Pse Libia (nuk) e njeh Kosovën

Kresha

A pretty face can never trick me
Burime zyrtare libiane kanë bërë me dije që Gadafi nuk ka asgjë kundër pavarësisë së Kosovës.


Shkruan: Daut Dauti

Marrë nga gazeta ditore kosovare "Zëri", 08.04.2010



Në mesin e shumicës së shqiptarëve mbretëron bindja se udhëheqësi i Libisë, Gadafi, është ende në dashuri me ish-Jugosllavinë dhe me Lëvizjen e të Paikuadruarve. Prandaj, Gadafi (Gadafi është Libia dhe Libia është Gadafi), dashurinë e tij për ish-Jugosllavinë e ka transferuar mbi Serbinë, duke e konsideruar këtë shtet si trashëgimtar të shtetit të mëparshëm jugosllav. Kjo është e vërtetë.

Duke u bazuar në këto fakte, shumica e shqiptarëve mendojnë që Gadafi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të dashurisë që ka për Serbinë. Kjo nuk është e vërtetë.

Ekziston një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, të cilët në hierarkinë e pushtetit të Libisë kanë qasje deri në zyrën e Gadafit. Të gjithë këta, së bashku me zyrtarët libianë, fajin e mosnjohjes së Kosovës ua lënë zyrtarëve të shtetit të Kosovës.

Interesimi i Gadafit për Kosovën, siç mund të na kujtohet, daton nga fillimi i shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. ثshtë e ditur që në atë kohë delegacione të ndryshme nga Kosova kanë vizituar Libinë dhe kanë takuar zyrtarët më të lartë të këtij shteti. Në fillim të viteve ‘90, Gadafi ka dërguar këshilltarë për t’u takuar me udhëheqësit e Kosovës. Qëllimi i Gadafit ka qenë që Kosovës t’i ofrohet ndihmë (armë dhe para) në rast se luftohej për çlirim kundër Serbisë. Siç dihet, nuk pati kush nga Kosova që guxoi të pranonte ofertën e Gadafit. Dhe, ishte shumë mirë që në atë kohë Kosova nuk kishte burra “trima” që guxonin të bënin marrëveshje me Gadafin, i cili, ngase përkrahte terrorizmin, shihej me sy të keq nga shumica e botës, sidomos nga amerikanët dhe britanikët. Që nga atëherë e deri më sot, zyrtarët libianë kot janë munduar të takohen me zyrtarët e Kosovës.

Kjo pozitë refuzuese e Kosovës ndaj Libisë vazhdon të funksionojë edhe sot. ثshtë shumë vështirë të dihet se çka qëndron prapa, apo cila është arsyeja e këtij qëndrimi. Mirëpo, kjo pozitë është e vështirë për t’u arsyetuar kur dihet që viteve të fundit gjendja e Libisë në marrëdhëniet ndërkombëtare ka ndryshuar shumë nga ajo në të cilën gjendej deri në vitin 2006, kur këtij shteti iu hoqën sanksionet tërësisht. Tashti gjërat kanë ndryshuar dhe Libia është në marrëdhënie të mira me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe dhe pothuaj me të gjitha shtetet e tjera evropiane, të cilat nxitojnë të marrin pjesë në kulaçin e investimeve në këtë shtet. Në mënyrë ironike, disa kritikë kanë theksuar se zyrtarët e Kosovës nuk janë në dijeni të këtij fakti pasi që angazhimi ndërkombëtar i Kosovës vuan nga një plogështi e rëndë.

Burime zyrtare libiane me kontaktet e tyre të Kosovës kanë bërë me dije që Gadafi nuk ka asgjë kundër pavarësisë së Kosovës. Ai vetëm ka kërkuar një letër shtesë apo edhe ndonjë takim me zyrtarët e lartë të Kosovës. Ai nuk e ka pranuar letrën e Qeverisë së Kosovës e përpiluar në “shabllon”, e cila letër (e njëjtë) me rastin e shpalljes së pavarësisë u është dërguar të gjitha shteteve. Madje, sipas zyrtarëve libianë, kjo letër nuk i është dërguari Gadafit, por një zyrtari të parëndësishëm, i cili ulet diku pas dere në Ministrinë e Jashtme të këtij shteti. Gadafi, nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës (këta duhet të jenë Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi) ka kërkuar letër “mustekil”, e cila nuk i është dërguar deri më sot.

Një letër të ngjashme për nga niveli funksional, të dërguar nga kryetari i Parlamentit të Kosovë, i është dorëzuar Gadafit në muajin shkurt nga një i dërguar i posaçëm nga Kosova i ngarkuar për lobim në vendet arabe. Këtë letër, sipas të gjitha gjasave, e ka lexuar Gadafi, por ka refuzuar të përgjigjet meqë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, nuk e ka konsideruar për homolog. Kjo letër ka mbetur pa përgjigje pasi që Libia nuk ka parlament apo diçka tjetër që i përngjan këtij organi.

Njohja që do t’ia bënte Libia ekzistimit dhe funksionimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, nuk do ta kishte domethënien e njohjes vetëm të këtij shteti. Libia dhe udhëheqësi i saj Gadafi, me gjithë personalitetin e tij kontrovers, ka ndikim në shumë vende afrikane dhe arabe. Një gjë e këtillë është vërejtur edhe në Konferencën e Islamike që u mbajt para disa ditësh në Libi, dhe ku për shkak të Gadafit, por edhe disa të tjerëve, çështja e Kosovës nuk hyri në rend të ditës as për diskutim. Ky rast duhet të merret seriozisht pasi që vërteton se Kosova ka probleme serioze në paraqitjen e saj në një pjesë të madhe të botës, e cila përfshin pothuaj tërë kontinentin e Afrikës dhe atë të Azisë.

Megjithatë, në këtë konferencë, Gadafi nuk e la pa e përmendur Kosovën. Ai, duke folur për shpërbërjen, kësaj radhe të Nigerisë, propozoi që edhe ky shtet të zhbëhet si Jugosllavia, nga e cila dolën shtete, “përfshirë Kosovën, pavarësia e së cilës ende nuk është njohur unanimisht”. Nëse e përcjellim retorikën e tij, shohim që ai kurrë nuk është deklaruar kundër pavarësisë së Kosovës. Madje, në Libi, kundër pavarësisë kurrë nuk janë shprehur as intelektualët e as shtypi i këtij vendi, siç ka ndodhur në Egjipt, ku edhe shtypi edhe politika zyrtare, jo që kanë qenë kundër pavarësisë së Kosovës, por dolën edhe në përkrahje të Serbisë.

Ndoshta Behgjet Pacolli është ai i cili më së miri e di arsyen që Gadafi refuzon ta njohë Kosovën pasi që deri më sot ky mbetet politikani i vetëm që ka takuar udhëheqësin e Libisë. Nga deklaratat e tij dhe nga ajo që mund të marrim vesh nga shtypi e burime të tjera, jemi të shtyrë të mendojmë që Gadafi është i hidhëruar në udhëheqësit e Kosovës (madje më shumë se vetë qytetarët e Kosovës). Edhe nëse ndodh që Gadafi të pajtohet, ai me siguri ka për t’i lënë udhëheqësit e shtetit të Kosovës të presin në gjunjë nën diellin përcëllues duke pritur para hyrjes së “shatorit” të Gadafit për të dorëzuar kërkesën për njohje të pavarësisë.
 
Back
Top