Andrew P. Morrison, profesor i psikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë në Harvard, përcakton se tek të rriturit një masë e arsyeshme narcisiste lejon balancimin e perceptimit individual si nevojë e tij për të krijuar një lidhje me të tjerët. Fjala narcisist vjen nga greqishtja dhe i referohet mitit grek, të riut Narcis, i cili u dashurua me refleksin e tij në ujë. Referimi i dashurisë së vetvetes si pjesë konstruktive e qenies humane dhe vetëbesimit para çdo qenieje tjetër, kthehet në vetëtopitje, në narkozë dhe gjendje idili të adhurimit të qenies sonë, ku pse jo mund të gjendet e mishëruar te një qenie tjetër si aspekt rastësor ose jetësor. Kjo shkakton surprizimin e ekzistencës së një qenieje të ngjashme me tonën në mënyrën e të menduarit dhe të të vepruarit. Vetëkërkimi që qenia njerëzore bën për të gjetur vetveten ose njeriun e ngjashëm deri në unifikimin e personalitetit të tij, vjen si pasojë e kalimit objektiv ndaj pluralizmit të uneve dhe mosngjashmërive të personaliteteve, si dhe mospranimit të paaftësisë për të kaluar pengesat. Aspekti i dytë është narcisisti në shoqëri, i cili sheh çdo nxënës të arrirë si rivalin e tij, si njeriun që duhet të sfidojë medoemos, pasi vetë superegoja e tij nuk e pranon që qenia e tij të dështojë para të tjerëve. Narcisisti nuk e pranon humbjen dhe nxit forma psikike mbrojtëse kundër logjikës së tij. Aspekti i tretë përfshin pjesën më të gjerë, atë të inferioritetit në shoqëri, punë ose në marrëdhëniet personale. Si pasojë e mospërputhjes së mendimeve, qëndrimeve, këndvështrimeve dhe analizimeve të situatave të ndryshme lind inferioriteti, i cili nuk është produkt i mosdijes, por i të ndjerit i papëlqyer në shoqëri. Gjithashtu vjen edhe si pasojë e mospasjes së një niveli të caktuar financiar dhe shoqëror, që shkakton dezonanca konjitive dhe jokoherencë emotive. Këto sjellje dhe besime të vetëstimuluara si mburojë e paraqitjes së shumë vlerave që mbart, por rrethi shoqëror nuk di e nuk do t’i shohë, ngacmon unin dhe superegon tonë për t’i pasqyruar këto vlera të gdhendura në një mburojë të vetëkrijuar, duke e kthyer superegon në id dhe unin në un narcisist (në vetëpëlqim). Si pasojë, narcisisti fillon të krijojë iluzione të tipit emotiv duke perceptuar një filtrim apo ngacmim erotik dhe joshës, duke e mbivlerësuar si joshje jo vetëm erotike, por edhe dehje e ngazëllim nga mbartja e dijeve tona. Ai fillon të aludojë mbi çdo sjellje të çdo njeriu që i kushton rëndësi sado të vogël, duke e ekzagjeruar dhe duke i dhënë peshë madhore. E ngre veten në piedestalin e figurës së adhurueshme. I gjithë ky qëndrim e vetëdije është krijuar jo nga realiteti ku bën pjesë, por nga bindja sadiste që ushqen dita-ditës. Në vazhdim, ndihet i plotësuar, i adhuruar i pakuptuar nga inferiorët, por një “gjeni” i vërtetë, duke i dhënë merita e vlera të paqena vetes, madje duke besuar se është qendra e universit, se partneri nuk e kupton, se shoqëria është aty e vepron ashtu se s’di… I mënjanohet shoqërisë, e sheh me syrin e kotësisë partnerin, e vlerëson vetveten dhe adhuron ata që mendojnë si ai/ajo, adhuron personin që e vlerëson, ndërsa neverit atë që nuk e do apo i del kundër parimeve të tij. Ky lloj personi është kthyer në qenie të rrezikshme shoqërore, pasi është i verbuar dhe vepron ashtu siç i ka krijuar bindjet e tij. Në subkoshiencën e tij çdo gjë është perfekte. Ai nuk vepron gabim, atë nuk e “kuptojnë”, prandaj vepron sipas mënyrës së vet. Gjithashtu, ajo që bie menjëherë në sy është se beson çdo gjë të gënjeshtërt. ثshtë gati t’i japë fund një lidhjeje bashkëshortore, pasi në besimin e tij e justifikon duke thënë se partneri nuk e kupton dhe se nuk e ndjen më veten të barabartë me të. Nga ana tjetër, nuk është i detyruar ta justifikojë ndërgjegjen, pasi natyra narcisiste nuk është aspak skeptike ndaj veprimeve që ndërmerr me të tjerët dhe sado të rritur të jemi, nuk jemi të detyruar t’i japim arsye logjikës duke qenë se vetë idi nuk ka arsye. Në rastin e narcisistit nuk është fakti vetëm nëse do të bëjë diçka, por dhe tek mosvënia në funksion të arsyes dhe të nxitjes së egos për t’i thirrur “pse”-së dhe “sepse”-së, por ai qëndron te kjo gjendje pasi nuk do dhe nuk e sheh të nevojshme të japë shpjegime, pasi justifikimi i tij është gjithmonë që nuk e kupton kush, se të gjithë e kanë gabim, se vetëm ai që e do dhe e mbështet është njeri perfekt dhe në mënyrë të pakuptueshme përjeton flirtime erotike, duke arritur në besime të verbra që e çojnë në ndërmarrje apo rrugë vendimtare shkatërruese jetësore, duke ngritur një realitet virtual dhe hedhur poshtë jetën reale. Kthim te vetvetja? Narcisisti e përjeton vetëm kur gjendet në një moment kritik të jetës, kur zbret me këmbë në tokë. Vetëm atëherë bindja e tij narcisiste do të vijë duke u fashitur dhe do të stepet ndaj sipërmarrjeve të pamenduara mirë më parë. Narcisist mund të bëhet kushdo. Nuk është një sjellje që shfaqet vetëm atëherë kur e duam, por vjen si pasojë e besimit të tepërt në vetvete, nga “shkollimi i tepërt” (kur të hyn vetja në qejf, pasi mendon se qëndron shumë më lart se të tjerët) apo nga bindjet foshnjore të tipit kush është i pari i klasës është edhe më i miri në shoqëri. Në përgjithësi narcisistë janë ose bëhen ata njerëz që ndihen inferiorë për një kohë të gjatë në shoqëri apo në një marrëdhënie. Për këtë arsye krijojnë personalitetin e dyfishtë: atë të besimit dhe të adhurimit të vetes deri përtej kufijve të normales. Mohimi ndaj të tjerëve s’është gjë tjetër veçse mospranimi me objektivitetin e duhur ndaj kundërshtive. Narcisismi nuk është sëmundje dhe aq më tepër ves. ثshtë një qëndrim dhe bindje që krijon subkoshienca për realitetin dhe për rolin e tij në këtë realitet objektiv, i cili mund të jetë i përkohshëm, por edhe i përhershëm. Shpesh narcisismi shihet edhe si një formë patologjike kur një individ ka nevojë për admirim dhe vëmendje gjatë gjithë kohës, ndaj kjo “patologji” vjen atëherë kur njeriu nuk pranon humbjet dhe dështimet e njëpasnjëshme në jetën e tij. Narcisisti mund të jetë njeri shumë i suksesshëm dhe për këtë arsye e adhuron tej mase vetveten.
RevistaPsikologji.
RevistaPsikologji.