Mënyra për ta mbajtur jetën e balancuar

Ado

FISEBILIL-LAH
A ka divergjenca mes kësaj bote dhe botës tjetër?

E diel 22 Maj 2011 18:22

Kërkimi i punëve të kësaj bote a ndikon në përcaktimin e njeriut në botën tjetër? Apo se kjo botë dhe bota tjetër janë dy anët e së njëjtës monedhë? A mundet muslimani të gjejë një balancë mes tyre?
Islami në të gjitha punët shfaqë një përmbajtje (moderim) pavarësisht a është fetare apo që ka të bëjë me këtë botë. Zoti na krijoi me një qëllim në këtë jetë, që ta pranojmë Njëshmërinë e Tij dhe ta adhurojmë vetëm Atë; dhe po ta kuptonim objektivin kryesor të krijimit të qenies njerëzore, do ta njihnim rëndësinë e përpjekjes që ta adhurojmë Zotin në mënyrën e duhur.
Në anën tjetër, njeriu duhet përpiqur ta sigurojë ekzistencën e tij; ai duhet po ashtu të ndërveprojë me të tjerët; t'i kryejë punët që ka... Atëherë, çfarë duhet të bëjë njeriu? A duhet ta izolojë vetveten dhe të jetojë në geto?
Jo, Islami nuk është kundër interaksionit (ndërveprimit). Islami nuk heq dorë nga kjo botë. Ndërveprimi nuk është një krim; është fare e kundërta - në fakt Islami thërret në pjesëmarrje, sfidë dhe ndryshim.
Besimtari i vërtetë duhet ta shfaqë veten në punët e kësaj bote duke urdhëruar për të mirë, ndaluar nga e keqja dhe vendosur drejtësinë në tokë. Muslimani duhet të jetë aktiv në shoqëri.
Në Kur’an shohim që Karuni ishte (një nga njerëzit në kohën e Musait a.s) paralajmëruar nga një besimtar në mesin e popullit të tij: Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bën të këqia në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit. (28:77)
Kjo është ajo që saktësisht kërkohet nga muslimani; do të thotë, ta ketë një balancë mes punëve të kësaj bote dhe fetarësisë.
Menaxhimi i kohës është njëherit edhe çelësi i suksesit. Nëse menaxhojmë kohën si duhet, mund të arrijmë çdo gjë që duam. Po ashtu, duhet të kemi një listë të prioriteteve duke filluar nga ato më të rëndësishmet tek ato më pak të rëndësishme. Duhet të përpiqemi që ta japim më të mirën nga vetja. Derisa shkojmë në punë, apo kur të kthehemi në shtëpi, veprat e mira mund t'i kthejmë në veprime të adhurimit.
Për shembull, mund të lexojmë Kur’an, ta kujtojmë Zotin, të kërkojmë falje nga Ai; të gjithë këtë duke e arritur derisa jemi në autobus apo tren.
Ne po ashtu gjejmë një shembull shumë të mirë në jetën e Profetit Muhamed a.s.
Aisha njëherë ishte pyetur: "اfarë bënte Profeti a.s. në shtëpinë e tij?" Ajo u përgjigj: "Ai i shërbente familjes së tij derisa vinte koha e namazit; e pastaj shkonte për ta falur namazin." (Buhariu)
Shohim që Profeti a.s. iu ndihmonte grave të tij rreth punëve të shtëpisë; kjo është një punë dynjaje. Në anën tjetër, kur afrohej koha e namazit ai i linte të gjitha për të shkuar në xhami.
Të kushtuarit vëmendje punëve të kësaj bote në njërën anë si dhe shpërfillja ndaj obligimeve fetare në anën tjetër nuk është e pëlqyeshme në Islam. Lidhur me këtë kategori njerëzish, Zoti thotë në Kur’an: (... e ata që nuk besuan përjetojnë kënaqësi (në këtë jetë) dhe hanë ashtu si hanë kafshët, e vendi i tyre është zjarri). 47:12
Muslimanët e rinj mund të mendojnë që në periudhën e tyre transitore duhet të braktisin çdo gjë në këtë botë dhe fokusi i vetëm i tyre të jetë relacioni i forcuar me Zotin; realisht ata kanë të drejtë kur kërkojnë një lidhje të fuqishme me Zotin, por sidoqoftë nuk kanë të drejtë ta refuzojnë këtë jetë. Hadithi vijues e shpjegon rrjedhën e këtij veprimi.
Një grup prej tre vetash erdhën te shtëpitë e grave të Profetit a.s. për t'i pyetur se si e adhuronte Profeti a.s. Allahun? Kur ata morën vesh për adhurimin e Profetit a.s. ata e konsideruan adhurimin e tyre si të pamjaftueshëm dhe thanë: “Ku jemi ne nga Profeti a.s. meqenëse mëkatet e tij të kaluara dhe të ardhshme janë falur.”
Pastaj, njëri nga ta tha: "Gjatë gjithë natës do të falem!” Tjetri tha: “Gjatë gjithë vitit do të agjëroj dhe nuk do ta ndërpres!”; kurse i treti tha: “Do të rri larg grave dhe nuk do të martohem!"
Profeti a.s. shkoi tek ta dhe iu tha: "A jeni ju ata që thatë të tilla fjalë? Pasha Allahun, unë jam më shumë i nënshtruar dhe i frikësuar ndaj Allahut sesa ju; megjithatë, unë agjëroj dhe e ndërpres agjërimin, unë flej dhe po ashtu martohem. Prandaj, ai që nuk ndjek sunnetin tim fetar, nuk është prej anës sime por as të shokëve të mi. Kjo është një afrim i përmbajtur që duhet ndjekur nga muslimanët e rinj apo të lindur qofshin. Ekstremizmi dhe shpërfillja janë të refuzuara në Islam.
Po ashtu, ka shumë ajete kuranore që e qartësojnë atë se muslimani nuk duhet ta ngarkojë veten e tij me atë që nuk mund ta bëjë; Zoti nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij. (2:286)
(Andaj, sa të keni mundësi ruanu prej dënimit të Allahut, dëgjoni, respektoni dhe jepni për të mirën tuaj...) 64:16.
Profeti a.s. ka thënë: "Nëse ju ndaloj nga diçka, atëherë rrini larg nga ajo; dhe, nëse iu urdhëroj të bëni diçka, atëherë bëni nga ajo aq sa të mundeni.
Aisha r.a. ka thënë: Njëherë Profeti erdhi derisa një grua ishte ulur me mua. Ai më pyeti se kush është ajo? Unë i thashë: është një grua që falet shumë. Profeti a.s tha: Bëj vepra të mira aq sa është kapaciteti yt (pa e ngarkuar vetën tënde); meqë Allahu nuk do të lodhet (që të japë shpërblimin), por, në fakt, ju do të lodheni nëse vepron kështu. Andaj, vepra më e mirë tek Allahu është ajo që bëhet rregullisht.
Këto janë porositë që duhet të ndiqen. Një përafrim do të na ndihmonte që të zhvillohemi në besim, dhe të na shpie drejt shpërblimeve në botën tjetër.

Burimi: onislam.net
Përktheu: Safet Pllana
 
Back
Top