Pse nuk na pranohen duat???

con man

Anëtar i ri
Pse nuk na pranohen duat???

Shkruan: Hamdi NUHIJU

A je ndalur ndonjëher të mendojsh me kokën tënde të thjesht dhe zemrën tënde të pastër, se pse nuk të pranohen duat? A`thua vallë ke bërë diçka jashtë rrugës së Tij që Zoti të mos t`i pranoj duat ty? Duaja është kulminacioni i lidhjes dhe besimit të një besimtari në raport direkt me Zotin e tij. Ajo është gjeneza e botëkuptimit ideor dhe metafizik të krijesës së quajtur njeri. Përmes duas njerëzit i perceptojnë vlerat e vërteta, dhe njëashtu njeriu është në afri me Krijuesin e tij , aty ku perdeja nuk njeh vend. Duaja është elektriciteti i botrave që përçon konceptet dhe sfidat e jetës së njeriut në këtë glob. Sikur të mos ekzistonte ajo, sigurt edhe ekzistenca e njeriut nuk do të kishte kuptim në këtë dynja. Duaja ia rritë vlerën njeriut karshi krijesave tjera. Ajo tregon se njeriu mund të gaboj, ka logjikë, ka vetëdije, është mëkëmbës i Zotit mbi tokë. Po si e tillë, ajo mund të luaj edhe rrolin ndërveprues që glorifikon sakrificën e njeriut për momentin ose egon. Allahu i Madhnueshëm në shumë vende në Kur`an e përmendi lavdinë dhe rëndësinë e duas për njeriun. Njeriu veçon njësimin e Allahut në zemrën e tij mu përmes duas. Sikur të mos veçonte sigurt që do të jetonte i humbur në këtë dynja dhe i humbur do të ishte përgjithmonë edhe në ahiret. Nuk ka dyshim se Allahu është Falës, Mëshirues, pranues i Pendimit! Ai falë të gjitha mëkatet, përveç mëkatit më të madh në rruzullin tokësor, përshkrimi shok Allahut xh.sh.

Ai thotë në Kur`an:”46:5. Kush është më i humbur se ai që pos All-llahut lut diç që nuk i përgjigjet atij deri në kijamet, pse ata (që luten) janë gafilë ndaj lutjes së tyre.”

Lutjes sonë drejtuar Allahut nuk duhet që t`i bashkojmë edhe ndonjë krijesë ose objekt e send që ne duhet të shpresojmë tek ai send, krijes, ose objekt për ndihmë dhe ta barazojmë me fuqinë dhe lartmadhërinë e Allahut xh.sh.
Lutjes sonë nëse i bashkangjesim edhe dikënd tjetër përveç Allahut Fuqiplotë normal që ajo lutje ose dua nuk ka asnjë teori që të na pranohet. Ekuilibri i botës i vënduar nga ana e Allahut të Plotëfuqishëm nuk mundet që të ç`ekuilibrohet nga distanca dhe mendimi i njerëzve se ekziston edhe një fuqi tjetër në këtë botë të njejtë me fuqinë e Zotit. Por, normal ky mendim dhe ky distancim i krijesave të Zotit në kundërshtim me urdhëresat e Tij ( Allahut Fuqiplotë), është vetëm në dëm të tyre dhe të askujt tjetër. E dëmi i shprehur në veten e tyre është më i dhimbshur dhe me pasoja marramendëse edhe për tërë shoqërinë. Zinxhiri i lidhjes së njeriut me njeriun dhe krijesat tjera në rruzullin tokësor është aq i gjatë sa edhe efektet e mospranimit të duas tonë ndikojnë dhe reflektojnë direkt mbi ardhmërinë dhe dihotominë e krijesave tjera. Ky zinxhir nuk kërkon shkëputje prej këtij karavani të gjatë dhe të mundimshëm, karavan në të cilin kalon besimtari i denjë me thirrjen në rrugën e Zotit. Sikur të shkëputej dikush prej këtij zinxhiri do të ndjente veten larg rrugës së shpresës dhe sakrificës për hir të Lartmadhërisë së Tij, Allahut të Plotëfuqishëm. Shpresa dhe sakrifica të ndara njëra prej tjetrës si dy pole të kundërta, por në një vend të vënduara si eklips i gjenezës së njerëzve, duhet që të gjenerojnë thirrjen e njeriut në kthim në esencën e jetës.

Allahu thotë në Kur`an:” 29:65. (Idhujtarët e dinë për All-llahun pse) Kur hipin ata në anije (u këputet lidhja me tokën dhe frikësohen) i luten sinqerisht All-llahut, e kur i shpëton ata (dhe dalin) në tokë, qe, po ata të njëjtit i lusin idhujt!”

Edhe pse idhujtar dhe të humbur në besimin dhe rrugën e tyre ata kanë frikë prej dikujt që është në qiell dhe që zotëron gjithëçka që syri arrinë dhe nuk arrinë ta perceptojë. Por, një rrugë e këtillë e gabuar nga ana e tyre sjellë vetëm dëm në shoqërinë njerëzore dhe ky dëm rritë efektet negative në shoqëri. Përshkrimi i idhujtarëve në këtë formë të cilët mund për një çast të vetëm si rezultat i frikës të kenë edhe sinqeritet në to, na hap horizontet e perceptimit dhe thellimit në burimet e defekteve në shoqërinë tonë moderne. Edhe pse kjo shoqëri për ardhmërinë nuk do të jetë moderne, por ndoshta do quhet klasike ose edhe me ndonjë emër që përfaqëson të kaluarën. Ne kemi plotë idhujtar në mesin tonë, edhe pse janë të deklaruar me emër se janë musliman dhe për çdo ditë vijnë në xhami e falin bile së paku një namaz në ditë në xhami. Ato i luten Zotit, por këndej idhull e kanë bërë dashurinë, karrierën, famën, femrën, familjen, ideologjinë.... Duas tonë duhet që ti bashkangjesim edhe mbështetjen e plotë në Allahun e Plotëfuqishëm, nëse nuk kemi mbështetje në Të atëherë nuk do të arrinim në asnjë efekt nga duaja jonë e bërë. Asaj duhet që t`ia bashkojmë kontinuitetin dhe punën, përgaditjen e sakrificën. Nëse njërën prej këtyre elementeve e largojmë dhe abstrahojmë prej divergjencave të konsolidimit të vetes sonë karshi Allahut xh.sh. do të ishim si kafshët që jetojnë në këtë botë, kryejnë misionin e tyre, i janë të nënshtruara Allahut dhe atyre që Allahu ia nënshtroi këto kafshë, por mbi vete nuk kanë asnjëfarë përgjegjësie, sundimi, e logjike.
Në vazhdim do të mundohemi shkurtimisht t`i sjellim disa shkaqe se pse nuk na pranohen duat. Këto shkaqe që po ju përcjellim nuk janë të kualifikuara dhe mund të jenë edhe jo të sakta. Ne shpresojmë që t`ia qëllojmë diagnozifikimit të këtij problemi:
Pse nuk na pranohen duat???

Shkaku i parë - Mos Sinqeriteti

Ne shpesh bëjmë dua! Bile disa dua i përsërisim disa herë në ditë edhe atë jashta namazit, sepse kemi nevojë për to. Sikur të mos ishin duat ne do të shkëputeshim tërësisht prej esencës së Islamit dhe vetëdijes se jemi krijesa të Zotit e robër të Tij. Por, sa jemi të sinqert në atë që ne i lutemi Allahut xh.sh.? Me këtë dua të theksojë mangësitë tona e të bërit dua mbi baza të josinqeritetit. Këndej bëjmë dua për vëllezërit tanë e motrat tona, i themi se kemi bërë këtë dua për ty, në fakt ne ose kemi bërë tjetër dua, ose edhe nuk kemi bërë fare dua. E shpresojmë që duat tona të ndryshme prej asaj që ja kemi thënë vëllaut e motrës tonë do të na pranohen dhe bile i ngjallim shpresë vëllezërve tanë dhe motrave tona, në këtë formë ne krijojmë një distancë largësie midis vetes tonë dhe pranimit të duas nga ana e Allahut Fuqiplotë.

Shkaku i dytë - Mbështjetja në tjetërkend përveç Zotit

Tha Ai në Kur`an:” 6:41. Jo, vetëm Atij (All-llahut) do t’i luteshi, e nëse do Ai, ju heq atë për çka i luteni, e do t’i harronit ata (zota) që ia shoqëronit.”

Njerëzit të cilët kanë mbështetje në tjetërkënd përveç Zotit në fakt ato janë dështakët më të mëdhenjë në këtë botë dhe të humbur përgjithmonë në ahiret. Kam pasur eksperienca të ndryshme me disa koleg të mi në fakultet të cilët kanë dhënë shumë provime si rezultat i duave të tyre e jo mësimit, ndërsa mbasi kanë marrë notat kanë thënë, kjo gjë është se kam mësuar, jo se Zoti më ka ndihmuar. Tash nuk dua të justifikojë paaftësinë e studentave dhe mbështetjen e tyre vetëm në dua, por edhe nuk mund të pranojë një logjikë të atillë pa bazë të cilën logjikë na e kanë servuar një pjesë e madhe e studentave, por edhe e njerëzve të cilët derisa kanë hallë dhe kërkojnë që të kryejnë ndonjë punë të rëndësishme në jetën e tyre në vete i luten Zotit edhe pse këtë gjë se pranojnë karshi njerëzve, ndërsa kur dalin prej problemeve dhe halleve menjëherë i kthehen rrugës së kryelartësisë duke mohuar ndihmën e dhënë nga ana e Allahut Fuqiplotë. Njerëzit gjithmonë duhet të kenë mbështetje Zotin, nëse dëshirojnë që të arrijnë sukses në këtë botë dhe në ahiret. Normal për punët që kërkohet përgaditje do të përgaditemi, por mbështetje nuk do e kemi veten tonë , ose përgaditjen tonë në një sferë ose segment të caktuar të jetës, por mbështetje duhet ta kemi përgjithmonë Zotin, nëse dëshirojmë që të na pranohen duat.

Shkaku i tretë - Dëshpërimi nga mos përgjigja e shpejtë e duas

Ebu Hurerje r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë:” Secilit prej jush do t`i jepet përgjigja për aq kohë sa nuk është nxituar duke thënë:” Bëra dua”, por nuk mora përgjigje për të.”( Shih: Sëmundja dhe Ilaçi, Ibën Kajjim El- Xhevzi, Tiranë , 2006 , fq.15)

Urtësia e Zotit qëndron këtu, Ai nuk na përgjigjet menjëherë në secilën dua tonën, kështu matë durimin tonë dhe sakrificën në zgjidhjen e një problemi tonë. Kjo gjë është parametër për mbështetjen tonë të fuqishme në Zotin e Madhnueshëm dhe vizion për ardhmërinë tonë si misionar të Allahut në tokë. Sot, ne ndoshta kemi arritur shumë suksese në jetë jo si rezultat i mundit tonë të cilin padyshim Allahu nuk e humb, por e shpërblen, po këto rezultate janë si pasojë e duave të bërë të prindërve tanë, misionarëve që kanë shkel mbi këto troje, ose edhe nënave të tyre të cilat kanë pasur dert thirrjen islame dhe ummetin islam.

Thotë Allahu në Kur`an:” 40:50. Ata u thonë: “A nuk u patën arrdhur juve të dërguar tuaj me argumente të qarta?” Ata përgjigjen: “Po (na kanë ardhur)!”. “E pra, (u thotë roja) lutuni ju vetë, po lutja e jobesimtarëve është asgjë!”

D.t.th rruzullin tokësor në histori e kanë vizituar personalitete të cilët personalitete kanë thirrur në monoteizmin islam. Ato kanë ardhur me argumente të qarta dhe kanë ftuar njerëzimin prej errësirave të shumta në dritën e vetme. Ata kanë qenë të tillë që kanë bërë dua shumë dhe vazhdimisht pandërprerë për çështje të rëndësishme për njerëzimin dhe ummetin islam. Sikur të dëshpëroheshim nga mos përgjigja e shpejtë e duas atëherë edhe ekzistimi jonë në këtë botë nuk do të kishte kuptim. A nuk ishte Nuhu a.s. ai i cili iu lutë shumë Allahut xh.sh. për sukses në thirrjen e tij, ndërsa dijmë se sa ka pasur sukses ai në thirrjen e tij.... Nuk ka dyshim se Nuhu a.s. kishte mbështetje të fuqishme në Allahun dhe ai shpresonte se një ditë do të pranohen duat e tij, e kemi argumente plotë që me ardhjen e të Dërguarit të Fundit Resulullahit a.s. disa nga duat e Nuhut a.s. u pranuan tërësisht. Nuhu a.s. e llogariti veten dhe ishte pjesë e zinxhirit të të Dërguarve të Zotit në këtë njerëzi.

Shkaku i katërt – Mos kryerja e adhurimeve ndaj Allahut xh.sh.

Allahu tha në Kur`an: “17:78. Fale namazin kur zbret (nga zeniti) dielli, e deri në errësirën e natës dhe duke bërë lutjen (namazin) e agimit. Vërtet, lutja e agimit është e përcjellur.”

Namazi është njëra prej shtyllave të fesë. Ajo e dallon besimtarin prej jobesimtarit. Ditën e Llogarisë Resulullahi a.s. do i njoh besimtarët përmes shenjave të ujit që kanë kapërcyer në trupin e tij duke marrë abdes. Abdesi është çelësi i namazit. Namazi është vetëm njëra prej adhurimeve të shumta për të cilat obligohet muslimani për t`i kryer. Nëse i neglizhon ose nuk i kryen ato, atëherë çfarë kuptimi do të kishte jeta e tij në këtë botë që vetëm emri i tij i ka ngelur nga tradita islame? Po nëse e kryejmë namazin dhe nuk e japim zekatin atëherë nuk e kemi të kompletuar besimin tonë. Nëse i kryejmë të gjitha këto, por dyshojmë në kadanë dhe kaderin e Zotit, në xhennetin dhe xhehenemin e Tij, atëherë ne kemi probleme serioze me besimin tonë në Allahun Fuqiplotë. Lutja jonë do të ishte e kotë dhe e pavlefshme nëse kësaj nuk ia bashkojmë kryerjen e adhurimeve ndaj Krijuesit të botrave.

Shkaku i pestë – Mendjemadhësia

Njëra prej veseve më të këqija e cila iu është paraqitur krijesës së quajtur njeri është edhe mendjemadhësia me të gjitha degët e saj. Djalli u bë djall mu si rezultat i vetëpëlqimit dhe mendjemadhësisë së tij. Allahu nuk ia pranon duat të varfurit mendjemadh. Kështu njëherë na patë mësuar Resulullahi a.s. Mendjemadhësia e cila është e përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë është njëri prej shkaktarëve kryesor ose kyç në mospranimin e duas sonë nga ana e Allahu Fuqiplotë. Ne nuk duhet që të jemi krenar mbi tokë dhe ta llogarisim veten Sundues. Sunduesi i botrave është Allahu Fuqiplotë. Ne jemi robërit e tij. Kur ta kuptojmë këtë gjë nuk do të ishim mendjemëdhenjë dhe mësiguri se të gjitha duat tona të bëra Allahut Fuqiplotë do të na pranoheshin.

Ka edhe një numër të madh shkaqesh që çojnë drejtë mospranimit të duas sonë bërë Allahut Fuqiplotë, por ne do të ndalemi këtu duke shpresuar në shpërblimin e Allahut Fuqiplotë.

Thotë Ai në Kur`an:” 10:10. Lutja e tyre aty është: “I lartë je o All-llah!”, e përshëndetja e tyre është: “Selam!” dhe lutja e fundit e tyre: “Falënderimi i qoftë All-llahut, Zotit të botëve!”
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top