O malet e Shqipërisë…

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Gjatë rrugës dhe në qytete vizitorit do t’i bjerë në sy se tërë tabelat e njoftimeve janë të shkruara në alfabet latin. Shqipja, pasardhëse e ilirishtes, i përket një dege të veçantë të familjes së gjuhëve indo-europiane.
o_malet_e_shqiperise_.jpg


Asti Papa dhe Kujtim Onuzi*

Gjatë afro një gjysmë shekulli diktature staliniste Shqipëria kishte vetëm disa lidhje tepër të kufizuara me vendet e tjera. Por që nga viti 1991 ky vend po pret vizitorë të shumtë kureshtarë për amfiteatrot e tij greko-romake, të dëshiruar për ajrin e freskët të maleve dhe për kaltërsinë e detit, lakmues të kuzhinës mesdhetare.

Përzierja e qytetërimeve dhe e kulturave e ka bërë Shqipërinë një vend europian tejet të veçantë, ku mund të zbulojmë gjëra që ta habisin, si gjysmëhënat e minareve që qëndrojnë pranë kryqeve të kambanoreve.

Gjatë rrugës dhe në qytete vizitorit do t’i bjerë në sy se tërë tabelat e njoftimeve janë të shkruara në alfabet latin. Shqipja, pasardhëse e ilirishtes, i përket një dege të veçantë të familjes së gjuhëve indo-europiane. Në leksikun e saj mund të gjejmë shumë fjalë me prejardhje latine dhe neolatine dhe kjo jo vetëm për fjalësin shkencor dhe teknik, por edhe për atë të jetës së përditshme.

Ne ju ftojmë që të zbulojmë bashkërisht vendet malore si dhe pikat e rëndësishme të kulturës që gjenden pranë tyre. Udhërrëfyesit turistikë dhe topografikë do t’i plotësojnë njohuritë tuaja. Veçse edhe udhërrëfyesit më të fundit që kanë parë dritën tejkalohen shumë shpejt : Shqipëria është një vend në zhvillim të plotë. Rrjeti rrugor, i cili ishte “thembra e Akilit” e turizmit shqiptar, është duke u përmirësuar me shpejtësi dhe rrënjësisht.

Megjithatë turistit i duhet ta shpikë vetë, sadopak, aty, në vend, itinerarin që i pëlqen më tepër. Shtigjet nga do të kalojë nuk kanë të gjitha shenja drejtuese, por ka harta, ka udhërrëfyes, ka shoqërues, por edhe kalimtarë të rastit që të ndihmojnë.
Le të fillojmë, pra, rrugën, të prirë nga një gjeolog......

Male të kudondodhur

Kur avioni fillon zbritjen drejt aeroportit të Tiranës menjëherë të bie në sy se po shkojmë në një vend tejet malor. Nga njëra anë vështrimi kap detin Adriatik, kurse në anën tjetër pamja humbet larg, në malet që duket sikur i rrinë mbi kokë ultësirës bregdetare.

Zmadho fotografinë
o_malet_e_shqiperise__1.jpg
O malet e Shqipërisë…

Dhe kur zbret në tokë udhëtari mund të sodisë në lindje, nja 15km larg aeroportit, malet e vargut Dajt-Krujë, që formojnë “rrëmoren e Krujës”, ku gjendet kryeqyteti mesjetar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, heroit të qëndresës kundër Perandorisë Osmane. Shqipëria shtrihet në brigjet e Detit Adriatik dhe Detit Jon. Bregdeti i Adriatikut, i ulët dhe ranor, që zgjatet në drejtim veri-jug, kufizohet nga fusha të gjëra, që përbëjnë paravendin e malësive dhe ku është përqendruar pjesa më e madhe e veprimtarisë ekonomike të vendit. Pjesa tjetër e Shqipërisë përbëhet nga një ndërthurje malesh, në mes të cilëve takohen edhe disa fusha lyshtërore, mbetje të liqeneve ndërmalore të dikurshme të Terciarit.

Ultësirat me lartësi nën 200m zënë vetëm një të katërtën e territorit. Një tjetër e katërt e Shqipërisë zihet nga kodrina dhe male të ulëta, ndërsa më tepër se gjysma e vendit përbëhet nga male me lartësi 1000 deri 2000m. Ndërkaq malet me lartësi mbi 2000m zënë vetëm 1% të relievit.

Malet e mirëfillta ndahen në tri krahina të mëdha natyrore : Alpet Shqiptare, Krahina Malore Qendrore dhe Krahina Malore Jugore.

Alpet Shqiptare

Alpet Shqiptare janë një nga krahinat më të bukura të Gadishullit Ballkanik, ku mund të bëhen udhëtime dhe shtegtime të shumta. Ato ndodhen në veri të Shqipërisë dhe përbejnë një njësi gjeomorfologjike të veçantë, me strukturë luspore, që shtrihet në vijimin e zonës së Karstit të Lartë të Malit të Zi dhe të Dalmacisë, të cilat lidhen me Alpet Dinarike. Nga ana tjetër, Alpet Shqiptare, në jug janë të ndërprera qartë nga një kufi i vërtetë natyror, thyerja tektonike tërthore Shkodër-Pejë.

Lugina e lumit të Shalës i ndan Alpet Shqiptare në dy treva të mëdha : në perëndim Malësia e Madhe dhe në lindje treva e Valbonës. Në këto krahina të larta dhe tepër të thepisura, vërehet një kontrast i madh midis luginave dhe kreshtave malore që i rrethojnë. Majat, që përgjithësisht kanë trajtë piramidale shpesh arrijnë lartësinë mbi 2000m, ndërsa luginat fqinje mund të arrijnë lartësinë deri në 800m.
Formimi i këtij relievi tipik alpin me maja të larta dhe lugina të ulëta është ndikuar nga shkëputjet tektonike dhe gërryerja e lumenjve. Për më tepër erozioni i ndjeshëm akullnajor i ka prerë Alpet Shqiptare në kreshta alpine, maja gëlqerore dhe në cirqe të mëdha, ku edhe në verë mbeten njolla të mëdha bore, sidomos në lartësitë mbi 2000m.

Në Alpet Shqiptare mund të shquhen pesë blloqe të mëdha malore . Më i njohuri është blloku i Jezercës (2693m), i cili përfshin edhe mjaft maja të tjera të larta, midis të cilave majën e Paplukës (2569m) dhe atë të Kollatës (2556m). Blloku i Bjeshkëve të Namuna, i cili shtrihet në trajtë vargu majash tepër të thepisura e me shpate të thiktë, përfshin edhe Radohinën (2568m), si dhe Majën e Thatë (2541m) e Majën e Madhe (2553m). Blloku i Grykëve të Hapta (2625m), në trajtë trungu konik, përfshin edhe Majën e Hekurave (2561m). Blloku i Shkëlzenit (2407m), në skajin juglindor të Alpeve Shqiptare, në trajtë kreshte të mprehët, përshin edhe disa maja të tjera të tjera të larta, si atë të Radeshës (2314m) dhe të Koritës (2385m). Nga ana tjetër, blloku i Marlulës (2187m), që shtrihet në Vermosh, përfshin edhe Majën e Zhihovës (2174m), e cila përfaqëson pikën më veriore të Shqipërisë.

Luginat e mëdha, ndërmjet këtyre blloqeve malore, janë të lidhura mes tyre nga qafa të lartuara si ato të Thetores (1700m), Valbonës (1800m), Agrit (1300m), si dhe Leqet e Hotit (730m), ku kalon rruga malore që lidh Shkodrën me Vermoshin.

Kudo kreshtat gëlqerore janë të mbushura me gropa karstike, ku grumbullohen ujërat nga shkrirja e borës, të cilat dalin rishtas poshtë shpateve në trajtë burimesh të mëdha vokluziane. Prandaj në Alpet Shqiptare rrjedhat ujore janë të shumta Luginat alpine të lumenjve kryesorë, të Cemit, Vermoshit, Shalës (Thethit), Përroit të Thatë (Bogës) si dhe lugina madhështore e Valbonës lejojnë që të praktikohen mjaft sporte, si në dimër ashtu edhe në verë : shtegtime, ngjitje shkëmbore, alpinizëm të mirëfilltë, ski...... Për këtë janë zgjedhur dhe përshkruar 8 itinerare interesante .

Ekosistemet e Alpeve Shqiptare, me një bukuri të rrallë natyrore, janë të mirënjohura : bimësi e shumtë dhe e larmishme, katarakte, burime të shumta dhe përrenj alpinë.

Alpet Shqiptare u krijojnë mundësinë shtegtarëve dhe alpinistëve që të njohin më mirë historinë, legjendat, folklorin, doket dhe zakonet vendase dhe sidomos të njihen me malësorët shqiptarë dhe me mikpritjen e tyre proverbiale.

Në disa fshatra të vogla, që lidhen me rrugë automobilistike, si në Theth, Bogë, Tamarë, Vukël, Lëpushë, Vermosh në rrethin e Malësisë së Madhe, si dhe në Valbonë e Rragam në rrethin e Tropojës, turisti mund të sigurojë bujtjen dhe ushqimin tradicional në hotelet e vegjël dhe në shtëpitë e vendasve, që tanimë janë të përgatitura si duhet, të pajisura mirë dhe mjaft të rehatshme. Megjithatë ai mund të ndalojë, pa pikë droje, në çdo shtëpi malësori, për të cilin, siç e thotë kanuni, miku është “i shenjtë”.

Zmadho fotografinë
o_malet_e_shqiperise_.jpg
O malet e Shqipërisë…

Krahina Malore Qendrore

Krahina Malore Qendrore, më e madhja në Shqipëri shtrihet që nga lugina e Drinit në veri dhe deri në malësinë e Pindit në jug, duke i ruajtur pothuajse kudo të njëjtat veçori.

Përgjithësisht relievi i saj është më pak i lartuar se sa ai i Alpeve Shqiptare, megjithatë pothuajse të gjitha majat i arrijnë të 2000 metrat. Për më tepër në këtë krahinë gjendet edhe maja më e lartë e Shqipërisë, mali i Korabit (2751m), si dhe dy maja të thera që i kalojnë të 2700m dhe që përbëjnë pikarritje të dëshiruara nga alpinistët.

Vargu i Korabit përfshin edhe Koritnikun (2396m) në veri, ndërsa në lindje vazhdon me Malin e Sharrit në Kosovë. Ai përbehet nga rreshpe dhe gëlqerorë paleozoikë, midis të cilëve vërehen buthtime gjipsi. Prandaj relievi i pjesës së epërme të Korabit është tejet i thyer. Aty takohen cirqe akullnajore, herë-herë edhe liqene të vegjël, të shpërndarë shkallë-shkallë në shpate rreshpore të malit, të cilat janë më pak të rrëpirëta dhe formojnë edhe fushat e kullotave alpine të Korabit. Më e njohura ndër to është Fusha e Panaireve, në trajtë të një amfiteatri gjigant, që ndodhet në lartësinë 2115m. Pika e nisjes për ngjitje alpinistike në Korab është fshati Radomirë, i lidhur me rrugë automobilistike me Peshkopinë, qytet në veri-lindje të Tiranës.

Më të shumtit e maleve të Krahinës Malore Qëndrore janë të formuar nga shkëmbinj magmatikë ultrabazikë, me prejardhje nga manteli i tokës, që janë kthyer në serpentinite. ثshtë me të vërtetë një gjë e rrallë në Europë që të kundrohen masivë të tillë malorë, që spikasin me ngjyrën e tyre karakteristike të gjelbër të errët. Shans i madh për alpinistët dhe shtegtarët që i duan malet ! Nga këta masivë malorë po përmendim Malin e Balgjajt (2101m), Shebenikun (2353m), Valamarën (2373m), të cilët janë më pak të thyer, madje në mjaft raste kanë trajta të rrumbullakuara, ndryshe nga kreshtat dhe shpatet e rrëpirët të gëlqeroreve, të cilët shpesh shtrihen si mbulesë mbi serpentinitet. Veç këtyre masivëve malorë të përbërë nga shkëmbinjtë magmatikë, vihen re edhe masive malore të përbërë kryesisht nga gëlqerorë si Gjallica (2253m), me shpate tejet të thepisur, të cilët zbresin pothuajse vertikalisht mbi ultësirën e Kukësit në veri-perëndim dhe mbi atë të Shistavecit në jug-lindje, ose Mali i Thatë (2287m) në jug-lindje të Shqipërisë, shpati perëndimor i të cilit zbret pothuajse po aq pjerrtas mbi fushën e Korçës.

Në një pjesë të madhe të maleve të Krahinës Malore Qendrore vërehen cirqe akullnajore, në këmbët e të cilëve ndodhen liqene të vegjël, të thellë dhe me ujë të tejdukshëm. Më të njohurit janë 12 liqenet e Lurës, të mbiquajtur “perlat e Shqipërisë”, në shpatin lindor të Kunorës së Lurës (2121m), të cilët janë rrethuar nga pishnaja. Në këto mrekulli të Lurës, që pëlqehen aq shumë për shtegtimet alpine, mund të shkohet edhe duke u nisur nga Peshkopia.

Krahina malore e Mirditës, me relievin e saj karakteristik të formuar nga shkëmbinjtë magmatikë, është një tjetër trevë që e vlen të vizitohet me shtegtime turistike, duke u nisur nga Rësheni. Kjo trevë, e njohur në historinë e Shqipërisë, është e banuar nga mirditorët, të cilët gjatë pesë shekujve të sundimit osman ruajtën autonominë dhe fenë e tyre, doket e zakonet, si dhe ligjet e tyre, të prirë nga Kapedani ose Prenku i tyre. Mirdita është një nga vatrat e ligjit të famshëm shqiptar të maleve, Kanunit të Lek Dukagjinit, që frymëzoi shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare për romanin “Prilli i thyer”.

Zmadho fotografinë
o_malet_e_shqiperise__2.jpg
O malet e Shqipërisë…

Në jug-lindje të Krahinës Malore Qendrore, duke u nisur nga Korça, mund të shkohet për të bërë ski në fshatin piktoresk të Dardhës. Një vizitë tjetër e detyrueshme është ajo në Voskopojë, që gjendet 20km larg Korçës, në lartësinë 1160m. Ky fshat i vogël, i cili ka qenë njëri nga qytetet më të rëndësishëm të Gadishullit Ballkanik në shekullin XVII, qysh prej disa vitesh është kthyer në një nga qendrat më të lakmuara nga turistët. Aty në dimër mund të bëhet ski, ndërsa në verë mund të bëhen shtegtime në malet rreth e rrotull, që lartohen deri në 2200m. E shkuara prestigjioze e Voskopojës sot mund të kundrohet në tetë kishat dhe në manastirin e njohur, të veshur me afreske të mrekullueshme, që janë quajtur “capella sixtina” e Ballkanit dhe janë restauruar kohët e fundit nga “Patrimoine sans frontière” me nismën e Ambasadës Franceze në Shqipëri.

Krahina Malore Jugore

Malet e kësaj krahine përbëhen kryesisht nga struktura antiklinale, që paraqiten në trajtë vargjesh. Nga lindja në perëndim shquhen : vargjet gëlqerore të Tomorit, Melesinit, Nemërçkës, Lunxhërisë, Kurveleshit dhe اikës, të ndara nga lugina sinklinale të thella.
Njëri nga malet më të njohur të kësaj krahine është Tomori (2461m), mbreti i maleve shqiptare, i cili shkëlqen nga bardhësia. Ai gjendet 15km në lindje të Beratit, qytetit të “një mbi një dritareve”, i përfshirë në trashëgiminë botërore nga UNESCO. Në kështjellën e Beratit, themelet e para të së cilës janë të shekullit III para Krishtit, gjenden disa kisha me afreske dhe ikona të piktorit të shekullit XVI, i famshëm për ”të kuqen e tij të papërsëritshme”. Pas kësaj ndalese kulturore, turistët më guximtarë mund të shkojnë në اorovodë, 50km larg Beratit dhe atje të zgjedhin dy drejtime : Tomorin ose kanionet e Osumit.

Për drejtimin e parë, nëpërmjet rrugës automobilistike, mund të shkohet në Bargullas, ose në Gjerbës, që shërbejnë si kampe bazë për ngjitjen alpinistike në Tomor. Shpatet e Tomorit, pothuajse vertikale, janë të mbuluara nga pyje, që lartohen mbi cirqet e mëdha akullnajore, nga rrjedhin rryma të gjata rrëgallash. Tomori ka qenë njohur nga autorët e lashtësisë, si Plini i Ri (61-114) dhe Theopompi (shek. IV), të cilët flasin për “Tomerum, me njëqind burimet që gurgullojnë në këmbët e tij”.

Me pamjen e tij madhështore, Tomori bën pjesë në mitet e shqiptarëve të lashtësisë, të cilët e mbanin si Olimpin e tyre. Mitet mbi “baba Tomorin” janë ruajtur edhe sot e kësaj dite në folklorin dhe në letërsinë shqiptare. Mbi një majë të tij ndodhet një vend kulti, teqeja e Abaz Aliut, ku çdo vit, me 25 gusht, zhvillohet një pelegrinazh, në të cilin bashkohen jo vetëm besimtarët myslimanë, sidomos ata bektashinj, por edhe të krishterë. “Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria” ka shkruar një poet i njohur i shekullit XIX. Dhe me të vërtetë Shqipëria është një vend laik, i njohur botërisht për tolerancën e madhe fetare të banorëve të saj.

Drejtimi i dytë vlerësohet së tepërmi nga amatorët e kamionëve. Në اorovodë shihen kanionet e Osumit, që janë mbiquajtur “Kolorado e Shqipërisë”. Sportdashësit do të kënaqen së tepërmi duke kaluar nëpër këto kanione të thellë deri 70m dhe të gjërë nga 4 deri në 30m, të cilët zgjaten në lum për 13km.

Duke udhëtuar më në jug të Krahinës Malore Jugore mund të qëndrojmë në Gjirokastër, ose, siç është mbiquajtur në “qytetin e gurtë”, të përfshirë në trashëgiminë botërore nga UNESCO. Nga Gjirokastra mund të udhëtojmë drejt luginës së Pogonit, që shërben si kamp bazë për të bërë një ngjitje në malin e Nëmerçkës, në vargun malor më të lartë të tërë kësaj krahine, i cili kulmon me majën e Papingut (2489m), pranë kufirit me Greqinë.

Vargu malor i Lunxhërisë vazhdon drejt jugut me atë të Buretos (1763m), i cili shquhet për burimet e shumta, sidomos atij të Glinës të mirënjohur për ujin e tij mineral sulfato-kalcik me vlera të shumta terapeutike. Një shtegtim malor na jep kënaqësinë që të shohim fshatrat e bukura të Lunxhërisë, si Labovën apo Erindin në jug, apo Leklin në veri, si dhe na krijon mundësinë e ngjitjes në majën e اajupit (1536m) dhe në kullotat e njohura malore, me bimë të shumta mjekësore dhe burime të freskëta.

o_malet_e_shqiperise__3.jpg
O malet e Shqipërisë…

Relievi i vargut malor të Kurveleshit ka trajtën e një rrafshnalte tepër të thepisur, me përroska dhe kanione të thella. Në jug ky varg vazhdon me Malin e Gjerë, maja më lartë e të cilit është ajo e Frashërit (1789m). Pikërisht në këmbët e shpatit lindor të këtij mali shtrihet Gjirokastra.

Duke zbritur drejt detit

Udhëtimi jonë përfundon në Rivierën Shqiptare. Duke marrë nga Vlora rrugën drejt bregdetit jonian ngjitemi në Qafën e Llogorasë (1027m), në mes të një pylli pishash, bredhash dhe bushi.
Nga kjo qafë që është “ndrydhur” midis gadishullit të Karaburunit dhe vargut malor të اikës (2040m), ne mund të sodisim në perëndim deti jon me kaltërsinë e tij marramendëse dhe në lindje vargun malor më perëndimor të Shqipërisë, në cirqet akullnajore e të cilit bora qëndron deri në mes të verës.

Në veri mali i اikës vijon me Lungarën, ndërsa në jug me Malet e Vetëtimave, Akroqeraunet e lashtësisë. Shpati i tyre perëndimor, mjaft i rrëpirët, përbën një harc, një shkëmbishtë, që zbret shkallë-shkallë gjatë bregdetit jonian, duke formuar kepa dhe gjire të vegjël, në të cilët gjenden plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare, në Palasë, Dhërmi, Himarë, Porto Palermo. Në Palasë (Palaeste e lashtësisë) zbarkoi Jul Qezari dhe ndoqi nga Vlora ushtrinë e Pompeit. Më në jug, gjatë bregdetit jonian, në këmbët e shpateve perëndimore të malësisë së Kurveleshit shtrihen plazhet madhështore të Qeparoit, Borshit, Kakomesë dhe Sarandës.

Nga ana tjetër Lungara zbret dora-dorës drejt gjirit të Vlorës. Shpati perëndimor i pjerrët, që lartohet mbi këtë gji, përbën një nga visoret më piktoreske të bregdetit shqiptar.

Karaburuni, bregdeti i të cilit është i thepisur dhe formon harce me gjire të vogla dhe shpella detare, mbaron në Kepin e Gjuhëzës, i cili kufizon Gjirin e Vlorës, ndan Detin Adriatik nga Deti Jon dhe përbën pikën më perëndimore të Shqipërisë, në Kanalin e Otrantos, vetëm 75km larg Italisë.

* Duke iu përshkruar këtë vend malor, viset e tij të ngarkuara me histori dhe mundësitë e veprimtarive të ndryshme në qiell të hapur, mendojmë se iu kemi nxitur dëshirën për...Shqipërinë.
1-Për hollësi më të mëdha shih sitin : Accueil , Club Alpin Francais - Fédération française des clubs alpins et de montagne
2- Shihni po të njejtin sit Accueil , Club Alpin Francais - Fédération française des clubs alpins et de montagne. të Federatës Franceze të Klubeve Alpine dhe Malore
*-Përkthim i variantit të botuar frengjisht në
“La Montagne & Alpinisme”
Revistë e Federatës Franceze të Klubeve Alpine dhe Malore
Nr. 4, Paris 2009, pp. 58-65.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top