Pse nuk ka të drejtë Rudina, për gratë e dhunuara!

AnGeLiC

VIP
V.I.P
Liljana-Ruko-1-678x381.png

Nga Luiza Pinderi

Shkrimi i Rudina Xhungës “Mos paç fatin e Liljanës!”, më risolli në mendje disa kujtime dhe u dha jetë disa pyetjeve. Menjëherë i shkrova Rudinës dhe e pyeta: A ke qenë ndonjëherë një grua e dhunuar?

Ajo m’u përgjigj me pyetje: Nëse nuk e provoj dhunën, nuk mund të shkruaj për të?

I thashë se është e vështirë zgjidhja që sugjeronte ajo, largimi i gruas me fëmijët. Nëse nëna ime do të kishte bërë këtë gjë, nuk arrij ta mendoj se çfarë mund të kishte ndodhur me mua.

Përgjigja e saj më zuri ngushtë, “të flasësh është kryesorja. Nëse nuk flet, vdes”.

E pranoj që kjo është pjesë e zgjidhjes, por nuk është zgjidhja. Nuk ka rëndësi vetëm të flasësh, rëndësi ka të dëgjohesh. Që të ketë komunikim duhet të ketë një dhënës dhe një marrës. Në vendin tonë nuk ka marrës, shteti është i shurdhët, shoqëria është e shurdhët, ne të gjithë jemi të shurdhët.

Liljana foli, shkoi në Polici, denoncoi dhunën. Pasi burri e qëlloi, e la pa ndjenja, e kapi prej këmbësh dhe e hodhi me kokë poshtë nga kati i katërt, filluan të dalin detaje më tronditëse, se kjo vdekje makabre.

Doli se kishte një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata, por sipas ministrit Tahiri ky urdhër nuk kishte mbërritur në polici.

Pra policia që kishte për detyrë ta mbronte, përveçse përgjegjësi institucionale, kishte edhe përgjegjësinë morale, sepse Liljana i foli. E mori guximin, la pas frikën, la pas fjalët e dynjasë, mendoi për fëmijët, mendoi për veten. Para se ta vriste burri, e vrau policia, gjykata, institucionet, e vrau shteti.

Një tragjedi e tillë ndodhi edhe në Korçë. Qyteti u trondit nga tre të vdekur. Babi vrau veten dhe fëmijët, se i kishte ikur gruaja nga shtëpia.

Kjo është maja e ajsbergut, por sa e sa problem sociale, ekonomike fshihen pas saj. Edhe kjo nënë e denoncoi burrin në polici. Edhe ajo shkoi t’i merrte fëmijët e vet para pak momentesh, se ata të jepnin frymën e fundit. As për të nuk pati zgjidhje përveç vdekjes, humbjes së më të shtrenjtëve.

E sa gra të tjera kanë derdhur gjakun e tyre, kanë nxjerrë lotët, kanë nxirë trupin, kanë vrarë shpirtin.

Disa nuk kanë folur se nuk kanë kujt t’i flisnin. E të tjera kanë folur e nuk janë dëgjuar.

Sepse nuk mjafton të flasësh e të bëhesh personazh, të lotohet gjithë dynjaja për problemin tënd, e pas tre ditësh të kthehesh në batakun ku jeton. Ti fol, kërko ndihmë, lufto për të ndryshuar jetën tënde. Mbroje jetën, mbroje familjen, mbroji fëmijët. Por t’i ke nevojë të dëgjohesh.

Kjo është një thirrje për ata që duhet të dëgjojnë.

Për mediat që duhet t’i ndjekin më shumë rastet. Ashtu siç të nxjerrin vetëtimthi, kur ty të hedhin nga kati i katërt, ashtu le të nxjerrin varfërinë, problemet sociale. Dhunën që ushtrohet pambarimisht dhe që nuk të lejon të ngresh kokë. Të nxjerrin mohimin e ndihmës, nga miqtë, të afërmit, komshinjtë.

Shumica e krimeve, vrasjeve, ndodhin për shkak të varfërisë. Për shkak se nuk arrijnë të sigurojnë një minimum jetese. Liljana me familjen ishte kthyer nga Gjermania, i ishte refuzuar azili. U largua nga lluca dhe u rikthye për tu varrosur përjetësisht në të.

Nuk është problem i Liljanës, as i Ferdinandit, as i dy jetimëve. Ky është problemi ynë, i shoqërisë shqiptare. ثshtë problem i të gjithë atyre që kanë mundësi të ndihmojnë. I atyre që shikojnë pak më shumë se pragu i shtëpisë së tyre. Sot ishte Liljana, por nesër mund të jetë motra, vëllai, nëna, shoqja apo komshia jote.

Të nderuar politikbërës, e di që ju nuk do të prekeni nga varfëria. E për rrjedhojë mendoni se nuk do të prekeni nga vrasja. Por kurrë nuk do t’i shpëtoni vdekjes. Ju lutem jepuni edhe këtyre njerëzve një vdekje dinjitoze.

Rishikoni politikat sociale, dhënien e asistencës për familjet në nevojë. Kushtojuni më shumë rëndësi papunësisë e mundohuni tu jepni pak më shumë shpresë. Ju doni pushime, doni luks, darka e dreka. Këta duan një vakt në shtëpi. Nuk zhduket varfëria me bamirësi, as me fjalë, as me tregime. Kërkon investim, vende pune, arsimim, kërkon vëmendje dhe bashkëpunim.

Kërkon dashuri për njerëzit, për jetën. Duajini shqiptarët tuaj!/dritare.net
 

Konkursi Letërsisë

  • U be kohe.

    Votat: 4 21.1%
  • Zbrazëti e pashpjeguar.

    Votat: 6 31.6%
  • Fëmijëria ime

    Votat: 6 31.6%
  • Imja bukuroshe

    Votat: 3 15.8%
Back
Top