Arfenilla
Themelues i Forumit
Mi nxirrni duart nga tabuti, që njerëzit të dinë, se sulltani e ka braktisur këtë botë me duar bosh
Transmetohet se Sulltan Sulejman el-Kanuni ka thënë: “Kur të vdes, mi nxirrni duart nga tabuti, ashtu që njerëzit të dinë se madje edhe sulltani e ka braktisur këtë botë me duar bosh.”
Sulltan Sulejmani ka qenë njëri nga sulltanët më të famshëm dhe më të fuqishëm osmanë. Nuk mendoj se ndonjë tjetër sulltan, përveç sulltan Mehmed Fatihut, ishte i barabartë me të. Sepse Sulltan Fatihu u bë bartës i dekorimit pejgamberik edhe para se të vinte në këtë botë. Për të ka treguar Muhamedi (savs), në hadithin e tij, duke thënë: “Sa i mrekullueshëm është komandanti që do ta marrë Kostandinopojën dhe sa e mrekullueshme që është ushtria e tij!”
Sa i përket Sulltan Sulejmanit, ai ishte sulltan osman, pushteti i të cilit zgjati 46 vjet. Ai e udhëhoqi xhihadin dhe udhëhoqi shumë beteja të mëdha. Ishte i pari që sundoi kryeqytetet e Lindjes dhe të Perëndimit, nga Athina deri në Sofje, Budapest, Beograd, Jerusalem, Damask, Bagdad, Kajro dhe Tabriz. Ai ishte hafëz i Kuranit, ka folur turqisht, arabisht dhe persisht, kurse nofkën el-Kanuni e ka marrë në bazë të reformës së gjyqësorit të cilën e ka vendosur dhe përparimit të gjendjes së përgjithshme në vend.
Nëse një njeri i varfër do të na fliste për asketizëm dhe modesti, ndoshta do të thoshim: po ai është i detyruar në këtë gjendje dhe nuk është kurrfarë heroi. Por kur për asketizëm na flet sundimtari i botës së njohur të atëhershme, kjo është befasi e vërtetë. Sulltan Sulejmani deshi të jetë vaiz dhe këshilltar në prag të vdekjes, ashtu siç ishte edhe gjatë jetës së tij. Ai deshi të thoshte se nga kjo botë do të shkojmë me duart bosh ashtu siç kemi ardhur.
Unë assesi nuk dua të them se paratë janë të vogla dhe të parëndësishme, të cilat nuk duhet të mblidhen dhe të grumbullohen. Përkundrazi, sa e mirë është pasuria në duart e një njeriu të mirë dhe të ndershëm. Paraja (pasuria) është forca lëvizëse e jetës së dynjasë, kështu ka qenë më parë dhe kështu do të mbetet edhe pas nesh. Përkatësisht, paraja është rrota e jetës, por jo jeta. Pra, ajo është mjeti por kurrsesi nuk është edhe qëllimi. Megjithatë, kur ajo bëhet qëllim, atëherë njeriu bëhet punëtor me pagës për pasardhësit e tij. Kjo na e kujton rastin e një shoferi të një njeriu të pasur, i cili vdiq dhe i la pasuri të madhe gruas së tij, dhe pastaj gruaja e martua me atë shoferin, i cili tha: “Unë kam menduar se po punoj për zotërinë tim, por në fakt, ai paska punuar për mua gjithë jetën e tij.”
Mblidhni pasuri dhe përpiquni të jeni sa më të pasur, ashtu që ta bëni jetën tuaj më të lehtë, dhe t’i lini trashëgimtarët tuaj sa më të pasur, që të jenë të pavarur nga njerëzit e tjerë, por mos harroni, që duke mbledhur pasuri edhe të jetoni. Dhe, gjithashtu, mos harroni, se gjërat më të shtrenjta në jetë janë ato që nuk kanë çmim! Pyetni njerëzit e pasur të cilët janë sëmurë nga sëmundje të rënda, sesa vlejnë paratë dhe pasuritë e tyre. Pyetni njerëzit e pasur të cilët janë të privuar nga pasardhësit, se sa vlen pasuria e tyre. Ne të gjithë jemi të pasur, nëse ua dimë vlerën e gjërave dhe jo çmimin e tyre.
Të lindësh si muslimanë dhe të jetosh si muslimanë, vlen më shumë se pasuria e Karunit, më shumë se faraoni dhe pushteti i tij, dhe më shumë se pushteti dhe pasuria e të gjithë mbretërve dhe sulltanëve të tokës.
Ne të gjithë e dimë se me para mund të blihen ilaçet, por jo edhe shëndeti, mund të blihet shtrati, por jo edhe gjumi i rehatshëm. Ne duhet diturinë që posedojmë ta kthejmë në sjellje dhe ndjenja. Mund të betohem se shumë pallate që ne i shohim janë vetëm varre ku janë të varrosur njerëzit e gjallë, se shumë hallka dhe qafore floriri, janë vetëm pranga në duart dhe qafat e grave që kanë gjithçka, përveç shijes së dashurisë së vërtetë.
Prandaj, mblidhni para dhe ruani ato, por mos harroni të ruani diçka edhe për tabutin dhe për sëndukun e të vdekurit.
Përkthim: Miftar Ajdini