Misteri qesharak i jetëve tona, përtej algoritmit

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Misteri qesharak i jetëve tona, përtej algoritmit

Filozofi i madh Edgar Morin sfidon sigurinë për të mundur dhe ditur gjithçka, në një epokë të shenjuar prej progresit shkencor. Dhe na kujton se ajo që na bën njerëz janë habia, ndjesia e të panjohurës dhe vetëdijësimi për limitet

Dostojevski thoshte: “Njeriu është një mister. Nëse për ta qartësuar këtë mister kalojmë gjithë jetën tonë, atëherë nuk e kemi çuar dëm kohën tonë”. Dhe shtonte: “E vras mendjen për këtë mister, sepse dua të jem një njeri”.

E kam kaluar gjithë jetën time duke u marrë dhe duke e vrarë mendjen për misterin njerëzor.

Eshtë pjesë e një misteri më të madh

Screen-Shot-2018-02-08-at-09.54.33.jpg

Nga Edgar Morin

Jam i etur për dije. E ndjej shumë të gjallë kënaqësinë e zbulimeve dhe iluminimeve, dhe nuk kam pushuar së lexuari revista shkencore dhe vepra, që më informojnë mbi progresin shkencor të dijeve. Megjithatë, kam kuptuar shumë shpejt se marrëdhënia mes dijes dhe realitetit paraqiste problemin e ngritur shumë kohë më parë prej mendimtarëve indianë, kinezë, grekë, të ngritur sërish nga Kanti dhe sot nga shkenca e trurit dhe filozofia e dijes: çfarë dijmë, çfarë mund të dijmë mbi realitetin?

Dija, e bërë problematike, bën problematik vetë realitetin, që bën pastaj problematike vetë mendjen prodhuese të dijes, që sot bën enigmatik trurin prodhues të mendjes.
Kështu mbërrijmë në marrëdhënien e pandashme mes realitetit, dijes, mendjes dhe trurit. Zbulojmë një të panjohur në secilën prej tyre dhe, më paradoksalja, e panjohura gjendet në brendësi të asaj që dijmë dhe atyre që dijnë.
Kjo nuk e ka shuar etjen time për dije, por e ka intensifikuar dhe rritur me qëllimin për të provuar që të njoh vetë dijen, mundësitë e saj, limitet e saj, risqet e saj për të gabuar, për të rënë pre e iluzionit, si dhe të kërkoj mjete për të zhvilluar një dije sa më të përshtatshme që të jetë e mundur.

Ndiej gjithmonë edhe kënaqësinë e zbulimeve, të iluminimeve, kundrejt si universit, ashtu edhe detajeve të vogla të jetës së përditshme. Kjo ka ndezur tek unë, gjithmonë e më fort, habinë – ndonjëherë mrekullinë, ndonjëherë marramendjen – e të qënit në jetë, të ecurit, të ndenjurit nën diell, të parit të Hënës që ngrihet lart në qiellin e natës, të vëzhgoj masën e yjeve, shumë të vegjël për sytë e mi, por shumë të mëdhenj për dijen time. Gjithçka që është e qenësishme, gjithçka që njihet shndërrohet në habi dhe mister. Habia ime rritet me çdo vështrim, çdo ndjesi. Dhe nuk është vetëm misteri i jetës, i ekzistencës, i realitetit, është edhe koka e kalimtarëve në rrugë, janë pemët, kafshët…

Më habisin farat e mbledhura, të mbrojtura si fëmijë të sapolindur në brendësi të tulit të pjeprit, farat e kokrrave të rrushit, habitem përballë bajames së mbyllur. E kam të fortë ndjesinë e të padukshmes që fshihet brenda atyre që shohim.
Ndjej atë që është ndjerë nga shumë mendje në shumë qytetërime, ndjesinë e një të vërtete të fshehtë.
Por kam arritur në vetëdijësimin, se kjo e vërtetë do të mbetet përgjithmonë e fshehur nga dija jonë.
Jam ndër ata që mrekullohen prej universit, por jo ndër ata që gjejnë një kuptim apo që racionalizojnë.

Kur Einsteini i madh mbetet gojëhapur përballë arsyes madhore që mban Universin, unë nuk mund të mos mendoj që kjo arsye më e lartë është e gjitha e përmbytur nga marrëzia e shfrenuar, me asgjësimin e antimaterias nga ana e materies, përplasjet e yjeve, shpërbërjen e pandërprerë të gjithçkaje që është e përbërë, pa harruar kataklizmat që historia e jetës ka njohur, dhe, nëse kalojmë tek njerëzorja, shfarosjet e qytetërimeve, asgjësimet kulturore dhe përhapjen e masakrave e delireve, si dhe mizoritë e çdo lloji! Ata që projektojnë arsyen e tyre mbi Universin kanë prirjen që ta konsiderojnë joracionalen si iluzion të injorantit dhe, duke u bërë edhe vetë joracionalë në iluzionin e tyre racionalist, kanë prirjen që të bëhen të verbër përballë joracionalitetit të botës. Mund të na mrekullojë për rendin harmonik të ligjeve universale, por fshihet fakti që universi ynë është një lojë shumëfishe e rendit dhe kaosit.
Siç kishte konstatuar Herakliti, pesë shekuj para Krishtit, harmonia dhe kaosi kombinohen, dhe nëse Konflikti nuk është ati i vetëm i të gjithë gjërave, duke qenë se është i pandashëm nga Bashkimi, Erosi dhe Thanatosi janë në të njëjtën kohë komplementarë dhe antagonistë të përhershëm.
Sigurisht, ka fuqi të jashtëzakonshme organizuese të universit tonë, nga atomi tek galaksia. Por ka forca çorganizuese po kaq të jashtëzakonshme, dhe parimi i dytë i termodinamikës ishte një zbulues. Disa kanë parë në historinë e Universit një rritje të kompleksitetit drejt formave superiore të mendjes.

Kjo rritje është skajore në një planet të vogël si Toka jonë, e cila u është nënshtruar të papriturave të ndryshme. Në të njëjtën kohë, nën ndikimin e një force që sot quhet energji e errët, Universi shkon drejt shpërhapjes dhe vdekjes. Të mos e zbukurojmë Universin, pavarësisht mrekullive të tij.

Disa besojnë se kanë gjetur sekretin e Universit në një algoritëm suprem. Po nga del ky algoritëm, version matematikor i superabstraguar i Zotit krijues, dhe që, për më tepër, di të prodhojë vetëm rend?
Jam i bindur që, përkundrazi, sipas motos së Shën Gjonit të Kryqit, misteri qëndron në “renë e zezë” që është jashtë të kuptuarit tonë.
Habia e pandërprerë shpie në ngritjen e pandërprerë të pikëpyetjeve.
Kërkoj dhe gjej shumë e shumë shpjegime në shkencat, por këto shpjegime përmbajnë të pashpjegueshmen dhe ngrejnë pikëpyetje të reja.
Di që arsyeja ime, mendja ime më shpalosin botën, realitetin, jetën e në të njëjtën kohë më mbyllin, me limitet e tyre, sepse bota, realiteti, jeta që unë njoh fshehin të panjohurën.
Jetoj gjithnjë e më shumë me dijen dhe ndjenjën e pranisë së të panjohurës në të njohurën, të enigmës në banalen, të misterit në të gjitha gjërat, dhe në mënyrë të veçantë, të rritjes së misterit, me çdo rritje të dijes.
Dostojevski thoshte: “Njeriu është një mister. Nëse për ta qartësuar këtë mister kalojmë gjithë jetën tonë, atëherë nuk e kemi çuar dëm kohën tonë”. Dhe shtonte: “E vras mendjen për këtë mister, sepse dua të jem një njeri”.

E kam kaluar gjithë jetën time duke u marrë dhe duke e vrarë mendjen për misterin njerëzor.

Eshtë pjesë e një misteri më të madh. /

Marrë nga La Repubblica – Në shqip nga bota.Fv
 

Attachments

  • Screen-Shot-2018-02-08-at-09.54.33.jpg
    Screen-Shot-2018-02-08-at-09.54.33.jpg
    53.5 KB · Shikime: 0
Bukur e tha, e vras mendjen per kete mister,sepse dua te jem njeri.

Te mendosh se filozofet qe e vrasin mendjen per misteret numerohen me gishta,,,lind pyetja,po pjesa tjeter e njerezimit perse e vret mendjen?!

KONSUMATOR TE DESTINUAR TE KONSUMOHEN
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top