Porositë e fundit të Muhamedit alejhis-selam

Ado

FISEBILIL-LAH
Para vdekjes së Muhamedit alejhis-selam ndodhi Haxhi i Lamtumirës në të cilin zbriti ajeti kur’anor: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju islamin fe”.

E premte 20 Maj 2011 11:24

Kur dëgjoi këtë ajet, Ebu Bekri radijellahu anhu qau. Sahabët tjerë thanë: “O Ebu Bekr, çka të shtyri të qash? Ai është sikurse çdo ajet tjetër që i është zbritur Muhamedit alejhis-selam”.
Ai tha: “Ky ajet është paralajmërim për vdekjen e Muhamedit alejhis-selam”.
Muhamedi alejhis-selam u kthye prej haxhit në Medinë. Para vdekjes së tij, për nëntë net atij i zbriti ajeti i fundit në Kuran: “Ruajuni një ditë kur në të ktheheni tek Allahu, dhe secilit njeri i plotësohet ajo që e ka fituar, dhe atyre nuk u bëhet padrejtë”.
Pas kësaj, dhembjet te Muhamedi alejhis-selam filluan të rriten. Ai tha: “Dua t’i vizitoj shehidët e Uhudit”. Shkoi atje, qëndroi pranë tyre dhe tha: “Es-selamu alejkum o shehidët e Uhudit. Ju keni vdekur para nesh dhe ne inshaellah do të vijmë pas juve. Unë pas jush inshaellah do të vij”.
Gjatë kthimit prej varrezave të Uhudit, Muhamedi alejhis-selam qau. Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, çka të shtyri të qash?”
Muhamedi alejhis-selam tha: “Jam përmalluar shumë për vëllezërit e mi”.
Thanë: “O i Dërguari i Allahut, a nuk jemi ne vëllezërit tuaj?”
Tha: “Jo, ju jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ata që vijnë pas meje, më besojnë mua dhe nuk më shohin”.
Muhamedi alejhis-selam u kthye në Medinë. Tri ditë para vdekjes, dhembja filloi t’i shtohet. Ishte në shtëpinë e gruas së tij, Mejmunes radijellahu anha.
Muhamedi alejhis-selam tha: “Thirrni gratë e mia.” Ato shkuan te ai. Ai tha: “A më lejoni të mjekohem në shtëpinë e Aishes?” Ato thanë: “Gjithsesi o i Dërguari i Allahut”.
Deshi të ngrihet në këmbë, por nuk mundi. Erdhi Ali ibn Ebu Talibi dhe Fadl ibn Abbasi radijellahu anhuma, e morën prej shtëpisë së Mejmunes radijellahu anha dhe e çuan në shtëpinë e Aishes. Sahabët e panë atë për herë të parë në këtë gjendje.
Filluan sahabët me pikëllim të pyesin: اka i ka ndodhur të Dërguarit të Allahut? اka i ka ndodhur të Dërguarit të Allahut?
Muslimanët u grumbulluan në numër të madh në xhami.
Muhamedi alejhis-selam filloi të djersitet shumë.
Aisheja radijallahu anha tha: “Nuk kam parë në jetën time asnjë njeri të djersitet në këtë mënyrë.”
Ajo thoshte: “E merrja dorën e të Dërguarit të Allahut dhe e fshija fytyrën e tij, sepse dora e të Dërguarit të Allahut është më e begatshme dhe më e mirë.”
Aisheja vazhdonte: “E dëgjoja Muhamedin alejhis-selam duke thënë: “La ilahe il-lall-llah, vdekja ka dhembje”. Aisheja thotë: “U shtua zhurma në xhami për shkak të frikës së tyre ndaj Muhamedit alejhis-selam ”
Muhamedi alejhis-selam tha: “اka është kjo?”
Thanë: “O i Dërguari i Allahut, për shkak të frikës ndaj teje.”
Ai tha: “Më çoni atje”.
Deshi të ngrihet, por nuk mundi. I hodhën atij ujë me qëllim që të kthjellohet.
E çuan në xhami. Hipi në minber. Mbajti hytben e fundit që njëherësh ishin fjalët e fundit para vdekjes para popullit.
I Dërguari i Allahut tha: “O ju njerëz! Më duket se po keni frikë për mua?”
Thanë: “Po o i Dërguari i Allahut!”
Tha: “O njerëz. Takimi juaj me mua nuk është kjo botë, por takimi juaj me mua është Havdi (vendi ku do të pinë muslimanët ujë nga dora e Muhamedit alejhis-selam). Pasha Allahun, sikur po e shoh atë vend prej këtu. O njerëz, nuk frikësohem për ju nga varfëria, por frikësohem se do t’ju hapen juve dyert e pasurisë dhe do të garoni pas saj siç garonin ata që ishin para jush dhe do t’ju shkatërrojë siç i ka shkatërruar ata që ishin para jush”.
Më pas tha: “O njerëz. Kini frikë Allahun në namazin tuaj, kini frikë Allahun në namazin tuaj”, d.m.th. kërkoi prej besimtarëve që ta falin namazin rregullisht. Këtë e përsëriti disa herë.
Më pastaj tha: “O ju njerëz. Kini frikë Allahun në gratë tuaja. Kini frikë Allahun në gratë tuaja. U porosis me bamirësi ndaj grave.”
Më pastaj tha: “Allahu një robi i dha të drejtë të zgjedh mes jetës së kësaj bote dhe asaj që gjendet te Allahu. Ai e zgjodhi atë që gjendet te Allahu”.
Askush nuk e kuptoi qëllimin e tij në këto fjalë përveç Ebu Bekrit. Ai filloi të qajë. U çua, e ndërpreu Muhamedin alejhis-selam dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, ne i flijojmë për ty baballarët, nënat, fëmijët, gratë dhe pasurinë”.
Këtë e përsëriste. Njerëzit e shikuan Ebu Bekrin se si mund ta ndërpresë fjalën e Muhamedit alejhis-selam, por ai e mbronte Ebu Bekrin duke thënë: “O njerëz. Lëreni Ebu Bekrin. Secili prej jush që ka pasur ndonjë meritë, ne ia kemi plotësuar, me përjashtim të Ebu Bekrit, unë nuk kam mundur ta shpërblej. Shpërblimin e tij e kam lënë në duart e Allahut. Të gjitha dyert mbyllen, përpos derës së Ebu Bekrit”.
Para zbritjes nga minberi, Muhamedi alejhis-selam filloi të lutet me lutjet e fundit të tij drejtuar besimtarëve duke thënë: “Allahu ju pastë nën kujdesin e Tij, Allahu ju ruajt, Allahu ju ndihmoftë, Allahu ju përforcoftë dhe Allahu ju mbështetë juve”.
Fjalia e fundit që e ka thënë në minber drejtuar ummetit islam, ishte: “O ju njerëz. Përcillni selamet e mia te të gjithë ata që e pasojnë rrugën time deri në ditën e kiametit”.
E çuan përsëri në shtëpi. Duke qëndruar në dhomë, hyri Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekrit, i cili në dorën e tij mbante një misvak. Muhamedi alejhis-selam e shikonte vazhdimisht misvakun e tij, por nuk kishte mundësi që t’ia kërkonte atë nga dhembjet e mëdha. Aisheja e kuptoi se Muhamedi alejhis-selam e dëshironte misvakun. E mori prej dorës së Abdurrahmanit dhe e vendosi në gojën e Muhamedit alejhis-selam. Mirëpo, Muhamedi alejhis-selam nuk kishte mundësi ta përdorte atë. Aisheja e mori misvakun. Filloi ta zbusë me gojën e saj dhe e vendosi kështu të butë në gojën e të Dërguarit të Allahut.
Aisheja thotë: “Gjëja e fundit që kishte depërtuar në barkun e Muhamedit alejhis-selam ishte lëngu i gojës time. Prej begative të Allahut ndaj meje ishte se Allahu e kishte bashkuar lëngun e gojës time me lëngun e gojës së tij para vdekjes”.
Aisheja radijallahu anha thotë: “Më pas erdhi Fatimja, vajza e Muhamedit alejhis-selam. Kur hyri brenda, ajo qau sepse Muhamedi alejhis-selam nuk pati mundësi të çohet, ngase çdoherë kur vinte ajo, i Dërguari i Allahut çohej dhe e puthte në mes të syve”.
Muhamedi alejhis-selam tha: “Eja afër meje oj Fatime”. I foli diçka në vesh, ndërsa ajo e shtoi vajin. Pas pak, Muhamedi alejhis-selam përsëri i tha: “Eja afër meje oj Fatime”. I foli diçka përsëri në vesh, ndërsa ajo qeshi.
Pas vdekjes së Muhamedit alejhis-selam, Fatimja u pyet se çka i kishte thënë Muhamedi alejhis-selam.
Fatimja tha: “Herën e parë më tha: ‘Oj Fatime, unë do të vdes sot’ dhe unë qava. Kur më pa duke qarë, tha: ‘Oj Fatime, ti je njeriu i parë prej familjes që do të vijë pas meje’”.
Aisheja radijellahu anha thotë: “Më pas Muhamedi alejhis-selam tha: ‘Dilni prej dhomës, ndërsa ti Aishe afrohu pranë meje’”.
Muhamedi alejhis-selam u mbështet në gjoksin e Aishes.
Në këto momente kishte hyrë Xhibrili alejhis-selam ne dhomën e Muhamedit alejhis-selam dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, meleku i vdekjes është në derë. Kërkon leje të hyjë brenda. Deri sot prej askujt nuk ka kërkuar leje.”
Muhamedi alejhis-selam tha: “Jepi leje o Xhibril”.
Hyri meleku i vdekjes te Muhamedi alejhis-selam dhe tha: “Es selamu alejke o i Dërguari i Allahut. Allahu më ka dërguar të jap leje të zgjedhësh mes qëndrimit në këtë botë dhe shkuarjes te Allahu.”
Muhamedi alejhis-selam tha: “Gjithsesi se unë e zgjedh Allahun, gjithsesi se unë e zgjedh Allahun”.
Meleku i vdekjes qëndroi te koka e Muhamedit alejhis-selam duke thënë: “O shpirt i qetë, o shpirti i Muhamedit, birit të Abdullahut, dil dhe shko te kënaqësia e Allahut, te Zoti i kënaqur e jo i hidhëruar”.
Aisheja radijellahu anha thotë: “E thoshte këtë duke e ngritur gishtin tregues. Kur ra dora e tij dhe u rëndua koka, kuptova se ai kishte vdekur. Nuk dija se ç’të bëj. Dola prej dhomës time dhe hapa derën që çonte për në xhami dhe thosha: ‘Vdiq i Dërguari i Allahut, vdiq i Dërguari i Allahut’”.
Aisheja thotë: “Në xhami plasi vaji. Ali ibn Ebu Talibi u ul në tokë. Othman ibn Affani sikur fëmijë shkonte djathtas e majtas. Omer ibn Hattabi e kishte ngritur shpatën dhe thoshte: ‘Kush thotë se Muhamedi ka vdekur, do t’ia pres kokën, ai ka shkuar ta takojë Zotin e tij siç kishte shkuar Musa alejhis-selam për ta takuar Zotin e vet dhe do të kthehet’”.
Njeriu më i vendosur ishte Ebu Bekri. Hyri te Muhamedi alejhis-selam, e përqafoi, e puthi dhe tha: “O Mik i Allahut, o i zgjedhuri i Allahut, o i Dashuri i Allahut, o i Dërguari i Allahut. Sa i mirë që je i gjallë dhe i vdekur o i Dërguari i Allahut”.
Më pas hyri në xhami dhe tha: “Kush e adhuronte Muhamedin, ai ka vdekur, ndërsa kush e adhuronte Allahun, Ai është i gjallë, nuk vdes”.
Në këtë rast bie shpata prej dorës së Omerit dhe tha: “Kuptova se kishte vdekur. Dola dhe kërkoja ndonjë vend ku do të ulem vetë e të qajë”.
U varros Muhamedi alejhis-selam.
Fatimja radijellahu anha thoshte: “Si po mundeni të hidhni dhe mbi fytyrën e Muhamedit alejhis-selam” dhe vazhdoi duke e përkujtuar Muhamedin alejhis-selam dhe duke thënë: “O babai im. Zoti e ka pranuar lutjen tënde, o babai im, Xhenetul Firdevsi është vendi yt”.

Nga arabishtja: Naser Ramadani
 
Back
Top