Pse njerëzit ndihmojnë?!
Përse si individë, angazhohemi në një sjellje që i bën mirë tjetrit, por në anën tjetër kërkon vetsakrificë të madhe dhe nuk sjell përfitim për vehten tonë?! Imagjinoni të jeni dëshmitar të një zënke në rrugë, apo të shihni se si një burrë e maltreton një grua, apo një nënë e rrah një fëmijë në rrugë?! اfarë do të bënit? Do të ndihmonit? Po sikur ata të fillojnë të ju sulmojnë?! Psikologët social kanë qenë shumë të intriguar vite me radhë me sjelljen altruiste dhe motivimin për të ndihmuar tjetrin. A jemi ne njerëzit vërtetë altruistë – të motivuar për të ndihmuar dhe ngritur mirëqenien e tjetrit, apo ndihmojmë për arsye egoiste – të motivuar nga dëshira për të ruajtur apo ngritur mirëqenien tonë?
Shumë studime janë kryer për të gjetur përgjigjen në këto pyetje, dhe është zbuluar se njerëzit janë të motivuar nga një numër i madh i faktorëve – disa altruiste e disa egoiste. Sipas disa studimeve, njerëzit mësohen të ndihmojnë të tjerët, në të njëjtën mënyrë sikurse mësohen të bëhen agresivë apo vetiakë – do të thotë përmes edukimit, imitimit dhe modelit të sjelljes që e shohin tek të tjerët gjatë procesit të formimit të tyre. Disa studime tjera, thonë se njerëzit brengosen nga shqetësimet e të tjerëve (Eisenberg and Fabes, 1991). Kjo brengë prodhon emocione të ndryshme dhe mënyra se si ne i interpretojmë këto emocione, e formëson natyrën e sjelljes tonë pro sociale. Njerëzit ndihmojnë për arsye se kjo konsiston me një sjellje të duhur sociale. Përmes socializimit dhe edukimit tonë moral, ne i brendësojmë standardet e sjelljes së duhur sociale, dhe pastaj e përjetojmë këtë si obligim për të vepruar (Alper, 1985). Ne ndihemi mirë për vehten, kur veprojmë në pajtim me këto parime dhe na brenë ndërgjegja kur nuk e bëjmë këtë.
Por, a jemi gjithnjë të motivuar nga dëshirat altruiste, jo-vetiake dhe të orientuara drejt mirëqenies së tjetrit, apo ndodhë që të jemi të motivuar edhe nga dëshirat vetiake, egoiste për t’u ndjerë vet më mirë? Hulumtimet tregojnë se ndonjëherë njerëzit janë të motivuar nga altruizmi, por shumë më shpesh janë të motivuar nga brengat egoiste. Të ndihmosh tjetrin ndikon në disponim dhe na bën të ndihemi më mirë. Por, bëmirësia e vërtetë është kur njeriu ndihmon, sepse ka brengë empatike, edhe në rastet kur ky veprim nuk e bën të ndihet mirë, por përkundrazi i vazhdon brenga për mirëqenien e tjetrit.
Empatia na bën të ndjejmë botën e tjetrit dhe ta shohim jetën siç e sheh tjetri. Kur ndjejmë këndvështrimin e një personi nevojtar, atëherë e ndjejmë nevojën dhe obligimin për ta ndihmuar dhe veprojmë në bazë të asaj. Empatia ka ndikim mendor, meqë e pajis bëmirësin potencial me informata që e bëjnë atë të kuptojë se duhet të reagojë për mirëqenien e tjetrit.
Në anën tjetër, empatia poashtu na bën të identifikohemi me personin tjetër dhe të ndjejmë një shqetësim të tmerrshëm fiziologjik, dhe kur ne veprojmë që të ndihmojmë tjetrin, nuk na intereson shumë domethënia që ka pasur ajo ndihmë për personin nevojtar, por fakti se ndjejmë nevojë që të zvogëlojmë atë shqetësim që po e ndjejmë, në mënyrë që vet të ndihemi më mirë. Ndaj, empatia ka edhe ndikim emocional, meqë e pajis bëmirësin potencial me një shqetësim të madh që e qon atë drejt të ndihmuarit të tjetrit për të zvogëluar atë shqetësim.
Faji që ndjejmë kur i shkaktojmë dhimbje një personi tjetër, është një motivues shumë i fuqishëm. Njerëzit kanë më shumë gjasa t’i ndihmojnë të tjerët kur ndjejnë se në një formë apo tjetër, i kanë lënduar ata persona. Pyetja qëndrore këtu është: përse njerëzit ndihmojnë kur ndihen fajtor? A thua duke kryer një vepër të mirë sociale, njerëzve iu kthehet vetbesimi dhe i rregullohet përceptimi për vehten? Kur lëndojmë tjetrin, apo jemi dëshmitarë të një sjelljeje të tillë, ne ndjejmë faj dhe mërzi, pra jemi të motivuar që të reduktojmë atë sjellje në mënyrë që të ndihemi përsëri mirë. Për t’u ndjerë mirë përsëri, ne ndihmojmë tjetrin, andaj motivi ynë për të ndihmuar, në parim është motiv egoist dhe i udhëhequr nga vet-interesi jonë.
Në anën tjetër, altruizmi nënkupton sjelljen që e bëjmë në përfitim të tjetrit, e që nuk presim shpërblim për vehten (Macaulay and Berkoëitz, 1970). Të përceptuarit e nevojave të tjetrit së bashku me afërsinë që ndjejmë për atë person, gjeneron tek ne një brengë empatike, që evokon më tutje motivimin altruist. Personi i motivuar në aspektin altruist, i ndihmon tjetrit kur kjo është e mundur, kur përcepton se kjo ndihmë është përfituese për tjetrin dhe kur personi tjetër përfiton më shumë se vet në.
Sido që të jetë, për të qenë në gjendje për të ndihmuar dikë, ne kalojmë nëpër disa faza. Së pari duhet të vërejmë se diçka po ndodhë dhe t’i kushtojmë vëmendje asaj situate. Pastaj, të interpretojmë atë situatë si të rrezikshme apo dëmtuese për tjetrin, dhe në fund t’a ndjejmë përgjegjësinë. Nëse gjatë njërës prej këtyre fazave vërejmë se dikush tjetër po ndihmon, atëherë në ne shuhet ndjenja e fajit dhe përgjegjësisë, dhe heqim dorë nga ndihma. Psikologët socialë kanë zbuluar përmes hulumtimeve të ndryshme, se sa më shumë njerëz që janë të pranishëm në një situatë, aq më pak janë gjasat që dikush prej tyre të ndihmojë. Këtë e kanë quajtur efekti i spektatorit, dhe mendohet se ndodh për shkak se kur jemi në grup nuk e ndjejmë përgjegjësinë e plotë, meqë përgjegjësia për reagim shpërndahet mes disa personave. Ndaj, çdo anëtar i atij grupi mban vetëm një pjesë të përgjegjësisë dhe për pasojë, askush nuk jep ndihmë.
Shtytës të veçantë në ndihmë janë feja dhe besimi në Zot, që shihen si motivues të mëdhenj për t’u angazhuar në sjellje prosociale, qoftë kjo për shkak të besimit të vërtetë në Zot dhe në bëmirësi, qoftë për shkak të nevojës për të pastruar shpirtin dhe për të zvogëluar frikën nga dënimi. Feja e mbështet altruizmin si veprim i mëshirës dhe dashurisë vëllazërore, dhe avokon mbi solidaritetin (Dragoti, 1999).
Shtytës tjetër në bemires, janë vet tiparet dhe karakteristikat e personalitetit. Shumë psikologë janë interesuar për identifikimin e ndryshimeve mes njerëzve, në aspektin e tipareve të karakterit dhe personalitetit të tyre. Ne nxjerrim përfundime për këto tipare të njerëzve varësisht nga sjelljet e tyre në ambiente të ndryshme. Një shumëllojshmëri e tipareve të personalitetit mund të ndikojë në sjelljen prosociale, posaqërisht në bashkëveprim me disa faktorë ambientorë (Schwartz and David, 1976; Wilson, 1976; Staub, 1978). Hulumtimet shpalosin që ka njerëz të cilët janë të prirur të ndihmojnë njerëzit e shqetësuar, e bëjnë këtë në çmim të vehtes.
Megjithatë, nuk pajtohen të gjithë psikologët me nocionin se sjellja njerëzore është konsistente dhe stabile në mënyrë që të vijmë deri në përfundime konstante. ثshtë fakt i ditur se kur jemi të disponuar dhe na shkojnë punët mire – harrojmë shqetësimet e të tjerëve, “harrojmë” t’i lutemi Zotit, harrojmë… ose nuk duam t’ia dimë meqë na lëkundet disponimi. Por, kur jemi të shqetësuar vet, të kapluar nga problemet dhe brengat e jetës, i drejtohemi edhe Zotit për ndihmë, e edhe i ndihmojmë nevojtarët – qoftë financiarisht, qoftë në aspekte tjera – me shpresën se “duke bërë mirë, do të gjejmë mirë!”. Ndaj, edhe nuk mund të flasim për një sjellje konsistente tek njerëzit në këtë aspekt.
Ajo “puzzle” se pse njerëzit ndihmojnë, ende nuk është përfunduar. Kjo puzzle ka pjesët e veta mendore dhe emocionale. Ende debatohet mes altruizmit të vërtetë dhe instinkit egoist. Por, ajo që nuk duhet të harrojmë, është që edhe vet motivimi egoist për t’i ndihmuar dikujt, në esencë konsiston në një sjellje prosociale. Rezultati përfundimtar është që kemi ndihmuar dikend dhe kemi arritur t’i ulim brengën apo shqetësimin. Ekziston mundësia që në krye të kësaj ndërvarshmërie me përfitim të dyanshëm, jeton edhe altruizmi i vërtetë.
Sjellja prosociale është qenësore për funksionimin e një grupi social dhe për mirëqenien e anëtarëve individual të atij grupi. Në nivelin më fundamental, shoqëria njerëzore është e bazuar në vullnetin e njerëzve për të punuar me njëri – tjetrin dhe për ti ndarë të mirat e asaj pune. Mbetet pikëpyetje se sa do të mbijetojë një shoqëri nëse njerëzit nuk marrin përgjegjësinë për t’u kujdesur për mirëqenien e tjetrit dhe për të vepruar në mënyra pozitive dhe ndihmuese.
Blerta Perolli Shehu,Master i Shkencave Psikologjike