Mitrush Kuteli

CoNNecT

Administrator
Mitrush Kuteli është pseudonimi i Dhimitër Paskos, i njërit prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme.
Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kuse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin "Doktor i shkencave ekonomike". Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa vdiq, më 4 maj 1967, si përkthyes.Mitrush Kuteli, si një personalitet demokrat që i shpalli hapur e me guxim pikpamjet e tij, u keqtrajtua nga shteti monist deri sa u dënua edhe me burgim. Keqtrajtimi i tij vazhdoi edhe pas daljes nga burgu, kur ai u detyrua ta vazhdojë punën e tij krijuese në kushte të vështira ekonomike dhe i lënë në harresë nga shtypi zyrtar.
Veprimtarinë letrare e nisi me botimin e vjershave e tregimeve, po edhe me artikuj që kishin një frymë antizogiste në gazetën "Shqipëria e re", në Kostancë (Rumani).
Vepra letrare të tij janë vëllimet: "Netë shqiptare", "Ago Jakupi", "Kapllan aga i Shaban Shpatës", "Dashuria e berberit Artan", "Shënimet letrare", "Sulm e lotë", "Këngë e britma nga qyteti i djegur", "Mall e brengë", "Havadan më havadan", "Tregime të moçme shqiptare" etj. Si përkthyes ai pasuroi kulturën shqiptare me Kryevepra të letërsisë botërore si "Kujtimet e një gjahtari" të Turgenjevit, "Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekura" të Gogolit, "Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit, vepra të Gorkit, të A.Tolstoit, të Paustovskit poezi të Pablo Nerudës etj.
Tregimet e Kutelit ose rrëfimet, siç i quan ai, përbëjnë në përgjithësi një prozë realiste me tërë shqetësimet e jetës së fshatit malor të Jugut. Në tregimin e tij gjejmë traditat më të mira të letërsisë sonë, përsa i përket rrymës së thellë demokratike. Personazhi i tregimit të Kutelit është fshatari shqiptar, i dhënë në marrdhënie e raporte komplekse me klasën feudale, në luftën e tij për mbijetesë në një shoqëri ku sundon anarkia. Në rrëfimet e tij pasqyrohet e kaluara e fshatit shqiptar, po, duke shprehur pakënaqësinë ndaj realitetit ose shqetësimin për fatin dhe dinjitetin e njeriut të thjeshtë e për vlerat shpirtërore të tij në kushtet e rendit obskurantist, feudal, ai u vu në opozitë edhe me shoqërinë e kohës. Pra e kaluara në rrëfimin kutelian u bën jehonë mjaft problemeve të realitetit shqiptar të kohës, si gjendjes së rëndë të fshatarësisë, shfrytëzimit të egër feudal, përpjekjeve dhe luftrave të saj për të ruajtur lirinë e për të jetuar me dinjitet.
Në këto tregime pasqyrohen edhe disa plagë të rënda të shoqërisë shqiptare si: kurbeti e vëllavrasja.
Një fshat i tërë shuhet nga veprimet çnjerëzore të beut, mali mbushet me kaçakë të betuar për hakmarrje, dashuria fshihet thellë e më thellë, shpirti i mërgimtarit digjet nga malli për vendin e vet, gërmadhat skuqin nga pushtuesit, kurse fëmijët i kthejnë hallet e rënda të prindërve të tyre në motive të lojës së pafajshme dhe kështu fillojnë të ndjejnë peshën e jetës.
Dallohen për problematikën e rëndësishme, për tonin e rreptë antifeudal, për dashurinë ndaj atdheut e ndaj njeriut të thjeshtë të popullit, për përbuzjen ndaj gjithçkaje të huaj që vjen të shkatërrojë një traditë të bukur tregimet: "Vjeshta e Xheladin beut", "Hanet e karvanet", "Si u takua Ndoni me Zallorët", "Gjonomadhë e Gjatollinj", "Xha Brahua i Shkumbanares", "Kujtimet e kujtimeve", "Natë muaji Shembiteri", "Natë marsi", "Qetësi para fërtyne" etj.
Dramaciteti i këtyre tregimeve është gërshetuar me një humor shumë të hollë, që vjen gjithnjë organikisht, si sfidim i tragjicitetit. Ai përfaqëson optimizmin karakteristik të thjeshtë e me pasione të fuqishme.Tregimet e para të Kutelit u shquan për lirizmin dhe përshkrime dehëse, kurse të tjerat u shquan për thellësinë dhe vërtetësinë e përshkrimit të jetës.
Historiani, etnografi e filozofi janë shkrirë me poetin, që i këndoi rrjedhshëm në prozë jetësinë e popullit të tij. Tregimet më të mira të tij si: "Xha Brahua i Shkumbanares", "Vjeshta e Xheladin Beut", "Kujtimet e kujtimeve" etj, karakterizohen nga vërtetësia e pasqyrimit nga ngrohtësia e ndjenjës dhe bukuria e mendimit. Në gjithë krijimtarinë e tij gjejmë përjetësimin e krahinës, të gjithë malësisë së Pogradecit. Ai i bëri në prozë krahinës së tij atë përjetësim që i bëri Lasgushi në poezi.
Proza kuteliane dallohet për lidhjen e saj të gjallë me traditën gojore, përrallën, legjendën e sidomos me baladën e Jugut, që ndikuan thellësisht në krijimtarinë e tij. Ky ndikim ndihet në mënyrën e dhënies së personazhit, në formën e shpalosjes së fantazisë e nostalgjisë, në mënyrën e trajtimit të motiveve e detajeve të shumta epike e lirike, të dhënies së botës shpirtërore, të personazheve, në ngjyrat e ndezura dhe tonet e ngrohta, në zhdërvjelltësinë e gjuhës, në humorin dhe ironinë e hollë dhe humanizmin e thellë. Asnjë prozator shqiptar nuk është mbështetur kaq fort te proza e pasur gojore e popullit, te balada e rapsodia. Në tregimet e Kutelit, të konceptuara në përgjithësi në trajta epike, ndihet poezia e një jete të lashtë shqiptare të rizgjedhur nga shpirti i kombit. Në disa tregime si "Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e zotit", "I pasuri që ish i varfër fort", "I vdekuri dhe i gjalli", "Rinë Katerinëza" etj. Kuteli kërkon një përsosje shpirtërore, një drejtim të njeriut ndaj së mirës dhe humanes sipas filozofisë kristiane. Ato karakterizohen nga tone romantike e ngjyra impresioniste. Pjesa më e madhe e krijimeve të këtij autori, janë tregimet mjeshtërore, që e ngritën prozën tonë të shkurtër në një shkallë të lartë ideoartistike. Proza e Kutelit është e fuqishme me frymë të theksuar popullore, me një gjuhë shumë të pasur e të përpunuar. Në përgjithësi ajo është realiste, por, krahas realizmit, ndihen dhe tone romantike. Pothuaj në të gjitha tregimet, ngjarjet zhvillohen në të kaluarën. Por kjo e kaluar është një mjedis ku ai qëmton probleme e motive të rëndësishme të kohës. Ai vështron në të kaluarën, për të sjellë jehonën dhe shembullin e gjithçkaje të mirë, që ruajti populli ynë nga rebeshet e kohës.
Proza e Kutelit bën pjesë në fondin e artit të letërsisë sonë. Ai i ruan vlerat kryesore ideoartistike ngrohtësinë e poezinë e saj dhe është shembull i mbështetjes krijuese në traditën popullore. Në vitet '30 ky autor kontribuoi shumë shumë për ngritjen ideoartistike të prozës sonë të shkurtër në nivelin e poezisë, sepse deri atëherë ajo kishte mbetur prapa saj.
Mitrush Kuteli zë një vend të veçantë në kulturën shqiptare edhe si studiues kritik. Ai shkroi mjaft artikuj, por studimi, vlerësimi i drejtë e botimi që u bëri ai veprës së dy poetëve të shquar të viteve 20-30 Fan Nolit dhe Lasgush Poradecit, e renditi atë në radhën e kritikëve të talentuar shqiptarë, me shije të përparuar, me intuitë artistike, gjykim të thellë e kulturë të gjerë. Ai gjithashtu mbetet një folklorist i apasionuar. Materialet që ai mblodhi me durim e kujdes, i përmblodhi në vëllimin "Këngë e britma nga qyteti i djegur", Fryt i përpunimit me mjeshtëri i materialeve folklorike ishte edhe vëllimi "Tregime të moçme shqiptare" etj.
 
Mitrushi eshte burr i mire bashke me Lasgushin.
 
Mitrush Kuteli

Mitrush Kuteli
 

Attachments

  • u1_Mitrush-Kuteli.jpg
    u1_Mitrush-Kuteli.jpg
    5.1 KB · Shikime: 91
"...Ta duan vëndin dhe gjuhën tonë gjer në vdekje"

Fëmijët i porosit ta duan vëndin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shfaqë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdhe është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur këtu të rrojnë me mish e shpirt qoftë edhe me dhembje.


Testamenti i shkrimtarit Mitrush Kuteli, drejtuar gruas së tij.

Të plot mund ta lexoni në vijim...


TESTAMENTI



E dashur Efterpi,


Këtë letër, që është ndoshta e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurt më dridhet. Ti s‘je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit. Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri prapë. Në një çast u gjende ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterre të Kalasë pranë Kishës. Më tej në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkoja ndonjë shtëpi për t‘u fshehur. Isha zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: "Qëndro , Dhimitri! Të zumë", Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qejf të më vrisnin...Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo اomora, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje "Si u bë kështu o Pasko? ا‘ke bërë?" - S‘di.-"Shiko këtu". Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I erdhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. "Fundja do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime kaq qënë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi". Kur u ngrita ti po bëheshe gati për Rrushkull. Kokën e kisha dhe e kam të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysëm. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli...sipas mëndjes sime shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet , edhe nga gazet , por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje kam pasur kohët e fundit. Njëra, që ti ma di është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krijoj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë skam qënë dhe s‘dua kurrë të jem parazit. Po ç‘të bëj grua? S‘mund. Kokën e kam të turbullt.

...

Letrën ta nisa për tjetër gjë: të të përsëris porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t‘i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s‘kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë helmi i fundit që po të sjell.

Ne u bashkuam, rrojtëm e bëmë fëmijë në vjet stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Por atëherë kisha shëndet dhe i kapërceva të gjitha. Tani, ti e di... I di netët, e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngrën. Nuk e dua por nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më cik. Më vjen keq që do ti lë fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t‘ua arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. "Skam vjet shërbimi". Domosdo 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, po këta jetë pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta pas vdekjes kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund ti ndihmojë për hir të punës sime të kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë e shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetjak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim....

Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi e nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara Bashkisë, kur muarën vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati....

Do më njohë dhe do të më kuptojë dikush të paktën pas vdekjes?

Nuk e di: Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi po që fëmijët e mij të cilëve ju lë trashëgim punën dhe ëndrrat e minja të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë. Jam i sigurt se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin. Nisa të shkruaj një letër lamtumire të shkurtër dhe u nxeva - ndonëse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa- dhe shiko se ku arrita.

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem për ilaçe. Netët i kam skëterre, siç i di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosi edhe njëherë.

1. Kur të vdes mos më bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër mure. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota?: S‘dua!

Nuk do të lajmëroni para varrimit asnjërin, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërm për të bërë formalitetit e varrimit dhe varrimin. Kaq.

S‘kam qejf të mërzis njeri. Sikush ka hallet e veta.

2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Poradec, pranë babait e nënës ose lart në gështenjat, në Shën Djelë. Tani e kam ndryshuar mëndjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjithë Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

Fëmijët i porosit ta duan vëndin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shfaqë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdhe është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur këtu të rrojnë me mish e shpirt qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeliu kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike ajo fizike, ay mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen për arsimtar, dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesion kryesor. Profesionizmi në letërsi në vëndin tonë është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur them për atë që s‘di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë ku gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët se u bën hije . Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ia lë atyre të dyve sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t‘i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti prirja nuk vlejnë asgjë pa punë , pa kulturë.

Askush të mos i prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri-tjetrin, të duroni njëri-tjetrin....Do ti kërkoni jetës aq sa mund t‘ju japë.

Ta doni dhe ta nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq shumë tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvojë nga jeta e hidhur dhe kjo përvojë mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.

Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihmë dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.

Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën,. Mbarova qerthullin tim. Nuk dua t‘ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë as që dua të ngjallem, as që dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.

Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vijnë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngaherë varrimet e bujshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë me përjashtim të Foqit dhe Nestit. Dajon tënd të madhin (K.) si dhe të shoqen do ti paralajmërosh më tej, të mos shkelin në shtëpinë tonë. As ti, as fëmijët e minj s‘kanë nevojë për vizitën dhe ngushëllimin e tyre! Kurrë! Të kam thënë gjithnjë: gjaku ujë s‘bëhet...po bëhet qelb.

Për këtë shkak nuk dua që ime motër Lirie të më qajë e të bëjë gurgulet e saja. Sot më vret me sjelljet e saj të fëlliqura, nesër më qan, si në komedi. Jashtë!

Të përqafoj , të lutem të më falësh dhe lamtumire.

Yti

Dhimitraq
 
Titulli: Atdheu eshte atdhe, bile edhe atehere, kur te vret

Mitrushi te drejta ka.
Po kur nuk te konsideron fare cfare i bie te jete
 
Titulli: Mitrush Kuteli

ABC-ja e Kreshnikeve


A
- E njeh Zenelin?
- Jo, nuk e njoh!
- U bë për të vrarë. E do ta vras!
- Si e qysh?
- Dje më shkeli hijen!
- Hijen tënde?
- Timen! Ecja rrugës, në diell, kur më arriti Zeneli. Hija ime ishte aty poshtë. Ish e gjatë, sepse dielli perëndonte. E priste më dysh rrugën. Zeneli më dha tungjatjetën edhe ma shkeli hijen. ا'të bëj?
- Vraje!
- E vrava.
- Aferim!
Pas pakëz, duke pirë duhan.
- Fëmijë ka Zeneli?
- Ka po janë të vegjël.
- Vraji!
- T'i vras?
- Vraji se do rriten. Më mirë tani sesa më vonë.
- Mirë thua; ke të drejtë. Do t'i vras! Do t'i shuaj! I ati më shkeli hijen. Kjo s'është pak!

B

- Dëgjove gjë?
- Jo.
- E vranë Todrin.
- Ku?
- Në mes të tregut.
- Kishte faj?
- Tani s'ka faj se është i vdekur, po atëherë kish.
- Si e qysh?
- Todri po shikonte një dru telefoni. Ish pak si i vrenjtur se s'kish me se të blinte bukë. Iu afrua një burrë me mustaqe, trim me fletë si çdo burrë me mustaqe, edhe i tha: - Bre qen!
- E njihte burri me mustaqe Todrin?
- Jo nuk e njihte. Por e vërteta: burri me mustaqe kish të drejtë. Bre qen! - i tha trimi me mustaqe: Bile i tha: Bre qen i qenit! Pse vështron me inat drunë e telefonit?
- Më fal, se të pres fjalën: druri i telefonit mos ish i trimit me mustaqe?
- Jo. Druri mund të ish i kujt të ish. A mund të mos ish asfare, mall pa zot si është malli i shtetit. Po sidoqoftë Todri e vështronte me inat drunë e telefonit.
- Ndofta sepse kish barkun bosh...
- Punë e tij. Bre qen, tha trimi, bre qen i qenit! Pse, bre, vështron me inat drunë e telefonit? Todri desh t'i përgjigjet, po trimi nuk e la: nxori koburen edhe e vrau. - Na, i tha, të të mësoj unë të shikosh me inat drunë e telefonit!
- Kish të drejtë trimi.
- Doemos, se po të mos kish nuk e vriste.

C

- S'po e shoh prej disa ditësh Zefin.
- As e ke për të parë, Zefin e vranë.
- Pse? Kush?
- Fajin e kish Zefi.
- Fol!
- Nipi i të kunatit të vëllait të Zefit...
- Nuk mora vesh. Edhe një herë, të lutem.
- A ka një vëlla Zefi?
- Ka.
- Edhe ky a ka një kunat?
- Ka.
- Edhe kunati a ka një nip?
- Ka.
- Pra, nipi i të kunatit të vëllait të Zefit kish rënë në gjak me një shtëpi kreshnike kombëtare.
- Vetë nipi?
- Jo, shtëpia. Punë e vjetër, gjysh-stërgjysh, po ti e di se gjaku s'falet.
- Jo! Po të falet, humb burrnia, ndera e trimnia.
- Po, pra... E meqë shtëpia e të nipit të kunatit të vëllait të Zefit ish në gjak, erdhën edhe e vranë Zefin, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, (ndjesë pastë!).
- Në e vranë sipas Kanunit, bënë mirë. Iu rrittë ndera e trimnia e burrnia hasmit të shtëpisë të të nipit të kunatit të vëllait të Zefit. Më vjen keq për Zefin, se ish njeri me kulturë - pesë vjet në Torino, poet e shkrimtar... - po në qenka punë gjaku, shumë mirë që u vra! Duhet ruajtur ndera, trimnia e besnia e kreshnikia e fisit të racës arbënore. Duhet ruajtur përgjithmonë Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!) sidomos për punë ndere, trimnie, kreshnikie, besnikie. Pse ndryshe kombi i racës kombëtare ilire edhe pellazge kreshnike arbënore asht në rrezik me hupë. Dhe që të ketë qetësi të plotë Shkëlqesia e Tij Lekë Dukagjini që na la Kanunin, duhet medoemos t'i digjet shtëpia Zefit edhe t'i priten drurët e kopshtit kombëtar.
- Eja të pimë nga dy-tri gota për shëndet të Lekë Dukagjinit (i rrofshin çunat!) e për nderën, trimninë, besnikinë e kreshnikinë mijëvjeçare që na nderon truallin tonë kombëtar e fisnik.
- Eja të pimë po koburet t'ia dorëzojmë një miku, se kam frikë mos të shkel hijen, o mos shoh me inat ndonjë dru telefoni...

ا

- Ore, thonë se ti e vrave Selmanë...
- Unë, jo!
- Po kush?
- Dyfeku im!
- Ky që ke në krahë?
- Ja, ky! Pse s'ta mbush synë?!
- Si jo. Dyfek të këtillë s'kam parë as në Turqi.
- E ke mirë. Dyfek si të turkut s'ka në botë, se turku i punon me merak. Po ky imi është veç botës. Pandeha se s'të pëlqen...
- Si u bë puna e Selmanit?
- I qe shkrojtur ta vras unë, nga e shkrojtura nuk shpëton dot.
- E ke hak. Që kur e polli e ëma, iu shkrojt në qitap: këtë çun do ta vras Ymeri me një dyfek turku. Po aman më thuaj si erdhi puna që e vrave?
- Me një të shtënë e lashë thes. Erdhën edhe e ngritën në tabut.
- Ti ku ishe?
- Prapa ferrës.
- Ai?
- Shkonte rrugës.
- Bukuri! Si trimat e vrave. Edhe ai bëri mirë që ra si thes. Të lumtë dora ty edhe dyfekut i lumtë çarku!
Ymeri qeshi se iu kujtua thesi. Selmani ra menjëherë si një thes me misër pa pasur kohë t'i thotë: faleminderit se më vrave - si e do burrnia, kreshnikia e besa shqiptare. Po Ymeri zemërgjerë e shpirtluan, ia fali këtë të metë.
- Shkaku i vrasjes?
Fajtor ka qenë Selmani! Sepse Selmani ka një nip nga ana e mbesës. Nipi i mbesës së Selmanit ka një qen edhe ky qen qopek i ka lehur një herë mikut të të nipit të së mbesës së Ymerit. Miku iu qa të nipt, nipi iu qa mbesës, mbesa iu qa Ymerit edhe Ymeri mori dyfekun dhe e vrau Selmanë...

D

Rrinte Suli me Sulën në hijen e një lisi kombëtar edhe përkëdhelnin dyfeqet kreshnike me nga një leckë vaj. Këtë e bënin për të kaluar kohën e për të shprehur dashurinë kreshnike për armët kreshnike.
Dhe që të dy, si trima kombëtarë, e kishin ngjeshur mesin me kollanë e gjoksin me rripa. Kollanët ishin mbushur me paketa fishekë edhe varur kishin bomba të kuqe.
Të tjerë fishekë e bomba kombëtare kishin nëpër xhepat kreshnikë.
I foli Sula Sulës:
- Ore, ti e ke të papërdorur dyfekun e as që di në shpon.
- Kam zbrazur njëzet paketa. Qe kalamidhet!
- Ke zbrazur në bosh, jo në plot...
- Qysh në bosh? I kam rënë një zogu majë një lisi edhe e kam rrëzuar, i kam rënë një lepuri, i kam rënë një thiu të egër...
- Të thashë se ti ke zbrazur bosh, më havadan. Ti s'hyn në rradhën e burrave. Hajt!
- ...
- Ore, a ke zbrazur më njeri? Se atëhere i thonë plot. Je goxha burrë, e s'ke vrarë njeri!
- Jo, njeri kurrë! Kur të më bjerë hasmi në pusi, do t'ia shkrep.
- Prit gomar të mbijë bar!
Fluturoi një zog kombëtar nga lisi kombëtar edhe hija e tij kreshnike shqiti për një grimë në truallin e fisit arbënor, ku ujku nuk e ha ujkun, po arbri e ha arbrin, si urdhëron Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!).
I foli Sula Sulit:
- Po ti sa herë e ke përdorur pushkën?
- Dy! Një herë i rashë Zeqos edhe e lashë kapicë, në lëmë. Gjysmë herë kur plagosa Zyferë e gjysmë herë Stavron. Këto të dyja bëjnë një. E një e para: dy!
U duk larg një si pikë e zezë që lëvizte në rrugë. I foli Sula Sulës:
- Ja, shikon tutje, po vjen një njeri! Bjeri!
- S'di cili është...
- اudi e madhe! As ai nuk di cili je ti. Atij i qënka shkrojtur t'i biesh ti me dyfek të ri. I erdh exheli. Apo s'ta mban?
- I bie po mos merret vesh...
- S'ka si merret vesh. Unë s'rrëfej!
- Me besa-besë?
- Me besa-besë e për kokën e dyfekut.
- Atëherë t'i bie?
- Bjeri!
Në këtë kohë pika që lëvizte në rrugë ish madhuar se e shtynte exheli drejt pushkës kreshnike kombëtare.
Sula ish i përulur prej Sulit se kish shtënë vetëm bosh. Turp i madh për një trim kombëtar e për një pushkë kreshnike të lyer me vaj!
U shtri barkazi në mezhdë, i fjeti synë pushkës edhe i hoqi këmbëzën.
Edhe pika lëvizëse nuk lëvizi më...
Edhe Sula puthi çarkun e dyfekut kreshnik për provën e naltë...
... Qanë e vajtuan në shtëpi. Shkulën flokët nëna e motrat e të vrarit. U kanos vëllai të marrë gjakun nga hasmi i vjetër i shtëpisë, po puna është se pushka kreshnike e Sulës nuk mbeti në turp kombëtar.
Edhe Suli e mbajti fjalën e nuk e tradhtoi Sulën...

DH

Vasili me Veselin ishin shokë. Shokë që në vogëli - ngrohur më një diell, lagur më një ujë. Pastaj erdh puna që Veseli vrau Vasilin edhe Vasili vrau Veselin. Që të dy ia dhanë flakë më flakë, si trima të ndjerë që na nderojnë vendin e kombin kombëtar kreshnik.
Puna rrodhi kësilloj:
Vasili me Veselin rrinin në një hije edhe bisedonin. Aty pranë ish lumi. Pranë lumit një plep. Vasili tha:
- Hajde plep, hajde, që të mbolli dora e Krishtit!
Veseli tha:
- E keq, or mik, e mbolli dora e Muhametit!
- E Krishtit!
- E Muhametit!
E filluan si me të qeshur po doli e ngjeshur se sikush gojën e kish të tijën edhe me bukë e ushqente. Po përveç gojës, kishin edhe kobure në brez, si çdo shqiptar i vërtetë.
- Plepin e mbolli Krishti!
- Plepin e mbolli Muhameti!
Pak-pak! koburet kreshnike, flakë më flakë!
E që të dy u vranë!
Njëri për plepin e Krishtit, tjetri për plepin e Muhametit...

E

Selmani vrau Selmanin; Stefani vrau Stefanin; Hasani vrau Kristanin; Mestani vrau Vasilin...
Puna rrodhi kësilloj:
Rrinin që të gjithë edhe vështronin malet e larguar.
I pari i tha të dytit (Selmani Selmanit):
- Mali që përtej është më i lartë se ai tjetri.
- Jo, e ke jangëllësh. Ai tjetri është më i lartë nga ai që përtej.
- Jo, ti e ke keq!
- Jo unë, po ti!
Hynë në valle edhe të tjerë: dy Stefanë, një Hasan, një Mestan, një Kristan, një Vasil, një Halil...
Si trima që ishin, e bënë fora edhe u vranë trimërisht në shesh të burrave. U ngritën pastaj edhe farefisi edhe i dogjën shtëpinë njëri-tjetrit.

Dhe malet mbetën si ishin: male...
-------------------------------------------------------------------
Po vdes në dhe të huaj

Elegji

Po të vdes në dhe të huaj
-Shortë mërgimtari –
Të ma bëni varrin tim
Ku do bje së pari.

Pa një grusht nga toka jonë,
-Balt’ nga balt’ e vetë –
Të ma sillni e ta vini
Drejt në zemr’ e shkretë

Se kjo balt’ e Vendit tonë
Mallet do m’i shuaj,
S’do më duket fort i rëndë
Moj, ky dheu i huaj.

E të vini të m’i thoni
Asaj Nënës sime:
Zi mos qajë, zi mos mbajë
Po asnjë thërrime.

Se m’ i lumtur jam i fjetur
Se sa i mërguar
Mot pas moti arratije, -
Zemër copëtuar…

Pa fytyr’ e saj tretur
-Që e kam ikone, -
Lart mbi varr do më qëndrojë
Sot e gjithëmonë…
---------------------------------------
Sulmi

Ti bëre azape - s'u tremba,
ti ngrite kufire me gjemba,
fortesa ti ngrite;
t'i shemba!

Tani,
tani,
atje ku ti,
o Mal i Zi,
ngrite kufi
që ndanin
e çanin
vëllazëri;
Hej!
Sot!
Shkon
e valon
parmenda!

T'i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjurma t'u zhduk
si në ujë.

I bie arë mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez,
humbas
me gaz
në grurin tim,
të dheut tim,
të babës tim,
të birit tim;
sot e përjetë,
jetë pas jetë!

Dhe ndie qysh flet,
me zë të qetë,
im atë vetë
nga balta poshtë:

"Ta mbroni dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam.

Ta mbroni dhenë
që e ushqej
dhe sot si dje,
me kurmin tim.

Ta mbroni dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni!
Të derdhni gjakun

me grushte plot -
po kurrë lotë,
as sot, as mot!
Se loti është robëri,
gjaku - liri!"

---------------------------------------------------
Ylli i karvanit

Doli ylli i karvanit
-lart mbi një botë një qiri-
E vështroi i jetimuar
Nga zëndani im i zi.

Pas një rreze që më hodhi
Lashë hadhin e po ik-
Ah, më falni, jam i mjerë
Pra po ik nga vendi i lik.

Po më doli para reja
Ma preu rrugën e karvanit...
S’kam ç’të bëj, do kthehem prapë,
Brenda ferrit të zëndanit.

Dhe do pres të dalë rishtas
Në mos sonte, tjetër herë,
Që të sulem si i çmendur
Nëpër qiej, nëpër erë.

Kush e di...do të gjej udhës,
Ndër ethire nj’yll me bisht-
Do t’i lutem të shpjerë
Lart e lart në Zoti Krisht.

Do t’i falem, përgjërohem,
Të më bëjë hi e baltë
Të më shkelin gjith të mirët
Pranë fronit tij të lartë.

Oh, për hir të Gollothasë
Dhe të brinjësë së shpuar
Prit, o Zot edhe dëgjoji
Gjithë tmerret që kam vuar.

Por në s’do as Zoti i jetës-
Sëkam ç’të bëj i mjeri unë
E le qiellin, zbres te ylli,
Doemos, me të përdhunë.

Pa kur ylli do kalojë
Zotëronjës, sipër detit,
Do të shëmbem tatëpjetë,
Shpirtin do t’ja jap lanetit.

Veç në dhe mos kthehm prapë,
Ku ka hekura, zinxhira
Orë e çast ta ndjekin hapin
Errësira...Egërsira...

Ah, më fal, o ti këndonjës
Se me fjal’ të turbulloj.
Jam në terr e jam i mjerë
S’di ç’të bëj, pra ëndërroj
-------------------------------------------------
Baltes shqiptare

Të dua, baltë shqiptare!
të dua
egërisht,
dëshpërimisht -
si ujku pyllin,
si vala valën,
si balta baltën!

Se gjer mbi gju
jam brenda teje;
se lerë kam këtu
si ati,
gjyshi,
stërgjyshi.

Të dua, baltë shqiptare
se gjer mbi bel
dhe përmbi bel.
-------------------------------------------------------
Sime shoqe

Kaq afër jemi, por kaqë larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim...harrim...pushim...pushim...
Në prehjen e vërtetë
--------------------------------------------------
Qendrimi

Se jam këtu kur s'kish njeri,
kur s'kish kufi
as fqinjëri,
as shqa të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri;
kur nga një det në tjetrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem
- dem baba dem -
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri.
Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vegjëli.
Jam si më sheh
e si më njeh;
kësulëbardhë e kryelidhur,
kryelidhur me një shami;
me tri shami
për trimëri!

Jam eshtërmadh,
i vrazhdë jam,
e bojalli -
dhe sytë e mi
janë plotë shkëndi
si batërdi.
Dhe kam uri
si s'ka njeri -
për drejtësi
e për liri.
Si të gjithë asimët
e të gjithë qerimët
e vendit tim.

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vegjëli;
se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët
edhe gllavnikët.

Ma vranë
se urdhër dha vojvodi
e krali vetë:
"Të vritet!"
Se ish kosovar
dhe se ish zot
mbi këtë dhe!

Dhe tokën që kisha nga baba
nga gjyshi
rrënjë pas rrënjë -
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet,
ma morën.
Ah!
Ma morën vatanin
që e desha si xhanin!

Ma morën,
me armë në duar,
me gjak nëpër duar.
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok
u bënë shok;
si sorrat
për kërrmë.

Oborin ma morën
gjer në shtëpi
dhe ngrenë për vete shtëpi
në sytë e mi!
Dhe unë,
ja, unë,
që isha zot
që qëmot,
mbeta pa dhé,
bujk pa dhé,
bari pa kopé -
këtu
në dheun tim.

Dhe plori m'u ndryshk,
hambari m'u myshk...

Po shpresa s'mu vyshk
 
Si e varrosën të gjallë (rrefim nga jeta e Dhimiter Pasko-s)

Ndërsa njerëzit ngatërroheshin nëpër zhurmën e ceremonisë së përkujtimit të ditëlindjes së Mitrush Kutelit, një burrë i thinjur nisi të rrëfejë një histori të vjetër. Me këtë qëllim kishte ardhur enkas nga Elbasani. Fillin e nisi nga një ditë e veçantë…nga viti 1948. Hamza Tusha, atëherë ishte një djalosh i ri që vuante një dënim në kampin e Vloçishtit. Atje kishte marrë vesh rastësisht, se në kampin e tyre po kalonte dënimin edhe një shkrimtar i madh. I kishin thënë se shkrimtari quhej Dhimitër Pasko. Kishte dëgjuar për të shumë rrëfime nën zë nga të tjerët ndërsa vetë ende nuk kishte arritur ta njihte. "Ajo ditë e ftohtë prilli, bëri që unë ta njihja nga afër, e në një mënyrë mjaft tragjike"- nis të tregojë burri i thinjur.- "Ndërsa punonim të gjithë aty në atë kamp, një kapter që quhej Skënder, thërret me të madhe që t'i sillnin atë shkrimtarin. Pastaj urdhëroi dy të tjerë që t'i hapnin një gropë të madhe mbi një metër e gjysmë të thellë". Të burgosurit kanë parë me sy të habitur gjithë ç'kishte ndodhur në ato pak minuta, gjithë lëvizjet e shpejta të lopatave që nxirrnin dheun rreth gropës që merrte formë nga minuta në minutë. Më tej panë shkrimtarin që tërhiqej me forcë, se si e kanë zhveshur, se si e kanë plandosur më tej në gropën e thellë, ashtu të zhveshur lakuriq. "Mbaj mend që atëherë ishte shumë ftohtë. Ishte ndoshta fillim prilli dhe koha ende nuk kishte nisur të ngrohej. Si e futën brenda në gropë, e mbuluan me plisat që kishin lënë rreth saj, derisa dheu i arriti deri tek mjekra"- shpjegon me hollësi bashkëvuajtësi i hershëm i shkrimatrit të madh. "Pastaj-vazhdon më tej ai- e lanë aty, të futur brenda në tokën e ftohtë e të lagësht afër kënetës së Maliqit. Si kaluan disa orë, atij filloi t'i ikë fytyra. Iu shtrembëruan nofullat dhe nuk nxirrte dot asnjë tingull nga goja. Ne të gjithë e shihnim, pa mundur të bënim asgjë. Të ktheje fjalë atëherë, sidomos në situata të tilla, ishte si ta kërkoje vdekjen me zor"- thotë Hamzai- "Atë kohë komandant kampi, ishte një i quajtur Tasi Maku. Në momentin që ai kishte ardhur për të thirrur të burgosurit, një shoku im që kisha në krah më thotë : "Sa keq, ky njeri që është groposur këtu është një shkrimtar i madh. Pse nuk i del komandantit përpara t'i tregosh ( unë isha komandant i një brigade të vogël të burgosurish që udhëhiqja punën). Megjithëse kisha shumë frikë, e mora guximin dhe i dola përpara komandantit duke i thënë - "Kapter Skënderi ka futur një njeri të gjallë në dhe. Mbaj mend që ai u alarmua. Kërkoi me ngulm të gjente kapterrin që kish bërë këtë veprim. Më pas e nxorrën trupin e shkrimtarit duke i bërë shërbimet e duhura që ai të vinte në vete." Kanë kaluar shumë vite, që nga 1948. Gjithsesi burri i thinjur nuk ka mundur ta zbehë kujtimin e atyre ditëve. Aq më shumë ky kujtim iu përforcua në ditën kur një djalë dhe një vajzë i kishin trokitur në derë. Ishin bijtë e atij shkrimtari të përvuajtur të cilët kishin dashur ta njihnin nga afër njeriun për të cilin babai u kishte folur gjatë. "Më thanë se babai i tyre u kishte rrëfyer për një njeri që e kishte shpëtuar dikur nga vdekja. E ai njeri isha unë. Ndaj jam këtu, më shumë për të nxjerrë nga vetja atë kujtim që më rëndonte shumë mbi supe, sesa për të marrë pjesë në diskutimet e kësaj ceremonie përkujtimore."-përfundon rrëfimin e tij Hamzai.


marre nga Wikipedia​
 
Pe: Si e varrosën të gjallë (rrefim nga jeta e Dhimiter Pasko-s)

ja nje foto e dhimiter djalit :D
images
 
Titulli: Mitrush Kuteli

Bje shi

Bje shi, Adrianë,
Bje shi i qetë mbi qytet,
Shi që më bluan e më vret,
Dhe s’di se ku të shkoj nëpër Tiranë!

Të kërkoj, Adrianë
Me ankth nëpër qytetin e shkretë,
Kur shtrydhen retë
Dhe dielli s’lind e s’perëndon
Përmbi Tiranë!

O sa cudi, Adrianë
Të duash të mos jesh njeri,
Dhe gurëve t’u kesh zili,-
Se gurët s’vuajn’ kur bje shi
Përmbi Tiranë!
 
Titulli: Mitrush Kuteli

To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.
Interpretim rrenqethes i Mirush Kabashit .....
 
Titulli: Mitrush Kuteli

Kutelin e dua shume se ishte i pari i fillimadoleshences time qe me ndihmoi ne rrugen e kuptimit te jetes dhe vdekjes

E madhe është gjëma e mëkatit!
 
Titulli: Mitrush Kuteli

Tat Tanushi i Bububullimes ?
 
Titulli: Mitrush Kuteli

Ta shemba shqa kufirin,

që ngrite ti,

në vendin tim e përmbi varr,

të babës tim.


Ta shemba,

ta dogja,

me zjarrin e shpirtit,

të vuajtjes,

dhe të urrejtjes.


Me zemërim,

me vrull të madh,

e bubullimë,

që s'ka mbarim


Se vjete ti më çave,

më ndave,

më vrave,


armik - lugat,

armik -xhelat!

Pos letrës/testament, të cilën vazhdoj të e dua, më emocionon dhe Poemi Kosovar :)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top