Omer ibnul Hattabi dhe stimulimi i gjenive

Kresha

A pretty face can never trick me


Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Në këtë temë, do të përpiqemi t’i qasemi mënyrës që Umer ibnul Hattabi përdorte për të stimuluar fëmijët dhe të rinjtë drejt suksesit.

Një ditë, Profeti a.s ishte ulur me shokët e tij. Ai e kishte zakon që t’i orientojë me mënyra nga më të ndryshmet. Këtë herë, ai përdori mënyrën e gjëegjëzës, duke i pyetur:”ثshtë një pemë, e cila ka shumë ngjashmëri me muslimanin. A e dini se cila është ajo?”

Të gjithë shokët e Profetit a.s filluan të përmendin pemët e shkretëtirës. Abdullahu, djali i Umer ibnul Hattabit ishte prezent dhe asokohe ishte në moshë të njomë 10 – 14 vjeç. Atij i vajti në mendje se pema për të cilën po fliste i dërguari i Zotit ishte palma (hurma arabe) por për shkak të moshës së vogël, i erdhi zor të fliste.

Kur pa që shokët e tij nuk po e gjenin dot, Profeti a.s u tha:”Ajo është palma.”

Pasi u larguan të gjithë, Umeri u nis drejt shtëpisë së tij me djalin e tij Abdullahun. Gjatë rrugës u zhvillua një dialog interesant mes të atit dhe birit. Abdullahu i tha Umerit:”O baba! Unë e dija që pema për të cilën po fliste Profeti a.s ishte palma.”

Umeri ndaloi në çast dhe e pyeti:”Po përse nuk u përgjigje atëherë?!”

Abdullahu i tha:”Ngaqë më erdhi zor të flas para Profetit a.s dhe në prezencën e muslimanëve të tjerë.”

Edhe pse kuvendi përbëhej nga vetë Profeti a.s dhe figurat më të larta të sahabëve, Umeri e nxiste djalin e tij të flasë dhe të thotë mendimin e tij. Umeri dëshironte që djali i tij të ishte përgjigjur, me shprese se Profeti a.s do të ishte lutur për të.

Umeri shihet gjithmonë në krah të të rinjve, duke i përkrahur dhe dhënë zemër për më shumë arritje dhe sukses.

Gjatë një vizite në Turqi, vajta për vizitë në një qendër të mësimit të Kuranit famëlartë. Qendra ishte një godinë gjashtë katëshe dhe në katin e gjashtë, pashë një grup më të vogël fëmijësh dhe me ta mësuesi dhe edukatori i tyre. Ajo që më tërhoqi vëmendjen dhe nxiti kureshtjen time më shumë, ishte se përse këta duhej të veçoheshin nga fëmijët dhe nxënësit e tjerë. I shtyrë nga kërshëria, e pyeta kujdestarin:”Përse i keni veçuar këta nxënës?”

Ai mu përgjigj:”Që nga koha e perandoriës Osmane, e kemi traditë që fëmijët e dalluar dhe gjeni, i grumbullojmë dhe i veçojmë nga të tjerët. Për të treguar një përekujdesje të veçantë ndaj tyre, është ngritur dhe një vakëf vetëm për këta, i cili mbulon shpenzimet.”

Pasanikët që kontribonin dhe përkrahnin të vobektit dhe novojtarët, caktonin një shumë të caktuar për të stimuluar gjenitë dhe talentet e reja. Padyshim që një vizion i tillë tregon mbi largpamësinë e dijetarëve dhe të parëve tanë. Njëkohësisht, iniciativa të tilla janë sinjale civilizimi dhe qytetërimi.

Umer ibnul Hattabi është udhëheqësi i parë musliman që u thirr me titullin "Prijës i besimtarëve" Pasi u bë Halife i muslimanëve, ai dilte natën dhe kontrollonte gjendjen e muslimanëve, u vinte në ndihmë nevojtarëve dhe sigurohej për rendin dhe qetësinë publike. Në një nga këto netë, ai shoqërohej nga shërbëtori i tij Eslem. Për shkak se kishte kohë që ecnin rrugëve, Umeri ndjeu lodhje dhe u mbështet me shpinë për murit të një shtëpie. Kjo shtëpi, ishte e një gruaje që shiste qumësht të përzier me ujë. Ndërkohë që Umeri po çlodhej, dëgjoi nga brenda shtëpisë zërin e një gruaje që iu drejtua vajzës së saj me fjalët:"O bija ime! Përzieje qumështin me ujë që të shtohet."

Vajza iu përgjigj:"O nënë! Prijësi i besimtarëve, Umer ibnul Hattabi e ka ndaluar përzierjen e qumështit me ujë, pasi është mashtrim."

Nëna i tha:"O bija ime! Përzieje pasi Umeri nuk na shikon."

Atëherë vajza iu përgjigj:"Nëse nuk na shikon Umeri, na shikon Zoti i Umerit."

Me ta dëgjuar Umeri këtë dialog, vendosi një shenjë mbi derë dhe u largua. Të nesërmen ai u interesua mbi këtë familje. Pasi mori informacionin e nevojshëm ai mblodhi fëmijët e tij dhe u kërkoi që njëri prej tyre të pranonte të martohej me këtë vajzë. Ishte djali i tij Asimi ai që pranoi të martohej dhe diçka e tillë u arrit. Nga kjo lidhje lindën shumë fëmijë dhe pasardhës të ndershëm. Një nga këto pasardhës të kësaj lidhjeje martesore, është dhe vetë Halifeja i pestë, Umer ibnu Abdul Azizi. Të gjithë ne kemi dëgjuar mbi drejtësinë që vendosi, qetësinë , rendin dhe bollëkun gjatë Kalifatit të tij. Të gjithë këto arritje dhe suksese, edhe pse periudha e qeverisjes së tij ishte vetëm dy vite. Duhet të mos harrojmë se e gjithë kjo, ishte pasojë e një lidhjeje bashkëshortore të dëlirë dhe të edukuar mirë.

Dikush mund të pyesë:"ا'lidhje ka stimulimi i të rinjve të talentuar nga Umeri, me këtë ngjarje që sapo përmendëm?"\

Një fëmijë i suksesshëm, gjeni dhe talent, mund të vijë vetëm nga prindër të mirëedukuar, të suksesshëm dhe talente. Ai vjen dhe rrjedh nga një nënë e cila s'ka mbyllur gjumë me netë të tëra, duke menduar mbi mënyrat më efikase të edukimit të fëmijëve të saj.

Një fëmijë nuk mund të jetë talent dhe gjeni, pa pasur një edukim të shëndoshë nga ana e prindërve. Umer ibnul Hattabi, duke qenë i ndërgjegjshëm mbi një fakt të tillë, i kushtonte rëndësi lidhjeve martesore të fëmijëve të tij. Ishte pikërisht një martesë e studiuar mirë dhe në bazë të kritereve të duhura, ajo që nxorri një burrë të tillë si Umer ibnu Abdul Azizi.

Para se të mendojmë të kemi fëmijë të talentuar dhe gjeni, ne duhet të mendojmë në zgjedhjen e nënës së një fëmije të tillë.



Umeri i respektonte dhe i vlerësonte të vegjëlit

Kush prej nesh është i gatshëm t’a besojë se në këshillin konsultativ të Umerit, merrte pjesë dhe një fëmijë?!

Kur flasim mbi këshilltarët e një presidenti apo kryeministri, mendja na shkon menjëherë tek burra të thinjur, me eksperiencë dhe përvojë të gjatë pune. Ndërkohë që Umeri një mision të tillë kaq delikat, ia besonte një djaloshi të ri në moshë. Ky djalosh i ri ishte Abdullah ibnu Abasi. Umeri këshillohej me të dhe e mbante pranë bashkë me figurat që kishi marrë pjesë në betejën e Bedrit.

Kur e kuptoi Abasi, babai i Abdullahut që Umeri e mbante pranë djalin e tij dhe këshillohej me të, e mori të birin dhe e këshilloi me këto fjalë:”O biri im! Unë të këshilloj që të kesh parasysh tre gjëra në marrëdhëniet e tua me Prijësin e besimtarëve:

1 – Kij frikë Zotin dhe mos i nxirr sekretet e tij

2 – Kurrë mos të dëgjojë prej teje diçka të rreme

3 – Kurrë mos përgojo njeri në prezencën e tij

Kështu Abdullah ibnu Abasi pesëmbëdhjetë vjeçar, u bë këshilltari i Umerit, në çështjet strategjike, sociale, politike, ekonomike dhe edukative.

A e shihni si edukukoheshin të rinjtë muslimanë? Ajo moshë që sot njihet me emrin adoleshencë, gjatë civilizimit musliman nuk njihej. Ky është një term i importuar nga perëndimi, ku jeta e njeriut përbëhet nga fëmijëria, adoleshenca dhe më pas burrëria. Ndërkohë që në islam, njeriu fillimisht është fëmijë, pastaj i ri përgjegjës për ato që vepron. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, i riu fillon të ndërgjegjësohet dhe jep llogari para Zotit për gjithçka që vepron. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, një i ri në islam, ka mundësi të jetë këshilltar i Halifes musliman dhe të administrojë çështjet shtetërore. Umer ibnul Hattabi kishte një vizion të tillë për rininë e asaj kohe.

Diçka më e habitshme se fakti që sapo cituam, është se këshilltari i Umer ibnu Abdul Azizit, Halifes së pestë, ishte vetë djali i tij Abdul Meliku. Ai ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç asokohe.

Koha dhe mosha në ditët e sotme, është një nocion komplet i ndryshëm nga ai i të parëve tanë. Sot dëgjojmë nëna që i konsiderojnë të vegjël fëmijët e tyre edhe pse i kanë kaluar të tridhjetat. Si mund të jetë i vogël dikush që ka mbushur madje i ka kaluar të tridhjetat?! Për këtë, ne kemi nevojë për metodat e Umerit që përdorte për shtytjen dhe stimulimin e gjenive dhe talenteve.

Një ditë, teksa kalonte rrugës, shikon një karvan dhe aty pranë takohet me Abdurrahman ibnu Aufin. Me t’u takuar, i thotë: ”O Abdurrahman, ç’mendon sikur të qëndrojmë sonte bashkë për të ruajtur këtë karvan, për hatër të Zotit?”

Të dy bien dakord dhe në darkë shkojnë të ruajnë karvanin. Teksa qëndronin natën, dëgjojnë të qarët e një foshnjeje. Umeri u afrua tek shtëpia dhe i thirri nënës që t’i japë të pijë dhe ta vërë të flejë. Diçka e tillë u përsërit disa herë, derisa në fund, nëna nga brenda i thirri: ”Umer ibnul Hattabi jep ndihma për fëmijët që ushqehen me ushqim dhe nuk jep për ata që ushqehen me qumësht gjiri.” Umeri kishte nxjerrë një ligj ku u jepeshin ndihma ushqimore të gjithë fëmijëve që ishin ndarë nga qumështi i gjirit dhe kjo nënë përpiqej ta ushqejë fëmijën e saj me ushqime, duke e ndarë nga gjiri. Kur e dëgjoi këtë fjalë Umeri, tha me vete: ”I mjeri ti, o Umer, sa fëmijë muslimanësh kanë vuajtur prej teje!” Menjëherë thirri Abdurrahmanin dhe e urdhëroi të nxjerrë tellallin në rrugë dhe të lajmërojë se që ditën që lind një fëmijë, shteti islam do t’i japë ndihma ushqimore.

Tashmë është një fakt që foshnja duke u ushqyer me qumësht nëne për një periudhë të gjatë, kjo ndikon pozitivisht në formimin dhe zhvillimin mendor të tij dhe njëkohësisht fiton imunitet.

Në një studim të kohëve të fundit, kam gjetur që sa më e gjatë të jetë periudha e mëkimit me qumështin e nënës, aq më e pakët është mundësia e prekjes nga sëmundjet. Sa më shpesh që e puth nëna foshnjen e saj, mikrobet dhe viruset ngjiten për buzëve të saj, kalojnë në gojë, në stomak derisa të arrijnë të dobësuara në qumështin e gjirit. Kjo, është e barabartë me një vaksinë kundër sëmundjeve. Foshnja kur pin qumështin, e pin të mbrojtur dhe të imunizuar.

Një miku im që është dhe prind, më tregoi një ditë:”Mësuesja i ka kërkuar djalit tim që të vizatojë një lopë, si detyrë shtëpie. Unë i kërkova djalit që ta vizatojë, por u befasova kur pashë që ai kishte vizatuar një lopë me pesë këmbë. Unë u zemërova dhe doja t’a qortoj, por më parë e pyeta:”Sa këmbë ka lopa?”

Ai mu përgjigj:”Katër këmbë.”

“Po përse e ke vizatuar me pesë këmbë lopën tënde?!” i thashë unë.

Ai më tha:”Sepse çdo makinë ka katër rrota dhe një rrotë rezervë. Dhe unë i vizatova lopës një këmbë rezervë.”

Atëherë unë falenderova Zotin që djali im ishte i talentuar dhe kishte prirje gjeniale.

Unë dua të theksoj se me anë të dialogut dhe mirëkuptimit, ne mundemi të rrisim dhe edukojmë një brez të talentuar dhe gjenial.

Në fund të kësaj teme, ne pamë se si kujdesej për edukimin dhe stimulimin e talenteve të reja. Ne pamë që ai ndryshoi një dekret shtetëror, vetëm për të mirën e foshnjeve. Ai e kishte marrë Abdullah ibnu Abasin si këshilltar bashkë me shumë figura të tjera të muslimanëve, të cilët kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit.

Ne pamë që Umeri e nxiste dhe stimulonte të birin e tij Abdullahun, që t’u përgjigjej pyetjeve dhe gjëegjëzave të Profetit a.s, edhe pse në praninë e të gjithë burrave muslimanë dhe të vetë Profetit a.s. Rreth figurës së Umer ibnul Hattabit, ka shumë ngjarje dhe ndodhi të bukura rreth të drejtave të fëmijëve dhe të edukimit të tyre.

Nëse një nënë dhe prind vëren që fëmija i tyre është i talentuar, le ta nxisin dhe stimulojnë dhe njëkohësisht le ta lusin Zotin që t’a mbrojë nga shejtani, syri i keq dhe çdo e keqe tjetër. Diçka të tillë e bënte vetë i dërguari i Zotit me dy nipat e tij, Hasanin dhe Husejnin. Ai vendoste dorën në kokën e tyre dhe u thoshte:”I kërkoj Zotit që me fjalët e tij perfekte, t’ju mbrojë nga shejtani, insektet e dëmshme dhe nga çdo sy dashakeq.”

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

//mesazhi
 
Back
Top