Abstrakt
😉
PSE DUHET TË JEMI SHEMBULLI I NJË MORALI TË BUKUR?
By“Asnjë prind nuk mund t’i lërë fëmijës së tij një trashëgimi më të mirë se sa morali i bukur.” (Tirmidhiu, Birr, 33)
Nuk ka asnjë fe apo sistem tjetër që e ka vlerësuar moralin e mirë aq sa feja jonë Islame. Në këtë kuptim, Pejgamberi (a.s.) tha: “Islami është moral i mirë”. Të kesh moral të mirë është manifestimi më i mirë i të qenit musliman. I Dërguari i Allahut ka shumë fjalë të bukura që nxisin moralin e mirë.
Për shembull ai ka thënë se “Besimtari më i pjekur në besim është ai i cili zotëron moral të mirë”, dhe kjo tregon për ndikimin që ka morali i mirë mbi besimin. Po ashtu Pejgamberi (a.s) në hadithin e mëposhtëm na tregon se mënyra më e mirë për të qenë afër tij është të jemi me moral të bukur: “Ata që i dua më së shumti dhe që do jenë më afër meje në Ditën e Gjykimit janë ata me moralin më të mirë.”
Në librin tonë të shenjtë, në Kur’an ka shumë ajete të cilat nxisin shembullin e një morali të mirë me anë të drejtësisë, mbajtjes së premtimeve, të qenit falës, përulësisë, bindjes ndaj prindërve, besueshmërisë, dashurisë, vëllazërisëa, paqes, vërtetësisë, bujarisë, mëshirës, tolerancës, fjalëve të buta, humorit të mirë dhe zemrës së pastër. Mirëpo, ka edhe shumë vargje që ndalojnë zakonet dhe sjelljet e këqia si: mizoria, kotësia, zilia, përgojimi, fjalimi vulgar, mërzia, koprracia, egoizmi, xhelozia, mendjemadhësia, inati, dyshimi i keq, ekstravaganca dhe keqbërja. Të gjitha këto tregojnë se sa rëndësi i jep feja jonë moralit të mirë.
Atëherë pse duhet të kemi moral të mirë? Le ta trajtojmë këtë në disa pika:
- Sepse feja jonë i ka dhënë rëndësi të madhe marrëdhënieve ndërpersonale si dhe adhurimit, dhe nuk është e mundur që ata që nuk kanë moral të mirë ta jetojnë fenë e tyre plotësisht.
- Sepse vetë Pejgamberi ynë përfaqësonte moralin e mirë. Për t’u përgatitur për në Xhenet, është e nevojshme të moralizohemi me moralin e tij. Allahu përmend në Kur’an se Profeti është shembulli më i mirë për të gjithë besimtarët. Në një ajet tjetër thuhet: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali”. Megjithatë, është e mundur të jetohet ashtu siç ka jetuar ai vetëm duke e pasuar moralin e lartë të Pejgamberit tonë.
- Sepse një besimtar mund të ngrihet në nivelin e njerëzve që janë thelluar në adhurim me moral të mirë. Profeti ynë (a.s.) e shpjegon këtë në një nga hadithet e tij: “Falë moralit të mirë, një njeri mund të arrijë në gradën e një personi që falet natën dhe një agjëruesi i cili qëndron i etur në vapë përvëluese.” Kjo nuk duhet keqkuptuar. Adhurimi është shumë i rëndësishëm në aspektin e shfaqjes së nënshtrimit ndaj Allahut. Megjithatë, një besimtar që jeton mes njerëzve duhet të respektojë edhe sjelljet, e duhet t’u kushtojë vëmendje marrëdhënieve ndërpersonale. Kur ai e bën këtë, me fjalë të tjera, kur ka moral të mirë, adhurimi i tij do të përmbushet në kuptimin më të përsosur dhe të plotë.
- Sepse morali i mirë i mundëson besimtarit të hyjë në Xhenet. Kur i Dërguari i Allahut u pyet për veprat që do t’i vendosin njerëzit më së shumti në Xhenet, ai tha: “Takvaja (vetëdija) ndaj Allahut dhe morali i mirë.”[1] Kjo tregon se sa i rëndësishëm është morali i mirë së bashku me adhurimin dhe se ato mbartin një veçori që do t’i çojë njerëzit në Xhenet.
- Sepse morali i mirë tregon se imani dhe besimi[2] janë të pjekur dhe të përsosur. Pejgamberi ynë flet për dy tipare që nuk mund të gjenden tek një besimtar dhe thotë se këto janë koprracia dhe morali i shëmtuar. Përsëri, Profeti thotë se besimtarët më të mirë në aspektin e besimit janë ata që janë më të mirët në moral.
- Morali i mirë është edhe bindje ndaj Allahut. Me fjalë të tjera, të kesh moral të mirë do të thotë të adhurosh. Sepse Profeti tha se adhurimi më i lehtë për t’u bërë pa u lodhur është të mos flasësh fjalë boshe dhe të kesh moral të mirë.
- Sepse morali i mirë është shenjë e dashurisë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij të dashur. Hadithi, i cili thotë se ata që janë më të afërt me Profetin tonë në Ditën e Gjykimit do të jenë ata me moralin më të mirë, e zbulon këtë qartë. Kur Allahu e do një rob, Ai i dhuron atij moral të mirë.
- Sepse morali i mirë bën që te njeriu të largohen mëkatet ashtu siç shkrin dielli acarin. Ashtu si uji shkrin akullin, morali i mirë shkrin mëkatet. Pejgamberi ynë thotë se morali i keq do t’i prishë veprat e mira, ashtu siç uthulla prish mjaltin.
Asım Şark
Përktheu: Haki Sahitaj
[1] Tirmidhiu, Birr, 62.
[2] Në origjinal ‘iman’ dhe ‘inanç’. Të dy fjalët në gjuhën shqipe përkthehen si besim, por ka një dallim mes tyre. Imani ka të bëj me çështjet absolute të besimit apo doktrinës islame, ndërsa ‘inanç’ apo besim ka të bëj me të gjitha çështjet tjera të cilat ne i besojmë si të vërteta nga përvoja apo faktet në të cilat kemi arritur, por që mund të mos jenë absolute. Si p.sh kur themi: Besoj (inanıyorum) se ky mendimi është më i saktë. Ky mund të jetë një besim i imi, por jo domosdoshmërisht i gjithkujt për atë çështje (Shënim i prkth).