Nuk e njihni këtë njeri!

Nuk e njihni këtë njeri!

Shkruan: Avni Tafili

Si do ta njohësh, kur s’di gjë sesi ai njeri edhe pse ende nuk linde, ndjeu e kujtoi për ty! Jeta e tij është gjurmë, gjurmë me dritë hyjnore! Aq më shumë të njiheni me këtë njeri, aq më shumë do ta kuptoni sesa pak dini për këtë njeri! Jo nuk e njihni këtë njeri!

Nuk e njeh atë njeri! Pak prej njerëzve dinë se kush ishte ai njeri. Ti vetëm ke dëgjuar diçka për atë njeri. E mendon thjesht si çdo njeri. Jo, po ta njihje atë njeri, ti tjetër njeri do të ishe. Po ti edhe do t’i përuleshe madhështisë së njerëzisë së tij! Po ai njeri nuk do të pranonte përkulshmërinë tënde; ai jetoi që ti mendjemadhësinë e paditurinë ta përulje, e egon njëherë e mirë ta varrosje! Jo ti përulu me bindje ndaj të vërtetës e të pastrës.
E ti këtë nuk e bëre, e as s’do ta bësh, derisa me këtë njeri të mos njihesh! E si do të njihesh me këtë njeri, kur ai njeri sëmundjen, që ti në të jeton, nuk dëshiron që ai të ta shëroj! Epo ti flet, e mendon, por thellësia ta kundërshton, e ti e refuzon! Për këtë njeri nuk shkruhet, e të mos rrëqethen lëkurash, e të rrahin zemrash, e të lëkunden ndjenjash! Po ç’ke ti që nuk rrëqethesh, e as zemra nuk e ndryshon të rrahurën, e as ndjenjat nuk lëkunden!
Jo, assesi, po ta njihje, ndryshe do të ishe! Për të do të mallëngjeheshe, e çdo sekondë e jetës tënde në kujtesë për të do të rrinte. Ti nuk mund ta kuptosh këtë! E si ta kuptosh, kur të kuptuarit tënd kufi ka kënaqësinë që preket. Po, sepse ty e padukshmja të duket e paqenë e largët, e të vërtetën thuajse e përgënjeshtron!
Po ti ke harruar se ti brenda vetes fsheh gjene të njerëzve të mëdhenj, për të cilët jeta kuptim kishte vetëm kur njihnin të vërtetën e vetvetes! Jo ti s’je prej tyre, ti nuk dëshiron të jesh, ti gjurmon fijet e njerëzve që jetuan për jetën që vdes!
E si të njihesh me njerëzit e mëdhenj, ti je shkëputur prej tyre. Ti nuk i do ata, ndonëse ti do të dëshiroje të ishe si ata, por çka, vetëm famën, e jo veprën e karakterin e tyre. Po, sepse ti ke lexuar vetëm për famën e tyre! Vuajtjet dhe mundimet për të dhënë modelin e njeriut të madh nuk i ndjen, as sytë nuk ia hedh! E si kërkon modelin e tij, ti as nuk e njeh atë njeri.
Po sikur vetëm një këshillë prej tij ta dëgjoje, qoftë vetëm edhe një fjalë, e atë ta ndjeje duke përkujtuar sakrificën dhe mundimin, do ta ndjeje edhe shpirtin e asaj këshille që del prej një gjuhe që s’pushoi së lëvizuri që ty njeri të të linte modelin e njeriut të virtytshëm e të pajisur me moral të lartë! Jo, ti je i vogël, e as nuk dëshiron të jesh i madh, se ndryshe për të do të mallëngjeheshe, për të do të lotoje! Para fjalëve të tij do të gjunjëzoheshe me dashuri e përkushtim!
Sa i drejtë që ishte. Sa i mëshirshëm që ishte. Sa i butë që ishte. Sa zemërmirë që ishte. Sa shpejtë zemërohej kur dikujt padrejtësi i bëhej. Sa i kujdesshëm ndaj të tjerëve ishte. Sa i sjellshëm ndaj fëmijëve ishte. Sa i drejtë e i butë ndaj kundërshtarëve ishte. Nuk ngritke dorë mbi askënd, e si të ngritke dorë, lindi që njerëzve mëshirën t’ua predikonte, urtësinë t’ua mësonte, të vërtetën t’ua rrëfente! Udhëzimi hyjnor ishte morali i tij!
Po sa shumë vuajti që ti të njihje vetveten tënde! Vuajti ndërsa e vërteta dhe fuqia tek ai ishin! Pushteti i tij ishte pushtet i pamposhtur! Me të ishte gjithçka në qiej! Atij që në ndihmë t’i vinin vetëm një thirrje do t’i mjaftonte! Po jo, ishte shumë i dhimbshëm, shpresat për ndryshim e përmirësim nuk i humbte kurrë. Gjithnjë njerëzimit të mirën ia kujtonte! E urrente padrejtësinë, të pavërtetën, por atë e luftonte me butësi, me urtësi, e këshillë të mirë. Ishte i mëshirshëm! Pastërtia e morali ishte fuqia e pushtetit të tij!
Ai njeri që ti nuk e njohe kurrë, edhe kur e fyenin, kur e torturonin, e kur e keqtrajtonin, madje edhe kur e përgjaknin, ulte kokën duke u lutur për ta! Lutej, që ata njerëz të shihnin se ç’po bënin; po i bënin padrejtësi vetvetes!
Ende nuk po ndjen madhështinë e këtij njeriu! Jo, do ta ndjeje sikur errësirën brenda vetes ta zhdukje!
I butë. I urtë. I mëshirshëm. Po edhe i pushtetshëm. Pushteti i tij buronte prej të Gjithëpushtetshmit! Por pushtetin mbi njerëz nuk e donte, shpëtim për ta synonte! Erdhi në këtë jetë,e shkoi nga kjo jetë, që njerëzimin paqja ta përshkonte.
Si ta ndjesh, kur s’di gjë se si ai njeri edhe pse ende nuk linde, ndjeu për ty!
Sa pak dimë për këtë njeri!
I lavdëruar e i lavdishëm! Jeta e tij ishte gjurmë e pashlyeshme, gjurmë me dritë hyjnore! Jeta e tij, që nga lindja, e që me lindjen e tij ndriçoi, e hyri në zemra para se të hynte në mendjesh, e gjer në kalimin e tij në botën që Zoti vet ia caktoi, ishte shëmbëlltyrë e njeriut të natyrshëm e të pastër! Jetoi për të dhënë jetë. Jetë njeriut, që sot ky njeri thellë në shpirt nuk e ndjen. Po, sepse ende s’e ka njohur drejtë këtë njeri! Në dorën e tij u përmbushën dhuntitë e Krijuesit që të krijoi, Allahut xh.sh..
Paqja, lavdia dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!
MUHAMMED, I zgjedhuri i Krijuesit të Gjithësisë, salAllahu alejhi ve selem!
“E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” – Kur’an, 21:107
 
Back
Top