Po mohon veten apo…

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
horizont.jpeg

Ai u ngrit dhe tha me guxim të prerë: “Unë nuk e besoj Zotin. Nuk e shoh, nuk e ndiej, nuk ka kuptim.” Sytë e kaltër i ndrisnin nga krenaria, e cila ndihej e përulur nga ky detyrim aspak joshës. “E pse të mos e them hapur atë që mendoj? Ky është gjykimi im dhe i shumë të tjerëve, të cilët janë baballarë të shkencës, mendimit, artit, fjalës dhe kulturës…”

Edhe pse ndihej i luhatur, ai i vuri vulën pohimit të tij. Kokëlartë, i gjatë, simpatik dhe i arsyeshëm. Njeri që i respektohej fjala dhe s’i binte poshtë. Njerëzit e donin, po ai a e donte veten? Ata e çmonin dhe e vlerësonin, e njihnin mirë për mençurinë, vlerat dhe parimet e tij, po ai a e njihte veten, burimin e gjithë këtyre?

Kështu, në pikëpyetjen e irritimit dhe mendimeve, m’u ngrit një pikë çuditëse. Përse vallë, kaq shumë i qenka verbuar shikimi? Ata sy të kaltër, më të thellë se vetë bluja qiellore?

Ishte intelektual, me ofiq, nam e reputacion dhe kishte ngecur në çengelin e pavetëdijes së absurdit, të pakuptimësisë së jetës, së bukurës, së vërtetës.

Jo! Mendova ta shuplakja me guximin e fjalës së zemrës, të rrezes që ai s’e ka ndjerë, të hënës që e ka prekur, por s’e ka kuptuar, të jetës që po i fishket përpara syve, por s’e ka rrëmuar për të gjetur mesazhin më të çmuar të gjithë kuptimësisë, qëllimit, thelbit dhe urtësinë që ajo mbart.

Më erdhi keq për të dhe ndjeva një zukamë përbrenda, një zë që ulërinte që nga çasti i krijimit të botës me fuqinë e shpejtësisë së dritës.

Nuk durova, u rreka ta ndaloja, ishte më e fortë se unë, ishte zëri i shpirtit, i ndërgjegjes, i trupit që e ndjen veten të përçmuar nga padrejtësia zhuritëse e “mendjeve të holla”, që i zbuluan prejardhjen njeriut, e lashtë sa vetë jeta.

Në melodramën e mendjes vërshuan njëherësh stuhia, rrebeshi e kritika. Por si guxon të buzëqeshë me panxënësinë e tij prej biri të natyrës? Në të është krijuar, kujton se e njeh, por asgjë s’ka mësuar. Ka mëkuar shumë dituri, cep më cep të botës e të librave e ka mbledhur dhe është njeri i mirë për besë, por ç’e do, kur të tjerëve dituri u përçoi, e për vete gjë s’mësoi.

Sigurisht s’ka si të jetë, ekuilibrat janë prishur, e vërteta është zvetënuar, dielli nuk cek më në shpirt, zemra është veçse një organ që pulson orë e çast, ka ngecur në kufijtë e materies, e trishtë, e robëruar. Edhe ajo pak farë natyrshmërie me të cilën qe krijuar me kohë është varruar, nuk ka forcë të rritet, të nxjerrë krye, misterin e së vërtetës të zbulojë.

Por të lutem më lejo të t’i them dy fjalë, pastaj po të duash shko, askush nuk të ndal.

Ti që mendjen ta merr ma ata sy, ke mohuar vetveten kokë e këmbë. I bëre të qajnë qiejt, yjet bashkë me hënën, e nxive diellin sterrë, njollat mban akoma, bëre të qajë tokën, sa mend desh u përplas, gjithçka desh u tund, thuajse mori fund.

Por dije se sikur ti dhe njëmijë si ti apo të gjithë tok, diellin me dorë dot s’e zini dhe as tisin e tij të zjarrtë nuk mund ta fshihni, sepse ai shkëlqen nga hera, e më fort e ndjen i verbri që ia këndell shpirtin pas qepallave të mbyllura dhe ia ngroh besimin.

Ai nuk do t’i lërë qiejt të tunden, derisa të mos besojë askush, sepse ç’kuptim do të kishte çdo gjë, vepër e Tij, për një njeri si ti?

Ti e harrove veten dhe shpirtit ia preve fillin, e lë të përhumbet në kotësinë e zhgënjimit, ia preve flatrat zemrës në lartësitë fluturonte, i dhe makinën trupit marrëzinë e materies të shijonte.

O njeri, a harrove se kush t’i dha ata sy, ku mbytet vështrimi yt dhe nuk di kujt mirënjohje t’i shprehësh për këtë mirësi?

Prandaj kërkoji rrënjët thellë, shumë larg në kohë, në hapësirë, në oqeanin brenda teje, në akullsinë e tij të hirtë, në errësirën e labirinteve të fshehtë të zemrës, gërmo në çdo rasë dhe mos u mbyt në hutinë e dogmave të shkencës që harroi krijuesin e asaj vetë. Ktheji lirinë shpirtit, paqen, qetësinë, përjetësinë, lumturinë. Kërko të njohësh Zotin, veten, pafundësinë…
(Esmeralda Caca)

@dritaislame.com
 
Back
Top