Mos e nencmo asnjerin

Abstrakt

😉
Mos e nencmo asnjerin
Aid el Karni

Në jetën time kam mësuar shumë gjëra. Njëra prej tyre është që lëvdata e sinqertë dhe e vërtetë i pëlqen çdonjërit, madje edhe atyre njerëzve që janë më të devotshmit dhe më modestët. Fjala e tillë ndikon në shpirtin e njeriut dhe i sjell qetësi.

Kur rrija me njerëz të devotshëm e të shkencës, vëreja se sa bukur reagojnë ndaj lëvdatës së sinqertë, sa i qetëson dhe u sjell gëzim ajo. E tillë është natyra e fjalës së vërtetë dhe të bukur. Nga ana tjetër, kjo është metodë e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), ai nxiste që të sillemi mirë ndaj njerëzve dhe t’i vlerësojmë meritat e tyre. Allahut i pëlqen kur i gëzojmë njerëzit tjerë.

"Vetëm me mëshirën e Allahut, ti je i sjellshëm ndaj tyre; e sikur të ishe i ashpër dhe zemërak, do të largoheshin nga afërsia jote. Andaj fali dhe lutu që t’u falen mëkatet dhe merru vesh me ta. E kur të vendosësh, atëherë mbështetu te Allahu, ngase Allahu vërtet i do ata që mbështeten te Ai. Nëse Allahu u ndihmon, askush nuk mund t’u mposhtë, ndërsa nëse u lë pa mbështetje, cili është ai, që pos Tij, do t’u ndihmojë? Dhe vetëm te Allahu të mbështeten besimtarët!"[1]

Autori i librit Si të fitojmë miq thekson se njëri prej kushteve më të rëndësishme për miqësi të mirë është pikërisht lëvdata e mirë dhe e sinqertë. Natyrisht, këtu nuk ka vend për kurrfarë teprimi e as gënjeshtre. Ajo është çështje e respektit, e sinqeritetit dhe e fisnikërisë.

"Allahu ka krijuar gjithçka me masë."[2]

Prandaj, në raportet me njerëzit nuk duhet të ketë lëvdata të tepruara, e as ftohtësi apo injorim.

Çdonjëri mund të sillet në mënyrë të egër ndaj njerëzve, por kështu do t’i humb përgjithmonë ata, në anën tjetër mund të jemi të sjellshëm dhe të qeshur, e në këtë mënyrë i përfitojmë ata.

"Ti mëshirën tënde shfaqe ndaj besimtarëve që të ndjekin."[3]

Është detyrë e jona që të shoqërohemi me njerëz dhe t’i përfitojmë zemrat e tyre me dashuri, fjalë të bukura dhe sinqeritet. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të Allahut në Tokë.

"Dhe njerëzve u flisni fjalë të bukura."[4]

Ekzistojnë njerëz që janë jashtëzakonisht të mirë në kritika konstruktive dhe këshilla qortuese. Por të tillët shumë shpejt dorëzohen, humbin zemrën dhe energjinë dhe në fund duken si shelgu vajtues. Ata bartin me vete jotolerancë dhe pesimizëm; ngado që shkojnë, pas vete lënë vetëm shkret, brengë, pikëllim në shpirtin dhe sytë e njerëzve.

Nga ana tjetër, kemi njerëz që janë gjithnjë të qeshur. Ata rrezatojnë mirësi dhe lumturi dhe këtë e transmetojnë tek të tjerët duke ua lehtësuar atyre kështu jetën. Ata janë promotorët e vërtetë të pajtimit dhe të gëzimit!

Çdo njeri, me ndihmën e Allahut, duhet të sakrifikojë çdo gjë për ta fituar sinqerisht dashurinë e Zotit, të Dërguarit dhe të njerëzve. Kjo arrihet me sjellje të mirë dhe pozitive, si dhe është më e vlershme se të gjitha thesaret dhe pasuritë në këtë botë.

Kush dëshiron veti të mira dhe të pëlqyera duhet të angazhohet dhe të djersitet ngase ato ndodhen në maje të vetive të njeriut. Nga ana tjetër, është lehtë të bëhesh i prapë ngase gjërat negative janë në fund dhe tërheqin vetëm në humnerë. Të biesh është e lehtë, por është e vështirë të arrihet në maje.

Nga përvoja ime kam kuptuar se njerëzit i gëzon dhe i lumturon kur ua vlerësoni cilësitë e mira, talentin dhe meritat. Kjo i nxitë të jenë edhe më ambiciozë dhe më të zellshëm.

Përkundër kësaj, kur nuk e vëreni punën dhe zellin e dikujt, vjen deri te frustrimi, dëshpërimi, pakënaqësia dhe pesimizmi. Njerëzit që nuk i vërejnë të tjerët janë persona mendjelartë, të cilët mendojnë se vetëm ata janë të ditur dhe se vetëm ata vlejnë të përmenden, e ky është mashtrim i madh dhe gënjeshtër.

Njoh shumë njerëz të cilët janë luftëtarë të shquar dhe të vendosur për mirësi dhe vërtetësi, por nuk kanë ditur sa kanë punuar përderisa dikush nuk i ka lavdëruar dhe u ka treguar madhështinë e asaj që e kanë punuar dhe çka kanë sakrifikuar.

E njoh një student që është shkrimtarë shumë i mirë dhe i cili tashmë ka shkruar disa vepra të shkurtra. Mirëpo, askush nuk e ka lëvduar e as që e ka vërejtur punën e tij, kështu edhe pas studimeve mbeti i pavërejtur dhe pa kurrfarë ndikimi në shoqëri.

Nga ana tjetër, e kam dëgjuar një herë një incizim në të cilin ishte një ligjëratë e një studenti të panjohur. Ligjërata më pëlqeu shumë, andaj u interesova për ligjëruesin, e gjeta dhe e lavdërova për incizimin. Ai ishte shumë i gëzuar, i kënaqur dhe falënderues ndaj Allahut për çdo arritje të tij. Incizimin ia propozova disa shokëve, ata të njohurve të tyre, dhe kështu për studentin të panjohur fare deri dje, filluan të flasin anë e kënd vendit. Së shpejti publikoi edhe disa incizime të tjera dhe u bë i njohur në mbarë vendin.

Kjo dëshmon më së miri për rolin e vlerësimit dhe të lëvdatës për punë të mirë.

Prandaj, mos e injoro askënd dhe mos e moho punën e asnjërit. Lidhur me këtë duhet qenë shumë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm. Allahu në Kuran thotë:

"O besimtarë, meshkujt të mos e fyejnë njëri tjetrin, mund të ndodhë se janë më të mirë se këta, e as gratë të mos i fyejnë gratë tjera, mund të ndodhë se janë më të mira se këto. Dhe mos qortoni njëri tjetrin dhe mos i vëni njëri tjetrin nofka fyese! Ah sa e shëmtuar është që besimtarët të quhen me nofka fyese! Kurse ata që nuk pendohen – i shkaktojnë padrejtësi vetvetes."[5]

Të gjithë njerëzit kanë dëshirë që dikush t’i mbështesë, t’i lëvdojë dhe t’i nxitë për punë të mëtutjeshme dhe suksese të reja.

"Ai u ngrys dhe ia ktheu shpinën ngase iu afrua i verbëri, por çka di ti – ai mbase dëshiron të pastrohet, apo të mësojë, që të ketë dobi nga mësimi. Atë që është i pasur, ti atë e këshillon, po ti nuk je fajtor nëse ai nuk beson; e atë që të afrohet me nxitim dhe me frikë, ti atij nuk ia vë veshin fare. Mos e bëj këtë! Ata janë mësim."[6]

"Qëndro me forcë me ata të cilët i luten Zotit të vet në mëngjes dhe në mbrëmje me dëshirë që ta meritojnë dashurinë e Tij dhe mos i heq sytë e tu prej tyre nga dëshira për shkëlqimin e jetës në këtë botë, si dhe mos e dëgjo atë zemrën e të cilit e kemi lënë të painteresuar ndaj Nesh, i cili e ndjek pasionin e vet dhe veprimet e të cilit janë larg nga logjika."[7]

"Dhe mos largo prej vetes ata të cilët në mëngjes dhe në mbrëmje i luten Zotit të tyre duke dëshiruar dashurinë e Tij – ti për ta nuk do të përgjigjesh, e as ata nuk do të përgjigjen për ty, ngase, nëse i largon, do të ishe mizor."[8]


Prandaj, mund të shohim se si i Dërguari, është qortuar ngase nuk i ka kushtuar vëmendje një njeriu të verbër, i cili dëshironte të hynte në Islam.

Në librin e tij Ditët Taha Huseini thekson dëshmi tronditëse nga fëmijëria e vet, kur profesorët e Ez’herit e quanin të verbër duke lënë kështu në shpirtin e tij vragë të përhershme dhe duke e bërë që ta urrejë atë universitet.

Duhet pasur parasysh se asnjëri prej nesh nuk dëshiron të poshtërohet dhe të nënçmohet. Atëherë përse ia bëjmë këtë të tjerëve?

Do të vëreni sa e ftohtë dhe e mërzitshme është një ndejë në të cilën flet vetëm një person, kur dominon monologu dhe shprehja "unë". Atëherë çdonjëri ndjen një barrë dhe boshllëk në shpirt, e krejt kjo për shkak të faktit që është i injoruar dhe nënçmuar.

Më kujtohet në Institut në Riad i kushtoja shumë vëmendje leximit dhe shkrimit të poezisë. Shumë profesorë më lavdëronin dhe kështu ndjehesha poet i madh si Ebu Temame dhe Mutenebiu, madje edhe më i madh se ata.

Me një rast kur arriti një delegacion në Institut, nga unë kërkuan ta lexoj një poezi ngase asnjëri prej studentëve të tjerë nuk shkruante. Pas leximit, të gjithë më lëvduan dhe më bekuan. Kur u plaka dhe e njoha më mirë letërsinë, e pashë se poezia ime nuk ishte edhe aq e mirë. Megjithatë, atëbotë kishte shumë rëndësi për mua dhe më kishte ndihmuar shumë. Prandaj, nuk duhet t’i nënçmojmë të tjerët e as t’ua vështirësojmë jetën. Nuk është diç e madhe ta lavdërojmë dikë dhe të sillemi mirë me të, por është shumë me rëndësi, sikurse që është dielli për bimët.



[1] Ali Imran, 159-160.
[2] Kamer, 49.
[3] Araf, 203.
[4] Bekare, 83.
[5] Huxhurat, 11.
[6] Abese, 1-11.
[7] Kehf, 28.
[8] En'am, 52.
 
Back
Top