MASHTRIM, zbulohet “maskarada” e futbollit shqiptar

Smirnoff

Anëtar i Nderuar
Futbolli pa makiazh

UEFA zbardh listën e ndeshjeve e trukuara në Superligë, ku rezultati është përcaktuar me qëllim përfitimi nga bastet. “Topi” kalon në fushën e Federatës Shqiptare

Ndjesia ishte se herët a vonë “bomba” do të plaste! Zërat që qarkullonin prej vitesh në ambientet sportive, më në fund janë zyrtarizuar dhe superligës shqiptare i çirret maska. Në fillim edicioni informativ në “Top Channel” zbuloi materialet konfidenciale që i zotëron edhe “Sporti Shqiptar”, në të cilat dallohet qartë se në Shqipëri luhet futboll me top të çarë!

Nëse ka pasur ndonjë dyshim tanimë gjithçka është e qartë: futbolli shqiptar është i trukuar. Nuk ka nevojë të shohësh pjesën më të madhe të ndeshjeve, mjafton të kujtosh fundin komik të kampionatit të kaluar… Fund që shfaqet si “tërmet” në dyert e federatës dhe klubeve shqiptare. Ishte një periudhë kur të gjithë e dinin si do të dilnin ndeshjet dhe kjo nuk është normale në një sport ku ka pasur prova të pafundme që i vogli mund të mposhtë më të madhin.

Këtë herë nuk ka nevojë për hamendësime, apo pamje televizive qesharake, konfirmimi vjen nga UEFA, organi drejtues i futbollit europian. BFDS-ja (Betting Fraud Detection System) sektori i UEFA-s, që merret me hetimin e trukimit të rezultateve me qëllim përfitimi nga bastet ka sjellë 12 ndeshje “të pista”, 12 takime ku rezultati ka qenë i trukuar, dukshëm, pastër, për të përfituar para, krahas ndonjë pike të rëndësishme për renditjen.

MAJA E AJSBERGUT Data 5 tetor ishte dita kur UEFA njofton federatën se ndeshja Kastrioti-Vllaznia kishte qenë anormale. Ai takim i luajtur vetëm tri ditë më parë ka qenë i trukuar, sipas BFDS-së. Federata shqiptare i kërkon UEFA-s të dhëna të tjera për ndeshjen në fjalë dhe kjo e fundit i përgjigjet me detaje për parregullësitë e ndodhura. Lajmi nis të qarkullojë në shtypin shqiptar dhe Prokuroria e Krujës fillon një hetim, i cili po vazhdon ende. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.

UEFA sjell 12 raste të tjera, të pikasura në harkun e një muaji, nga marsi në prill të 2011-s, kryesisht ndeshje të luajtura më 15 dhe 20 prill. Mjaftoi një hetim intensiv i BFDS-së për të zbardhur parregullsi, që sipas tyre, kanë sjellë përfitime financiare të palëve të përfshira. BFDS-ja është “e shenjtë” për UEFA-n, aq e shenjtë sa presidenti Mishel Platini nuk hapi hetimin në lidhje me ndeshjen Dinamo Zagreb-Lion 1-7, pikërisht me arsyetimin se sistemi i monitorimit nuk kishte dalluar baste të dyshimta.

MASAT ANTITRUKIM Baste të dyshimta, të cilat me sa duket kanë qenë me bollëk në superligën shqiptare. Këto ndeshje të dyshimta janë materiale konfidenciale që mendohet se zotërohen nga Federata Shqiptare e Futbollit, ashtu si dhe nga gazeta jonë, krahas televizionit “Top Channel”. Kjo “dosje” e kalon topin përfundimisht në fushën e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila duhet të kërkojë hetim nga Prokuroria Shqiptare.

Tani që rrjeta e trukimit u zgjerua, UEFA “detyron” marrjen e masave dhe këtu del në pah një mungesë në legjislacionin shqiptar. Tre vjet më parë, Shoqata e Prokurorëve, krahas Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe zyrës për mbrojtjen e qytetarit kërkuan miratimin e një ndryshimi në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Kërkesa e tyre ishte:

“Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri ne 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë deri në 3 milionë lekë”. Kjo nismë u quajt “futbolli me këmbë të pastra”. Atë kohë u fol shumë, por më pas nuk u bë asgjë.

KUDO KA “KAOS” Vendi i fundit i tronditur nga skandali i basteve ka qenë Turqia. 19 rezultate të dyshmita kanë sjellë 93 arrestime: futbollistë, ish-futbollistë, drejtues klubesh, menaxherë dhe tre presidentë ekipesh, me në krye Aziz Ildarim, “bosi” i Fenerbahçes kanë përfunduar në pranga. Fenerbahçe u përjashtua nga Liga e Kampionëve dhe iu hoq titulli kampion, ndërsa të premten e kaluar parlamenti turk miratoi projektligjin e ri, që i dënon me 3 ose më shumë vjet fajtorët për trukim rezultatesh.

Prokuroria ka materialin e duhur të marrë nga tabuletat e celularëve për të kërkuar dënimin më të madh të mundshëm, teksa gjyqi do të bëhet më shkurt të 2012-s. Vende si Kroacia, Qipro, Malta dhe kategoritë inferiore në Austri, Gjermani e Greqi janë bërë prej kohësh pre e spastrimeve pikërisht me qëllimin për të pastruar futbollin nga rastet e trukimit me qëllim përfitimin e parave nga bastet.

“KARTON I VERDHE” UEFA nuk do ta tolerojë vazhdimin e situatës kaotike edhe në vendin tonë. “Kartoni i verdhë” është dhënë dhe, në rast se gjërat nuk ndryshojnë, atëherë mund të bëhet i kuq, mund të ketë edhe përjashtime. Futbolli është i sëmurë, “ilaçin” e kanë njerëzit përgjegjës, ata që deri tani kanë hedhur përballë evidencës.

Tani që evidenca shoqërohet me fakte, marrja e masave është minimumi i mundshëm që kërkohet. Sporti më i dashur për shqiptarët ka kohë që ka humbur besuashmërinë. Për ta rifituar duhet një ndërhyrje sa më e shpejtë. Rritja e cilësisë së futbollistëve dhe eliminimi i dhunës nuk mjafton për të afruar tifozët me stadiumin. Besueshmëria është baza për të mos dëgjuar më koret: “U shit, u shit”, që UEFA tregoi se ishin të vërteta.



UEFA zbret në fushë, 29.000 ndeshje të monitoruara

Sekretari i përgjithshëm, Xhani Infantino, shpjegon aktivitetin e kontrollit të organizmit më të madh europian. Mbikëqyrja e organizuar ka kërkuar shqyrtimin e mbi 100 milionë të dhënave

UEFA është shumë aktive në fushën e kontrollit të rregullsisë së ndeshjeve. Ja si shprehet sekretari i përgjithshëm, Xhani Infantino: “Me krijimin e BFDS-së (sistemi i zbulimit të mashtrimeve në baste, anti-trukim) po monitorojmë gjithnjë e më shumë tregun e basteve, falë edhe bashkëpunimit të policive kombëtare. Do të ndëshkojmë shumë ashpër këdo që tenton të manipulojë një rezultat futbollistik.”

Në zonën UEFA janë nën kontroll 1800 ndeshje, 29 mijë ndeshje kombëtare të kontrolluara me mbikëqyrje 24 orë në ditë, 365 ditë të vitit, të 1600 skuadrave, që u përkasin 53 federatave që përbëjnë organizmin evropian të futbollit. Siç shkruan agjencia e shtypit mbi lojërat dhe fushën e veprimit të ”Betting fraud detection system” (BFDS), sistemi i individualizimit të mashtrimit në tregun e basteve të UEFA-s, i lindur në vitin 2005, i cili përditësohet vazhdimisht dhe është rinovuar tërësisht që nga 1 korriku 2009.

Analizohen mbi 100 milionë të dhëna bastesh, të marra nga një mesatare e 80 ndeshjesh në ditë, 10 tipologji bastesh dhe me ndihmën e 300 bookmakers-ve (profesionistë bastesh), merret një normë e trukimit e kalkuluar, që nuk është konsideruar një provë e pakonvertueshme, por një proces hetimi nga i cili mund të niset. UEFA i ka shtuar kësaj një njësi disiplinore që ka detyrën të hetojë për trukim ndeshjesh (trupimi i finalizuar për të trukuar ndeshjet), njësi që ka fuqi të plota për të marrë në pyetje dhe për të hetuar me qëllim që të sigurohet tolerancë zero në raport me aktivitetet ilegale, të cilat, po u vërtetuan, sjellin sanksione sportive, që bien nën autoritetin e trupave disiplinore të UEFA-s. Këto sanksione, sipas Agipronews, variojnë nga një njoftimi i thjeshtë me shkrim deri në sanksione ekonomike dhe përjashtimi nga kompeticionet evropiane. Kjo njësi hetimore bashkëpunon me industrinë e basteve dhe me autoritetet ndërkombëtare që prej vitit 2008.



UEFA E BETUAR:

“Jemi të gatshëm për të luftuar këtë kancer të futbollit”

Komiteti ekzekutiv ka marrë të dhëna të detajuara për qëllimin e sistemit të UEFA-s, i cili minotoron rreth 29.000 ndeshje anembanë Europës, përfshirë edhe ndeshjet e UEFA-s, si dhe të gjitha kampionatet e kategorive të para dhe të dyta, si dhe ndeshjet e kupave të 53 federatave anëtare. Vendosmëria e UEFA-s, presidenti Mishel Platini dhe sekretari i përgjithshëm Xhani Infantino, kanë bashkuar forcat për t’u angazhuar deri në fund për të luftuar parregullsitë në baste dhe trukimin e ndeshjeve.

“Nëse ne fillojmë të mësojmë rezultatin e ndeshjeve përpara se ndeshjet të zhvillohen, do të na duhet të ndalemi, – ka thënë Platini. – Fëmijët duhet të mos luajnë më, njerëzit nuk duhet të shkojnë më në stadiume. Ne do të angazhojmë çdo mjet të nevojshëm për të luftuar ata që bëjnë hile.”

Gati për sfidën - “Ne kemi themeluar një Sistem Zbulimit të Mashtrimeve në Baste, i cili monitoron tregun e basteve anembanë botës 24 orë në ditë, shtatë ditë në jave, 365 ditë të vitit”, ka shtuar Infantino. “Ne do të sanksionojmë shumë ashpër këdo që është duke manipuluar rezultatin e ndeshjes. Kemi bashkëpunuar me autoritetet policore për t’u siguruar që këto aktivitete kriminale të luftohen dhe që ky kancer të çrrënjoset nga ky sport para se të bëhet shumë i madh. ثshtë një sfidë dhe ne jemi gati.”

Kompani e re e shërbimit të UEFA-s - Në një tjetër aspekt të punës së tij, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka aprovuar krijimin e një kompanie të re shërbimi të UEFA-s, me emrin UEFA Events SA. Kjo kompani do të funksionojë si një kompani bijë e UEFA-s dhe është krijuar për të menaxhuar dhe për t’u marrë me operacionet komerciale të UEFA-s dhe të organizimit të evenimenteve të mëdha.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka emëruar si shef ekzekutiv të kësaj kompanie Dejvid Tejlorin gjatë mbledhjes së fundit të mbajtur në Nion. UEFA dhe presidenti i saj, Mishel Platini, kanë shprehur edhe një herë strategjinë e tyre të tolerancës zero ndaj korrupsionit në futbollin evropian. Platini ka ritheksuar vendosmërinë e këtij organizmi europian pas mbledhjes së fundit të Komitetit Ekzekutiv, në Valeta të Maltës.

Problem real - “Ne do të përdorim të gjithë forcën tonë për të luftuar kundër atyre që korruptojnë këtë sport,- ka thënë Platini. – Nëse gazetarët do ta dinin që përpara ndeshjes se si do të përfundonte ajo, nuk do të kishte interes dhe futbolli do të vritej. Sinqerisht, është një problem real.

اdo lojtar që kapet duke bërë mashtrime dhe trukuar ndeshje, nuk do të luajë më futboll. Ata gjyqtarë që korruptohen, nuk do të arbitrojnë më. Ai president apo trajner klubi që korrupton ose korruptohet, nuk do të drejtojë më ndonjë klub ose skuadër. Ky është vullneti i presidentit dhe i Komitetit Ekzekutiv. Ne nuk mund ta tolerojmë këtë gjë.”

Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve me Bastet UEFA ka marrë tashmë masat për të investuar fuqishëm në këtë sistem. UEFA gjithashtu monitoron të gjitha ndeshjet e UEFA-s, si dhe të gjitha ndeshjet e kampionateve dhe kupave të federatave anëtare. Krahas kësaj, UEFA ka ndihmuar edhe policinë e Gjermanisë në një hetim për trukim ndeshjesh në Europë dhe është duke hetuar disa ndeshje të kompeticioneve evropiane.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top