Mirë se erdhe 1984. Provoni ta imagjinoni veten pa Internet!
1984 vazhdon të jetë një datë që shkakton frikë. Shkaktonte frikë edhe kur projektonte në të ardhmen, botën që imagjinonte George Orwelli. Ngjall frikë nëse përpiqemi të imagjinojmë sikur gjendemi sërish në atë situatë që, atë vit na dukej shumë e përparuar dhe që, e parë në retrospektivë, sot na duket si epoka e teknogurit. Zgjohesh një mëngjes dhe shikon që nuk ka më internet.Si reagon? Ideja e parë që të vjen do të ishte: a të google-oj një herë e të shoh “si jetohet pa internet”. Shumë mirë, por nuk ka më Google, kompjuteri është rikthyer në atë “birin” e mrekullueshëm të makinës llogaritëse, si dhe një makinë shkrimi, që ka qenë gjithmonë aty. Kundërshtimi do të jetë: E ç’problem ka? Kemi jetuar deri tani, do të mësohemi. Sigurisht, nuk është se “kemi djegur urat, pasi kemi kaluar”. Me rrobat nuk e bëjmë këtë, pasi na kanë mësuar që, herët a vonë gjithçka rikthehet në modë. Por në rasin e informacionit dhe komunikimit, çdo risi vret atë të mëparshmen. Ku mund ta gjesh më një faks, përveçse në panairin e gjërave të përdorura? Arkivi i letrës, natyrisht është lënë pas. Mjaftojnë dy klikime për të patur gjithë të dhënat që të duhen. Si do ta blije sot një enciklopedi?A ekzistojnë më ata shitësit që shisnin enciklopedi derë më derë? Nuk e di, provo të google-osh: “shitësit derë më derë të enciklopedive”. Bota.al
Si do ia dilje, në ditën e parë pa internet? Pa Google? Pa Wikipedia? Ku do ta gjeje informacionin që të duhet? Ke vënë nbjë bast me një shok: kush e ka shënuar golin e parë për Italinë në Botërorin e 1978-ës? Paolo Rossi apo Zaccarllli? Nuk ke ruajtur asnjë libër në shtëpi, përse duhej të zije vend, kur mjaftonin dy klikime në tabletin tënd? Askush nga ata që njeh nuk e ka bërë. Atëherë, të duhet që të bësh atë që ndodhte në vitin 1984: t’i telefonosh gazetës. Kushdo që ka punuar në një redaksi e mban mend: telefonata e lexuesit. Kush nuk e kujton: “është një abonent i gazetës, i cili dëshiron të dijë datën e lindjes së Minës, janë duke diskutuar në familje”. Dhe gazetari e linte në pritje dhe shkonte të konsultohej me arkivin.
Në ditën e parë të 1984-ës së re, redaksitë do të binin në kolaps. Dhe korrespondentët e jashtëm, pa internet, do t’i riktheheshin prerjes së copave të gazetave ndërkombëtare, ndonjëherë edhe duke i kopjuar, siç bënin një herë e një kohë, pa i vënë re askush.
Në këtë 1984-ën e ri, distanca është kthyer të jetë sërish distancë. Nëse ke një djalë në Australi, do të thotë që ke një djalë shumë larg, që rrezikon të mos e njohësh kur të kthehet. Nuk mund t’i flasësh në Skype dhe as ta shohësh me telekamerën e vogël. Nuk mund të marrësh në kohë reale fotografitë që ai i bën vetvetes. Nuk mund t’i dërgosh një email përpara se të flesh. Mund t’i shkruash letra. Oh, sa bukur, rikthimi i korrespondencës! Kutia e postës, postieri… Stop. Rewind. Për t’i shkruar dikujt, duhet t’i dish adresën. Përveç personave që i vizitojmë rregullisht, kujt tjetër ia mbajmë mend? Duhet t’u bëjmë një telefonatë e t’i pyesim. Epo, sa i bëjmë telefonatën, më mirë t’ia themi kështu, me zë, atë që duam t’i shkruajmë. Nuk do të kemi më ato spam-et e famshëm në email, si kompensim do të kemi shkretuar hartën tonë ekzistenciale.
Kemi hedhur tutje rubrikat, guidat e qyteteve tanë (“Kemi Google maps!”) dhe atyre që shkojmë të vizitojmë (“Mjafton Trip Advisor!”). Nuk marrim më ekstrakte të llogarive (“Online! I verifikojmë online!”) Edhe banka është virtuale. Ashtu sikurse miqësitë tona në rrjetet socialë (që do i humbasim në çast, duke demonstruar se sa vlenin). Tani gjuajmë, lidhemi, tradhëtohemi, ndahemi me ndihmën e teknologjisë. Pa të do të jemi njësoj, të vetmuar apo në shoqëri të keqe, por më të qetë. Dhe mund të hapim dritaren pa dëgjuar zilet e mesazheve të rinj që nuk pushojnë. Do ju ndodhë të hyni në një bar dhe të nisni një bisedë të këndshme me një të panjohur në banak. Shkurt, për ata që nuk e honepsin epokën dixhitale, do të jetë një botë më e mirë. Për të dashuruarit pas bashkëkohores, një disfatë. Si në gjithçka, rezultati varet nga këndvështrimi. Ndonjëherë, është vetëm imagjinatë. Pasi të lexoni këtë artikull, mos harroni, shkoni në Google dhe bëni një kërkim: “Si të jetoj pa internetin”! Pastaj printojeni. Ku i dihet, ndoshta do t’ju duhet… / (La Repubblica – Bota.al)