Ashtu si çdo vit, e diela e fundit e tetorit sjellë me vete ndryshimin e orës. Në natën midis 24 dhe 25 tetorit 2020, do të ndërrojë ora sërish, akrepat do të lëvizin një orë prapa, duke na dhënë të gjithëve mundësinë për të fjetur një orë më shumë, por edhe do të errësohet më herët.Në këtë mënyrë rikuperohet ora “e humbur” në fund të marsit duke vijëzuar orët me lëvizjen e diellit.
Megjithatë mund të jetë hera e fundit që ajo do të ndryshojë. Në prill do të dimë nëse viti 2021 do të shënojë fundin e ndryshimit të orës, në fuqi për 54 vjet. Një ndryshim që mund të shkaktojë konfuzion në nivelin e zonave kohore evropiane, i cili është ende në diskutim, pasi në vitin 2019, Parlamenti Evropian votoi në favor të heqjes së ndërrimit të orës përgjithmonë.
Kjo do të jetë në dorën e secilit shtet anëtar të vendosë nëse do të qëndrojë përgjithmonë në "kohën e verës" ose do të ndryshojë orët e tyre një herë të fundit në një kohë të përhershme standarde, e njohur gjithashtu si "koha e dimrit".
Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj europian në vitin 1981, ndërsa në Europën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ‘70-ta me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.
E kujt ishte ideja që ora të ndryshohet?
Një anglez i quajtur William Willett në vitin 1907 prezantoi idenë e ‘Kohës Verore’, në mënyrë që njerëzit të mos i çojnë kot orët e çmuara të dritës gjatë mëngjeseve verore.
Ai e mendoi këtë ide në mënyrë që t’i nxirrte njerëzit nga shtrati më herët, duke e ndryshuar orën. Ai propozoi se ora duhet të shtyhet për 60 minuta në katër hapa progresiv gjatë muajit prill dhe në të njëjtën mënyrë gjatë muajit shtator.
Willett pastaj kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke u përpjekur për t’i bindur njerëzit se skema e tij ishte e duhura./Motilokal.com