
Pushteti ligjor sipas Hobbes është një formë kontrate që bëhet midis njerëzve për të evituar mosmarrveshjet që mund të ndodhin
Pushteti ligjor buron nga akte ligjore dhe nënligjore, që i japin drejtuesit fuqi vendimarrëse.
Ndërsa sociologu Max Weber me pushtetin ligjor kupton: “mundësinë për të gjetur zbatim urdhërat që kanë një përmbajtje të caktuar nga një grup njerëzish”.
Pushteti ligjor bazohet në mirëkuptimin e palëve se dikush ka të drejtë të pretendojnë bindje nga të tjerët. Në këtë mënyrë, në përgjithsesi, vendimet e drejtuesve nuk diskutohen.
Pushteti ligjor, përvec mënyrës së të ushtruarit, kufizohet edhe në kohë dhe në hapësirë. Drejtuesi i një institucioni nuk mund t’i caktojë një detyrë vartësit të tij jashtë orarit të tij, përvec rasteve të vecanta të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore të vecanta, ose në rastin kur vartësi pranon me dëshirë të lirë të kryejë atë detyrë. Këtu mund të kemi rastet e policëve ose mjekëve, që janë në gatishmëri punë edhe jashtë orarit zyrtar.
Pushteti ligjor, shoqërohet edhe me pushtetin e dhunës, në formën e kërcënimeve dhe ofezave. Drejtuesi i institucionit është ai që merr vendime, dhe në realitetin shqipëtar, këto vendime merren sipas gjykimit personal, pa një analizë të përbashkët me stafin e punës. Mënyra e transmetimit të këtyre vendimeve, ndonjëherë mund të jetë kërcënuese dhe abuzive.
Pushteti referent
Pushteti referent– “bazohet në influencën që njerëz të vecantë, ose grupe njerëzish, ushtrojnë mbi të tjerë për shkak të besimit që ata kanë në idetë e këtyre individëve”.
Pushteti referent bazohet në identifikimin i një personi - receptor me një person tjetër- transmetues, ku identifikimi caktohet si “sentiment identiteti” ose “dëshirë për t’u unifikuar”.
Në pushtetin referent brenda grupit, nuk ekzistojnë lidera të mirfilltë, por të gjithë udhëhiqen në bazë të traditave, zakoneve, mentaliteteve dhe tabuve sociale.
Pushteti referent bazohet më shumë në seduksion dhe përjashton pushtetin e forcës. Pushtetin referent në bazë të seduksionit, e gjejmë tek raporti fëmijë-prind, nxënës-profesor, aktorë-simpatizues, etj.
Pushteti referent shfaqet kur persona-receptor identifikohen me personin që mban pushtetin dhe provojnë të sillen si ata. Cilësitë karizmatikë të liderit si: veshjet, sjellja, profili – moral, personaliteti dhe karakteri i tij i japin këtij të fundit pushtet referent dhe ndikim ndaj grupit.
Media shqiptare konfiguron për ditë persona me pushtet referent dhe persona që i referohen. Në fushën politikë imitohen shumë liderat partiake, duke filluar me fjalorin e përdorur, me sjelljet që aplikojnë deri tek mënyra e të menduarit dhe të vepruarit.
Pushteti referent bazohet në adhururimin e liderit. Identifikimi i vartësit me personi që mban pushtetin, është faktori kyç që përfshihet në burimin e pushtetit. Duke i besuar dhe respektuar vendimet dhe veprimet e liderit, vartësit përpiqen t’i ngjajnë sa më shumë atij. Në këtë mënyrë lideri ka më shumë pushtet ndaj vartësit.
Në ditët e sotme, lideri shet shume imazhin e tij. Nuk është e thënë që ai të jetë apo të përmbushë të gjithë ato cilësi që shfaq, por e rëndësishme është që ai të di ta japi veten si të tillë. Në pushtetin referent, një rol të rëndësishëm luan mass-media dhe informacioni që trasmetohet në lidhje me një person, d.m.th që sa më pozitiv të jetë imazhi aq më fortë do të jetë pushteti referent i atij personi.
Në opinionin tonë, pushteti referent mund te jetë, në një farë mase, artificial duke qënë se edhe marrdhëniet brenda grupit janë bërë më shumë artificiale. Lideri karizmatik, me pushtet referent zëvendësohet kollaj me interesat personale ose me interesat e grupit.
Pushteti i zotësise (I ekspertit)
Pushteti i ekspertit apo i Zotësisë është kur dikush e ndien veten shumë të pregatitur në fushën përkatëse dhe “rrjedh nga njohurite e menaxherit si ekspert, gje qe i “detyron” vartesit te kene respekt dhe t’i binden atij”(10).
Ekspert mund te jetë një person që zotëron shumë njohuri në fushën ku punon dhe është i aftë të menaxhojë , të orientojë ose të drejtojë një pjesë të stafit ose kolegëve të tij të punës në disa situata. Rrjedhimisht nga ky fakt, eksperti mund të luajë edhe rolin e liderit.
Në ditët e sotme, pushteti i ekspertit shoqërohet me një mori diplomash, certifikatash dhe specializimesh. Vet fjala zotësi vjen nga një ndërthurje eksperiencash, trajnimesh dhe specializimesh. Por nuk duhet harruar fakti se pa praktike, trajnimi nuk ka bazë. Janë konstatuar shumë raste, kur persona shumë të specializuar nuk kanë qenë të aftë të menaxhojnë një situatë reale – konkrete. Trajnimet prekin anën e përgjithshme të situatave dhe ekzistojnë raste kur ato janë shumë të ndryshme nga realiteti.
Ekspert është një person i pregatitur si nga ana profesionale, ashtu dhe nga eksperienca, e cila e aftëson më shumë atë.
Situata shqiptare tregon se ekspertët nuk janë shumë të vlerësuar. Janë të shumta rastet kur persona të pregatitur janë pushuar nga puna për shkak të ndikimeve politike – partiake. Ne përgjithësi vendet drejtuese janë zënë nga persona të paspecializuar për atë fushë të punës; nga persona që luajnë rolin e liderit pa u konsultuar me stafin e punës, ku përfshihen edhe ekspertët; dhe që marrin vendime duke u bazuar në ‘zotesinë’ e vet.
Pushteti informativ
Pushteti informativ apo pushteti i dijes, është shumë i rëndësishëm dhe potencial, duke qënë se vetë fjala dije mban brenda saj një peshë të rëndë.
Pushteti I informacionit “buron nga privilegjet e menaxherit për të pasur akses dhe kontroll mbi informacionin e rëndësishëm për operacionet e organizatës dhe planet e ardhshme të saj”(11).
Në antikitet, dija ka qënë e analizuar si informacion që ne e marrim nëpërmjet ndjenjave ose nëpërmjet intelektit.
John Locke foli, përvec dijes që vjen nga eksperienca edhe për dijen intuitive dhe atë demonstrative.
N. Chomsky foli për konceptin e dijes “a priori”, duke ju referuar dijes se lindur.
Dallimet gjinore
Shoqëria shqiptare ka në qëndër të saj grupin apo fisin dhe jo individin në vecanti. Për këtë arësye rregullat, zakonet dhe traditat zenë një rol shumë të rëndësishëm në udhëhëqien e shoqërisë sonë. Pavarësisht se është një shoqërie multi-fetare, feja nuk ndikon aq shumë, në krahasim me rregullat dhe zakonet krahinore që janë shumë të fuqishme.
Familja shqiptare, në thelbin e saj, vazhdon të jetë një familje patriarkale; gjë që bën, që vet fjala pushtet t’i atribuohet gjinisë mashkullore.
Nën ndikimin e traditave dhe zakoneve, pushteti social në familjet shqiptare varet nga niveli arsimor, nga niveli kulturor, etj. Në familjet që banojnë në fshat apo në qytete të vogla mbizotëron më shumë ndikimi i zakoneve.
Në këto familje pushteti i shpërblimit gati nuk ekziston, sepse secili ka punë të ndara dhe cdo gjë është detyrim dhe jo motivim. Pushteti i forcës nuk përdoret nga ana e bindjes, por nga ana e dhunës, që në shumë raste mund të jetë fizike apo psikike. Për shembull, prindi ndaj fëmijës nuk përpiqet që ta drejtojë atë me anë të bindjes, por me anë të fjalëve urdhëruese, kërcënuese. Pushteti referent përdoret më shumë si referim ndaj babait, që është figura dominuese në familje, duke qënë se përfaqëson autoritetin. Gjithashtu edhe nëna ka rolin e vet; ajo përfaqëson nënshtrimin, butësinë, dashurinë. Në varësi të gjinive dhe të situatave emocionale, të dy prindërit kanë pushtet referent brenda familjes. Por duhet të theksojmë se pushteti referent ka forcë më të madhe te gruaja duke qënë se ajo i atribuon burrit vlerat e tij dhe nga fëmijët është ajo që shikohet si mbështetja më e madhe. Pushteti i zotësisë brenda familjes buron nga eksperienca e jetës dhe i takon atij personi ose atij prindi që di të ndërthuri pushtetin e zotësisë me atë të dijes. Në vetvete pushteti i zotësise brenda familjes nuk ka ndikim të madh, sepse secili nga prindërit mundohet që fëmijëve t’i induktojë dijen dhe rrjedhimisht edhe zotësinë.
Mentaliteti, kultura, normat dhe vlerat me të cilat janë rritur burrat (sidomos në Shqipëri) nuk ua ka mësuar atyre krijimin e një marrdhënie të barabartë. Nisur nga kjo, gjyshërit dhe baballarët dukeshin se ecnin mbi binarët e një ligji ku prioritetin mbi gruan e kishin të ligjëruar prej qindra vjetësh. Prej shumë kohësh nisur nga ky mentalitet është ushqyer kaq shumë prioriteti i burrit ndaj gruas saqë është shndërruar në një kontrate ku thuajse ajo është si një ligj që garanton qelizën sociale, familjen dhe trashëgiminë. Sot ndodh thuajse e kundërta, çiftet kërkojnë të rrijnë së bashku vetëm nëse ka dashuri, mirëkuptim, ndarje vlerash dhe mënyrë të njëjtë të të kuptuarit, për t’u rritur së bashku dhe për t’u realizuar. Në të kundërt diskutohet prishja e kontratës, në çdo moment...
Në familjet që banojnë në qytete të mëdha, ku puna nëpër institucione zë një vend kryesor, pushtetet sociale nuk janë shumë të ndara në varësi të gjinive, por më shumë në varësi të aftesive.
Në aspektin institucional, pushteti social, sipas ligjeve, ndahet sipas aftësive dhe jo sipas dallimeve gjinore. Shteti shqipëtar nëpërmjet Kushtetutës, Kodit të Punës, Ligjit kundër Diskriminimit, etj ka ndërtuar një barazi gjinore nga ana ligjore. Në aspektin praktik, pushteti social institucional dominohet nga gjinia mashkullore.
Metamorfoza e pushtetit në Shqipëri
Vetë fjala metamorfozë, do të thotë ndryshim. Njeriu, gjatë procesit të jetës së tij, ndryshon; ndryshon në tiparet fizike, në karakter, në sjellje. Pra procesi metamorfozë është I gjatë dhe vazhdon përgjatë gjithë jetës.
Njeriu i veshur me pushtet ka një metamorfozë në formën e një harku, fillon të ngrihet në pushtet deri sa arrin majën dhe pastaj vjen periudha e shuarjes së imazhit të tij publik.
Metamorfoza e pushtetit, kalon nëpër katër faza:
- Faza e joshjes
- Faza e eksitimit
- Faza e orgazmës
- Faza e shpërbërjes
Në fazën e joshjes individi mban akoma tipare të karakterit dhe të naturalitetit të vet. Stili i veshjeve, modeli i flokëve, distanca e komunikimit, tonaliteti i zërit, janë akoma të papërpunuara. Imazhi dhe fjalori i tij tregojnë një farë origjinaliteti. Kjo varet nga aftësia e individit për të përpunuar dhe për të kuptuar produktin që vet reklamon. Njeriu me pushtet në një moshë më të re, të shkolluar dhe të specializuar jashtë Shqipërisë, mund të kuptojë dicka nga kjo fazë; ndërsa politikanët më të moshuar, që kanë pasur si modele vetëm realitetin shqipëtar, nuk i japin asnjë rëndësi kësaj faze.
Në përgjithësi politika fillon si një joshje apo si një dehje. Pasi pi gotën e parë, njeriu filon të buzëqeshë, të ndihet më rehat, bëhet më miqësor dhe herë pas here mund të jetë i ndërgjegjshëm. Po nëse vazhdon dhe abuzon, mund edhe të dehet. Po njësoi ndodh edhe në pushtetin politik ose social. Në fillim njeriu me pushtet dëgjon më me vëmendje personat që e kanë zgjedhur, pranon më lehtë kritikat dhe është më shoqëror.
Kjo është faza e pregatitjes për një vetëvlerësim të lartë. Duke qenë se rreth tij fillon të krijohet një qëndër vëmendje, automatikisht rritet edhe niveli i vetëvlerësimit që në këtë rast është shumë i dëmshëm.
Në fazën e eksitimit, njeriu me pushtet ka zgjeruar distancën e komunikimit; nuk buzëqesh, nuk përshëndetet dhe nuk ia hap më telefonin cdo personi, përfshij këtu edhe miqtë e tij të vjetër. Ai ka arritur të kuptojë se është pjesë e një “elite”. Tani është në fazën e të shtirurit; në fazën kur i duket se personi i tij është shumë i rëndësishëm; kur “mendimet dhe veprimet e tij” kanë peshë. Shoqëria e vërtetë, nuk i intereson më. Kënaqet me një rreth shoqëror që e miraton për cdo gjë. Ndryshimi fillon bëhet i dukshëm edhe brenda familjes ku shfaq tipare të forta të pushtetit të vet.
Pushteti në Shqipëri fitohet shumë kollaj dhe humbet po aq kollaj. Njeriu shqipëtar me pushtet dehet që nga dita e parë; për të mos thënë se ai mund të dehet edhe me gotën bosh. Kjo ndodh në rastet e personave që kanë një të njohur që ka fituar një farë pushteti dhe konsiderojnë se pushteti i shokut është edhe pushteti i tyre.
Faza e orgazmës është faza maksimale e pushtetit. Në këtë fazë njeriu e ka humbur fare veten e tij të mëparëshme . Nuk ka familje, nuk ka shokë të pastër, por vetëm shokë – interesi. Mund të themi se faza e orgazmës është faza e degjenerimit. Njeriu është shndëruar plotësisht. Nuk mban më asnjë tipar të karakterit të vet.
Për shumë persona me pushtet në Shqipëri, faza e orgazmës është faza e parë e puhtetit. Niveli i eksitimit është kaq i lartë, saqë dy fazat e para konsumohen që para marrjes në dorë të pushtetit.
Në fazën e shpërbërjes pushteti fillon të degradohet. Njeriu me pushtet fillon të kuptojë realitetin; të kuptojë se lartësimi i tij ka qenë i shtirur. Shoqëria e tij e re ka qenë nën ndikimin e interesave. Tani fillon të kuptojë rëndësinë e familjes dhe të shoqërisë së vjetër. ثshtë faza e keqardhjes dhe e vuajtjeve.
Faza e shpërbërjes është një fazë që njerëzit e fortë përpiqen ta mbajnë të fshehtë. Kjo është një fazë, që njerëz të tjerë jo vetëm që nuk përpiqen ta kuptojnë por e perceptojnë si një humbje për vet shtetin ose shoqërinë që kanë drejtuar, dhe jo si një humbje të pushtetit të tyre. Në shoqërinë tonë shqipëtare, vetëlartesimin ekziston edhe në fazën e shpërbërjes. Duke qenë se jemi një shoqëri ku njerëzit kanë më shumë komplekse, atëherë ata përdorin më shumë mekanizma mbrojtëse të tipit të mohimit të realitetit (sipas mekanizmave mbrojtës të Frojdit).