LeVoyageur
RDM 33 NSOE
Autor: Arian Musa
Kur vërej fëmijët duke u argëtuar, më japin një dozë nostalgjie për fëmijërinë time. Më kujtojnë kohën kur një lodër për mua ishte gjithçka, ngase me atë lodër mund ta argëtoja vetveten pafund. Imagjinata ime aso kohe krijonte situata nga më të ndryshmet me çdo gjë që më zinte dora. Mund të ndodhte që edhe një copë balt ta rrekte mendjen time me krijime mahnitëse. Me çdo cep apo objekt të natyrës ishte e lidhur imagjinata ime. Mendja ime fëmijërore nuk reshte së zbuluari veten në gjithçka që perceptonte. Nuk dyshoja asnjëherë në atë se çfarë isha unë, doja ta gjeja veten në gjithçka dhe gjithkund. Unë isha bota dhe bota ishte unë, asgjë nuk më bënte të dyshoja që do zbuloja të gjithën.
Gjithçka që e rrethon njeriun është zbulesë e vetvetes së tij. Trajta e njeriut ndryshon pambarimisht ashtu siç ndryshon gjithçka në natyrë, andaj ne nuk duhet të reshtim së zbuluari trajtat e reja që i merr vetvetja jonë. Është e çuditshme, menjëherë sapo njeriu tejkalon trajtën fëmijërore e ndal po thuajse në zero krijimtarinë e vet, zbulimin e vetes apo zbulimin e botës. Për mua, hëpërhë, të ekzistosh do të thotë të ndjesh unitet të qenies tënde me botën. Sa i përket konceptit, si njësi e të kuptuarit të botës, do të thosha; nëse duhet ta lejojmë konceptin të shfaq botën, atëherë ai koncept duhet të jetë pa kurrfarë trajte të përhershme, ashtu siç është dhe bota vet.
Në këtë temë ka shumëçka që duhet analizuar me kujdes, por kësaj herë le t’i shtrojmë vetëm dy pyetje esenciale; e para, pse njeriu po e ndal zbulimin e vetvetes? Dhe, e dyta, a e kemi të qartë se çka është ajo gjë që na bënë të jemi vetvetja?
Kam përshtypjen që kontribut të veçantë në zhbërjen e imagjinatës fëmijërore apo thënë ndryshe të zhbërjes së imagjinatës krijuese të vetvetes i jep vet bota njerëzore. Sepse sa po të ja veshësh botës me bollëk imagjinatën tënde, sidomos në moshën tënde post-fëmijërore, mendja e zakonshme dhe e cekët e shoqërisë do fillojë të të diskreditoj për aftësinë tënde mentale. Do të ta humb gjithë vetëbesimin e të pranuarit të asaj që ti ekziston si pjesë e botës. Duke të të kërkuar tinëzisht funksionimin tënd mental brenda normalitetit. Ku vet normaliteti mund të jetë gjithfarësoj krijimi, por jo dhe e natyrshmja e qenies njerëzore. E keni provuar gjithsecili se si karshi normalitetit jeni ndier të alienizuar sidomos në ballafaqimet më të hershme me të. Të gjithë jemi të huaj me botën dhe me tjetrin ngase muret ndarëse të unitetit me boten dhe me tjetrin i ndërton normaliteti.
Si fëmijë mendoja se jeta të jep mundësin të shfaqësh veten duke mbushur botën plot me krijimtarinë tënde. Por ja që vjen momenti kur hiqet perdja e mashtrimit, dhe kupton se je në një botë që nuk të ofron as një copë balt për të shprehur krijimtarinë tënde. Gjithçka është e vendosur tashmë dhe ka një formë të ngurtë. Neve na mbetet të bashkojmë copëza pafund të gjendjes shoqërore. Dhe kur i lidhë të gjitha ato copëza, do të kuptosh qartë pamjen e asaj se ku gjendesh. Pamje e bukur e një gjendje mentale statike të përgjithshme njerëzore qe shfaqet me krenari si të ishte vet qëllimi i qenies sonë. E që në të vërtetë është vetëm një frikë e kamotshme e disa frikacakëve që nuk guxuan të i qojnë deri në fund pyetjet më esenciale mbi qenien tonë. Të cilët për të fshehur friken e tyre ndërtuan rrjeta merimangash me disa koncepte boshe mbi të cilat nuk duhet mbi kaluar. Më flet shpesh edhe vetja ime e dobët që të kem kujdes nga të menduarit e tepërt, më kujton raste të bollshme të teprimit që s’lënë për të dëshiruar nga mënyra se si kanë përfunduar. Janë këto momente kufitare kur frika nga pa kuptimësia e qenies është më e zëshme se sa dëshira për ta shpalosur atë. Të rrallë janë ata që zhyten në pa kuptimësinë e botës dhe ja arrijnë të bëjnë paqe me të. Dhe ende më të rrallë janë ata që në atë absurditet të gjetur kanë ende vullnet të vazhdojnë dhe guxojnë të kërkojnë krijuesin dhe udhërrëfyesin në veten e vet.
Për të mirën e gjithsecilit askush nuk duhet të largohet nga rehatia e të menduarit njëjtë. Alarmi i përgjithshëm i normalitetit njerëzor është: Nuk bënë të luhet me mendjen njerëzore! Jo rastësisht psikologët janë në modë, ata i ndihmojnë jashtëzakonisht shumë personat që thellësisht ndjejnë kërcenim nga tejkalimi i zonës së rehatisë. Kujdesi duhet të jetë i shtuar ngase çdo mendim ndryshe apo edhe çdo ndjen ndryshe ka për t’i mbajtur gjithmonë hapur dyert e çmendinës. Është futur frikë e përgjithshme deri në palcë për mendimin e ndjenjën ndryshe. E them me ‘ndryshe’ jo me qëllimin që gjithsesi të jetë ndryshe nga çdo zgjedhje e përparme, por e zgjedhur në një formë ndryshe nga zgjedhjet që bëjmë. E mashtrojmë veten sikur jemi vetvetja dhe sikur kemi gjetur gjurmët e vetvetes sonë dhe pa përfunduar mirë fjalinë e qojmë ndërmend se si po na shohin të tjerët apo si po na vlerësojnë të tjerët. Pra e gjitha bëhet për t’i kënaqur apo shmangur të tjerët. Ky është gabimi jon që të tjerët na janë gjithmonë në sfondin krijimeve apo dhe zgjedhjeve që duam të i bëjmë. Tepër të rrallët janë ata që nuk qajnë kokën se çfarë mendojnë të tjerët.
Kush janë këta të tjerët? – Jemi të gjithë. Është vet frika jonë e brendshme që forcohet dhe ndërtohet gjithherë më fuqishëm mes njerëzve që nuk guxojnë. Frika është zaptuesja e shpirtit tonë qoftë për të mirë apo të keq. Edhe po që se u përpoqëm që ta luftojmë, të humbur do të përfundojmë. Caqet tona nuk tejkalohen duke e luftuar frikën apo të tjerët. Çdo sjellje dhe ideal i joni ndërtohet në përballje me ta. Zbulesa e madhe mbi veten time ishte kur pas gjithë asaj kalitje mbi krijimin e parimeve të mia morale, e kuptova që asnjë nga ato parime nuk vije nga vetja ime, madje nuk është as ndonjë intuitë morale e brendshme, dhe nuk ka të bëjë me kurrfarë përndritje të së mirës. Është pikërisht kjo frikë e kamur që nuk më lë të dal nga zona e rehatisë.
Ku ndodhem? Ç’po bëj? Janë pyetje që na drejtojnë drejt një pyetje më vetmitare dhe tronditëse; kush jam unë? Këto janë nga pyetjet parakusht që na zgjerojnë të kuptuarit e asaj çfarë po ndodh me të vërtetë me ne dhe rreth nesh. Aq më e pa njohur që të bëhet bota aq më shumë kupton mes njerëzish, vetëm pasi të kesh rënë në fund të humnerës së papërcaktueshmërisë mund të ngrihesh si zot i vetvetes. Vetëm atëherë do të arrish të jesh dëshiruesi i vetes tënde. Vetëm atëherë do të mund të filloj krijimi jot.
Krijues është vetëm ai që e ngrit krijimtarinë e tij nga e papërcaktueshmja dhe kaosi. Një fillim të tillë e guxojnë vetëm të guximshmit. Çdo njeri është krijues në mënyrën e tij, por për ta aktualizuar duhet ta prekim fundin e kaosit tonë të brendshëm.
E di si është të provosh krijimtarinë tënde pa ju kthyer papërcaktueshmërisë së brendshme. Ashtu si një artist i ngjyrave që provon të shpreh veten e tij duke marr për shembull ndonjë pikturë tjetër. Këtu as brusha e as ngjyrat bashkë me tekniken nuk janë të mjaftueshme për të shprehur ndonjë krijimtari, po që nuk doli diçka nga asgjëja apo thënë ndryshe nga brendia e shpirtit të tij. Krijim nga asgjëja kërkohet për çdo krijimtari, në të kundërt nuk mund të flasim për kurrfarë krijimtarie. Edhe krijuesi i vlerave të vlerave tona bëhemi atëherë kur bëhemi ndjekës dhe udhërrëfyes i vetvetes sonë, në të kundërt mbetemi veçse skllav të përjetshëm. Pra, një gjë nuk duhet harruar e që është me shumë rendësi; soditja në kërkim të vetvetes duhet i drejtuar brendisë, e jo të jashtmes. Sepse shpirti është si pasqyra, po reflektoj të jashtmen nuk do të shpëtojmë të përcaktohemi nga tjetri, ndërsa po reflektoj të brendshmen tonë, atëherë atë do ta nxjerr në pah.
Në kërkim të asaj se kush jam unë vazhdimisht gjej atë çka nuk jam unë. Sa do të doja të thosha që kam humbur vetveten, por ja që, as këtë s’mund ta them sepse për ta humbur vetveten duhet fillimisht ta gjej. E rruga drejt vetvetes më është një rrugë tërthorazi e cila më zbulon vetëm atë se çka nuk jam unë. Ndoshta është rruga e vetme që mund të i zbulohemi vetes duke zvogëluar opsionet e asaj çka nuk jemi. Andaj në sinqeritetin më të lartë me veten vetëm kaq mund të zbulojmë; ky nuk jam unë.
Virtualsophists