Arfenilla
Themelues i Forumit
Viti 2014 në Kosovë i lë të regjistruar 6 mijë e 716 punëkërkues të kualifikuar apo që kanë diplomë universiteti. Krahasuar me vitin 2010, ky numër është dyfishuar, pasi para katër viteve numri i punëkërkuesve me diplomë universitare ishte 3575.
Ylber Aliu, ushtrues detyre i udhëheqësit të Divizionit për Monitorimin e Zyrave të Punësimit në MPMS, ka thënë se ky numër ka shënuar rritje krahasuar edhe me vitin 2013 kur ishin 728 punëkërkues më pak, raporton KosovaPress.
Megjithatë, këta janë vetëm punëkërkues të cilët janë paraqitur në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Në bazë të informatave të tregut të punës të cilat i ka Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, numri i punëkërkuesve të regjistruar në zyrat e punësimit e të cilët e kanë një diplomë të universitetit gjithsej deri tani është 6716, ndërkaq prej tyre 2149 janë punëkërkues aktiv, çka do të thotë se çdo 6 muaj vijnë dhe lajmërohen në zyrat e punësimit në kërkim aktiv të një vendi të punës, ndërsa 103 janë punëkërkues me master, do të thotë e kanë një diplomë masteri”, ka thënë ai.
Sa i përket këtyre të dhënave, Ministria e Arsimit nuk ka shifra të sakta, pasi që ende nuk e ka të formuar sistemin e menaxhimit të informatave.
Drejtoresha për Arsimin e Lartë në MASHT, Drita Kadriu, ka thënë se janë duke punuar në këtë drejtim.
“Pyetja juaj drejtë për drejtë na lidh me një çështje e cila aktualisht i mungon sistemit të arsimit të lartë që është sistemi i menaxhimit të informatave e që ne si ministri po sa e kemi formuar një grup punues për të hartuar treguesit të cilët duhet t’i përmbajë softueri elektronik për mbledhje dhe përpunimin e informatave në të gjithë sektorët e arsimit të lartë. Kështu që shifra konkrete nuk mund të them sepse mungojnë at si shifra si ministri dhe ne mbesim duke punu për këtë sistemin e informimit dhe menaxhimit në arsimin e lartë dhe atëherë çdo informatë që hyn edhe del në arsimin e lartë do të jetë shumë e lehtë të përpunohet por gjithsesi edhe të raportohet”, ka thënë ajo.
Njohësi i çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci, ka thënë se papunësia tek të diplomuarit në arsimin e lartë lidhet me mungesën e zhvillimit ekonomik në përgjithësi dhe jo vetëm me mungesën e të dhënave të tregut të punës.
Prandaj sipas tij, para akreditimit për secilin program duhet të hulumtohet nevoja e tregut të punës.
“Ne në Kosovë kemi diku rreth 420 programe të ndryshme studimore nëpër institucionet publike dhe private, dhe secili program studimor me rastin e përgatitjes ë dokumentacionit për akreditim, duhet të analizoj gjendjen se ku do të punësohen të diplomuarit. Për shembull do ta kisha marrë shembullin e një programi studimor që i kushtohet edukimit parashkollor. Ne në të gjitha institucionet parashkollore në Kosovë nuk i kemi më shumë se 700-800 edukatore që punojnë, ndërsa ka rastisur që në institucionet e arsimit të lartë para 2-3 vjetëve në një gjeneratë janë regjistruar 700 studentë në drejtimin për edukatorë dhe tani këtu menjëherë paraqitet pyetja. A kemi ne një numër të tillë institucionesh parashkollore që të punësohen këta njerëz. A mund shteti të hap një gjë të tillë, a mundet iniciativa private të hap dhe të ketë të them ashtu klientë të cilët do t’i sjellin fëmijët e tyre, apo këta njerëz do të mbesin pa punë apo do të duhej të kërkojnë punë të natyrës tjetër. Prandaj është me rëndësi që planifikimet e tilla të bëhen me rastin e hartimit të programeve por edhe me rastin e pranimit të studentëve”, ka thënë ai.
Edhe pse Pupovci e pranon se ka mungesë të madhe të të dhënave sa i përket të diplomuarve, fushave studimore në të cilat kanë diplomuar si dhe nevojave të tregut të punës, ai nuk e sheh një gjë të tillë si problemin kryesor të papunësisë së kësaj kategorie të qytetarëve.
“Nuk mendoj se faji është tek statistikat sepse në 10 vjetët e fundit numri i studentëve në arsimin e lartë të Kosovës është katërfishuar. Problemi qëndron në faktin se njerëzit gjatë këtyre 10 vjetëve e kanë kuptuar se me përfundimin e shkollës së mesme nuk po mund të gjejnë punë dhe kanë vijuar së kërkuari zgjidhje dhe duke kërkuar zgjidhje faktikisht i kanë regjistruar studimet e larta me shpresë se punësimin do ta kenë më të lehtë. Tani në shkollat tona të mesme nuk ekziston asnjë formë e këshillimit të të rinjve se nuk është puna vetëm te statistikat e ministrisë, është puna edhe tek këshillimi se njerëzit duhet të shkollohen edhe në bazë të afiniteteve të tyre jo vetëm të shikojnë, për shembull mund të ketë punë të mjaftueshme për inxhinier të makinerisë ose xehetarisë mirëpo njeriu duhet t’i sheh referencat e veta a është i shkathët për të qenë inxhinier i këtij profili apo dëshira e tij është të bëhet sociolog dhe mendoj se në këtë drejtim duhet të përforcohet këshillimi në shkollën e mesme”, ka deklaruar ai.
Në vendin tonë, në 3 vitet e fundit janë themeluar pesë universitete të reja publike derisa numri i institucioneve private të arsimit të lartë është mbi 20.B koha